2017
Një Përgjigje e Frymëzuar Gjatë një Interviste Pune
Tetor 2017


Një Përgjigje e Frymëzuar Gjatë një Interviste Pune

Gibrair Padija Dos Santos

San-Paulo, Brazil

Pamja
man standing on clock

Ilustrimi nga Getty Images

Pasi isha caktuar që të udhëhiqja një komitet kunji për mbështetjen te vetja, unë kuptova se e kisha lënë veten të punësohesha në nivel më të ulët nga ç’meritoja. Kur e kuptova këtë, pata dëshirë të arrija më shumë nga jeta ime profesionale.

Ndjeva një dëshirë të përtërirë për të gjetur një punë më të mirë dhe kërkova ndihmë për të shkruar një jetëshkrim [CV] profesional. Ia dërgova jetëshkrimin tim të ri disa bizneseve dhe shumë shpejt më thirrën për intervistë.

Në një prej bizneseve, intervistuesi nxori në pah një rresht nga jetëshkrimi im, që përmendte punën time si këshilltar në presidencën e kunjit dhe më pyeti: “A mund të më tregosh në pak sekonda se çfarë do të thotë ky shërbim fetar?”

Unë i thashë se isha në kryesinë e një organizate përgjegjëse për udhërrëfimin dhe mirëqenien e më shumë se 2 500 njerëzve. Intervistuesi u bë kureshtar dhe tha: “Ke një minutë kohë për të vendosur se si të më japësh një përgjigje prej pesë sekondash për këtë pyetje: Si i udhërrëfen ata 2 500 njerëz?”

E dija se ky do të ishte momenti vendimtar i intervistës. Iu luta dhe i kërkova ndihmë Atit Qiellor dhe shpejt m’u kujtuan mësimet që kisha mësuar nga grupi i mbështetjes te vetja. Ndjeva një valë sigurie te vetja.

Pas një minute, intervistuesi më pyeti: “Si i udhërrëfen ata 2 500 njerëz?”

“Ne i ndihmojmë ata të vendosin qëllime”, u përgjigja unë.

Intervistuesi u ngrit në këmbë, më shtrëngoi dorën dhe më tha: “Je i punësuar”.

Është e mahnitshme se si Perëndia më dha dorë dhe iu përgjigj lutjes sime. I jam mirënjohës Shpëtimtarit tim që i frymëzoi udhëheqësit tanë që të krijonin nismën për mbështetjen te vetja. Unë kam qenë personalisht i bekuar nga ajo dhe i kam parë proceset e thjeshta e të frymëzuara të nismës për mbështetjen te vetja, që të bekojnë shumë njerëz të tjerë në kunjin tonë. Unë jam kaq i bindur për mundësinë që kanë parimet e mbështetjes te vetja për të lartësuar jetë, saqë kur u bëra udhëheqësi i 15 punonjësve në punën time të re, fillova t’u mësoja atyre parimet e mbështetjes te vetja.

Unë jam zhvilluar dhe jam më i aftë nga sa mendova se mund të isha. Tani unë marr një pagë që i mbulon shpenzimet e mia dhe të familjes sime. Kjo nismë na ndihmon që të përmirësohemi çdo ditë duke na ndihmuar që të gjejmë një mbështetje më të madhe te vetja.