2017
Ringjallja e Jezu Krishtit dhe të Vërtetat rreth Trupit
Prill 2017


Ringjallja e Jezu Krishtit dhe të Vërtetat rreth Trupit

Nëpërmjet Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti na mësoi të vërteta të rëndësishme rreth trupit.

Pamja
Resurrected Christ with Thomas

Detaj nga Thomai Dyshues, prej Carl Heinrich Bloch

Sfondi © janniwet/iStock/Getty Images

“[Ai] tha: ‘U krye!’ Dhe duke ulur kryet, dha frymën” (Gjoni 19:30). Në atë çast, shpirti i Jezu Krishtit u largua nga trupi i Tij – një trup që kishte duruar vuajtje me qëllim që Ai të mund të shlyente për mëkatet e gjithë njerëzve dhe për t’i ndihmuar ata në dobësitë e tyre (shih Alma 7:12–13). Atë trup, tani një enë e zbrazët, e hoqën nga kryqi, e mbështollën me të linjta dhe më së fundi e vendosën në një varr. Në ditën e tretë, gratë që po i afroheshin varrit, ishin atje për t’i përfunduar përgatitjet e varrimit për atë trup.

Por trupi ishte larguar.

Zbulimi i varrit të zbrazët ishte veçse fillimi. Maria Magdalena, Apostujt dhe shumë të tjerë më vonë dëshmuan diçka të mrekullueshme: Jezu Krishtin e ringjallur, të përsosur, në formë të prekshme dhe njerëzore.

Shpëtimtari u sigurua që ata, të cilët e dëshmuan Atë pas Ringjalljes së Tij, e kuptuan tërësisht se çfarë lloj trupi kishte Ai. Ai i ftoi Apostujt, për shembull, që ta preknin trupin e Tij që të mund të siguroheshin se Ai kishte një trup fizik dhe nuk ishte një fantazmë (shih Lluka 24:36–40)1. Ai madje hëngri me ta (shih Lluka 24:42–43).

Teksa më pas Apostujt e përmbushën porosinë e dhënë atyre që të predikonin ungjillin e Jezu Krishtit, ata hasën kundërshtim e përndjekje, një pjesë e të cilave erdhën ngaqë ata dhanë mësim se Jezu Krishti u ringjall dhe se i gjithë njerëzimi do të ringjallej si rrjedhojë (shih Veprat e Apostujve 4:1–3).

Sot, Ringjallja e Jezu Krishtit është po aq thelbësore për mesazhin e shpallur botës nga Kisha e Tij sa ishte në atë kohë. Sikurse tha Profeti Jozef Smith: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj”2.

Ringjallja ndihmon që t’u jepen përgjigje pyetjeve themelore rreth natyrës së Perëndisë, natyrës sonë dhe marrëdhënies sonë me Perëndinë, qëllimit të kësaj jete dhe shpresës që kemi te Jezu Krishti. Ja disa të vërteta të theksuara nëpërmjet Ringjalljes së Jezu Krishtit.

Ati Qiellor Ka një Trup të Përlëvduar

Pamja
First Vision

Vegimi i Parë, nga Gary L. Kapp

Ideja që Perëndia ka një formë njerëzore sigurisht është e rrënjosur në Bibël3, si edhe në përfytyrimin e mirënjohur, por shumë tradita filozofike, teologjike dhe fetare e kanë mohuar atë në përkrahje të një Perëndie “pa trup, gjymtyrë ose pasione”4, përderisa, në këtë pikëpamje, trupi (apo materia në përgjithësi) është i lig ose i pavërtetë, ndërkohë që shpirti, mendja ose idetë janë lënda e vërtetë e qenies ose realitetit përfundimtar.

Sa e thjeshtë dhe revolucionare në mënyrë të lavdishme, atëherë, ishte zbulesa e natyrës së Perëndisë nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krishtit.

Gjatë shërbesës së Tij, Shpëtimtari tha: “Kush më ka parë mua, ka parë Atin” (Gjoni 14:9). Kjo ishte edhe më e vërtetë pas Ringjalljes së Tij me një trup të përsosur, të pavdekshëm, i cili tregoi se “Ati ka një trup prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu; Biri gjithashtu” (DeB 130:22).

