2013
Vajtimet e Jeremias: Ruhuni nga Skllavërimi
Nëntor 2013


Vajtimet e Jeremias: Ruhuni nga Skllavërimi

Pamja

Sfida jonë është që t’i shmangemi skllavërimit të çfarëdo lloji, ta ndihmojmë Zotin për t’i mbledhur të zgjedhurit e Tij dhe të sakrifikojmë për brezin e ri.

Herët në martesën tonë, gruaja ime, Meri, dhe unë vendosëm që, për aq sa mundeshim, do të zgjidhnim veprimtari që mund t’i ndiqnim së bashku. Ne gjithashtu donim të ishim të matur me buxhetin tonë. Merit i pëlqen shumë muzika dhe pa dyshim u shqetësua se unë mund të mbitheksoja veprimtaritë sportive, prandaj ra dakord që për të gjitha veprimtaritë që do të ndiqnim me pagesë, do të kishte dy shfaqje muzikore, opera ose veprimtari kulturore për secilën ndeshje sportive që do ta paguanim vetë.

Fillimisht, pata kundërshtim ndaj pjesës së operas, por me kalimin e kohës e ndryshova mendimin tim. Veçanërisht arrita të pëlqej operat e Xhuzepe Verdit.1 Këtë javë do të jetë 200-vjetori i lindjes së tij.

Në rininë e tij, Verdit i ngjalli kureshtje profeti Jeremia dhe në 1842, në moshën 28-vjeçare, ai u bë i famshëm me operan Nabuko, një formë e shkurtuar në italisht e emrit Nebukadnetsar, mbretit të Babilonisë. Kjo opera përmban ide të marra nga librat e Jeremias, Vajtimeve dhe Psalmeve në Dhiatën e Vjetër. Opera përfshin pushtimin e Jerusalemit dhe robërinë e skllavërimin e judenjve. Psalmi 137 është frymëzuesi për “Korin e Skllevërve Hebrenj”, një kor prekës dhe emocionues i Verdit. Kreu i këtij psalmi në shkrimet tona të shenjta [në gjuhën angleze] është shumë dramatik: “Ndërsa në robëri, judenjtë vajtuan pranë lumenjve të Babilonisë – Për shkak të hidhërimit, ata nuk guxonin t’i këndonin këngë Sionit”.

Qëllimi im është të rishikoj shumë forma të skllavërimit dhe nënshtrimit. Do të krahasoj sigurisht disa rrethana të kohës sonë me ato në ditët e Jeremias përpara rënies së Jerusalemit. Duke e paraqitur këtë zë paralajmërimi, jam mirënjohës që shumica e anëtarëve të Kishës po e shmangin me drejtësi sjelljen që ishte kaq fyese ndaj Zotit në kohën e Jeremias.

Profecitë dhe vajtimet e Jeremias janë të rëndësishme për shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Jeremia dhe Jerusalemi i kohës së tij janë prapaskena e kapitujve fillestarë në Librin e Mormonit. Jeremia ishte një bashkëkohës i profetit Lehi.2 Në mënyrë dramatike, Zoti e njoftoi Jeremian për parashugurimin e tij: “Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve”3.

Lehi pati një thirrje, mision dhe detyrë të ndryshme, të caktuar nga Zoti. Ai nuk u thirr në rininë e tij, por në pjekurinë e tij. Fillimisht, zëri i tij ishte një zë paralajmërimi, por pasi shpalli besnikërisht të njëjtin lajm sikurse Jeremia, Lehi u urdhërua nga Zoti të merrte familjen e tij dhe të niseshin për në vendin e shkretë.4 Duke e bërë këtë, Lehi bekoi jo vetëm familjen e tij, por edhe të gjithë njerëzit.

Gjatë viteve përpara shkatërrimit të Jerusalemit5, lajmet që Zoti i dha Jeremias, s’të hiqen nga mendja. Ai tha:

“Populli im e ka ndërruar lavdinë e tij për diçka që nuk vlen asgjë. …

… Më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur … sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin.”6

Duke folur për fatkeqësitë që do t’u vinin banorëve të Jerusalemit, Zoti vajtoi: “[Për ta] korrja ka mbaruar, vera ka marrë fund dhe [ata] nuk [janë] shpëtuar”7.

