2017
Shlyerja e Shpëtimtarit: Themeli i Krishterimit të Vërtetë
Prill 2017


Shlyerja e Shpëtimtarit: Themeli i Krishterimit të Vërtetë

Nga një bisedë, “The Atonement” [“Shlyerja”], e mbajtur gjatë seminarit për presidentët e rinj të misioneve në Qendrën e Trajnimit të Misionarëve në Provo, më 24 qershor 2008.

Ne të gjithë vërtet do të ringjallemi e do të bëhemi të pavdekshëm për shkak të flijimit shlyes të Jezu Krishtit.

Pamja
Savior in Gethsemane painting

Gjetsemani, nga J. Kirk Richards

Profetit Jozef Smith (1805–1844) iu bë pyetja: “Cilat janë parimet themelore të fesë suaj?” Ai u përgjigj: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj”1.

Dua t’ia bashkoj zërin tim thënies së Profetit Jozef. Thelbi i gjithçkaje që besojmë, është Shpëtimtari ynë dhe flijimi i Tij shlyes – “denjimi [i] Perëndisë” (1 Nefi 11:16) nëpërmjet të cilit Ati dërgoi Birin e Tij në tokë për ta përmbushur Shlyerjen. Qëllimi thelbësor për jetën e Jezu Krishtit ishte të përmbushte flijimin shlyes. Shlyerja është themeli i krishterimit të vërtetë.

Përse është Shlyerja e Shpëtimtarit parimi thelbësor i ungjillit në Kishë dhe në jetën tonë?

Nenet e Besimit 1:3

Neni i tretë i besimit shpall: “Ne besojmë se nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”.

“Shpëtohet” në këtë kontekst i drejtohet arritjes së shkallës më të lartë të lavdisë në mbretërinë çelestiale. Ringjallja u jepet të gjithëve që vijnë në tokë, por që të marrë jetë të përjetshme, bekimet e plota të përparimit të përjetshëm, çdo njeri duhet t’u bindet ligjeve, të marrë ordinancat dhe të bëjë besëlidhjet e ungjillit.

Përse Jezu Krishti dhe vetëm Ai, mund të shlyente për mëkatet e botës? Ai i plotësoi të gjitha kualifikimet.

Perëndia e Deshi Atë dhe Pati Besim tek Ai

Jezusi u lind nga Prindër Qiellorë në një botë paratokësore. Ai ishte i Parëlinduri i Atit tonë Qiellor. Ai u zgjodh që nga fillimi. Ai ishte i bindur ndaj vullnetit të Atit të Tij. Shkrimet e shenjta shpesh flasin për gëzimin që Ati Qiellor ka në Birin e Tij.

Te Mateu lexojmë: “Dhe ja një zë nga qielli që tha: ‘Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur’” (Mateu 3:17).

Lluka shënon: “Dhe një zë dilte nga reja duke thënë: ‘Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni’” (Lluka 9:35).

Dhe në tempullin në tokën Begati pas Ringjalljes së Shpëtimtarit, njerëzit dëgjuan zërin e Atit: “Vini re Birin tim të Dashur, në të cilin unë jam shumë i kënaqur” (3 Nefi 11:7).

Veçanërisht prekem në zemër kur lexoj se, ndërkohë që Jezusi po vuante në Kopshtin e Gjetsemanit, Ati, për shkak të dashurisë e dhembshurisë së Tij të madhe për Birin e Tij të Vetëmlindur, dërgoi një engjëll që ta ngushëllonte e forconte Atë (shih Lluka 22:43).

Jezusi e Përdori Lirinë e Tij të Zgjedhjes për t’u Bindur

Pamja
Christ before the crowd

Ecce Homo [Ja Njeriu], nga J. Kirk Richards

Jezusit iu desh ta jepte në mënyrë të vullnetshme jetën e Tij për ne.

Në Këshillin e madh në Qiell, Luciferi, “bir[i] i agimit” (Isaia 14:12; DeB 76:26–27), tha:

“Vër re, ja ku jam unë, dërgomë mua, unë do të jem biri yt dhe do ta shëlbej gjithë njerëzimin, që asnjë shpirt të mos humbasë, dhe sigurisht do ta bëj atë; si rrjedhim, ma jep mua lavdinë tënde.

