2017
Hapini Qiejt nëpërmjet Punës së Tempullit dhe Historisë Familjare
Tetor 2017


Hapini Qiejt nëpërmjet Punës së Tempullit dhe Historisë Familjare

Nga një paraqitje në Konferencën RootsTech 2017 të Historisë Familjare në Solt-Lejk-Siti në Juta, SHBA, më 11 shkurt 2017. Për të parë një regjistrim të paraqitjes në anglisht, portugalisht ose spanjisht, vizitoni lds.org/go/1017Nelson.

Gjatë paraqitjes së tyre në konferencën RootsTech 2017, Presidenti Rasëll M. Nelson dhe bashkëshortja e tij, Uendi, i ftuan shenjtorët e ditëve të mëvonshme që të merrnin parasysh me lutje se çfarë lloj sakrifice mund të bëjnë me qëllim që të kryejnë më shumë punë në tempull dhe punë për historinë familjare.

Pamja
President and Sister Nelson

Presidenti Nelson: Kur gjyshi im, A. C. Nelsoni, ishte një bashkëshort e baba i ri në moshë, vetëm 27-vjeçar, babai i tij vdiq. Rreth tre muaj më vonë, babai i tij i vdekur, stërgjyshi im, erdhi ta vizitonte atë. Data e asaj vizite ishte nata e 6 prillit 1891. Gjyshit Nelson i la kaq shumë mbresë vizita e atit të tij sa e shkroi përvojën në ditarin e tij për familjen dhe miqtë e tij.

“Isha në shtrat kur Babai hyri në dhomë”, shkroi gjyshi Nelson. “Ai erdhi dhe u ul në anë të shtratit. Ai tha: ‘Pra, biri im, ngaqë pata disa minuta të lira, mora leje që të vija e të të shihja për pak minuta. Ndihem mirë, biri im, dhe kam pasur shumë për të bërë që kur vdiqa.’”

Kur gjyshi Nelson e pyeti se çfarë ishte duke bërë, babai i tij u përgjigj se ai kishte qenë i zënë me mësimdhënien e ungjillit të Jezu Krishtit në botën e shpirtrave.

“Nuk mund ta përfytyrosh, biri im, se sa shumë shpirtra ka në botën e shpirtrave, të cilët nuk e kanë pranuar ende ungjillin”, tha ai. “Por shumë po e pranojnë atë dhe po përmbushet një punë e madhërishme. Shumë po presin me ankth që miqtë e tyre, të cilët janë ende gjallë, të administrojnë për ta në tempujt.”

Gjyshi Nelson i tha të atit: “Kemi synim që të shkojmë në tempull dhe të vulosemi me ty, Baba, sapo të mundemi”.

Stërgjyshi im u përgjigj: “Ajo, biri im, është pjesërisht arsyeja përse erdha të të shoh. Ne do të bëhemi prapë një familje dhe do të jetojmë gjatë gjithë përjetësisë.”

Më pas gjyshi Nelson pyeti: “Baba, a është i vërtetë ungjilli siç jepet mësim nga kjo Kishë?”

Babai i tij tregoi me gisht drejt një fotografie të Presidencës së Parë, të varur në murin e dhomës së gjumit.

“Biri im, sa ç’është e sigurt që e sheh atë fotografi, është e sigurt që ungjilli është i vërtetë. Ungjilli i Jezu Krishtit ka brenda vetes fuqinë për ta shpëtuar çdo burrë e grua që do t’i bindet atij, dhe në asnjë mënyrë tjetër nuk mund të fitojnë ata ndonjëherë shpëtim në mbretërinë e Perëndisë. Biri im, gjithmonë mbahu fort tek ungjilli. Ji i përulur, ji plot lutje, ji i nënshtruar ndaj priftërisë, ji i vërtetë, ji besnik ndaj besëlidhjeve që ke bërë me Perëndinë. Kurrë mos bëj diçka që nuk do ta kënaqte Perëndinë. O, çfarë bekimi është ungjilli. Biri im, ji djalë i mirë.”

Pamja
A.C. Nelson and father

A. C. Nelson, gjyshi i Presidentit Rasëll M. Nelson.

Ilustrime nga Bjorn Thorkelson; sfondi, pamje telefoni celular dhe kompjuterash dore nga Getty Images

Motra Nelson: Më pëlqejnë shumë të gjitha ato J-të. “Ji i përulur, ji plot lutje, ji i nënshtruar ndaj priftërisë, ji i vërtetë, ji besnik ndaj besëlidhjeve që ke bërë me Perëndinë. … Ji djalë i mirë.” Gjashtë J-të që t’u sollën nga stërgjyshi yt i larguar nga kjo jetë. Ai sigurisht ngjan shumë si Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) me gjashtë J-të e tij.1

Presidenti Nelson: Ai ngjan, apo jo? Është kaq e çmuar për mua që gjyshi im do ta linte atë anal për ne. Mësuam se fëmijët e babait të tij më pas u vulosën me të. Kështu që u përmbush arsyeja për vizitën e tij.

