2017
Lufta Vazhdon
Prill 2017


Lufta Vazhdon

Lufta që filloi në qiell, vazhdon deri më sot. Në fakt, beteja po ndizet ndërkohë që shenjtorët përgatiten për kthimin e Shpëtimtarit.

Pamja
clouds

Fotografi nga Katarina Stefanovic © iStock/Getty Images; Moment/Getty Images

Kushdo që ndjek lajmet ndërkombëtare, do të bjerë dakord se ne jetojmë në një kohë “luftëra[sh] e ushtima luftërash” (DeB 45:26). Për fat të mirë, çdo njeri në tokë është një veteran lufte. Ne kemi qenë duke u ndeshur me ushtritë e të ligut në një luftë të vazhdueshme që filloi në sferën paratokësore përpara se të lindeshim.

Ngaqë nuk kishim marrë ende trupa fizikë, ne luftuam në Luftën në Qiell pa shpata, pushkë ose bomba. Por luftimi ishte po aq i ashpër sa çdo luftë bashkëkohore dhe pati miliarda viktima.

Lufta para lindjes u zhvillua me fjalë, ide, debat dhe bindje (shih Zbulesa 12:7–9, 11). Strategjia e Satanit ishte t’i frikësonte njerëzit. Ai e dinte se frika është mënyra më e mirë për ta shkatërruar besimin. Ai mund të ketë përdorur argumente si këto: “Është shumë e vështirë”. “Është e pamundur të kthehemi të pastër.” “Ka shumë rrezik.” “Si e dini se mund të mirëbesoni në Jezu Krishtin?” Ai ishte shumë xheloz ndaj Shpëtimtarit.

Fatmirësisht, plani i Perëndisë triumfoi mbi gënjeshtrat e Satanit. Plani i Perëndisë përfshiu lirinë morale të zgjedhjes për njerëzimin dhe një flijim të madh. Jehovai, i njohur prej nesh si Jezu Krishti, doli vullnetar që të ishte ai flijim – që të vuante për të gjitha mëkatet tona. Ai ishte i gatshëm ta jepte jetën e Tij për vëllezërit dhe motrat e Tij, kështu që ata të cilët pendoheshin, mund të ktheheshin të pastër e më së fundi të bëheshin si Ati i tyre Qiellor. (Shih Moisiu 4:1–4; Abraham 3:27.)

Përparësia tjetër që e ndihmoi Jehovën të fitonte zemrat e fëmijëve të Perëndisë, ishin dëshmitë e fuqishme, të dhëna nga përkrahësit e Tij, të udhëhequr nga Mikaeli, kryeengjëlli (shih Zbulesa 12:7, 11; DeB 107:54). Në jetën para lindjes, Adami u quajt Mikael dhe Satani u quajt Lucifer, që do të thotë “dritëmbartësi”1. Ai mund të duket si një emër i çuditshëm për princin e errësirës (shih Moisiu 7:26), por shkrimet e shenjta na mësojnë se Satani ishte “një engjëll i Perëndisë, që ishte në autoritet në praninë e Perëndisë” përpara se të binte (shih DeB 76:25–28).

Si mund të binte aq poshtë një shpirt me aq shumë dituri e përvojë? Ishte për shkak të krenarisë së tij. Luciferi ngriti krye kundër Atit tonë në Qiell ngaqë ai e dëshironte mbretërinë e Perëndisë për veten e vet.

Në bisedën e tij klasike “Beware of Pride” [“Ruhuni nga Krenaria”], Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dha mësim se Luciferi “donte të nderohej mbi të gjithë të tjerët” dhe se “dëshira e tij krenare ishte të hiqte nga froni Perëndinë”2. Ju e keni dëgjuar gjithashtu që Satani donte ta shkatërronte lirinë e zgjedhjes së njeriut, por kjo nuk ishte e vetmja arsye pse ai nuk u pranua më nga Perëndia. Ai u dëbua nga qielli për ngritjen krye kundër Atit e Birit (shih DeB 76:25; Moisiu 4:3).

Përse unë dhe ju luftuam kundër djallit? Ne luftuam për shkak të besnikërisë. Ne e deshëm dhe e mbështetëm Atin tonë në Qiell. Ne donim të bëheshim si Ai. Luciferi pati një qëllim të ndryshëm. Ai dëshironte ta zëvendësonte Atin (shih Isaia 14:12–14; 2 Nefi 24:12–14). Përfytyroni se si tradhtia e Satanit i lëndoi Prindërit tanë Qiellorë. Në shkrimet e shenjta, ne lexojmë se “qiejt vajtuan për të” (DeB 76:26).