Pra u zbulua kështu natyra fizike e Atit Qiellor. Sikurse shpjegoi më vonë Jozef Smithi: “Ai që nuk ka trup ose pjesë s’është asgjë. Nuk ka Perëndi tjetër në qiell përveç Perëndisë që ka mish e kocka.”5

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e ka shprehur në këtë mënyrë: “Nëse pasja e një trupi, jo vetëm është e panevojshme, por e padëshirueshme nga Hyjnia, përse Shëlbuesi i njerëzimit e shëlboi trupin e Tij, duke e shëlbuar nga kthetrat e vdekjes dhe të varrit, duke garantuar se ai nuk do të ndahej kurrë më nga shpirti i Tij në kohë ose përjetësi? Kushdo që hedh poshtë konceptin e një Perëndie me trup hedh poshtë qoftë Krishtin e vdekshëm, qoftë Krishtin e ringjallur.6

Ati Qiellor Është i Gjithëfuqishëm, i Gjithëdijshëm dhe Gjithëdashës

Tiparet e pashoqe të karakterit të Atit Qiellor zbulohen edhe në vetë faktin e Ringjalljes së Jezu Krishtit. Siç ka thënë Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Për shkak se Ringjallja e Krishtit është realitet, dyshimet rreth plotfuqisë, gjithëdijenisë dhe mirëdashjes së Perëndisë, Atit – i cili dha Birin e Tij të Vetëmlindur për shëlbimin e botës – janë të pabazuara”7.

Fuqia, dituria dhe mirësia e Perëndisë provohen me anë të Ringjalljes së Jezu Krishtit, e cila jep provë për urtësinë dhe dashurinë në planin e Atit Qiellor dhe aftësinë e Tij (dhe të Birit të Tij) për ta zbatuar atë plan.

Ne Jemi Fëmijët e Perëndisë

Siç na mëson Bibla, ne u formuam “simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë … mashkull e femër” (Zanafilla 1:27). Ringjallja e Jezu Krishtit e përforcoi këtë të vërtetë. Në fakt, pikërisht në kohën e Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti e theksoi marrëdhënien tonë me Atin Qiellor, duke thënë: “Unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj” (Gjoni 20:17; theksimi i shtuar).

Shpëtimtari dha zbulesë se Perëndia dhe njerëzimi nuk janë tërësisht të pangjashëm me njëri-tjetrin në qenien e tyre thelbësore. Forma bazë e trupave tanë është e ngjashme me atë të shpirtrave tanë8 dhe shpirtrat tanë u krijuan në shëmbëlltyrën e Perëndisë, sepse ajo është natyra e marrëdhënies prind-fëmijë.

Një Trup Është një Dhuratë Aftësuese dhe Fisnikëruese

Pamja
sleeping infant

Fotografi nga David Stoker

Nëpërmjet Ringjalljes së Tij, Shpëtimtari na tregoi se një ekzistencë fizike, trupore është pjesë përbërëse e qenies së përjetshme të Perëndisë dhe të fëmijëve të Tij. Sikurse Zoti ia zbuloi Jozef Smithit: “Elementet janë të përjetshëm dhe shpirti dhe elementet, të lidhur në mënyrë të pandashme, marrin plotësi të gëzimit” (DeB 93:33). Kjo lidhje e pandashme i shkrin së bashku shpirtin dhe materien fizike, kështu që ato janë një trup i pavdekshëm, i pakorruptueshëm, i lavdishëm dhe i përsosur – i vetmi lloj i trupit i aftë për të marrë plotësinë e gëzimit që e zotëron Perëndia.

Në krahasim, pasi kishin pasur një trup fizik dhe më pas ishin veçuar prej tij që të hynin në botën e shpirtrave, “të vdekurit e [panë] mungesën e … shpirtrave të tyre nga trupat e tyre si një robëri” (DeB 138:50; shih edhe DeB 45:17).

Madje trupat tanë të vdekshëm janë një pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor dhe janë një dhuratë hyjnore. Kur shpirtrat tanë paratokësorë vijnë në këtë tokë, atyre iu “shtohet” (Abraham 3:26) një trup. Sikurse dha mësim Profeti Jozef Smith: “Ne erdhëm në këtë botë që të mund të kemi një trup dhe ta paraqesim atë të dëlirë përpara Perëndisë në mbretërinë çelestiale. Parimi i madh i lumturisë qëndron në pasjen e një trupi. Djalli nuk ka trup dhe ky është dënimi i tij.”9

Siç na ka mësuar Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Trupat tanë fizikë bëjnë të mundur një llojshmëri, thellësi dhe fuqi përvoje që thjesht nuk mund të fitohej në ekzistencën tonë para lindjes. Kështu, marrëdhëniet tona me njerëz të tjerë, zotësia jonë për të njohur dhe vepruar në përputhje me të vërtetën dhe aftësia jonë për t’iu bindur parimeve e ordinancave të ungjillit të Jezu Krishtit, përforcohen nëpërmjet trupave tanë fizikë. Në shkollën e vdekshmërisë, ne përjetojmë dhembshuri, dashuri, mirësi, lumturi, hidhërim, zhgënjim, dhembje dhe madje sfidat e kufizimeve trupore në mënyra që na përgatitin për përjetësinë. E thënë thjesht, ka mësime që duhet t’i mësojmë dhe përvoja që duhet t’i kemi, siç i përshkruajnë shkrimet e shenjta, ‘sipas mishit’ (1 Nefi 19:6; Alma 7:12–13).”10

