2017
“Le të Jemi të Mbështetur te Vetja dhe të Pavarur”
Tetor 2017


“Le të Jemi të Mbështetur te Vetja dhe të Pavarur”

Ndërsa shenjtorë të ditëve të mëvonshme anembanë botës i përqafojnë parimet dhe doktrinat e nismës së Kishës për mbështetjen te vetja, ata po korrin bekimet e një “shpres[e], paqe[je] dhe përparim[i] më të madh”.

Pamja
violin maker in workshop

Përpara se të bëhej anëtar i Kishës, Piter e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij si i rritur duke rendur pas suksesit financiar. Nga ana e jashtme dukej sikur e kishte arritur atë. Në fund të fundit, ai kishte pasur në pronësi dhe kishte drejtuar disa biznese.

Kur një udhëheqës vendor i Kishës në Uest-Midlandsin në Angli, i kërkoi Piterit që t’i bashkohej një grupi të financave vetjake që jepej nëpërmjet nismës së Kishës për mbështetjen te vetja, ai nuk besonte se kursi mund t’i mësonte atij ndonjë gjë. Megjithatë, sapo Piteri filloi të merrte pjesë në grup, ai shpejt kuptoi se sa shumë kishte ende për të mësuar.

“Kursi nuk është thjesht për financat; kjo është vetëm gjysma e tij”, thotë ai. “Gjëja më e rëndësishme për mua ishte që të mësoja të kisha besim tek Ati Qiellor – te mënyra se si Ai siguron për të gjithë ne bekime materiale dhe hap derën e mbështetjes së vërtetë te vetja, nëse e ndjekim udhërrëfimin e Tij shpirtëror.”

Si anëtar i një grupi për financat vetjake, Piteri mësoi aftësi praktike të tilla si: mbajtja e shpenzimeve familjare, krijimi i një buxheti dhe të jetuarit sipas tij, zvogëlimi i borxhit dhe kursimi për të ardhmen. Duke i përdorur këto aftësi, së bashku me ushtrimin e besimit në Jezu Krisht dhe të punuarit fort, Piteri dhe bashkëshortja e tij shlyen një borxh të madh.

“Ndihem shumë herë më i lehtë dhe i lirë, pa frikën e shoqëruar me borxhin dhe çorganizimin financiar”, thotë ai. “Po i ndiej bekimet e bollshme të Atit Qiellor në një mënyrë që nuk e kam ndier kurrë më parë. Kam mësuar mënyrën se si t’i bëj kërkesë Atij dhe t’ia vë veshin përgjigjeve të Tij kur kam nevojë për ndihmë në çështjet e mia materiale.”

Nisma e Mbështetjes te Vetja

Mbështetja te vetja është më shumë sesa të kesh një punë të mirë, depo ushqimore ose para në bankë. Përkundrazi, ajo është “aftësia, zotimi dhe përpjekja për të siguruar për nevojat shpirtërore dhe fizike të jetës për vete[n] dhe familjen. Kur anëtarët [e Kishës] bëhen të mbështetur te vetja, ata janë gjithashtu më të aftë që të shërbejnë e të kujdesen për të tjerët”1 ndërsa e vënë punën si një parim udhëheqës në jetën e tyre.

Presidenti Tomas S. Monson ka dhënë mësim: “Mbështetja te vetja është rezultat i punës sonë dhe i forcon të gjitha praktikat e tjera të mirëqenies. Ajo është një element thelbësor për mirëqenien tonë shpirtërore si edhe materiale. … ‘Le të punojmë për atë që na duhet. Le të jemi të mbështetur te vetja dhe të pavarur. Shpëtimi nuk mund të sigurohet mbi asnjë parim tjetër. Shpëtimi është një çështje vetjake dhe ne duhet të punojmë për shpëtimin tonë si në gjërat materiale ashtu edhe ato shpirtërore.’”2

Nën drejtimin e udhëheqësve vendorë të priftërisë, më shumë se 500 000 shenjtorë të ditëve të mëvonshme, në më shumë se 100 kombe, kanë marrë pjesë në nismën e mbështetjes te vetja që prej vitit 2014. Kisha tani po e paraqet nismën kudo nëpër Amerikën Veriore.

Nisma përfshin kurse dhe burime “për t’i ndihmuar anëtarët e Kishës që t’i mësojnë dhe t’i vënë në zbatim parimet e besimit, edukimit, të punuarit fort dhe mirëbesimit në Zot. Pranimi dhe të jetuarit e këtyre parimeve”, thotë Presidenca e Parë, “do t[ë na e] bë[j]ë të mundur më mirë që t’i m[arrim] bekimet materiale të premtuara nga Zoti”3.

Pamja
fisherman

Të Lumtur dhe Plot Shpresë

Maria Edilen Romaoja e kishte humbur shpresën. Ajo nuk mund të gjente punë, ajo ishte një nënë beqare dhe kishte disa fëmijë për të ushqyer.

Ndodhi atëherë që dy anëtare të lagjes së saj në Santa Katarina në Brazil, e ftuan në një takim shpirtëror mbi mbështetjen te vetja. Në fund të takimit shpirtëror, Maria iu bashkua grupit që ta ndihmonte atë të gjente punë.