Pas një fushate të zjarrtë, Mikaeli dhe ushtritë e tij triumfuan. Dy të tretat e ushtrive qiellore zgjodhën ta ndiqnin Atin (shih DeB 29:36). Satani dhe pasuesit e tij u dëbuan nga qielli, por ata nuk u dërguan menjëherë në errësirën e mëtejshme. Së pari, ata u dërguan në këtë tokë (shih Zbulesa 12:7–9), ku do të lindej Jezu Krishti dhe ku do të kryhej flijimi i Tij shlyes.

Përse u lejuan ushtritë e Satanit që të vinin në tokë? Ato erdhën që të siguronin kundërshtim për ata që po provohen këtu (shih 2 Nefi 2:11). A do të dëbohen ata më së fundi në errësirën e mëtejshme? Po. Pas Mijëvjeçarit, Satani dhe ushtritë e tij do të dëbohen përgjithmonë.

Satani e di që ditët e tij janë të numëruara. Në Ardhjen e Dytë të Jezusit, Satani dhe engjëjt e tij do të lidhen për 1.000 vjet (shih Zbulesa 20:1–3; 1 Nefi 22:26; DeB 101:28). Teksa afrohet ai afat përfundimtar, forcat e të ligut po luftojnë me dëshpërim për të pushtuar sa më shumë shpirtra që munden.

Gjon Zbuluesit iu tregua Lufta në Qiell si pjesë e një vegimi të madhërishëm. Atij iu tregua se si Satani u dëbua poshtë në tokë që ta tundonte njerëzimin. Ky ishte reagimi i Gjonit: “Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë” (Zbulesa 12:12).

Pra si i harxhon Satani ditët e tij, duke e ditur që nuk ka kohë për ta humbur? Apostulli Pjetër shkroi që “djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë” (1 Pjetër 5:8).

Pamja
family kneeling in prayer

Çfarë e motivon Satanin? Ai kurrë nuk do të ketë një trup, kurrë nuk do të ketë bashkëshorte ose familje dhe kurrë nuk do të ketë plotësi të gëzimit, prandaj ai dëshiron t’i bëjë të gjithë burrat e gratë “të mjeruar sikurse është ai vetë” (2 Nefi 2:27).

Djalli i vë në shënjestër të gjithë njerëzit, por veçanërisht ata që kanë potencialin më të madh për lumturi të përjetshme. Në mënyrë të qartë, ai është xheloz për këdo që është në shtegun e ekzaltimit. Shkrimet e shenjta na mësojnë se Satani “u shpall luftë shenjtorëve të Perëndisë dhe i mbështjell ata përreth” (DeB 76:29).

Lufta që filloi në qiell, vazhdon deri më sot. Në fakt, beteja po ndizet ndërkohë që shenjtorët përgatiten për kthimin e Shpëtimtarit.

Presidenti Brigam Jang (1801–1877) profetizoi “se Kisha do të përhapej, përparonte, rritej e zgjerohej dhe, në përpjesëtim të drejtë me shpërndarjen e Ungjillit mes kombeve të tokës, po ashtu do të rritej fuqia e Satanit”3.

Mendoj se ne të gjithë do të binim dakord që kjo profeci po përmbushet teksa e shohim ligësinë të depërtojë pa u ndier në shoqëritë e botës. Presidenti Jang dha mësim se ne kemi nevojë t’i studiojmë taktikat e armikut me qëllim që ta mundim atë. Do të tregoj për katër strategji të provuara të Satanit dhe disa ide se si t’i kundërshtojmë ato.

Strategjitë e Satanit

1. Tundimi. Djalli është i pacipë për sa i përket futjes së ideve të liga në mendjet tona. Libri i Mormonit na mëson se Satani pëshpërit mendime të papastra e të pakëndshme dhe mbjell mendime dyshimi. Ai na ngacmon që të veprojmë sipas nxitjeve vartësuese dhe të kënaqim egoizmin dhe lakminë. Ai nuk dëshiron që ne ta dallojmë se prej nga po vijnë këto ide, prandaj pëshpërit: “Unë nuk jam djall, pasi nuk ka asnjë” (2 Nefi 28:22).

Si mund ta kundërshtojmë këtë tundim të drejtpërdrejtë? Një nga mjetet më të efektshme është thjesht ta përzëmë Satanin. Kjo është ajo që do të bënte Jezusi.