Perëndia kishte si qëllim që burrat dhe gratë do të ishin të lirë për të bërë zgjedhje midis së mirës dhe së ligës. Kur zgjedhjet e liga bëhen tipari mbizotërues i një kulture apo kombi, ka pasoja të rënda si në këtë jetë, edhe në jetën që vjen. Njerëzit mund të bëhen të skllavëruar ose ta vendosin vetveten nën skllavërim jo vetëm prej lëndëve të dëmshme, varësuese, por edhe prej filozofive të dëmshme, varësuese, të cilat i largojnë nga të jetuarit e drejtë.

Largimi nga adhurimi i Perëndisë së vërtetë e të gjallë dhe të adhuruarit e perëndive të rreme, sikurse pasuria e fama, dhe përfshirja në sjellje të pamoralshme e të padrejtë përfundojnë në skllavërim në të gjitha mënyrat tinëzare të shfaqjes së tij. Këto përfshijnë skllavërim shpirtëror, fizik e intelektual dhe nganjëherë sjellin shkatërrim. Jeremia dhe Lehi gjithashtu na mësuan se ata që janë të drejtë, duhet ta ndihmojnë Zotin për ta ngritur Kishën dhe mbretërinë e Tij dhe për ta mbledhur Izraelin e shpërndarë.8

Këto mesazhe kanë jehuar dhe janë ritheksuar përmes shekujve në të gjitha periudhat ungjillore. Ato janë thelbi i Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit në këtë, periudhën ungjillore përfundimtare.

Robërimi i judenjve dhe shpërndarja e fiseve të Izraelit, duke përfshirë dhjetë fiset, janë faktorë doktrinorë të rëndësishëm në Rivendosjen e ungjillit. Dhjetë fiset e humbura përbënin Mbretërinë Veriore të Izraelit dhe u morën robër nga Asiria në vitin 721 Pr.K.. Ata shkuan drejt vendeve veriore.9 Neni ynë i dhjetë i besimit shpall: “Ne besojmë në mbledhjen aktuale të Izraelit dhe në rivendosjen e Dhjetë Fiseve”10. Ne gjithashtu besojmë se, si pjesë e besëlidhjes që Zoti e bëri me Abrahamin, do të bekohej jo vetëm linja e prejardhjes së Abrahamit, por gjithashtu do të bekoheshin që të gjithë njerëzit e tokës. Siç ka thënë Plaku Rasëll M. Nelson, mbledhja “nuk është një çështje e vendndodhjes fizike; është një çështje e zotimit individual. Njerëzit mund të ‘sillen në njohurinë e Zotit’ [3 Nefi 20:13] pa u larguar nga vendlindjet e tyre”.11

Doktrina jonë është e qartë: “Zoti i shpërndau dhe goditi me fatkeqësi dymbëdhjetë fiset e Izraelit për shkak të padrejtësisë dhe rebelimit të tyre. Megjithatë, Zoti gjithashtu e përdori këtë shpërndarje të popullit të tij të zgjedhur mes kombeve të botës për t’i bekuar ato kombe.”12

Ne mësojmë mësime të vlefshme nga kjo periudhë tragjike. Ne duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta shmangur mëkatin dhe rebelimin që çojnë drejt skllavërisë.13 Ne gjithashtu dallojmë se të jetuarit e drejtë është një kusht paraprak për ta ndihmuar Zotin në mbledhjen e të zgjedhurve të Tij dhe në një mbledhje aktuale të Izraelit.

Skllavërimi, nënshtrimi, varësitë dhe robëria vijnë në shumë forma. Ato mund të jenë skllavëri e drejtpërdrejtë fizike, por edhe mund të jenë humbje ose cenim i lirisë së zgjedhjes morale, që mund ta pengojnë përparimin tonë. Jeremia është i qartë se padrejtësia dhe rebelimi ishin arsyet kryesore për shkatërrimin e Jerusalemit dhe robërinë në Babiloni.14

Lloje të tjera skllavërimi janë po aq shkatërruese për shpirtin njerëzor. Liria e zgjedhjes morale mund të keqpërdoret në shumë mënyra.15 Do të përmend katër mënyra që janë veçanërisht shkatërruese në kulturën e sotme.

Së pari, varësitë që e pengojnë lirinë e zgjedhjes, që bien në kundërshtim me bindjet morale dhe që e shkatërrojnë shëndetin e mirë, shkaktojnë skllavërim. Ndikimi i drogave dhe alkoolit, imoraliteti, pornografia, kumari, nënshtrimi financiar dhe vuajtje të tjera ngarkojnë mbi njerëzit që gjenden në skllavërim dhe mbi shoqërinë një barrë të një peshe të tillë që është pothuajse e pamundur për t’u matur.

