2017
Një Elefant në Klasë
Tetor 2017


Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Një Elefant në Klasë

Mbledhjet e këshillit të mësuesve nuk po ndryshojnë vetëm mënyrën se si japim mësim; ato po ndryshojnë mënyrën se si mësojmë.

Pamja
elephant

Misuaki Sitole po përballet me një sfidë. Si president i Shkollës të së Dielës në lagje, ai ka një përgjegjësi të dhënë nga Perëndia që të ndihmojë për ta përmirësuar të mësuarin dhe mësimdhënien e ungjillit në lagje.1

Por anëtarët e lagjes së tij në Johanesburg të Afrikës Jugore, kanë, në disa raste, formim kulturor dhe pritshmëri shumë të ndryshme. Disa janë të mirarsimuar; të tjerë nuk janë. Shumë njerëzve u është mësuar se detyra e një studenti është që të dëgjojë, jo të flasë. Të tjerë kanë një sfidë të vështirë kulturore për të kuptuar se që të dyja [palët], si burrat dhe gratë, duhet të përfshihen në mësimdhënie në kishë e në shtëpi.

“Ne gjithashtu kemi njerëz që flasin gjuhë të ndryshme”, thotë Vëllai Sitole. “Por Shpirti dëshiron ta nxitë secilin më vete.”

Kur mbledhjet e këshillit të mësuesve dhe Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit u paraqitën vitin e kaluar, lagje dhe degë kudo në Kishë filluan që t’i mbanin mbledhjet e këshillit të mësuesve për të diskutuar, për të mësuar dhe për të praktikuar se çfarë do të thotë të japësh mësim sipas mënyrës së Shpëtimtarit.

Kjo ishte koha kur Vëllai Sitole filloi të kuptojë se si mund ta bekonin lagjen e tij mbledhjet e këshillit të mësuesve. Sfidat kulturore mund të trajtoheshin, pjesëmarrja në klasë mund të shtohej dhe këndvështrimet e ndryshme të anëtarëve mund të bëheshin bekime.

Ashtu si shumë të tjerë anembanë botës, Vëllai Sitole kuptoi se Zoti nuk po i përdor mbledhjet e këshillit të mësuesve vetëm për të ndryshuar mënyrën se si japim mësim; Ai po i përdor ato për të ndryshuar gjithashtu mënyrën se si mësojmë.

Një Elefant nga një Këndvështrim i Veçantë

Një nga zbulimet më interesante për Vëllain Sitole ishte që, kur mësuesit i fuqizojnë studentët të marrin pjesë në vetë të mësuarin e tyre, të gjithë përfitojnë nga këndvështrimi i zgjeruar që japin pikëpamjet e ndryshme.

Ajo kuptueshmëri i erdhi Vëllait Sitole gjatë një mbledhjeje të këshillit të mësuesve, kur një anëtar i lagjes tregoi shëmbëlltyrën e burrave të verbër dhe elefantit, [i parë] vetëm nga një këndvështrim. Shëmbëlltyra tregon se si secili prej gjashtë burrave të verbër e përshkruan një elefant në mënyrë të ndryshme (një këmbë është si një shtyllë, bishti është si një litar, noçka është një ulluk uji e kështu me radhë), ngaqë secili po prek një pjesë të ndryshme.2

Pamja
parts of an elephant

“Por mendoni sikur elefanti të përfaqësojë mësimdhënien e ungjillit”, thotë Vëllai Sitole. “Atëherë, na nevojitet që ta aftësojmë çdo anëtar të klasës të tregojë këndvështrimin e tij, në mënyrë që së bashku të arrijmë te një kuptueshmëri e përbashkët e mënyrës se si na bekon ungjilli të gjithëve ne.”

Kjo është arsyeja përse mësuesit në lagjen e Vëllait Sitole ulen gjithnjë rreth një tryeze gjatë mbledhjes së këshillit të mësuesve – për të lehtësuar diskutimin. “Ajo më kujton se gjithsecili ka të njëjtën forcë fjale”, thotë ai.

Sipas Nevojave të Tyre

Në Tokio të Japonisë, Natsuko Soejima dyshonte se mund të jepte mësim mirë. “Kur u thirra të isha mësuese e të rinjve në Shkollën e së Dielës”, thotë ajo, “i thashë peshkopit se do të më hynte frika. Por ai tha se thirrja ishte nga Perëndia, kështu që e pranova.”

Si një grup, klasa e trembte atë për shkak të sfidave individuale që paraqitnin ata. Dy nga të rinjtë kishin probleme me dëgjimin. Disa anëtarë të klasës që ishin shpërngulur në Japoni nga vende të tjera, flitnin vetëm anglisht. Ajo ia kishte frikën edhe ndryshimit në moshë midis asaj dhe anëtarëve të klasës së saj.