Rrëfimi i Dhiatës së Re për Shpëtimtarin në malin e tundimeve është udhëzues. Pas çdo tundimi që djalli ia paraqiti Atij, Jezusi përdori një teknikë mbrojtëse me dy faza: së pari, Ai e urdhëroi Satanin të largohej; më pas Ai citoi shkrimin e shenjtë.

Më lejoni t’ju jap një shembull: “Shporru, Satan”, urdhëroi Jezusi, “sepse është shkruar: ‘Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij’” (Mateu 4:10). Vargu pasues shënon: “Atëherë djalli e la; dhe ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin” (Mateu 4:11). Mbrojtja e Shpëtimtarit ishte shumë e efektshme!

Biografia e Presidentit Hibër J. Grant (1856–1945) jep ide se si Presidenti Grant, kur ishte i ri, e kundërshtoi djallin. Kur Presidenti Grant e kuptoi se Satani po i pëshpëriste, duke u përpjekur të mbillte dyshime në zemrën e tij, ai thjesht tha me zë të lartë: “Zoti Djall, qepe”4.

Ju keni të drejtën t’i thoni Satanit të largohet kur përballeni me tundimin. Shkrimet e shenjta na mësojnë: “Kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju” (Jakob [Bibël] 4:7).

Pjesa tjetër e mbrojtjes së Shpëtimtarit ishte të citonte shkrimin e shenjtë. Ka fuqi të madhe në mësimin përmendsh të shkrimit të shenjtë, siç bëri Jezusi. Vargjet e shkrimeve të shenjta mund të bëhen një arsenal i municionit shpirtëror.

Kur tundoheni, ju mund të thoni me zë urdhërime të tilla si: “Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar”, “Doni armiqtë tuaj” ose “Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim” (Eksodi 20:8; Lluka 6:27; DeB 121:45). Fuqia e shkrimeve të shenjta jo vetëm që e tremb Satanin, por ajo gjithashtu e fut Shpirtin në zemrën tuaj, ju jep sërish siguri dhe ju forcon kundrejt tundimit.

2. Gënjeshtrat dhe mashtrimi. Shkrimet e shenjta zbulojnë se Satani është “ati [i] gënjeshtrave” (2 Nefi 9:9). Mos i besoni kur ai pëshpërit mesazhe të tilla si: “Kurrë nuk e bën diçka siç duhet”, “Je shumë mëkatar për t’u falur”, “Nuk do të ndryshosh kurrë”, “Askush nuk shqetësohet për ty” dhe “Nuk ke asnjë talent”.

Një tjetër prej gënjeshtrave të tij të përdorura shpesh është sa vijon: “Ke nevojë ta provosh gjithçka të paktën një herë – thjesht për të fituar përvojë. Një herë nuk do të të lëndojë.” E fshehta e vogël ndotëse që ai nuk dëshiron që ju ta dini, është se mëkati është vartësues.

Një gënjeshtër tjetër e efektshme që Satani do ta provojë te ju, është kjo: “Kushdo tjetër po e bën atë. Është në rregull.” Nuk është në rregull! Prandaj i thoni djallit se nuk dëshironi të shkoni në mbretërinë telestiale – edhe nëse kushdo tjetër po shkon atje.

Pamja
father teaching his family

Megjithëse Satani do t’ju gënjejë, ju mund të mbështeteni te Shpirti që t’ju thotë të vërtetën. Kjo është arsyeja pse dhurata e Frymës së Shenjtë është kaq thelbësore.

Djalli është quajtur “mashtruesi i madh”5. Ai përpiqet ta falsifikojë çdo parim të vërtetë që paraqet Zoti.

Mbani mend, falsifikimet nuk janë të njëjta me të kundërtat. E kundërta e së bardhës është e zeza, por një falsifikim për të bardhën mund të jetë e bardha e çngjyrosur apo grija. Falsifikimet kanë ngjashmëri me gjënë e vërtetë me qëllim që t’i mashtrojnë njerëzit jodyshues. Ato janë një variant i shtrembëruar i diçkaje të mirë dhe ashtu si paratë e falsifikuara, janë të pavlefshme. Më lejoni ta ilustroj.

Një nga falsifikimet e Satanit për besimin është besëtytnia. Falsifikimi i tij për dashurinë është epshi. Ai e falsifikon priftërinë duke paraqitur intrigat e priftërisë dhe i imiton mrekullitë e Perëndisë me anë të magjisë.

