2017
Një Karakter si i Krishtit
Tetor 2017


Një Karakter si i Krishtit

Nga një fjalim në Simpoziumin e Fesë të Universitetit “Brigam Jang” – Ajdaho, mbajtur më 25 janar 2003.

Jezusi, i cili vuajti më shumë nga të gjithë, ka dhembshurinë më të madhe për të gjithë ne që vuajmë shumë më pak.

Pamja
image of Christ

Detaj nga DRITA E BOTËS, prej Howard Lyon

Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004) dha mësim një parim që më ka lënë mbresë thellësisht dhe që ka qenë përqendrimi i shumë prej studimit, reflektimit dhe përsiatjes sime. Ai tha: “Nuk mund të kishte pasur Shlyerje pa karakterin e Krishtit!”1 Që kur e dëgjova këtë thënie të drejtpërdrejtë dhe përshkuese, jam përpjekur të mësoj më shumë rreth fjalës “karakter” dhe ta kuptoj më mirë atë fjalë. Gjithashtu kam përsiatur rreth marrëdhënies midis karakterit të Krishtit dhe Shlyerjes së Tij – dhe rrjedhojave të asaj marrëdhënieje për secilin prej nesh si dishepuj.

Karakteri i Zotit Jezu Krisht

Ndoshta treguesi më i madh i karakterit është aftësia për të dalluar dhe për t’iu përgjigjur siç duhet njerëzve të tjerë, të cilët po përjetojnë po të njëjtën sfidë apo fatkeqësi që po rëndon mbi ne, në mënyrën më të menjëhershme dhe më detyruese. Karakteri zbulohet, për shembull, në fuqinë për të dalluar vuajtjen e njerëzve të tjerë kur ne vetë po vuajmë; në aftësinë për të dalluar urinë e të tjerëve kur ne jemi të uritur; dhe në fuqinë për të ndihmuar dhe dhënë dhembshuri për agoninë shpirtërore të të tjerëve kur ne jemi në mes të vetë ankthit tonë shpirtëror. Kështu, karakteri shfaqet duke kërkuar dhe duke u drejtuar jashtë vetes, kur përgjigjja e natyrshme dhe instinktive është që të jemi të përqendruar te vetja dhe të kthehemi drejt vetes sonë. Nëse një zotësi e tillë është me të vërtetë kriteri përfundimtar i karakterit moral, atëherë Shpëtimtari i botës është shembulli i përsosur i një karakteri të tillë, të qëndrueshëm dhe bamirës.

Shembuj të Karakterit të Krishtit

Pamja
Christ teaching

Këta të Dymbëdhjetë i Dërgoi Jezusi, nga Walter Rane

Në dhomën e sipërme, në natën e Darkës së Fundit, pikërisht natën gjatë së cilës Ai do të përjetonte vuajtjen më të madhe që ndodhi ndonjëherë në të gjitha botët e krijuara prej Tij, Krishti foli rreth Ngushëlluesit dhe paqes:

“Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju;

por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.

Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:25–27).

Duke e dalluar që Ai Vetë do të përjetonte së shpejti në mënyrë të fuqishme dhe vetjake mungesën si të ngushëllimit ashtu edhe të paqes dhe në një çast kur zemra e Tij ndoshta ishte e shqetësuar dhe e frikësuar, Mësuesi iu drejtua të tjerëve dhe u ofroi atyre pikërisht bekimet që mund dhe do ta kishin forcuar Atë.

Në Lutjen e madhërishme Ndërmjetësuese, të ofruar pikërisht përpara se Jezusi të shkonte me dishepujt e Tij përtej përroit të Kedronit drejt Kopshtit të Gjetsemanit, Mësuesi u lut për dishepujt e Tij dhe për të gjithë “ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre,

që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua. …

… Që të jenë të përsosur në unitet dhe që bota të njohë që ti më ke dërguar dhe që i ke dashur, ashtu si më ke dashur mua. …

Dhe unë i kam bërë të njohin emrin tënd dhe do të bëj ta njohin akoma, që dashuria, me të cilën ti më ke dashur mua, të jetë në ta dhe unë në ta” (Gjoni 17:20, 21, 23, 26).