Shpirti i Elijas

Presidenti Nelson: Një emër me rëndësi të madhe në shkrimet e shenjta shpjegon arsyen përse familja është kaq e rëndësishme. Ai emër është Elija. EL-I-JA në hebraishte fjalë për fjalë do të thotë “Jehova është Perëndia im”2. Mendoni për këtë! Të përfshirë brenda emrave të Elijas janë termat hebraishte si për Atin ashtu edhe për Birin.

Motra Nelson: Elija ishte profeti i fundit që mbajti fuqinë vulosëse të Priftërisë Melkizedeke përpara kohës së Jezu Krishtit. Misioni i Elijas ishte që të kthente zemrat e fëmijëve tek etërit dhe zemrat e etërve te fëmijët, kështu që ata të mund të vuloseshin, ose përndryshe “e tërë toka do të shkatërrohej plotësisht në ardhjen e tij” (Joseph Smith – Historia 1:39; theksimi i shtuar). Këto janë fjalë mjaft të fuqishme.

Presidenti Nelson: Më pëlqen të mendoj rreth shpirtit të Elijas si “një shfaqje e Frymës së Shenjtë që jep dëshmi për natyrën hyjnore të familjes”3. Sipas Udhëzuesit për Shkrimet e Shenjta, “Fuqia e Elias është fuqia vulosëse e priftërisë me anë të së cilës gjërat që lidhen ose zgjidhen në tokë, lidhen ose zgjidhen në qiell” (“Elija”).

Motra Nelson: Kështu që, kur themi se shpirti i Elijas po vepron mbi njerëzit për t’i nxitur të kërkojnë të afërmit e tyre të vdekur, ne në të vërtetë po themi se Fryma e Shenjtë po na nxit të bëjmë ato gjëra që do t’i lejojnë familjet të vulosen përjetësisht.

Presidenti Nelson: Është e mrekullueshme të kthehen zemrat e fëmijëve tek etërit e tyre duke treguar ngjarje të rëndësishme të historisë familjare në mënyra që janë të përdorshme dhe mbresëlënëse. Ndoshta të pasurit e dokumenteve, ngjarjeve, fotografive dhe relikteve të historisë familjare gjithmonë përpara syve tanë mund t’i forcojë dëshmitë tona (shih Mosia 1:5). Kur i vendosim ato në muret tona, tavolinat tona, kompjuterët tanë, iPad-et tona dhe madje celularët tanë, ndoshta ne do të nxitemi të bëjmë zgjedhje më të mira dhe t’u afrohemi më pranë Zotit dhe familjeve tona.

Megjithatë, nëse e lemë në atë nivel, në të vërtetë nuk kemi bërë sa duhet. Si anëtarë të Kishës, interesimi ynë në punën për historinë familjare është nxitur nga udhëzimi prej Zotit që paraardhësit tanë nuk mund të bëhen të përsosur pa ne dhe që ne nuk mund të bëhemi të përsosur pa ta (shih DeB 128:15). Kjo do të thotë që ne duhet të lidhemi së bashku nëpërmjet ordinancave të shenjta vulosëse të tempullit. Ne duhet të jemi hallka të forta në zinxhirin nga paraardhësit tanë deri te pasardhësit tanë. Nëse koleksionet tona të ngjarjeve dhe fotografive do të bëheshin ndonjëherë një synim përfundimtar në vetvete – nëse e dimë se cilët janë paraardhësit tanë dhe dimë gjëra të mrekullueshme rreth tyre, por i lëmë të braktisur në anën tjetër, pa ordinancat e tyre – një shmangie e tillë nuk do të jetë ndonjë ndihmë për paraardhësit tanë, të cilët mbeten të kufizuar në burgun e shpirtrave.

Motra Nelson: Ruajtja e historive të paraardhësve është e rëndësishme, por kurrë nuk duhet të bëhet në kurriz të plotësimit të punës për ordinancat e paraardhësve tanë. Na nevojitet të gjejmë kohë për informacionin që i kualifikon paraardhësit tanë për ordinancat.