Përveç kësaj, sikurse Jozef Smithi dha mësim: “Të gjitha qeniet që kanë trupa, kanë fuqi mbi ato që nuk kanë”11. Satani mund të na tundojë, por ai nuk mund të na detyrojë. “Djalli nuk ka fuqi mbi ne, [përveçse] kur ne e lejojmë atë.”12

Më së fundi, dhurata e një trupi të përsosur, të ringjallur ndihmon që të mos ndikohemi nga fuqia e Satanit përgjithmonë. Nëse nuk do të kishte Ringjallje, “shpirtrat tanë do t’i nënshtroheshin … djalli[t], për të mos u ngritur më. Dhe shpirtrat tanë do të bëheshin si ai dhe ne do të bëheshim djaj, engjëj të një djalli, të dëbuar nga prania e Perëndisë sonë dhe të qëndronim me atin e gënjeshtrave në mjerim, sikurse ai” (2 Nefi 9:8–9).

Fryma dhe Trupi Nuk Janë Armiq

Edhe pse janë të ndryshëm, fryma dhe trupi nuk u përkasin dy realiteteve thelbësisht të ndryshme dhe të papajtueshme. Sikurse e mësoi Jozef Smithi: “Nuk ka diçka të tillë si materie jomateriale. Gjithë shpirti është materie, por është më i pastër e më i përpunuar dhe mund të dallohet vetëm me anë të syve më të pastër; ne nuk mund ta shohim atë; por kur trupat tanë të pastrohen, ne do ta shohim se është i tëri materie” (DeB 131:7–8).

Pamja
Christ appears to the Nephites

Detaj nga Krishti Shfaqet në Hemisferën Perëndimore, nga Arnold Friberg

Në gjendjen e Tij të përlëvduar, të ringjallur, Jezu Krishti përfaqëson bashkimin e përsosur të frymës dhe të trupit, duke ilustruar për ne se “fryma e trupi janë shpirti i njeriut” (DeB 88:15). Në këtë jetë ne përpiqemi të jemi “mendje-kontrolluar nga shpirti” në vend që të jemi “mendje-kontrolluar nga mishi” (2 Nefi 9:39), të “zhvesh[im] njeriun e natyrshëm” (Mosia 3:19) dhe t’i “freno[jmë] të gjitha pasionet [tona]” (Alma 38:12). Por kjo nuk do të thotë se fryma dhe trupi janë armiq. Sikurse na tregoi Jezu Krishti, trupi nuk duhet të përbuzet dhe lihet pas dore, por të zotërohet dhe ndryshohet.

Jeta në një Trup të Vdekshëm Ka një Qëllim Domethënës

Koncepti që kjo jetë është një provë, ka më shumë kuptim kur marrim parasysh atë që ne e dimë rreth jetës sonë përpara dhe pas saj. Ne jetuam si shpirtra përpara se të vinim në tokë dhe Ati Qiellor ka për qëllim që ne të bëhemi si Ai dhe të jetojmë përgjithmonë me trupa të pavdekshëm fizikë. Këto të vërteta duan të thonë se koha jonë e vënies në provë në këta trupa të vdekshëm nuk është e paarsyeshme, por ka domethënie dhe qëllim të vërtetë.

Sikurse ka shpjeguar Plaku Kristoferson: “Nëpërmjet zgjedhjeve tona, ne do t’i tregonim Perëndisë (dhe vetes sonë) zotimin dhe aftësinë tonë për ta jetuar ligjin e Tij çelestial, ndërkohë që ishim jashtë pranisë së Tij dhe në një trup fizik me të gjitha fuqitë, orekset dhe pasionet e tij. A mund ta frenonim mishin me qëllim që të bëhej një mjet, në vend që të bëhej zotëruesi i shpirtit? A mund të na mirëbesoheshin, si në kohë ashtu edhe në përjetësi, fuqitë e perëndishme, përfshirë fuqinë e krijimit të jetës? A do ta mposhtnim ne si individë ligësinë? Ata që e bënin, do të ‘[kishin] lavdi të shtuar mbi kokat e tyre përherë e përgjithmonë’ [Abraham 3:26] – një aspekt shumë i rëndësishëm i asaj lavdie do të ishte një trup fizik i ringjallur, i pavdekshëm dhe i përlëvduar.”13

Përvojat tona brenda trupave tanë të tanishëm, përfshirë marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin, janë domethënëse ngaqë ato janë një ngjashmëri e asaj që do të vijë. Sikurse e mësoi Jozef Smithi: “Dhe po ai shoqërim që ekziston mes nesh këtu, do të ekzistojë mes nesh atje, veçse do të jetë me lavdi të përjetshme, lavdi të cilën nuk e gëzojmë tani” (DeB 130:2).