“Për herë të parë në jetën time, besova në një të ardhme ku unë mund të kujdesesha për familjen time”, kujton ajo. “Unë besoja se grupi i mbështetjes te vetja do të më ndihmonte ta ndryshoja jetën time.”

Ashtu ndodhi.

Gjatë 12 javëve pasuese, Maria iu përkushtua grupit të saj, studimeve të saj dhe zotimeve të saj. Ajo punoi me energji të përtërirë drejt synimeve të saj. Ajo praktikoi teknika për intervista pune. Brenda dy javësh ajo siguroi një intervistë premtuese pune. Ajo intervistë i dha asaj një punë.

“Jeta ime ka ndryshuar përgjithmonë”, thotë Maria, e cila nuk ka më vështirësi për ta ushqyer familjen e saj. “Tani jam e lumtur, e entuziazmuar, e duruar dhe plot shpresë. Unë besoj se Ati Qiellor jeton dhe më do. E di se, kur ushtroj besimin tim në Jezu Krisht, unë bekohem.”

“Mjeti më Fantastik”

Pamja
seamstresses

Mbështetja te vetja është një mjet për një qëllim më të lartë, tha Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Synimi ynë përfundimtar është që të bëhemi si Shpëtimtari dhe ai synim përmirësohet nga shërbimi ynë vetëmohues ndaj të tjerëve. Aftësia jonë për të shërbyer rritet ose zvogëlohet sipas nivelit të mbështetjes sonë te vetja.”

Vetëm kur bëhemi të pavarur, shtoi Plaku Hejls, ne “mund t’i përngjasim vërtet Shpëtimtarit në shërbimin dhe bekimin e të tjerëve”4.

Serxho Galbuçi e mësoi këtë të vërtetë kur filloi vetë biznesin e tij, pak pasi presidenca e kunjit e thirri atë si specialist të mbështetjes te vetja në kunj. I pajisur me besim, aftësi dhe njohuri që i kishte fituar si anëtar i komitetit, Serxhoja dhe bashkëshortja e tij, Silvia, hapën një dyqan në Buenos-Ajres që përfshinte “punime dore dhe ushqime” nga Argjentina.

“Mendoj se bërja i mbështetur te vetja është një mënyrë e të zbatuarit të besimit”, thotë Serxhoja. Më parë, ai dhe Silvia nuk e kishin gëzuar suksesin për të cilin kishin shpresuar, prandaj besimi mbeti në qendër të përpjekjes së tyre. Por ndërsa prisnin frytet financiare, ata punuan fort dhe i bekuan klientët me produktet e tyre dhe përpjekjet e tyre misionare.

“Ne njihemi me shumë njerëz”, thotë Serxhoja. “Dhe kemi pasur mundësinë që të japim kopje të Librit të Mormonit.”

Fillimisht, komiteti i mbështetjes te vetja në kunj përcaktoi 10 anëtarë në kunjin e Serxhos që kishin nevojë për ndihmë me mbështetjen te vetja. Por më pas u përfshinë [edhe] peshkopët.

“Tani, ne dimë për 35 individë në nevojë”, tha Serxhoja, teksa u shtua përpjekja. “Peshkopët e tyre i ftuan veçan ata që të merrnin pjesë në grupe.”

Besimi i tyre lulëzoi, ata bënë ndryshimet e nevojshme dhe vunë në punë aftësi të reja.

“Sa herë që bisedoj me udhëheqës të priftërisë, unë përpiqem t’u shpreh atyre se ky është mjeti më fantastik që kemi marrë ndonjëherë nga Presidenca e Parë”, shton Serxhoja. “Është më i mirë se çdo shumë paraje që mund t’i jepej dikujt për ta ndihmuar, dhe mësimet e tij janë më të qarta se shumë materiale që kam mësuar kur isha një student universiteti.”

Mbi të gjitha, ata që i përfundojnë kurset e tyre 12-javore të mbështetjes te vetja bëhen dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit dhe mësojnë se si t’i përdorin aftësitë e tyre në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë.

“Ky grup [i mbështetjes te vetja] nuk përqendrohet thjesht te biznesi ynë; ai përqendrohet te marrëdhënia jonë me Perëndinë dhe të tjerët”, thotë Serxhoja. “Ne bëhemi dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit gjatë tri muajve që kalojmë në këtë grup. Në fund të fundit, ndoshta një biznes do të na ndihmojë të bëhemi më të mbështetur te vetja, por qëllimi përfundimtar është të shërbejmë.”

Rritje dhe Veprim

Pamja
mother with sons

“Ka qenë gjithmonë një mësim themelor për shenjtorët e ditëve të mëvonshme”, tha Presidenti Jozef F. Smith (1838–1918), “se nga një fe që nuk e ka fuqinë për t’i shpëtuar njerëzit materialisht dhe për t’i bërë ata të begatë e të lumtur këtu, nuk mund të pritet që t’i shpëtojë ata shpirtërisht, për t’i ekzaltuar në jetën që do të vijë.”5

Atëherë, ne nuk duhet të habitemi që, nga forcimi i asaj që është materiale, ne forcojmë gjithashtu atë që është shpirtërore. Këtë varësi të ndërsjellë, Plaku Dejvid dhe Motra Tereza Nish, të cilët shërbyen si misionarë për mbështetjen te vetja në ishujt Solomon, e panë vetë mes anëtarëve të Kishës atje.

