2017
Zgjidhja e Konfliktit në Martesën Tuaj
Tetor 2017


Zgjidhja e Konfliktit në Martesën Tuaj

Autori jeton në Juta, SHBA.

Bekime të mrekullueshme rrjedhin nga zgjidhja e konflikteve në një atmosferë dashurie.

Pamja
couple holding hands

Ilustrime nga Sally Wern Comport

Meti dhe Margarita (të gjithë emrat janë ndryshuar) e fikën televizorin pas sesionit përmbyllës të konferencës së përgjithshme. Mesazhet kishin qenë frymëzuese dhe atyre u kishte pëlqyer atmosfera pozitive që kishte depërtuar në shtëpinë e tyre atë fundjavë.

Askush nuk mund të kishte qenë më i zhgënjyer se Meti dhe Margarita kur, në më pak se 24 orë më vonë, ata po bënin një diskutim të ashpër nëse duhej ta kursenin shpërblimin e papritur që kishte marrë Meti në punë, apo ta harxhonin për veshje shkollore për fëmijët më të mëdhenj. Debati nuk u zgjidh dhe Meti e Margarita vazhduan sikush të bënin punë të tjera, duke u ndier të keqkuptuar.

Për të krijuar një martesë të përjetshme e të lumtur, çiftet duhet të mësojnë se si t’i zgjidhin konfliktet në mënyrë që secili individ të ndihet se e kuptojnë dhe të marrin vendime që përfshijnë lëshime të pranueshme.

Paralajmërim dhe Udhërrëfim Shpirtëror

Shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve dhe të apostujve japin këshilla të shumta rreth grindjes. Te 3 Nefi ne lexojmë: “Ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes” (3 Nefi 11:29). Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se Satani “punon për të krijuar përçarje dhe grindje midis një babai dhe një nëne. Ai i nxit fëmijët të jenë të pabindur ndaj prindërve të tyre. … Satani e di se mënyra më e sigurt dhe më e efektshme për ta prishur veprën e Zotit është të zvogëlojë efektshmërinë e familjes dhe të shenjtërisë së shtëpisë.”1

Dallimet në mendim, zakon apo formim janë të pashmangshme, por ne kemi mjaft burime që na ndihmojnë të dimë se si t’iu bëjmë ballë. Doktrina dhe udhëzimi i dhënë mësim në adhurimin e së dielës dhe në botimet e Kishës mund të ndihmojnë dhe mund të plotësohen me informacion cilësor profesional sipas nevojës. Çiftet mund të mësojnë metoda për t’u përballur me konfliktin. Frymëzimi mund të çojë në një ndryshim zemre, që e zbut secilin bashkëshort së brendshmi.

Presidenti Tomas S. Monson paralajmëroi: “Disa nga mundësitë tona më të mëdha për ta shprehur dashurinë tonë do të jenë brenda mureve të vetë shtëpive tona. Dashuria duhet të jetë pjesa më e rëndësishme e jetës familjare dhe, prapëseprapë, ndonjëherë ajo nuk është. Mund të ketë tepër padurim, tepër grindje, tepër zënka, tepër lot.”2

Kur shqetësimet vazhdojnë dhe bëhen shkatërrimtare për jetën familjare, mund të ketë shkaqe më të rënda të konfliktit, përfshirë pamaturi, egoizëm, dëshirë për të fituar pushtet mbi njëri-tjetrin dhe krenari. Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) dha mësim: “Prej shumë kohësh kam ndier se faktori më madhor për një martesë të lumtur qëndron te përkujdesja plot merak për qetësinë dhe mirëqenien e shokut apo të shoqes [së jetës]. Në shumicën e rasteve, egoizmi është faktori parësor që shkakton diskutime, ndarje, shkurorëzim dhe thyerje zemre.”3

Plaku Marvin J. Ashton (1915–1994), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, komentoi gjithashtu: “Kur një njeri e shqyrton ndjenjën e keqe dhe pakënaqësinë e shkaktuar nga grindja, është mirë të pyesë: ‘Përse po marr pjesë [në këtë]?’ …

… Është e rëndësishme të pranojmë se ne e zgjedhim sjelljen tonë. Rrënja e këtij problemi është çështja e lashtë e krenarisë.”4

Cilido qoftë shkaku, ne kemi nevojë të mësojmë aftësi të reja dhe t’i zbusim zemrat tona kur problemet vazhdojnë.