Pamja
couple looking at computer screen

Presidenti Nelson: Dhe kjo do të thotë të sakrifikojmë kohën që normalisht e harxhojmë për veprimtari të tjera. Na nevojitet të harxhojmë më shumë kohë në tempull dhe në bërjen e kërkimit të historisë familjare, gjë e cila përfshin indeksimin.

Motra Nelson: Sakrifica me të vërtetë sjell të qiellit bekime.4 Jam bekuar të gjej shumë paraardhës për të cilët kam besim se ishin gati të bënin besëlidhje me Perëndinë dhe t’i merrnin ordinancat e tyre thelbësore. Me kalimin e kohës, kuptova se, në qoftë se po punoja për një projekt të mundimshëm dhe nuk kisha kohë, energji dhe ide, në qoftë se do të bëja një sakrifikim të kohës duke gjetur informacionin kualifikues për ordinanca për disa paraardhës ose duke shkuar në tempull që të isha mëkëmbëse për ta, qiejt hapeshin dhe energjia e idetë fillonin të rridhnin. Në njëfarë mënyre kisha kohë të mjaftueshme për ta përmbushur afatin tim. Ajo ishte tërësisht e pamundur, por do të ndodhte çdo herë. Puna në tempull dhe për historinë familjare më sjell një gëzim që me të vërtetë nuk është i kësaj bote.

Puna për Historinë Familjare dhe Puna Misionare

Presidenti Nelson: Nëse do të isha misionar sot, dy miqtë e mi më të mirë në lagjen ose degën ku po shërbeja, do të ishin udhëheqësi i misionit të lagjes dhe këshilluesi/ja i/e lagjes për tempullin dhe historinë familjare.

Njerëzit kanë një dëshirë të lindur brenda vetes për të ditur diçka rreth paraardhësve të tyre. Ajo bëhet një mundësi e natyrshme për misionarët tanë. Kur misionarët mësojnë që t’i duan njerëzit të cilëve u japin mësim, ata natyrisht do të pyesin rreth familjeve të tyre. “A jetojnë prindërit tuaj? A jetojnë gjyshërit dhe gjyshet tuaja? A i njihni dy gjyshërit dhe dy gjyshet tuaja?” Bashkëbisedimet rrjedhin me lehtësi kur ata që afrohen për të folur me misionarët, ftohen që të flasin rreth njerëzve që i duan.

Në atë pikë mund të jetë e natyrshme për misionarët, përfshirë anëtarët misionarë, që të pyesin: “A njihni ndonjë prej stërgjyshërve apo stërgjysheve tuaja? A i dini emrat e tyre?” Ka mundësi që kërkuesit nuk do t’i dinë emrat e që të katër stërgjyshërve dhe që të katra stërgjysheve të tyre.

Atëherë misionarët mund të bëjnë këtë sugjerim: “Kam një mik në kishën tonë që mund t’ju ndihmojë. Nëse do të mund t’i gjenim emrat e disave apo ndoshta edhe të të gjithë stërgjyshërve e stërgjysheve tuaja, a do t’ia vlenin nja dy orë nga koha juaj për të gjetur se cilët janë stërgjyshërit dhe stërgjyshet tuaja?” Ai mik në kishë, sigurisht, është këshilluesi i lagjes për tempullin dhe historinë familjare.

Motra Nelson: Mendoj se mund të jetë ngushëlluese për misionarët të dinë se nuk janë kurrë të vetëm kur po gjejnë dhe po u japin mësim atyre që janë pranues ndaj të vërtetave të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Presidenti Xhorxh Q. Kenon (1827–1901), i cili shërbeu si këshilltar i katër Presidentëve të Kishës, dha mësim se në këto ditë të mëvonshme, ata që po bashkohen me Kishën, po bashkohen pikërisht ngaqë paraardhësit e tyre kanë qenë duke u lutur që një nga pasardhësit e tyre të bashkohet me Kishën me qëllim që ata, paraardhësit, të mund t’i marrin ordinancat e tyre thelbësore nëpërmjet mëkëmbësit.5

Ekzaltimi: Një Çështje Familjare

Pamja
Family outside the Accra Ghana Temple

Presidenti Nelson: Ekzaltimi është një çështje familjare. Vetëm nëpërmjet ordinancave shpëtuese të ungjillit të Jezu Krishtit mund të ekzaltohen familjet. Përfundimi më i lartë për të cilin përpiqemi fort, është që ne të bëhemi të lumtur si familje – ta kemi marrë dhurimin [indaumentin], të jemi vulosur dhe të jemi të përgatitur për jetën e përjetshme në praninë e Perëndisë.