Më pas, në një mbledhje të këshillit të mësuesve, motra Soejima mori një përgjigje. “Ne folëm që ta duam çdo anëtar të klasës, t’i mësojmë emrat e tyre, të lutemi për ta një e nga një dhe të japim mësim – të udhëhequr nga Shpirti – sipas nevojave të tyre”, shpjegon ajo, “kështu që, kjo është ajo që fillova të bëj.” Ajo bëri edhe diçka tjetër që e kishte mësuar në këshill: “Përdorja gjuhë që përçonte dashurinë time”.

Rezultati? “Zemra ime ndryshoi. Fillova të ndieja dhembshuri për studentët e mi. Shqetësohesha për ata që mungonin, dhe lutesha për ta gjithashtu. Sapo mbaronte një mësim, unë filloja të përgatitesha për tjetrin, që të kisha kohë të mendoja për mundësitë e mësimdhënies. Po fluturoja nga gëzimi.”

Përgjigje të Veçanta

Brad Uilsoni, një president i Shkollës të së Dielës në Minesota të SHBA-së, sigurohet që mësuesit në mbledhjen e këshillit të mësuesve nuk largohen derisa të kenë diskutuar se si do të ndryshojnë për shkak të asaj që kanë mësuar.

“Ne ndjekim përmbledhjen e dhënë te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit”, thotë Vëllai Uilson. “Ne diskutojmë për përvojat e mësuesve, më pas diskutojmë për një prej temave të sugjeruara. Si një ndërmjetës, unë bëj pyetje dhe përmbledh mendimet. Më pas ne vëmë në praktikë zbatimin. Ndahemi në grupe të vogla dhe diskutojmë: ‘Çfarë do të bëj ndryshe për shkak të mbledhjes sonë sot?’”

Ron Gudsoni, një instruktor i kuorumit të dhjakëve në të njëjtën lagje, thotë se i bën përshtypje kur shikon mënyrën se si Vëllai Uilson e “trajnon” këshillin. “Ne flasim rreth mënyrës se si do të jepte mësim Shpëtimtari”, thotë ai. “Më pas, teksa e ndieni Shpirtin, ju mendoni: ‘Kjo është diçka që duhet ta provoj në orën time’. Të menduarit rreth Shpëtimtarit, e ndryshon qasjen tuaj. Ajo ka të bëjë pak me atë që ‘Duhet të përgatit një mësim’, dhe më shumë me atë se ‘Çfarë u nevojitet këtyre dhjakëve dhe si mund të ndihmoj që t’ua jap atë atyre?’”

Ai kujton se shkroi në ditarin e tij: “Mora pjesë në mbledhjen e këshillit të mësuesve sot dhe ja ku janë gjërat që duhet të bëj”. Në fakt, ditari i tij është plot me shënime të tilla. Tani ai përgatitet paraprakisht: “Filloni herët dhe ju [do të] merrni mbresa gjatë gjithë javës”. Ai i pyet dhjakët se çfarë po ndodh në jetën e tyre: “Jam më i efektshëm për t’i ndihmuar ata kur i njoh më mirë”. Dhe ai po i fton dhjakët që të ndihmojnë në mësimdhënie: “Kur e bëjnë atë, ata mësojnë më mirë gjithashtu”3.

Vazhdova të Këndoja

“Në këshillin tonë, ne biseduam rreth mënyrës se si muzika mund ta ftojë Shpirtin”, thotë Xhoslin Herringtoni, një mësuese e Fillores në të njëjtën lagje të Minesotës. “Më vonë, po jepja mësim te [klasa] Rrezet e Diellit. Mendova: ‘Do të këndoj ndërkohë që ata ngjyrosin dhe do të dalë mirë’. Fillova të këndoj dhe të gjithë ata ndaluan e më dëgjuan. Kështu që vazhdova të këndoja. Kjo e solli vërtet Shpirtin dhe, kur mbarova, ata ishin nderues, duke pritur që të flisja. Ne kishim biseduar edhe rreth saj [në këshill], që ta jepnim dëshminë tonë kur të na jepej mundësia. Kështu që dëshmova me fjalë që ata mund t’i kuptonin.”

Motra Herrington thotë se ajo e vlerëson që mësueset e Fillores përfshihen në mbledhjet e këshillit. “Ne bisedojmë rreth mësimdhënies tek të rriturit”, thotë ajo “por atëherë Vëllai Uilson do të thotë: ‘Po rreth mësimdhënies tek të rinjtë? Po rreth mësimdhënies te fëmijët?’ Ai na sjell në mend gjithë gamën e moshave të ndryshme që kemi.”