Por, vër re, Biri im i Dashur, që ishte i Dashuri dhe i Zgjedhuri im që nga fillimi, më tha: Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë” (Moisiu 4:1–2; shih edhe Abraham 3:27).

Për shkak të dashurisë së madhe që Biri e ka për Atin e Tij dhe për secilin prej nesh, Ai tha: “Dërgomë mua”. Kur tha “dërgomë mua”, Ai përdori lirinë e Tij të zgjedhjes.

“Ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet. …

Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.

Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im” (Gjoni 10:15, 17–18).

Nëse Shpëtimtari do të dëshironte, legjione engjëjsh mund ta kishin çuar Atë nga kryqi drejtpërsëdrejti në shtëpi tek Ati i Tij. Por Ai e përdori lirinë e Tij të zgjedhjes për ta flijuar Vetveten për ne, për ta përmbushur misionin e Tij në vdekshmëri dhe për të duruar deri në fund, duke përfunduar flijimin shlyes.

Jezusi donte të vinte në tokë dhe Ai ishte i kualifikuar. Dhe, kur erdhi, Ai tha: “Sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar” (Gjoni 6:38).

Jezusi u Parashugurua

Pjetri dha mësim se Jezusi ishte “[i] paranjohur përpara krijimit të botës” (shih 1 Pjetër 1:19–21).

Profetët, në të gjitha periudhat e kujdestarisë ungjillore, paratreguan ardhjen e Jezu Krishtit dhe se cili do të ishte misioni i Tij. Nëpërmjet besimit të madh, Enokut iu tregua një vegim i mrekullueshëm i lindjes, vdekjes, Ngjitjes në Qiell dhe Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit:

“Dhe vini re, Enoku pa ditën e ardhjes së Birit të Njeriut, madje në mish; dhe shpirti i tij u gëzua, duke thënë: I Drejti është ngritur dhe Qengji është therur nga krijimi i botës. …

Dhe Zoti i tha Enokut: Shih, dhe ai pa e vuri re Birin e Njeriut të ngritur në kryq, sipas mënyrës së njerëzve;

Dhe ai dëgjoi një zë të lartë; dhe qiejt u mbuluan, dhe gjithë krijimet e Perëndisë mbajtën zi, dhe toka rënkoi, dhe shkëmbinjtë u çanë, dhe shenjtorët u ngritën e u kurorëzuan në të djathtën e Birit të Njeriut, me kurora lavdie. …

Dhe Enoku vuri re se Biri i Njeriut u ngjit tek Ati. …

Dhe ndodhi që Enoku pa ditën e ardhjes së Birit të Njeriut, në ditët e fundit, për të banuar në tokë në drejtësi për hapësirën e një mijë vjetëve” (Moisiu 7:47, 55–56, 59, 65).

Rreth 75 vjet përpara lindjes së Krishtit, Amuleku dëshmoi: “Vini re, unë ju them, se unë e di se Krishti do të vijë mes fëmijëve të njerëzve, për të marrë përsipër shkeljet e popullit të tij dhe se ai do të shlyejë për mëkatet e botës; pasi Zoti Perëndi e ka thënë atë” (Alma 34:8).

Jezusi Kishte Kualifikime të Pashoqe

Pamja
Mary at the tomb

Ku e Kanë Çuar Atë?, nga J. Kirk Richards

Vetëm Jezu Krishti mund ta kryente flijimin shlyes – ngaqë u lind prej një nëne të vdekshme, Maries, dhe kishte marrë fuqinë e jetës nga Ati i Tij (shih Gjoni 5:26). Për shkak të kësaj fuqie të jetës, Ai e mposhti vdekjen, fuqia e varrit u asgjësua dhe Ai u bë Shpëtimtari e Ndërmjetësi ynë dhe Zoti i Ringjalljes – mjeti me anë të të cilit shpëtimi dhe pavdekësia na jepen neve të gjithëve. Ne të gjithë vërtet do të ringjallemi e bëhemi të pavdekshëm për shkak të flijimit shlyes të Jezu Krishtit.

