2017
Ati Qiellor Kujdeset për Biznesin Tim
Tetor 2017


Ati Qiellor Kujdeset për Biznesin Tim

Buizile Zuma

KuaZulu-Natal, Afrika e Jugut

Pamja
woman sewing

Ilustrimi nga Allen Garns

Si një nënë beqare me pesë fëmijë, ndjeva përgjegjësinë e madhe për të siguruar për familjen time. Unë punoj si pastruese në një shtëpi, por puna nuk më siguron mjaftueshëm të ardhura për familjen time. U bashkova me një grup të mbështetjes te vetja që të mund të mësoja se si ta përmirësoja situatën time.

U frymëzova nga grupi “Nisja dhe Rritja e Biznesit Tim” dhe vendosa se mund të qepja dhe të shisja qeska hermetike për tenxhere gatimi të ngadaltë. Qeskat i qepja natën vonë kur kthehesha në shtëpi pas punës së ditës.

Një natë po punoja deri vonë për një porosi të madhe që e kishte afatin deri në mëngjes, kur makina qepëse ndaloi së punuari. Ishte mesnatë, kështu që nuk do të kishte asnjë mekanik të mundshëm për të më ndihmuar. Makineria shoqërohej me një kuti të vogël veglash, por unë kurrë më parë nuk kisha ndrequr makinë qepëse. Nuk e kisha idenë se nga t’ia nisja.

Pastaj më erdhi në mendje mësimi në manualin Themeli Im që titullohej “Ushtroni Besim te Jezu Krishti”. Në atë çast, unë e dija se duhej ta vendosja besimin tim te Zoti. Rashë në gjunjë dhe u luta: “Atë Qiellor, të lutem më ndihmo ta ndreq këtë makinë, me qëllim që ta mbaroj porosinë që klienti im ta marrë në mëngjes. Atë Qiellor, më ndihmo!”

Pastaj pata përshtypjen e qartë që ta merrja kaçavidën nga kutia e veglave dhe ta përdorja për të shtyrë mbi një pjesë të makinës qepëse. Kështu bëra, duke u mbështetur plotësisht në besimin tim. Mbajta frymën pezull kur po e ndizja sërish makinën. Funksiononte!

Unë qeshë në gjendje ta mbaroja në kohë porosinë. Zbulova se ç’do të thotë të kesh Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin si ortakë biznesi. Unë e di se do të vazhdoj të bekohem ndërsa kërkoj mundësi për të zbatuar atë që kam mësuar në grupin e mbështetjes te vetja.