Motra Nelson: Çdo klasë e Kishës që e frekuentojmë, çdo herë që shërbejmë, çdo besëlidhje që bëjmë me Perëndinë, çdo ordinancë priftërie që e marrim, gjithçka që bëjmë në Kishë, na udhëheq drejt tempullit të shenjtë, shtëpisë së Zotit. Ka kaq shumë fuqi në dispozicion për një çift dhe për fëmijët e tyre nëpërmjet ordinancës vulosëse kur ata i mbajnë besëlidhjet e tyre.

Presidenti Nelson: Çdo ditë ne zgjedhim se ku dëshirojmë të jetojmë përjetësisht, nëpërmjet mënyrës se si mendojmë, ndiejmë, flasim dhe veprojmë. Ati ynë Qiellor ka shpallur se vepra e Tij dhe lavdia e Tij është të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e fëmijëve të Tij (shih Moisiu 1:39). Por Ai dëshiron që ne të zgjedhim të kthehemi tek Ai. Ai nuk do të na detyrojë në asnjë mënyrë. Saktësia me të cilën i mbajmë besëlidhjet tona, i tregon Atij se sa shumë dëshirojmë të kthehemi për të jetuar me Të. Çdo ditë na sjell më pranë ose na çon më larg nga mundësia jonë e lavdishme e jetës së përjetshme. Neve secilit na duhet t’i mbajmë besëlidhjet tona, të pendohemi çdo ditë dhe të kërkojmë të jemi më shumë si Shpëtimtari ynë. Atëherë dhe vetëm atëherë familjet mund të jenë së bashku përgjithmonë.

Motra Nelson: Është dëshmia ime që, sado mahnitëse të jetë jeta juaj pikërisht tani, ose sado shkurajuese dhe zemërlënduese të mund të jetë ajo, përfshirja juaj në punën në tempull dhe për historinë familjare do ta bëjë atë më të mirë. Çfarë ju nevojitet në jetën tuaj pikërisht tani? Më shumë dashuri? Më shumë gëzim? Më shumë vetëkontroll? Më shumë paqe? Më shumë çaste domethënëse? Më shumë nga ajo ndjesi se ju po sillni ndryshim? Më shumë argëtim? Më shumë përgjigje për pyetjet tuaja për të gjetur vetveten? Më shumë lidhje të përzemërta me të tjerët? Më shumë kuptueshmëri të asaj që po lexoni në shkrimet e shenjta? Më shumë aftësi për të dashur dhe për të falur? Më shumë aftësi për t’u lutur me fuqi? Më shumë frymëzim dhe ide krijuese për punën tuaj dhe projekte të tjera? Më shumë kohë për atë që vërtet ka rëndësi?

Unë ju nxit të bëni një sakrifikim të kohës për Zotin duke e shtuar kohën që harxhoni duke bërë punë në tempull dhe për historinë familjare e më pas vëzhgoni se çfarë ndodh. Është dëshmia ime se, kur i tregojmë Zotit se e kemi marrë seriozisht ndihmën për paraardhësit tanë, qiejt do të hapen dhe ne do të marrim gjithçka që na nevojitet.

Presidenti Nelson: Ne mund të frymëzohemi gjithë ditën rreth përvojave të tempullit dhe të historisë familjare që i kanë pasur të tjerët. Por duhet të bëjmë diçka që ta përjetojmë vetë me të vërtetë gëzimin. Do të dëshiroja t’i drejtoja një sfidë secilit prej nesh me qëllim që ndjenja e mrekullueshme e kësaj pune të mund të vazhdojë dhe madje të rritet. Ju ftoj që me lutje të merrni parasysh se çfarë lloj sakrifice – mundësisht një sakrifikim të kohës suaj – mund të bëni me qëllim që të bëni më shumë punë në tempull dhe punë për historinë familjare këtë vit.

Ne jemi të përfshirë në punën e Perëndisë së Gjithëfuqishëm. Ai jeton. Jezusi është Krishti. Kjo është Kisha e Tij. Ne jemi fëmijët e Tij të besëlidhur. Ai mund të ketë besim tek ne.

Shënime

  1. Shih Gordon B. Hinckley, “A Prophet’s Counsel and Prayer for Youth”, Liahona, prill 2001, f. 30–41.

  2. Bible Dictionary, “Elijah”.

  3. Russell M. Nelson, “A New Harvest Time”, Liahona, maj 1998, f. 34.

  4. Shih “Lavdi Burrit”, Himne, nr. 19.

  5. Shih Gospel Truth: Discourses and Writings of President George Q. Cannon, përmb. Jerreld L. Newquist, 2 vëll. (1974), 2:88–89.