Martesa midis një burri e një gruaje shugurohet nga Perëndia, por martesa midis të njëjtit seks është vetëm një falsifikim. Ajo nuk sjell as pasardhës as ekzaltim. Edhe pse imitimet e tij mashtrojnë shumë njerëz, ato nuk janë gjëja e vërtetë. Ato nuk mund të sjellin lumturi afatgjatë.

Perëndia na paralajmëroi rreth falsifikimeve te Doktrina e Besëlidhjet. Ai tha: “Ajo që nuk lartëson, nuk është prej Perëndisë dhe është errësirë” (DeB 50:23).

3. Grindja. Satani është ati i grindjes. Shpëtimtari dha mësim: “Ai nxit zemrat e njerëzve, që të grinden me zemërim me njëri-tjetrin” (3 Nefi 11:29).

Djalli ka mësuar nga shekujt e përvojës se, atje ku ka grindje, Shpirti i Zotit do të largohet. Prandaj, që kur e bindi Kainin të vriste Abelin, Satani i ka ndikuar motrat e vëllezërit që të zihen. Ai gjithashtu nxit probleme në martesat, mes anëtarëve të lagjes dhe midis dysheve misionare. Ai kënaqet kur i sheh njerëzit e mirë të debatojnë. Ai përpiqet të fillojë debate familjare pikërisht përpara kishës të dielën, pikërisht përpara mbrëmjes familjare të shtëpisë të hënën në darkë dhe kurdoherë që një çift planifikon të frekuentojë një sesion tempulli. Koha e tij është e parashikueshme.

Kur ka grindje në shtëpinë tuaj ose vendin tuaj të punës, menjëherë ndaleni çfarëdo që po bëni, dhe kërkoni të bëni paqe. Nuk ka rëndësi se kush e filloi.

Grindja shpesh fillon me hedhjen e fajit. Jozef Smithi dha mësim që “djalli na lajkaton se jemi shumë të drejtë, kur ne përqendrohemi tek të metat e të tjerëve”6. Kur mendoni për këtë, vetëdrejtësia është veçse një falsifikim i drejtësisë së vërtetë.

Satanit i pëlqen shumë të shpërndajë grindje në Kishë. Ai specializohet në vënien në dukje të fajeve të udhëheqësve të Kishës. Jozef Smithi i paralajmëroi shenjtorët se hapi fillestar drejt braktisjes është të humbasim vetëbesimin tek udhëheqësit e Kishës.7

Pothuajse e gjithë literatura antimormone bazohet në gënjeshtra rreth karakterit të Jozef Smithit. Armiku punon shumë për ta diskredituar Jozefin ngaqë mesazhi i Rivendosjes varet nga rrëfimi i Profetit për atë që ndodhi në Korijen e Shenjtë. Djalli po vepron më shumë sot sesa ndonjëherë më parë për t’i bërë anëtarët që t’i vënë në dyshim dëshmitë e tyre për Rivendosjen.

Në ditët e hershme të periudhës sonë të kujdestarisë ungjillore, shumë vëllezër priftërorë nuk qëndruan besnikë ndaj Profetit, gjë për të cilën ndien keqardhje më pas. Një prej tyre ishte Liman E. Xhonsoni, i cili u shkishërua për sjellje të padrejtë. Më vonë ai shprehu hidhërim që e kishte lënë Kishën: “Do të lejoja që të më pritej dora e djathtë, po të mund ta besoja atë përsëri. Në atë kohë isha plot gëzim e hare. Ëndrrat e mia ishin të këndshme. Kur zgjohesha në mëngjes shpirti im ishte i gëzuar. Isha i lumtur ditë e natë, plot paqe, gëzim dhe mirënjohje. Por tani është errësirë, dhembje, hidhërim, mjerim i skajshëm. Kurrë nuk kam parë një çast të lumtur që atëherë.”8

Mendoni rreth këtyre fjalëve. Ato qëndrojnë si paralajmërim për të gjithë anëtarët e Kishës.

Unë jam një i kthyer në besim në Kishë. U pagëzova kur isha një i ri beqar në moshën 23-vjeçare duke frekuentuar shkollën mjekësore në Arizonë të SHBA-së. E di nga vetë përvoja ime se si Satani vepron me kërkuesit që t’i pështjellojë e shkurajojë ata kur po kërkojnë të vërtetën.