“Rritja shpirtërore dhe pjesëmarrja në tempull iu detyrohen qartësisht parimeve, aftësive dhe zakoneve të dhëna mësim te Themeli Im dhe shpjegimit gjithëpërfshirës te Shtegu Im drejt Mbështetjes te Vetja”, thonë ata për broshurat mbi nismën. “[Ato] po i ndihmojnë njerëzit të përparojnë si shpirtërisht edhe materialisht, duke i çuar drejt mbështetjes te vetja materialisht dhe shpirtërisht.”

Sheril Red, një ndërmjetësuese e mbështetjes te vetja në Juta të SHBA-së, shpjegon mënyrën se si parimet shpirtërore të nismës e kanë ndihmuar që të përparojë materialisht: “Kuptova se këto parime dhe themele mund të gjejnë zbatim në të gjitha aspektet e jetës sonë. Këto seminare praktike më kanë ndihmuar të bëhem më e përqendruar te përgjegjësitë e mia si bashkëshorte dhe nënë. Tani kam mjetet për t’i kuptuar më mirë financat familjare. E shoh se si të punuarit së bashku me bashkëshortët tanë për t’i administruar financat është, në njëfarë mënyre, një biznes. Ne kemi nevojë për këto mjete, që familjet tona t’ia dalin mbanë.”

Anembanë Kishës, kjo largpamësi e shtuar po përkthehet në një besnikëri të shtuar dhe forcë shpirtërore. Si rrjedhojë, anëtarët i kanë shtuar zotimet e tyre për të marrë pjesë në kishë, për ta paguar të dhjetën dhe për të qëndruar të denjë për në tempull.

“Ajo më tërhoqi vëmendjen”, thotë anëtari i ri, Xhorxh Eçevarría, për nismën e mbështetjes te vetja. Xhorxhi, që nget një taksi në Peru, thotë se nisma e ndihmoi atë të fitonte një dëshmi për ungjillin, ndërkohë që e mbushi me një dëshirë për t’u përmirësuar. Tani ai shpreson të bëhet elektricist, që të rregullojë taksi të vogla tri-rrotëshe që i ka ngarë për vite.

“Nuk duhet të ulemi e të presim që gjërat të ndodhin”, thotë ai. “Ne duhet të jemi vetëveprues.”

“Jeta Juaj do të Bekohet”

Pamja
woman kneeling in prayer

Shenjtorë të ditëve të mëvonshme anembanë botës po korrin bekimet e premtuara të Zotit ndërsa i mësojnë, i jetojnë dhe i zbatojnë me zell parimet e mbështetjes materiale dhe shpirtërore te vetja. Ndërkohë që çdokush mund të përfitojë prej saj, nisma ka bekuar veçanërisht ata që, ose u mungon mbështetja materiale dhe shpirtërore te vetja, ose kanë nevojë ta forcojnë atë. Fondi i Qarkullueshëm Arsimor e mbështet nismën e mbështetjes te vetja duke i ndihmuar ata që kanë një plan për trajnimin arsimor, që të kenë qasje ndaj burimeve të nevojshme.

Shkrimet e shenjta premtojnë ndihmën e Zotit ndërsa punojmë drejt mbështetjes te vetja. Ai ka thënë: “Është qëllimi im për të siguruar për shenjtorët e mi” (DeB 104:15).

Duke komentuar mbi atë qëllim, Presidenca e Parë ka shpallur: “Kjo zbulesë është një premtim nga Zoti se Ai do të sigurojë bekime materiale dhe do ta hapë derën e mbështetjes te vetja, e cila është aftësia që t’i sigurojmë nevojat e jetës për veten dhe pjesëtarët e familjes sonë”.

Ndërsa i studiojmë, i zbatojmë dhe ua mësojmë këto parime pjesëtarëve të familjes, Presidenca e Parë premton: “Jeta juaj do të bekohet. Ju do të mësoni se si të veproni në shtegun tuaj drejt mbështetjes më të madhe te vetja. Ju do të bekoheni me shpresë, paqe dhe përparim më të madh.”6

Shënime

  1. Manuali 2: Administrimi i Kishës [2010], 6.1.1.

  2. Thomas S. Monson, “Guiding Principles of Personal and Family Welfare”, Ensign, shtator 1986, f. 3; shih edhe Marion D. Romney, në Welfare Services Meeting Report, 2 tetor 1976, f. 13.

  3. Presidenca e Parë, në Themeli Im: Parimet, Aftësitë, Zakonet (broshurë, 2015), f. 2.

  4. Robert D. Hales, “A Gospel Vision of Welfare: Faith in Action”, në Basic Principles of Welfare and Self-Reliance (broshurë, 2009), f. 2.

  5. Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 164.

  6. Presidenca e Parë, në Themeli Im, f. 2.