E gjej veten duke bërë në mënyrë të përsëritur pyetjet vijuese, ndërkohë që përsiat këtë dhe ngjarje të tjera që ndodhën kaq pranë tradhtisë që provoi Ai, dhe vuajtjes së Tij në kopsht: Si mund të lutej Ai për mirëqenien dhe unitetin e të tjerëve pikërisht përpara vetë ankthit të Tij? Çfarë e aftësoi Atë që të kërkonte ngushëllim e paqe për ata nevoja e të cilëve ishte shumë më e paktë se e Tija? Teksa natyra e rënë e botës që krijoi Ai, rëndonte mbi Të, si mund të përqendrohej Ai kaq tërësisht dhe kaq veçanërisht te kushtet dhe shqetësimet e të tjerëve? Si ishte në gjendje Mësuesi të drejtohej jashtë vetes kur një qenie më e ulët do të ishte kthyer drejt vetes? Një thënie nga Plaku Maksuell siguron përgjigjen për secilën prej këtyre pyetjeve të fuqishme:

“Karakteri i Jezusit siguroi përkrahjen e duhur për shlyerjen e Tij të mrekullueshme. Pa karakterin e madhërishëm të Jezusit, nuk do të kishte pasur asnjë shlyerje të madhërishme! Karakteri i Tij është i tillë që Ai ‘[vuajti] tundime të çdo lloji’ (Alma 7:11), prapëseprapë Ai ‘nuk ua vuri veshin’ tundimeve (DeB 20:22).”2

Jezusi, i cili vuajti më shumë nga të gjithë, ka dhembshurinë më të madhe për të gjithë ne që vuajmë shumë më pak. Me të vërtetë, thellësia e vuajtjes dhe e dhembshurisë është e lidhur ngushtë me thellësinë e dashurisë që ndihet nga shërbestari.

Kërkimi Aktiv i Dashurisë Hyjnore

Pamja
young women at church

Në vdekshmëri, ne mund të kërkojmë që të bekohemi me elemente thelbësore të një karakteri si të Krishtit dhe t’i zhvillojmë ato elemente. Me të vërtetë, është e mundshme për ne si njerëz të vdekshëm, që të përpiqemi me drejtësi për të marrë dhuratat shpirtërore të cilat lidhen me aftësinë për t’u drejtuar jashtë vetes dhe për t’iu përgjigjur siç duhet njerëzve të tjerë që po përjetojnë po të njëjtën sfidë apo fatkeqësi që po rëndon mbi ne, në mënyrën më të menjëhershme dhe më detyruese. Ne nuk mund ta fitojmë një aftësi të tillë nëpërmjet vullnetit tërësor apo vendosmërisë vetjake. Përkundrazi, na nevojiten dhe jemi të varur tek “merit[at] dhe mëshir[a] dhe hiri [i] Mesias së Shenjtë” (2 Nefi 2:8). Por “rresht pas rreshti, parim pas parimi” (2 Nefi 28:30) dhe “me kalimin e kohës” (Moisiu 7:21), ne aftësohemi që të drejtohemi jashtë vetes kur prirja e natyrshme është që të kthehemi drejt vetes sonë.

Më lejoni të sugjeroj që ju dhe unë duhet të lutemi, të jemi të etur, të përpiqemi dhe të punojmë që të kultivojmë një karakter si i Krishtit, në qoftë se shpresojmë që të marrim dhuratën shpirtërore të dashurisë hyjnore – dashurinë e pastër të Krishtit. Dashuria hyjnore nuk është një tipar apo karakteristikë që e fitojmë vetëm nëpërmjet këmbënguljes dhe vendosmërisë sonë qëllimplotë. Me të vërtetë, ne duhet t’i nderojmë besëlidhjet tona dhe të jetojmë denjësisht, dhe të bëjmë gjithçka mundemi që të kualifikohemi për dhuratën; por më së fundi, dhurata e dashurisë hyjnore na zotëron ne – ne nuk e zotërojmë atë (shih Moroni 7:47). Zoti e përcakton nëse i marrim të gjitha dhuratat shpirtërore dhe kur i marrim ato, por ne duhet të bëjmë gjithçka që kemi fuqi për t’i dëshiruar, për të qenë të etur, për t’i ftuar dhe për t’u kualifikuar për dhurata të tilla. Teksa veprojmë gjithnjë e më shumë në një mënyrë të pajtueshme me karakterin e Krishtit, atëherë ndoshta po i tregojmë qiellit në mënyrën më të fuqishme dëshirën tonë për dhuratën e hyjnishme shpirtërore të dashurisë hyjnore. Dhe qartësisht ne po bekohemi me këtë dhuratë të mrekullueshme teksa drejtohemi jashtë vetes gjithnjë e më shumë, kur burri apo gruaja e natyrshme brenda nesh do të kthehej në mënyrë tipike drejt vetes.

Jezusi është Krishti, Biri i Vetëmlindur i Atit të Amshuar. Unë e di se Ai jeton. Dhe dëshmoj se karakteri i Tij bëri të mundur për ne mundësitë si për pavdekësinë ashtu edhe për jetën e përjetshme. U drejtofshim jashtë vetes kur prirja e natyrshme për ne është që të kthehemi drejt vetes.

Shënime

  1. Neal A. Maxwell, “The Holy Ghost: Glorifying Christ”, Ensign, korrik 2002, f. 58.

  2. Neal A. Maxwell, “O How Great the Plan of Our God!” (fjalim drejtuar mësuesve të fesë të Sistemit Arsimor të Kishës, 3 shkurt 1995), f. 6, si.lds.org.