Nga Këshilli në Këshill

Adam Martini, një president lagjeje i Shkollës të së Dielës në Kalgari, në Alberta të Kanadasë, thotë se ai i vlerëson sugjerimet nga këshilli i lagjes. “Presidentja e Shoqatës së Ndihmës ose presidenti i kuorumit të pleqve do të thotë: ‘Do të donim që mësuesit të përqendroheshin te kjo [gjë]’, kështu që ne diskutojmë rreth asaj në [mbledhjen] e këshillit të mësuesve”, thotë ai.

Kur filluan së pari mbledhjet e këshillit të mësuesve, mësuesit nuk ishin të sigurt se çfarë të prisnin, prandaj ai u bëri shumë ftesa vetjake dhe paraqiti materiale trajnuese që gjenden në teaching.lds.org. “Tani çdo gjë rrjedh në mënyrë të natyrshme”, thotë ai. “Ata e dinë se ai është një vend për të diskutuar mbi atë që po ndodh.”

Një mbledhje e fundit u përqendrua te ndjekja e Shpirtit. “Ne biseduam rreth të përgatiturit mirë, por të mos shqetësoheshim që të jepnim mësim gjithçka”, thotë ai. “Një motër tha se ajo përherë kishte menduar se duhej të fliste rreth çdo gjëje që ishte në planin e saj mësimor. Ju mund ta shikonit që ajo filloi ta kuptojë këtë, kur ne folëm rreth të ndjekurit të frymëzimit ndërsa udhëheqim një diskutim.”

Gjetja e Zgjidhjeve së Bashku

Pamja
elephant on a table

Çdo situatë mësimdhënieje përfshin mundësitë e sfidat e veta dhe bekimet e mundshme të saj. Kjo është arsyeja përse këshillat janë të efektshme, ngaqë ato i lejojnë mësuesit, me ndihmë nga Shpirti, të kërkojnë dhe gjejnë përgjigje për sfidat e tyre të veçanta.

Xhefri Rid, një president i Shkollës të së Dielës në kunj, në Arizona të SHBA-së, thotë se mbledhja e këshillit të mësuesve funksionon më mirë kur mësuesit e kuptojnë se qëllimi i tyre është që të këshillojnë: “Atëherë ata shohin se mund ta ndihmojnë njëri-tjetrin”.

Kunji, thotë ai, po përqendrohet që t’i ndihmojë mësuesit ta ndryshojnë mënyrën e të menduarit nga “A po e bëj mirë?” në “Si po merret mesazhi?”

Mariza Konova, një mësuese e Fillores në kunj, thotë se në përgjigje të një mbrese që ndjeu në këshillin e mësuesve, ajo tani i nxit anëtarët e klasës së saj Guximtarët 8 që të luten për njëri-tjetrin. Ajo ishte e efektshme, por mund të mos funksionojë në të njëjtën mënyrë për një klasë të rriturish. “Të lutesh për çdo anëtar në një klasë të madhe të Doktrinës së Ungjillit mund të jetë dërrmuese”, thotë ajo. “Fatmirësisht, ata mësues thonë: ‘Si mendoni se mund ta përshtatim atë për klasën tonë?’ Dhe ne gjejmë zgjidhje së bashku.

Ajo që çmoj rreth mbledhjeve të këshillit të mësuesve”, thotë ajo, “është se ato na japin kohë që të reflektojmë rreth mënyrës si po e arrijmë [atë] dhe rreth asaj që po arrijmë. Është e dobishme të marrësh mbështetje dhe përshtypje, kur mendon se të gjithë po punojnë drejt të njëjtit qëllim. Më pëlqejnë gjithashtu këndvështrimet e ndryshme që njerëz të shumtë parashtrojnë në tryezë. Kjo më ndihmon të marr parasysh gjëra që sigurisht nuk do t’i kisha menduar vetë.”

Ndërsa marrim pjesë dhe shprehemi në mbledhjet e këshillit të mësuesve, kuptueshmëria jonë për elefantin, të quajtur “mësimdhënia e ungjillit”, fillon të bëhet më e qartë. Ashtu si Vëllai Sitole në Afrikë, shumë anëtarë anembanë Kishës po zbulojnë se, ndërsa aftësia jonë për të dhënë mësim në mënyrën e Shpëtimtarit përmirësohet, ajo ndryshon jo vetëm mënyrën se si japim mësim, por edhe mënyrën se si mësojmë.

Shënime

  1. Shih Handbook 2: Administering the Church [Manuali 2: Administrimi i Kishës] (2010), 12.2.2.

  2. Shëmbëlltyra është përfshirë në bisedën e Diter F. Uhtdorfit: “Ç’është e Vërteta?” (takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 13 janar 2013), broadcasts.lds.org; dhe Dieter F. Uchtdorf, “What Is the Truth?” Friend, mars 2017, f. 2.

  3. Për më shumë sugjerime, shih Brian K. Ashton, “Helping Youth Teach”, Liahona, gusht 2016, f. 24–25.