Gjatë gjithë rinisë sime, i kisha parë shembujt e shokëve të mi shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Më kishte lënë mbresë mënyra se si silleshin në jetën e tyre. Mora vendimin të mësoja më shumë rreth Kishës, por nuk doja t’i tregoja askujt se po studioja mormonizmin. Për t’iu shmangur shtytjes nga shokët e mi, vendosa ta bëja hetimin tim një kërkim vetjak.

Kjo ishte shumë vite përpara internetit, prandaj shkova në bibliotekën publike. Gjeta një kopje të Librit të Mormonit dhe një libër të quajtur A Marvelous Work and a Wonder [Një Punë e Mrekullueshme dhe një Çudi], nga Plaku LeGrand Riçards (1886–1983), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Fillova t’i lexoja këto libra me dëshirë të madhe dhe mendova se ishin frymëzues.

Ndërkohë që shpirti im kishte dëshirë të mësonte më shumë, Satani filloi të më pëshpëriste në vesh. Ai më tha se, me qëllim që të isha tërësisht i paanshëm, më nevojitej të lexoja se çfarë ishte shkruar nga kritikët e Kishës gjithashtu. Shkova sërish në bibliotekën publike dhe fillova të kërkoj përreth. Sigurisht, gjeta një libër që e diskreditonte Profetin Jozef.

Më pështjelloi leximi i këtij libri antimormon. E humba atë shpirt dhe ndikim të ëmbël që e kishte udhërrëfyer kërkimin tim. U zemërova dhe isha gati ta braktisja hetimin tim për të vërtetën. Po lutesha për një përgjigje ndërkohë që lexoja literaturë antimormone!

Për habinë time, mora një telefonatë nga një shoqe e shkollës së mesme, e cila po frekuentonte Universitetin “Brigam Jang”. Më ftoi të vija dhe ta vizitoja atë në Jutë, duke premtuar se do të më pëlqente shumë udhëtimi piktoresk. Ajo nuk kishte asnjë ide se po studioja fshehurazi rreth Kishës së saj.

E pranova ftesën. Shoqja ime sugjeroi që ne të shkonim në Solt-Lejk-Siti për të vizituar Sheshin e Tempullit. Ajo u habit nga përgjigjja ime plot entuziazëm. Ajo nuk kishte asnjë ide se sa i interesuar isha të mësoja të vërtetën rreth Jozef Smithit dhe Rivendosjes.

Motrat misionare te Sheshi i Tempullit ishin shumë ndihmuese. Pa e ditur, ato u dhanë përgjigje shumë prej pyetjeve të mia. Dëshmitë e tyre më ndikuan që të “k[isha] dyshim te dyshimet [e mia]”9 dhe besimi im filloi të rritej. Fuqia e një dëshmie të përzemërt nuk mund të vlerësohet sa duhet.

Edhe shoqja ime e ndau dëshminë e saj me mua dhe më ftoi të lutesha e t’i kërkoja Perëndisë nëse Kisha ishte e vërtetë. Përgjatë udhëtimit të gjatë me makinë për t’u kthyer në Arizonë, fillova të lutem me besim – për herë të parë “me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë” (Moroni 10:4). Në një çast gjatë atij udhëtimi, m’u duk sikur e tërë makina ime u ndriçua me dritë. Mësova vetë se drita mund ta largojë errësirën.

Pasi kisha vendosur të pagëzohesha, djalli ndërmori një përpjekje të fundit. Ai veproi me familjen time, e cila bëri gjithçka që kishte fuqi, për të më shkurajuar dhe ata nuk pranuan të merrnin pjesë në pagëzimin tim.

Pavarësisht nga kjo u pagëzova dhe dalëngadalë zemrat e tyre u zbutën. Filluan të më ndihmonin të kërkoja historinë time familjare. Pak vite më vonë pagëzova vëllanë tim më të vogël. Shoqja që më ftoi ta vizitoja në Jutë, është tani bashkëshortja ime.

4. Shkurajimi. Satani e përdor me efektshmëri këtë mjet mbi shenjtorët më besnikë kur gjithçka tjetër dështon. Mua, kur filloj të ndihem i shkurajuar, më ndihmon që thjesht të dalloj se kush po përpiqet të më rrëzojë. Kjo më nevrikos aq sa të gëzohem – thjesht që ta zemëroj djallin.