Jezusi në Mënyrë të Vullnetshme Shleu për Mëkatin Fillestar

Neni i dytë i besimit thotë: “Ne besojmë se njerëzit do të ndëshkohen për vetë mëkatet e tyre dhe jo për shkeljen e Adamit”.

Nëpërmjet përdorimit të lirisë sonë të zgjedhjes, ne zgjedhim ta ushtrojmë besimin tonë. Po të kemi zell, ne mund të pendohemi; pa Shlyerjen, nuk mundemi.

Te Moisiu na jepet mësim: “Nga kjo doli gjerësisht mes njerëzve thënia se Biri i Perëndisë ka shlyer për fajin origjinal, me anë të të cilit mëkatet e prindërve nuk mund të marrin përgjigje mbi kokat e fëmijëve” (Moisiu 6:54).

Te 2 Nefi na jepet një mësim i madhërishëm:

“Pasi, sikurse vdekja ka kaluar mbi të gjithë njerëzit, për të plotësuar planin e mëshirshëm të Krijuesit të madh, duhet patjetër të jetë një fuqi e ringjalljes dhe ringjallja duhet të vijë te njeriu për shkak të rënies dhe rënia erdhi për shkak të shkeljes, dhe për shkak se njeriu ra, ata u përjashtuan nga prania e Zotit.

Kështu që, duhet të ketë një shlyerje të pafund – se pa këtë shlyerje të pafund, ky korrupsion nuk do të mund të vishej me pakorrupsion. Prandaj, gjykimi i parë që erdhi mbi njeriun do të kishte zgjatur për një periudhë të pafund. Dhe po të ishte kështu, ky mish do të qëndronte për t’u kalbur dhe për t’u shpërbërë në tokën mëmë, për të mos u ngritur më” (2 Nefi 9:6–7).

Jezusi ishte Qenia e Vetme e Përsosur

Te Doktrina e Besëlidhje, Shpëtimtari thotë: “Atë, vër re vuajtjet dhe vdekjen e atij që nuk bëri asnjë mëkat, në të cilin ti ishe kënaqur; vër re gjakun e Birit tënd që u derdh, gjakun e atij të cilin e dhe që ti vetë të mund të përlëvdoheshe” (DeB 45:4).

Jezusi ishte qenia e vetme njerëzore që ishte i përsosur, pa mëkat. Flijimi në Dhiatën e Vjetër do të nënkuptonte një flijim gjaku – duke treguar drejt flijimit të Zotit dhe Shëlbuesit tonë në kryq për të përmbushur flijimin shlyes. Kur bëheshin flijime gjaku në tempujt e lashtë, priftërinjtë flijonin një qengj të patëmetë, të përsosur në çdo mënyrë. Shpëtimtari shpesh në shkrimet e shenjta njihet si “Qengji i Perëndisë” për shkak të pastërtisë së Tij (shih, për shembull, Gjoni 1:29, 36; 1 Nefi 12:6; 14:10; DeB 88:106).

Pjetri dha mësim se ne shëlbohemi “nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë” (1 Pjetër 1:19).

Jezusi Hoqi Mëkatet e Botës

Vargjet vijuese e bëjnë të qartë se, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Shpëtimtari e pagoi çmimin për mëkatet tona:

“Ne të gjithë, si dele, kemi shkuar në udhën e gabuar; secili prej nesh ka vajtur në udhën e vet; dhe Zoti ka vënë mbi të, paudhësitë e ne të gjithëve” (Mosia 14:6).

“Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. …

Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.

E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin. …

Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë” (Romakëve 5:8, 10–11, 19).

“Që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: ‘Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona’” (Mateu 8:17).

“Por, Perëndia nuk pushon së qeni Perëndi dhe mëshira kërkon të penduarin; dhe mëshira jepet për shkak të shlyerjes; dhe shlyerja shkakton ringjalljen e të vdekurve; dhe ringjallja e të vdekurve i çon njerëzit në praninë e Perëndisë; dhe kështu ata rikthehen në praninë e tij, për t’u gjykuar sipas veprave të tyre, sipas ligjit dhe drejtësisë. …

Dhe kështu Perëndia i realizon qëllimet e tij madhështore dhe të përjetshme që u përgatitën që nga krijimi i botës. Dhe kështu vjen shpëtimi dhe shëlbimi i njerëzve, si edhe shkatërrimi dhe mjerimi i tyre” (Alma 42:23, 26).