Së dyti, disa varësi ose parapëlqime që, edhe pse nuk janë tërësisht të liga në vetvete, mund ta zënë pjesën tonë të çmuar të kohës, e cila përndryshe mund të përdorej për të përmbushur qëllime të virtytshme. Këto mund të përfshijnë përdorimin e tepërt të mediave shoqërore, videove dhe lojërave dixhitale, sporteve, argëtimeve dhe shumë të tjera.16

Mënyra se si e ruajmë kohën për familjen është një nga problemet më të rëndësishme që ne e ndeshim në shumicën e kulturave. Në një kohë kur unë isha i vetmi anëtar i Kishës në firmën tonë avokatore, një avokate më shpjegoi se si ajo gjithmonë u ndje si zhonglere duke u përpjekur të mbante tre topa në ajër në të njëjtën kohë. Njëri top ishte praktika e saj avokatore, një ishte martesa e saj dhe një ishin fëmijët e saj. Ajo pothuajse kishte hequr dorë nga koha për veten e saj. Ishte shumë e shqetësuar se njëri nga topat ishte gjithmonë përtokë. Sugjerova që të mblidheshim si grup dhe t’i diskutonim përparësitë tona. Ne vendosëm që arsyeja kryesore përse po punonim, ishte që t’i mbështesnim familjet tona. Ramë dakord se të fitonim më shumë para, nuk ishte po aq e rëndësishme sa familjet tona, por vumë në dukje se ishte thelbësore t’u shërbenim klientëve tanë sa më mirë që mundeshim. Diskutimi më pas u zhvendos tek ajo që bënim në punë, e cila nuk ishte e nevojshme dhe nuk përputhej me lejimin e kohës për familjen. A kishte presion për ta kaluar kohën në vendin e punës, kohë që s’ishte thelbësore?17 Vendosëm që synimi ynë do të ishte një mjedis miqësor ndaj familjes, si për gratë edhe për burrat. Le të jemi në pararojë të mbrojtjes së kohës për familjen.

Së treti, nënshtrimi më mbarëbotëror i periudhës sonë kohore, sikurse ka qenë përgjatë gjithë historisë, është ideologjia ose bindjet politike që nuk përputhen me ungjillin e Jezu Krishtit. Të zëvendësuarit e së vërtetës së ungjillit me filozofitë e njerëzve mund të na largojë nga thjeshtësia e mesazhit të Shpëtimtarit. Kur Apostulli Pal vizitoi Athinën, ai u përpoq t’u mësonte për Ringjalljen e Jezu Krishtit. Për këtë përpjekje ne lexojmë në Veprat e Apostujve: “Atëherë gjithë Athinasit dhe të huajt që banonin atje nuk e kalonin kohën më mirë sesa duke folur ose duke dëgjuar ndonjë fjalë të re”.18 Kur turma e kuptoi natyrën e thjeshtë fetare të mesazhit të Palit, i cili nuk ishte i ri, ata nuk e pranuan atë.

Kjo është simbolizuese për vetë kohën tonë, ku të vërteta të ungjillit shpesh nuk pranohen ose shtrembërohen për t’i bërë ato nga ana intelektuale më tërheqëse ose më të përshtatshme me drejtimet e tanishme kulturore dhe filozofitë intelektuale. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, ne mund të pushtohemi prej këtyre drejtimeve dhe ta vendosim vetveten nën skllavërim intelektual. Ka shumë zëra tani, të cilat u tregojnë grave se si të jetojnë.19 Ata shpesh bien në kundërshtim me njëri-tjetrin. Të një shqetësimi të veçantë janë filozofitë që kritikojnë ose e zvogëlojnë respektin për gra që zgjedhin të bëjnë sakrificat e nevojshme për të qenë nëna, mësuese, edukuese apo mikesha ndaj fëmijëve.

Pak muaj më parë, dy mbesat tona më të rejat na vizituan – secila për një javë. Isha në shtëpi dhe iu përgjigja derës. Gruaja ime, Meri, ishte në një dhomë tjetër. Në të dy rastet, pas një përqafimi, ato thanë pothuajse të njëjtën gjë. Panë përreth dhe pastaj thanë: “Më pëlqen shumë të jem në shtëpinë e gjyshes. Ku është gjyshja?” Nuk ua thashë atyre, por po mendoja: “S’është kjo edhe shtëpia e gjyshit?” Por e kuptova se, kur isha fëmijë, familja jonë shkonte te shtëpia e gjyshes. Fjalët e një kënge të njohur më erdhën në mendje: “Përmbi lumë dhe përmes pyllit, te shtëpia e gjyshes shkojmë”.

