2017
Hapësira Jonë
Prill 2017


Hapësira Jonë

Pamja
uncle making ship in a bottle

Ilustrimi nga Dan Burr

Perëndia na Jep Vegla Pune

Ungji im është artist dhe bën anije të vogla prej druri në shishe qelqi. Duhet shumë kohë, përqendrim dhe përpjekje që t’i bësh ato.

Një ditë, i pashë të gjitha veglat e tij të punës dhe vura re se çdo vegël përdorej për një detaj të posaçëm ose për t’i dhënë formë anijes. Ndërsa e shikoja të punonte, u befasova nga mënyra se si i përdorte veglat e punës për t’i bërë këto anije. M’u kujtua historia kur Nefi ndërtoi një anije (shih 1 Nefi 17–18). Ai e ndërtoi atë sipas mënyrës së Zotit, jo sipas mënyrës së njeriut. Perëndia na jep vegla pune për t’i ndërtuar vetë anijet tona sipas mënyrës së Tij. Shkrimet e shenjta, besimi dhe dashuria e Perëndisë janë vegla pune që duhet t’i përdor në vetë jetën time për ta ndërtuar me kujdes anijen time vetjake pa ndonjë të çarë. Po mësoj çdo ditë të jem një dishepulle e Zotit.

Maria Mersedes G., Monagas, Venezuelë

Të Ndihesh Vetëm

Ishte një pranverë e ftohtë në Danimarkë. Sapo e kisha filluar misionin tim kohëplotë dhe kisha vështirësi me dëshminë time. Isha një i kthyer në besim prej vetëm 19 muajsh dhe isha i mbushur me pasiguri rreth përballjes me një vend të huaj, një gjuhë që nuk e flisja, dhe një labirint rrugësh që as që ma merrte mendja se si t’i përshkoja. Lutjet e mia dikur të mbushura me mirënjohje shpejt u bënë akuza të athëta: “Perëndi, pse më ke lënë vetëm fare?”

Një mëngjes iu përgjërova Atij në lutje. Por në vend që ta pyesja “pse” me zemërim në zemër, u luta për një dëshmi për të vërtetën e ungjillit dhe për heqjen e dyshimeve të mia.

Pasi u luta, i hapa shkrimet në mënyrë rastësore. U ndala te Ligji i Përtërirë 31:6: “Tregohuni të fortë dhe trima, mos kini frikë, mos u trembni prej tyre, sepse Zoti, Perëndia yt, është ai vetë që ecën me ty; ai nuk do të të lërë dhe nuk ka për të të braktisur”.

Zemra ime ishte plot me gëzim kur e kuptova përgjigjen e lutjes sime: Perëndia kishte qenë aty gjatë gjithë kohës. Ai thjesht po priste një lutje të sinqertë në vend të akuzave për braktisje.

Perëndia nuk do të më lërë kurrë, edhe kur gjithçka duket e pashpresë. Dhe ne mund ta ndiejmë dritën e diellit të Tij nëpërmjet lutjes dhe shkrimeve të Tij të shenjta.

Klejton E., Teksas, SHBA