Shkaqe të Konfliktit

Pamja
silhouette of couple arguing

Ka shumë shkaqe për konflikt, që fillojnë nga paragjykimet vetjake sipërfaqësore deri te stilet e rrënjosura thellë të komunikimit. Përveç mposhtjes së egoizmit dhe pamaturisë, çiftet do të përballen me shkaqe të tjera të zakonshme të konfliktit, përfshirë faktorë të tillë si vijon:

  • Të sapomartuar që po mësojnë t’i përshtaten stileve të njëri-tjetrit

  • Dallime të natyrshme midis burrave dhe grave

  • Nervozizëm i nxitur nga lodhja

  • Mendime të ndryshme mbi mënyrën më të mirë se si t’i rritin fëmijët apo t’i administrojnë financat

  • Fëmijë që mësojnë të përdorin lirinë e zgjedhjes

  • Pëlqime dhe mospëlqime të ndryshme

  • Reagime të tepruara ndaj stresit

  • Mungesë gjykimi apo aftësie në zgjidhjen e konfliktit

Paralajmërime rreth Zemërimit

Shumë konflikte martesore apo familjare krijohen për shkak të zemërimit të pakontrolluar. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, ne mund të vijojmë, pas një rasti zemërimi, të mendojmë pa ndërprerë rreth asaj se si na u bë padrejtësi. Sa më shumë zhytemi në ato mendime, aq më tepër arsye do të nxjerrim për ta përligjur këndvështrimin tonë. Kjo bluajtje me mendje mund të na pengojë që të qetësohemi dhe, kur një valë e dytë zemërimi niset përpara se të zgjidhet i pari, reagime hormonale mund të çojnë në shpërthime të tjera.

Për shembull, në një sesion këshillimi, Merilini përshkroi mënyrën se sa e bezdisshme kishte qenë të shtrihej në shtrat pasi ajo dhe bashkëshorti i saj i kishin bërtitur njëri-tjetrit. “E dija se kisha të drejtë”, tha ajo. “E dija se do ta ndizte dritën dhe do të kërkonte të falur, por ai kurrë nuk e bëri atë. Sa më shumë mendoja rreth asaj, aq më tepër zemërohesha. Kur e dëgjova se filloi të gërhiste, nuk mund të duroja më – u ngrita nga shtrati dhe i bërtita edhe më shumë, dhe pastaj zbrita poshtë. A e beson se ai prapë nuk kërkoi të falur?” Përvoja e Merilinit është një shembull i mirë i mënyrës se si të mos t’i trajtojmë ndjenjat e zemërimit.

Zakone, madje edhe ato afatshkurtra, mund të duken të vështira për t’u ndërprerë. Por bashkëshortët/et mund të mësojnë aftësi për t’u ardhur në ndihmë. Ja ku janë disa praktika të dobishme:

7 Këshilla për t’u Qetësuar

Analizojini mendimet tuaja shpejt. Në shembullin tonë, Merilini mund t’i kishte thënë vetes: “Duket sikur kam të drejtë, por po e zmadhoj më shumë seç duhet. Marrëdhënia me bashkëshortin tim ka më shumë rëndësi për mua sesa ajo për të cilën po grindemi.”

Lërini emocionet tuaja të qetësohen përpara se të përpiqeni ta zgjidhni një problem. Prisni derisa të kalojë çfarëdo reaksioni kimik që po ndodh në trupin tuaj.

Gjeni diçka zbavitëse. Zgjidhni të mendoni rreth diçkaje tjetër apo të bëni një shëtitje.

Hidhini në letër mendimet tuaja. Për disa njerëz, kjo ndihmon që ta shtojë vetëdijen.

Shprehini ndjenjat tuaja në mënyra të frytshme. T’i shprehni me të bërtitura ndjenjat tuaja nuk do t’ju ndihmojë që t’i “hiqni nga vetja”. Sa më shumë të shpreheni me inat, aq më të forta do të bëhen ndjenjat tuaja [të zemërimit].

Dëgjoni muzikë qetësuese ose lexoni letërsi frymëzuese.

Niseni nga e para. Mbajeni veten që në fillim të një mosmarrëveshjeje. Studimet kanë treguar se tre deri pesë minutat e para të një bisede vënë themelin e asaj që ka gjasa të ndodhë. Thoni: “Kjo po shkon në drejtim të gabuar. Le ta nisim nga e para.”

Hapat drejt Zgjidhjes së Konfliktit

Pamja
couple sitting together at table

Strengthening Marriage [Forcimi i Martesës], një manual i Shërbimeve Familjare SHDM, rekomandon tre hapa për zgjidhjen e konfliktit: 1) shprehja e pikëpamjeve, 2) shqyrtimi i shqetësimeve dhe 3) përzgjedhja e zgjidhjeve të kënaqshme për të dy palët.5 Këta hapa bazohen në një model komunikimi dhe shprehjeje që është bashkëpunues dhe i trajton çështjet për të gjithë ata që janë përfshirë.

1. Shprehja e Pikëpamjeve

Çdo individ i tregon pikëpamjet në një mënyrë të sinqertë, por jo sulmuese. Ndonjëherë të menduarit me maturi e zgjidh problemin, meqë bëhet e qartë se mosmarrëveshja ishte thjesht një keqkuptim. Për shembull, një bashkëshorte që mendon se bashkëshorti i saj po këmbëngul në mënyrë egoiste që ajo të marrë pjesë me të në një ndeshje basketbolli të një shkolle të mesme në vend që të dalë për darkë në një takim dashurie me të, mund të arrijë të kuptojë se ai nuk ka aq shumë interes për basketbollin sesa t’i kushtojë vëmendje një lojtari që ka ndaluar së frekuentuari klasën e tij të Shkollës së të Dielës.