Tani, më lejoni ta them qartazi se ngazëllehem me mundësitë arsimore dhe mundësi të tjera që janë në dispozicion të grave. E çmoj pa masë faktin se puna rraskapitëse dhe angaritë shtëpiake që kërkohen prej grave, janë pakësuar në pjesën më të madhe të botës për shkak të pajisjeve moderne dhe se gratë po bëjnë ndihmesa kaq të mahnitshme në çdo fushë orvatjeje. Por nëse e lejojmë kulturën tonë që ta pakësojë marrëdhënien e veçantë që fëmijët kanë me nënat, gjyshet dhe të tjerat që i edukojnë ata, ne vërtet do të ndiejmë keqardhje për të në fund të fundit.

Së katërti, forca, të cilat dhunojnë parime fetare të mbajtura me sinqeritet, mund të çojnë në skllavërim. Një nga format më të papëlqyeshme është kur njerëz të drejtë, që ndihen të përgjegjshëm ndaj Perëndisë për sjelljen e tyre, detyrohen të marrin pjesë në veprimtari që e dhunojnë ndërgjegjen e tyre – për shembull, punonjësit mjekësorë të detyruar të zgjedhin midis kryerjes së aborteve në kundërshtim me ndërgjegjen e tyre ose humbjes së punës së tyre.

Kisha është një pakicë relativisht e vogël edhe kur lidhet me njerëz që mendojnë si ne. Do të jetë e vështirë të ndryshohet shoqëria në tërësi, por ne duhet të punojmë për ta përmirësuar kulturën morale që na rrethon. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme në çdo vend duhet të jenë qytetarë të mirë, të marrin pjesë në çështje qytetare, ta edukojnë vetveten lidhur me problemet dhe të votojnë.

Theksimi ynë kryesor, megjithatë, gjithmonë duhet të jetë që të bëjmë çfarëdo sakrifice të nevojshme për ta mbrojtur vetë familjen tonë dhe brezin e ri.20 Pjesa dërrmuese e tyre nuk janë ende nën skllavërimin e varësive të rënda ose ideologjive të rreme. Ne duhet të ndihmojmë që t’i vaksinojmë ata prej një bote që duket shumë sikurse Jerusalemi që përjetuan Lehi dhe Jeremia. Përveç kësaj, na duhet t’i përgatisim ata që të bëjnë e të mbajnë besëlidhje të shenjta dhe të jemi të dërguarit kryesorë për ta ndihmuar Zotin që të krijojë Kishën e Tij dhe që ta mbledhë Izraelin e shpërndarë dhe të zgjedhurit e Zotit kudo.21 Siç e thotë plot bukuri Doktrina e Besëlidhje: “Të drejtët do të mblidhen prej gjithë kombeve dhe do të vijnë në Sion, duke kënduar këngë gëzimi të përhershëm”22.

Sfida jonë është që t’i shmangemi skllavërimit të çfarëdo lloji, ta ndihmojmë Zotin për t’i mbledhur të zgjedhurit e Tij dhe të sakrifikojmë për brezin e ri. Ne duhet të kujtojmë gjithmonë se ne nuk e shpëtojmë veten tonë. Ne çlirohemi nëpërmjet dashurisë, hirit dhe flijimit shlyes të Shpëtimtarit. Kur familja e Lehit u largua, ata u drejtuan nga drita e Zotit. Nëse jemi të vërtetë ndaj dritës së Tij, i ndjekim urdhërimet e Tij dhe mbështetemi tek meritat e Tij, ne vërtet do ta shmangim skllavërimin shpirtëror, fizik dhe intelektual, si edhe vajtimin e endjes në vendin tonë të shkretë, sepse Ai është i fuqishëm për të na shpëtuar.

Le ta shmangim dëshpërimin dhe hidhërimin e atyre që bien në robëri dhe nuk guxojnë t’i këndojnë më këngë Sionit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shumë opera të Verdit si Aida, La traviata dhe Il trovatore janë mes operave më të njohura që shfaqen nëpër botë sot.