Ne Kemi Shpresë te Jezu Krishti

Pamja
women at the tomb

Tri Maritë te Varri nga William-Adolphe Bouguereau, Superstock.com

Që nga pamja e varrit të zbrazët, Ringjallja e Jezu Krishtit ka sjellë shpresë ngaqë ne dallojmë në Ringjalljen e Tij perspektivën e vetes sonë, në të cilën “të gjitha humbjet [tona] do [të na] plotësohen … , po qe se vazhdo[jmë] besnikërisht”14.

Apostujt e hershëm të Shpëtimtarit ishin në gjendje të jepnin një dëshmi të guximshme për Ringjalljen e Tij, sepse ata e kishin parë dhe prekur trupin e Tij. Por kishte edhe më shumë në atë dëshmi sesa kjo. Ashtu si Jezu Krishti i kishte shëruar dobësitë shpirtërore me qëllim që të tregonte se Ai kishte fuqi për të falur mëkatet (shih Lluka 5:23–25), Ringjallja e Tij – prova e prekshme e fuqisë së Tij për ta mposhtur vdekjen fizike – u bë siguria e pasuesve të Tij për fuqinë e Tij për ta mposhtur vdekjen shpirtërore. Premtimet që Ai i dha në mësimet e Tij – falja e mëkateve, paqja në këtë jetë, jeta e përjetshme në mbretërinë e Atit – u bënë reale dhe besimi i tyre u bë i patundur.

“Në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi [ynë]” (1 Korintasve 15:17). Por ngaqë Ai u ngrit vërtet së vdekuri, ne mund të “ke[mi] shpresë nëpërmjet shlyerjes së Krishtit dhe fuqisë së ringjalljes së tij, që të ngrihe[mi] në jetën e përjetshme dhe kjo për shkak të besimit [tonë] në të, sipas premtimit” (Moroni 7:41).

Gjatë jetës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti i ftoi njerëzit ta ndjekin Atë. Pas vdekjes dhe Ringjalljes së Tij, vendmbërritja u bë edhe më e qartë. Nëse ne, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit, kultivojmë një “shpirt çelestial” brenda nesh, ne mund të “marri[m] të njëjtin trup që ishte një trup natyror” dhe të “gjallërohe[mi] nga një pjesë e lavdisë çelestiale [dhe] të m[arrim] më pas nga e njëjta, madje një plotësi” (DeB 88:28–29). Ai e ka treguar udhën. Ai është udha. Është me anë të fuqisë së Tij – nëpërmjet Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij – që kjo plotësi çelestiale është e mundur, e cila përfshin një plotësi të gëzimit në një trup të ringjallur.

Shënime

  1. Kur Jezu Krishti iu shfaq njerëzve në Botën e Re, Ai u kërkoi atyre – mijërave prej tyre – që të vinin, “një nga një”, dhe t’i preknin duart, këmbët dhe ijën e Tij, që ata të mund të dëshmonin se e kishin prekur e parë Zotin e ringjallur (shih 3 Nefi 11:14–15; 18:25).

  2. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 52.

  3. Shih Zanafilla 1:27; Eksodi 33:11; Veprat e Apostujve 7:56.

  4. Edhe pse ide të ngjashme u përfshinë në besimet e hershme të krishtera, ky formulim i veçantë vjen nga Tridhjetë e Nëntë Nenet e Kishës Anglikane (1563).

  5. Mësimet: Jozef Smith, f. 44.

  6. Xhefri R. Holland, “I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar”, Liahona, nëntor 2007, f. 40.

  7. D. Tod Kristoferson, “Ringjallja e Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2014, f. 113.

  8. Madje zbulesa e Jezu Krishtit paratokësor ishte një dëshmi e këtij fakti, përderisa tregoi se trupi i shpirtit të Tij ishte njerëzor në formë (shih Ethëri 3:16).

  9. Mësimet: Jozef Smith, f. 221.

  10. Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 41.

  11. Mësimet: Jozef Smith, f. 222.

  12. Mësimet: Jozef Smith, f. 224.

  13. D. Tod Kristoferson, “Përse Martesa, Përse Familja”, Liahona, maj 2015, f. 51.

  14. Mësimet: Jozef Smith, f. 53–54.