2. Shqyrtimi i Shqetësimeve

Çiftet i analizojnë shqetësimet në një nivel më të thellë. Synimi është që t’i kuptojnë dhe t’i pranojnë shqetësimet e njëri-tjetrit. Duke vazhduar shembullin e basketbollit, bashkëshortja, ndërkohë që e kupton shqetësimin e bashkëshortit të saj për studentin, mund të besojë se ai po krijon një model që i vendos përherë nevojat e të tjerëve përpara atyre që ka martesa. Në këtë rast, mund të bëhet një diskutim më i matur, ku secili i shpreh ndjenjat në një mënyrë delikate dhe kundërshtia i hap rrugë bashkëpunimit.

3. Përzgjedhja e Zgjidhjeve të Kënaqshme për të Dy Palët

Çiftet japin ide dhe vendosin mbi zgjidhje që janë të kënaqshme për të dy palët. Përqendrimi është tek ajo që mund të bëjë secili individ për t’i trajtuar shqetësimet, në vend të asaj se çfarë mund të bëjë bashkëshorti/ja i/e tyre. Bisedime të tilla mund ta sprovojnë pjekurinë dhe durimin por, me kalimin e kohës, çojnë drejt një bindjeje se ka siguri në shprehjen e ndjenjave dhe drejt një mirëbesimi se dëshirat e secilit individ do të merren parasysh. Çifti ynë mund të bjerë dakord ta kalojnë një mbrëmje të premteje së bashku në një ndeshje basketbolli, një mbrëmje të premteje në të cilën bashkëshorti shkon në ndeshje vetëm, dhe dy mbrëmje të premteje duke bërë veprimtari në çift. Nuk ka rëndësi mënyra se si çifti zgjedh ta kalojë mbrëmjen e të premtes sesa ka rëndësi që cilësia e procesit të vendimmarrjes të jetë e kënaqshme për të dyja palët.

Rrjedhojat e Zgjidhjes së Konfliktit

Pamja
couple praying together

Bekime të mrekullueshme burojnë nga zgjidhja e konflikteve në një atmosferë dashurie. Këto përfshijnë sigurinë, rritjen vetjake, e cila çon drejt paqes së brendshme, besimin e shtuar, karakterin e përmirësuar dhe drejtësinë vetjake.

Kur konfliktet zgjidhen, modele të reja mund ta zënë vendin e tyre. Më pas hapet dera për bashkëshortët që të shprehin mendime pozitive dhe të tregojnë mbështetje. Motra Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, tha: “Fjalët kanë fuqi të habitshme, si për të lartësuar edhe për të shkatërruar. Ne të gjitha ndoshta mund të sjellim ndërmend fjalë negative që na shkurajuan, dhe fjalë të tjera të thëna me dashuri që na i bënë shpirtrat të fluturojnë. Zgjedhja që të themi vetëm atë që është pozitive rreth të tjerëve – dhe këtë ballë për ballë – i lartëson dhe i forcon njerëzit përreth nesh dhe i ndihmon të tjerët që të ndjekin mënyrën e Shpëtimtarit.”6

Çiftet që kanë bërë përparim afatgjatë në zgjidhjen e konfliktit, korrin shpërblime të dëshirueshme. Një bashkëshort nga një marrëdhënie e mëparshme e trazuar tha: “Është e vështirë për mua ta hedh vështrimin prapa e të shoh se si ishin gjërat [mes nesh] dhe të besoj se ishin vërtet [ashtu]. Si munda ta trajtoj bashkëshorten time në atë mënyrë? Jam mirënjohës që Shpirti ma tërhoqi vëmendjen dhe për durimin që ka treguar bashkëshortja ime me mua.”

Përfundimi

Kapërcimi i konfliktit kërkon përpjekje të ndërgjegjshme dhe çuarje deri në fund. Pikërisht gjëja tjetër që ju thoni ose bëni, mund t’i japë zanafillë modeleve më pozitive të komunikimit në martesën tuaj. Edhe ju mund t’i korrni frytet e Shpirtit siç u përjetuan nga nefitët: “Nuk pati grindje në tokë, për shkak të dashurisë së Perëndisë që jetonte në zemrat e njerëzve.

Dhe nuk pati zili, as luftime, as trazira …; dhe me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur” (4 Nefi 1:15–16).

Shënime

  1. M. Russell Ballard, “The Sacred Responsibilities of Parenthood” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 19 gusht 2003), f. 3; speeches.byu.edu.

  2. Tomas S. Monson, “Dashuria – Thelbi i Ungjillit”, Liahona, maj 2014, f. 92.

  3. Gordon B. Hinckley, “Loyalty”, Liahona, maj 2003, f. 59.

  4. Marvin J. Ashton, “No Time for Contention”, Ensign, maj 1978, f. 9.

  5. Shih Strengthening Marriage: Resource Guide for Couples (2006), f. 19–20.

  6. Xhin B. Bingham, “Unë do ta Sjell Dritën e Ungjillit në Shtëpinë Time”, Liahona, nëntor 2016, f. 7.