  2. Shih 1 Nefi 5:13; 7:14.

  3. Jeremia 1:5.

  4. Shih 1 Nefi 2:2–3.

  5. Shkatërrimi i tempullit të Salomonit, rënia e Jerusalemit dhe robëria e fisit të Judës ndodhën rreth vitit 586 Pr.K.

  6. Jeremia 2:11, 13.

  7. Jeremia 8:20. Jeremia më parë shënoi për Zotin duke bërë thirrje për pendim: “Po shtrembërohem nga dhimbja” (Jeremia 4:19) dhe duke u përgjëruar: “Gjeni një njeri … që zbaton drejtësinë, që kërkon të vërtetën, dhe unë do ta fal” (Jeremia 5:1).

  8. Shih Jeremia 31; 1 Nefi 10:14.

  9. Shih 2 Mbretërve 17:6; Doktrina e Besëlidhje 110:11.

  10. Nenet e Besimit 1:10; shih edhe 2 Nefi 10:22.

  11. Russell M. Nelson, “The Book of Mormon and the Gathering of Israel” (bisedë dhënë në një seminar për presidentët e rinj të misioneve, 26 qershor 2013).

  12. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Izrael”, f. 69; scriptures.lds.org.

  13. Zoti, duke folur në kohën tonë, tha: “Gjithë bota prehet në mëkat dhe rënkon nën errësirë dhe nën skllavërinë e mëkatit … ngaqë ata nuk vijnë tek unë” (Doktrina e Besëlidhje 84:49–50).

  14. Edhe njerëz të pafajshëm, sigurisht, mund të skllavërohen.

  15. Parimet doktrinore nuk ndryshojnë, por mënyrat e skllavërimit, nënshtrimit dhe shkatërrimit janë përshpejtuar në një mënyrë të pashembullt.

  16. Kjo u vu në dukje me vend dhe në mënyrë disi humoristike në kopertinën e Revistës “New York Times” vitin e kaluar (8 prill 2012), duke iu drejtuar natyrës varësuese të lojërave dixhitale. Thoshte: “Fuqia dhe Joshja Tepër Varësuese, Kohë-Përpirëse, Marrëdhënie-Shkatërruese, Mendje-Copëtuese e Lojërave të Marra Dixhitale”. Dhe më pas me shkronja të vogla: “(Që nuk do të thotë se edhe ne nuk i duam.)” Kjo, në një mënyrë të shkujdesur, thekson domosdoshmërinë e ushtrimit të urtësisë në përdorimin tonë të shpikjeve të mrekullueshme teknologjike të epokës sonë.

  17. Mantra [motoja] e përbashkët në shumë mjedise pune është “Ne punojmë shumë dhe lozim rëndshëm”. Ndërkohë që marrëdhëniet midis punonjësve janë të rëndësishme, kur “puna dhe loja” zënë kohën tonë për familjen, ato e vetëshkatërrojnë qëllimin e tyre.

  18. Veprat e Apostujve 17:21; theksimi i shtuar.

  19. Shih Keli Goff, “Female Ivy League Graduates Have a Duty to Stay in the Workforce”, Guardian, 21 prill 2013, www.theguardian.com/commentisfree/2013/apr/21/female-ivy-league-graduates-stay-home-moms; Sheryl Sandberg, Lean In: Women, Work, and the Will to Lead (2013); Anne-Marie Slaughter, “Why Women Still Can’t Have It All”, The Atlantic, 13 qershor 2012, www.theatlantic.com/magazine/print/2012/07/why-women-still-cant-have-it-all/309020; Lois M. Collins, “Can Women ‘Have It All’ When It Comes to Work and Family Life?” Deseret News, 28 qershor 2012, f. A3; Judith Warner, “The Midcareer Timeout (Is Over)”, New York Times Magazine, 11 gusht 2013, f. 24–29, 38; Scott Schieman, Markus Schafer dhe Mitchell McIvor, “When Leaning In Doesn’t Pay Off”, New York Times, 11 gusht 2013, f. 12.

  20. Kisha i ka nxitur peshkopatat për t’i ndihmuar familjet të kalojnë më shumë kohë me të rinjtë, të rejat dhe të rinjtë beqarë në moshë madhore. Peshkopatat janë nxitur në këshillin e lagjes që t’u ngarkojnë më shumë përgjegjësi kuorumeve të Priftërisë Melkizedeke, organizatave ndihmëse dhe anëtarëve që kanë aftësi të veçanta për t’i ndihmuar të tjerët siç duhet.

  21. Shih Doktrina e Besëlidhje 29:7.

  22. Doktrina e Besëlidhje 45:71.