Jezusi Duroi deri në Fund

Pamja
Christ on the cross

Golgota e Ditës së Zymtë, nga J. Kirk Richards

Jezu Krishti duroi sprovat, vuajtjen, sakrificën dhe pikëllimet e Gjetsemanit, si edhe ankthin e Golgotës në kryq. Më pas, më së fundi, Ai mundi të thoshte: “U krye!” (Gjoni 19:30). Ai e kishte përfunduar punën e Tij në vdekshmëri dhe duroi deri në fund, duke e përmbushur në këtë mënyrë flijimin shlyes.

Në kopsht Ai tha: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti” (Mateu 26:39).

Te Doktrina e Besëlidhje na jepet mësim:

“Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt – dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem –

Megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve” (DeB 19:18–19).

Jezusi i tha Atit të Tij: “Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj” (Gjoni 17:4).

Më pas, në kryq, “kur Jezusi e mori uthullën, tha: ‘U krye!’ Dhe duke ulur kryet, dha frymën” (Gjoni 19:30).

Jezusi erdhi në tokë, e ruajti hyjnueshmërinë e Tij që të mund të kryente flijimin shlyes, dhe duroi deri në fund.

Kujtojeni Atë nëpërmjet Sakramentit

Sot ne e kujtojmë flijimin shlyes të Shpëtimtarit me anë të emblemave të bukës dhe ujit – simbole të trupit e gjakut të Tij – siç u paraqitën në Darkën e Fundit të Zotit me Apostujt e Tij.

“Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ‘Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim’.

Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: ‘Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju’” (Lluka 22:19–20).

Te Gjoni 11:25–26 lexojmë:

“Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.

Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë.”

Gjithashtu lexojmë: “Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës” (Gjoni 6:51).

“Jetën e botës” do të thotë jeta e përjetshme.

Na duhet t’i përgatitim veten tonë dhe familjet tona çdo javë që të jemi të denjë për ta marrë sakramentin dhe për t’i ripërtërirë besëlidhjet tona me zemra të penduara.

Ati dhe Biri na Duan

Pamja
Resurrected Christ

Mos Dysho, Thoma, nga J. Kirk Richards

Ati e dërgoi Birin e Tij në tokë – denjimi – që ta lejonte Atë të kryqëzohej dhe të kalonte përmes gjithçkaje që Atij i duhej të kalonte. Te Gjoni lexojmë:

“Jezusi … tha: ‘Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.

Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë’” (Gjoni 14:6–7).

“Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona” (1 Gjon 4:10).

Shlyerje do të thotë pajtimin ose lehtësimin.

Përfundimi

Kushdo që vjen në tokë dhe merr një trup të vdekshëm, do të ringjallet, por neve na duhet të veprojmë që ta marrim bekimin e ekzaltimit nëpërmjet besnikërisë sonë, lirisë sonë të zgjedhjes, bindjes sonë dhe pendimit tonë. Mëshira do të jepet me drejtësinë, duke lejuar pendimin.

Ngaqë kemi zgjedhur ta ndjekim e pranojmë Jezu Krishtin si Shëlbuesin tonë, ne marrim mbi vete emrin e Tij në pagëzim. Ne e pranojmë ligjin e bindjes. Ne premtojmë se gjithmonë do ta kujtojmë Atë dhe do t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. Ne i ripërtërijmë besëlidhjet tona kur marrim sakramentin.

Me anë të ripërtëritjes së besëlidhjeve tona, neve na jepet premtimi që ta kemi Shpirtin e Tij që të jetë me ne gjithmonë. Nëse e lejojmë Shpirtin e Tij të hyjë në jetën tonë dhe ta drejtojë jetën tonë, ne mund të kthehemi te prania e Atit Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, që është plani i Tyre i lumturisë për ne – plani i shpëtimit.

Shënim

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 52.