2017
Përgatitja për një Udhëtim të Ri
Prill 2017


Përgatitja për një Udhëtim të Ri

Autorja jeton në Parana të Brazilit.

Sikurse Nefi që lundroi drejt së panjohurës, edhe unë duhej të ushtroja besim në Zot për krijimin e një familjeje.

Pamja
sail boat on the water

Fotografi © Getty Images

Gjatë javëve që çuan në martesën dhe vulosjen time në tempull, unë fillova të bëhesha pak nervoze rreth të gjitha gjërave që duhej të bëja përpara se të krijoja familjen time të re. Pavarësisht gjithë gëzimit të atij çasti, unë u ndjeva e mbingarkuar rreth organizimit të rutinës sonë të re, administrimit siç duhet të financave tona, gjetjes së një depoje për gjërat tona personale dhe për të gjitha përgjegjësitë e mia të reja si një bashkëshorte. Doja të sigurohesha që ta nisnim martesën tonë në mënyrën e duhur duke krijuar hapësira në veprimtaritë tona për gjëra të rëndësishme si zbatimi i urdhërimeve dhe kalimi i kohës së bashku si bashkëshort e bashkëshorte pavarësisht jetës sonë të zënë me punë.

Teksa dita e dasmës afrohej, u befasova nga një seri makthesh që përfshinin të gjitha llojet e shqetësimeve që mund të preknin një familje. Për shkak se unë vij nga një familje e dashur por me problematika, e kërcënuar nga zënka të vazhdueshme e të rënda si dhe nga zemra të thyera, ëndrrat e këqija më prekën mua më shumë se ç’duhej. Kështu që një natë, pas disa netëve të ngjashme me to, u zgjova duke djersitur dhe vendosa ta ndiqja këshillën që Motra Nill F. Mariot, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, dha në bisedën e saj “Dorëzimi i Zemrave Tona Perëndisë” (Liahona, nëntor 2015, f. 30–32). I mbylla sytë dhe u luta: “I dashur Atë Qiellor, çfarë mund të bëj që t’i mbaj këto gjëra të këqija larg familjes sime?”

Përgjigjja më goditi aq shpejt e aq fuqishëm sikur dikush të kishte hapur një derë në kokën time dhe të ma kishte vendosur mendimin atje. Zëri i qetë e i ulët më nxiti: “Thjesht bëj atë që duhet të bësh. Ji besnike në çdo hap.” Shpirti më pëshpëriti disa këshilla specifike dhe unë ndjeva se po t’i bëja ato gjëra, gjithçka do të ishte mirë.

Unë buzëqesha dhe e ndjeva kraharorin të më mbushej me ngrohtësi. Të gjitha shqetësimet papritmas u harruan, sepse e dija që ishte e vërtetë. E kisha ndier Frymën e Shenjtë më parë, por kurrë aq fort sa e ndjeva atë natë. Ndjeva dashurinë e Atit tonë Qiellor dhe të Shpëtimtarit tonë të më rrethonte dhe e dija se ngushëllimi dhe shpëtimi i familjes sime ishin po aq të rëndësishëm për Ta sa ishin edhe për mua.

Si një sigurim më shumë, një histori nga shkrimet e shenjta më erdhi në kujtesë – çasti kur Zoti e urdhëroi Nefin të ndërtonte një anije: “Dhe ndodhi që Zoti më foli, duke thënë: Ti do të ndërtosh një anije sipas mënyrës që unë do të të tregoj, që unë të mund të mbart njerëzit e tu përmes këtyre ujërave” (1 Nefi 17:8; theksimi i shtuar).

Nefi dhe familja e tij kishin qenë në vendin e shkretë për shumë vite, duke i duruar të gjitha llojet e mundimeve. Ai mund të ketë pasur druajtje të niste një udhëtim përmes detit dhe [mund] ta kishte lejuar frikën e tij që të bëhej më e fortë sesa besimi i tij. Por nuk pati. Ai i pranoi udhëzimet e Perëndisë dhe iu bind atyre. Ai kishte besim se premtimet e Tij do të përmbusheshin. Zoti nuk i tha kurrë Nefit se stuhitë nuk do të ndodhnin ose që dallgët nuk do ta goditnin anijen. Por Ai i tha Nefit se, nëse ai do t’i ndiqte udhëzimet e Tij, ai do të ishte në gjendje ta udhërrëfente familjen e tij të sigurt përmes oqeanit për në tokën e premtuar.

Kuptova se edhe unë kisha udhëtuar përmes një vendi të shkretë për shumë vite, por tani isha përballë detit, duke u përgatitur për një udhëtim të ri: martesën. Isha thirrur – dhe mendoj se kështu ndodh për të gjitha familjet shenjtore të ditëve të mëvonshme – për të ndërtuar një anije duke ndjekur udhëzimet e Perëndisë.

Porsa unë dhe bashkëshorti im u martuam, shqetësimet erdhën vërtet. Unë u sëmura dhe ne e patëm të vështirë t’i mbanim të ekuilibruara çështjet tona financiare dhe të vinim në zbatim të gjitha zakonet e mira që kishim vendosur të ndiqnim.

Por këshilla që kisha marrë atë natë, mbeti në zemrën time. Ne përditë u përpoqëm të mësonim dhe ta ruanim si thesar fjalën e Perëndisë në zemrën tonë, t’i ndiqnim shembujt e mirë të udhëheqësve tanë të dashur – përfshi Krishtin – dhe të përmirësonim vetë sjelljen tonë. Unë fitova një dëshmi më të fortë për lutjen dhe e provova me të vërtetë dashurinë e Atit për ne. Unë fillova të mirëbesoja më shumë dhe të kisha më pak frikë. Ne e kuptuam që vështirësitë, të cilat hasëm, ishin kthyer në hapa përmirësimi. Sot shtëpia jonë duket si një copëz qielli.

Ne jemi ende në fillimin e udhëtimit tonë, por martesa dhe krijimi i një familjeje ishin zgjedhja më e mirë që kam bërë ndonjëherë. Zemra ime është e mbushur plot me gëzim kur mendoj për ordinancën e tempullit që morëm dhe e di se ajo u vulos nëpërmjet autoritetit të Perëndisë. Sa më shumë e kuptoj rëndësinë e familjes në planin e Atit Qiellor dhe shenjtërinë e besëlidhjes që bëmë, aq më shumë dua t’i ndihmoj familjet e tjera që të marrin të njëjtën ordinancë.

Unë mësova se nuk kemi përse të shqetësohemi rreth asaj që do të ndodhë, sepse “Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie” (2 Timoteut 1:7). Ne thjesht duhet të jemi të bindur, t’i ndjekim udhëzimet e dhëna nëpërmjet shkrimeve të shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve moderne dhe të kërkojmë në lutje për më shumë udhëzime vetjake. Nëse i bëjmë këto gjëra, ne mund ta kalojmë oqeanin e këtyre ditëve të fundit me vetëbesimin se, pavarësisht se çfarë lloj shqetësimi na godet, njerëzit tanë të dashur do të jenë të sigurt.