Disa vite më parë, Presidenti Benson dha një bisedë të titulluar “Do Not Despair” [“Mos u Dëshpëroni”]. Në atë bisedë kuptimplote, ai paralajmëroi: “Satani po përpiqet gjithnjë e më shumë t’i mposhtë shenjtorët me dëshpërim, shkurajim, trishtim e depresion”10. Presidenti Benson i nxiti anëtarët e Kishës që të ishin vigjilentë dhe ai dha 12 sugjerime realiste për ta luftuar shkurajimin.

Pamja
family walking on Boston Massachusetts Temple grounds

Sugjerimet e tij përfshijnë shërbimin ndaj të tjerëve; të punuarin shumë dhe shmangien e përtacisë; të ushtruarin e zakoneve të mira të shëndetit, që përfshijnë ushtrimin fizik dhe ngrënien e ushqimeve në gjendjen e tyre natyrore; kërkimin e një bekimi priftëror; dëgjimin e muzikës frymëzuese; numërimin e bekimeve tuaja; dhe caktimin e synimeve. Dhe mbi të gjitha, siç na mësojnë shkrimet e shenjta, ne duhet të lutemi gjithmonë që të mund ta mposhtim Satanin (shih DeB 10:5).11

Satani dridhet kur e sheh

Shenjtorin më të dobët të gjunjëzohet.12

Është e rëndësishme të dimë se ka kufij të fuqisë së të ligut. Kreu-Perëndi i cakton ata kufij dhe Satani nuk lejohet t’i kapërcejë ata. Për shembull, shkrimet e shenjta na sigurojnë se “fuqi nuk i është dhënë Satanit për t’i tunduar fëmijët e vegjël” (DeB 29:47).

Një tjetër kufizim domethënës është që Satani nuk i njeh mendimet tona, në qoftë se nuk ia themi atij. Zoti shpjegoi: “S’ka asnjë tjetër, përveç Perëndisë, që i di mendimet e tua dhe qëllimet e zemrës tënde” (DeB 6:16).

Ndoshta kjo është arsyeja përse Zoti na ka dhënë urdhërime të tilla si: “Mos mërmërit” (DeB 9:6) dhe “Mos fol keq për të afërmin tënd” (DeB 42:27). Nëse ju mund të mësoni t’i vini fre gjuhës suaj (shih Jakob [Bibël] 1:26), nuk do të përfundoni duke i dhënë shumë informacion djallit. Kur dëgjon mërmëritje, ankim dhe kritikë, ai mban shënime plot kujdes. Fjalët tuaja negative ia nxjerrin në pah dobësitë tuaja armikut.

Unë kam lajme të mira për ju. Ushtritë e Perëndisë janë më të mëdha sesa ushtritë e Luciferit. Mund të shihni përreth dhe të mendoni me vete: “Bota po bëhet gjithnjë e më e ligë. Satani duhet të jetë duke e fituar luftën.” Mos u mashtroni. E vërteta është që ne jemi më të shumtë në numër sesa armiku. Mbani mend, dy të tretat e fëmijëve të Perëndisë zgjodhën planin e Atit.

Vëllezër e motra, sigurohuni që po luftoni në anën e Zotit. Sigurohuni që po mbartni shpatën e Shpirtit.

Është lutja ime që, në fund të jetës suaj, ju mund të thoni me Apostullin Pal: “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin” (2 Timoteut 4:7).

Shënime

  1. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lucifer”, scriptures.lds.org.

  2. Ezra Taft Benson, “Beware of Pride”, Ensign, maj 1989, f. 5.

  3. Discourses of Brigham Young, përzgj. John A. Widtsoe (1954), f. 72.

  4. Shih Francis M. Gibbons, Heber J. Grant: Man of Steel, Prophet of God(1979), f. 35–36.

  5. Shih, për shembull, Diter F. Uhtdorf, “Ju Keni Rëndësi për Të”, Liahona, nëntor 2011, f. 20; Gordon B. Hinckley, “The Times in Which We Live”, Liahona, janar 2002, f. 86.

  6. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2007), f. 484.

  7. Shih Mësimet: Jozef Smith, f. 339.

  8. Lyman E. Johnson, në Brigham Young, Deseret News, 15 gusht 1877, f. 484.

  9. Diter F. Uhtdorf, “Ejani, Bashkohuni me Ne”, Liahona, nëntor 2013, f. 23.

  10. Ezra Taft Benson, “Do Not Despair”, Ensign, nëntor 1974, f. 65.

  11. Shih Ezra Taft Benson, “Do Not Despair”, f. 65–67.

  12. William Cowper, në Robert Andrews, përmb., The Concise Columbia Dictionary of Quotations (1987), f. 78.