2013
Familje dhe Miq Përgjithnjë
dhjetor 2013


Mesazhi i Presidencës së Parë, Dhjetor 2013

Familje dhe Miq Përgjithnjë

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

Kudo që të jetoni, keni miq që po kërkojnë lumturinë më të madhe që ju keni gjetur në të jetuarin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ata mund të mos jenë në gjendje ta përshkruajnë atë lumturi me fjalë, por mund ta dallojnë kur e shohin atë në jetën tuaj. Ata do të presin me padurim të mësojnë burimin e asaj lumturie, veçanërisht kur shohin se ju hasni sprova njësoj si ata.

Ju keni ndier lumturi teksa i keni zbatuar urdhërimet e Perëndisë. Ai është fruti i premtuar i të jetuarit të ungjillit (shih Mosia 2:41). Ju nuk u bindeni me besnikëri urdhërimeve të Zotit që t’ju shohin njerëzit e tjerë, por ata që e vëzhgojnë lumturinë tuaj, po përgatiten nga Zoti që ta dëgjojnë lajmin e mirë të Rivendosjes së ungjillit.

Bekimet që ju janë dhënë, kanë krijuar detyrime dhe mundësi të mrekullueshme për ju. Si një dishepull i besëlidhur i Jezu Krishtit, jeni të detyruar t’u zgjatni të tjerëve një mundësi për të gjetur lumturi më të madhe, veçanërisht miqve dhe anëtarëve të familjes suaj.

Zoti e pa mundësinë tuaj dhe e përshkroi detyrimin tuaj me këtë urdhërim: “Të bëhet që, kushdo që është paralajmëruar, të paralajmërojë të afërmin e tij” (DeB 88:81).

Zoti e bën atë urdhërim më të lehtë për t’iu bindur përmes ndryshimit që ndodh në zemrën tuaj kur e pranoni dhe e jetoni ungjillin e Jezu Krishtit. Si rezultat, dashuria juaj për të tjerët rritet, ashtu siç rritet dëshira juaj që ata të kenë të njëjtën lumturi që keni përjetuar ju.

Një shembull i atij ndryshimi është mënyra si e mirëprisni shansin për të ndihmuar në punën misionare të Zotit. Misionarët kohëplotë mësojnë herët se mund të presin një përgjigje të ngrohtë nga një i kthyer i vërtetë në besim ndaj një kërkese për t’i dhënë një emër. I kthyeri në besim është i etur që miqtë dhe pjesëtarët e familjes të marrin lumturinë e tyre.

Kur udhëheqësi i misionit ose misionarët e lagjes suaj ju kërkojnë emrin e dikujt për t’i dhënë mësim, ky është një kompliment i shkëlqyer për ju. Ata e dinë se miqtë e kanë parë lumturinë tuaj dhe, prandaj, ata miq janë përgatitur për ta dëgjuar dhe për të zgjedhur ta pranojnë ungjillin. Dhe ata kanë siguri se ju do të jeni miku që do t’iu duhet atyre teksa vijnë në mbretëri.

Ju nuk duhet të druheni se do t’i humbisni miqtë kur i ftoni misionarët të takohen me ta. Unë kam miq që i kanë refuzuar misionarët, por më kanë falënderuar gjatë shumë viteve që u ofrova atyre diçka që e dinin se ishte shumë e çmuar për mua. Ju mund të bëni miq përgjithnjë duke u ofruar ungjillin, të cilin ata e shohin se ju ka sjellë lumturi. Mos e humbisni kurrë një mundësi për ta ftuar një mik dhe veçanërisht një pjesëtar të familjes të zgjedhë që të ndjekë planin e lumturisë.

Nuk ka mundësi më të shkëlqyer për atë ftesë sesa në tempujt e Kishës. Atje Zoti mund t’u ofrojë ordinancat e shpëtimit paraardhësve tanë që nuk mundën t’i merrnin ato në jetë. Ata ju shohin nga lart me dashuri dhe shpresë. Zoti ka premtuar se ata do të kenë mundësinë të vijnë në mbretërinë e Tij (shih DeB 137:7–8) dhe Ai ka mbjellë një dashuri për ta në zemrën tuaj.

Shumë prej jush kanë ndier gëzim kur u kanë ofruar ordinancat e tempullit të tjerëve, pikërisht ashtu siç ndiheni kur u jepni misionarëve emra njerëzish për t’i takuar. Ju keni ndier gëzim madje më të madh duke kryer ordinanca për paraardhësit tuaj. Profetit Jozef Smith iu zbulua se lumturia jonë e përjetshme është e mundur vetëm nëse u ofrojmë mënyrën drejt atij bekimi paraardhësve tanë përmes ordinancave mëkëmbëse të tempullit (shih DeB 128:18).

Periudha e Krishtlindjes i kthen zemrat tona drejt Shpëtimtarit dhe drejt gëzimit që ungjilli i Tij na ka sjellë. Ne ia tregojmë mirënjohjen tonë Atij më së miri kur ia ofrojmë atë lumturi të tjerëve. Mirënjohja kthehet në gëzim kur u japim emra misionarëve dhe kur i çojmë emrat e paraardhësve tanë në tempull. Ai tregues i mirënjohjes sonë mund të bëjë miq dhe familje që zgjasin përgjithnjë.

Mësimdhënia nga ky Mesazh

Presidenti Ajring shpjegon se mund ta tregojmë mirënjohjen tonë për Shpëtimtarin duke e ndarë ungjillin me të tjerët. Mund të diskutoni me ata të cilëve u jepni mësim, për mënyrën se si ungjilli ua ka bekuar jetën. Merrni parasysh t’i ftoni ata që me lutje t’i dallojnë ata me të cilët dëshirojnë ta ndajnë dhuratën e ungjillit dhe mënyrën si mund ta bëjnë atë.