2017
Pendimi Është Gjithmonë Pozitiv
nëntor 2017


Pendimi Është Gjithmonë Pozitiv

Në çastin kur vëmë këmbën në shtegun e pendimit, ne ftojmë fuqinë shëlbuese të Shpëtimtarit në jetën tonë.

Disa vite më parë, Presidenti Gordon B. Hinkli ishte i pranishëm në një ndeshje futbolli amerikan midis kolegjesh. Ai ndodhej atje për të njoftuar se stadiumi do të merrte emrin e trajnerit, për një kohë të gjatë, shumë të dashur të skuadrës, i cili po dilte në pension. Skuadra donte skajshëm ta fitonte ndeshjen për të nderuar trajnerin e saj. Gjatë pjesës së parë, Presidentin Hinkli e ftuan të vizitonte dhomën e lojtarëve dhe t’u thoshte disa fjalë nxitëse. Frymëzuar nga fjalët e tij, ajo skuadër në atë ditë shkoi për ta fituar atë lojë dhe e mbylli sezonin me një rekord fitoresh.

Sot, do të doja t’u flisja atyre që mund të jenë të shqetësuar ngaqë nuk po fitojnë në jetë. E vërteta është, sigurisht, se “të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë”1. Ndërkohë që mund të ketë sezone pa humbje në sporte, në jetë nuk ka asnjë. Por unë dëshmoj se Shpëtimtari Jezu Krisht kreu një Shlyerje të përsosur dhe na dha dhuratën e pendimit – shtegun tonë për t’u kthyer te një ndriçim i përkryer i shpresës dhe një jetë fitimtare.

Pendimi Sjell Lumturi

Tepër shpesh ne e mendojmë pendimin si diçka të mjerë dhe shtypëse. Por plani i Perëndisë është plani i lumturisë, jo plani i mjerimit. Pendimi është lartësues dhe fisnikërues. Është mëkati që sjell palumturi.2 Pendimi është udha jonë e shpëtimit! Sikurse e shpjegoi Plaku D. Tod Kristoferson: “Pa pendim nuk ka përparim ose përmirësim të vërtetë në jetë. … Vetëm nëpërmjet pendimit ne fitojmë të drejtën për hirin shlyes të Jezu Krishtit dhe për shpëtim. Pendimi … na drejton te liria, vetëbesimi dhe paqja.”3 Mesazhi im për të gjithë – posaçërisht për rininë – është se pendimi është gjithmonë pozitiv.

Kur flasim për pendimin, ne nuk po flasim thjesht për përpjekje vetëpërmirësimi. Pendimi i vërtetë është më shumë se kjo – ai frymëzohet nga besimi në Zotin Jezu Krisht dhe nga fuqia e Tij për të falur mëkatet tona. Plaku Dejll G. Renland na ka mësuar: “Pa Shëlbuesin, … pendimi bëhet thjesht një sjellje e mjerë modifikimi”4. Ne mund të përpiqemi ta ndryshojmë vetë sjelljen tonë, por vetëm Shpëtimtari mund të na i heqë njollat dhe të ngrejë barrët tona, duke na aftësuar që ta ndjekim shtegun e bindjes me vetëbesim dhe forcë. Gëzimi i pendimit është më shumë se gëzimi i të jetuarit të një jete të kënaqshme. Ai është gëzimi i faljes, i të qenit përsëri i pastër dhe i afrimit me Perëndinë. Pasi ta keni përjetuar atë gëzim, ai bëhet i pazëvendësueshëm.

Pendimi i vërtetë na frymëzon që ta bëjmë bindjen tonë një zotim – një besëlidhje, që fillon me pagëzimin dhe ripërtërihet çdo javë në Darkën e Zotit, sakramentin. Atje ne marrim premtimin që mund “të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e Tij me [ne]”5, me të gjithë gëzimin dhe paqen që vijnë nga shoqërimi i Tij i përhershëm. Ky është fryti i pendimit dhe kjo është ajo që e bën pendimin të gëzueshëm!

Pendimi Kërkon Këmbëngulje

Unë e pëlqej shumë shëmbëlltyrën e djalit plangprishës.6 Ka diçka prekëse te çasti i kthesës kur plangprishësi “erdhi në vete”. Ulur në një stallë derrash, duke dëshiruar “të mbushte barkun me lendet që hanin derrat”, ai më në fund e kuptoi se pati çuar dëm jo vetëm trashëgiminë nga i ati por gjithashtu vetë jetën e vet. Me besim që babai i tij mund ta pranonte kthimin e tij – nëse jo si bir atëherë të paktën si shërbëtor – ai vendosi ta linte pas të kaluarën e tij rebele dhe të shkonte në shtëpi.

Unë shpesh e kam pyetur veten rreth rrugëtimit të gjatë të birit për në shtëpi. A kishte raste kur ai ngurroi dhe pyeti veten: “Si do të më presë babai?” Ndoshta ai madje bëri disa hapa prapa drejt derrave. Përfytyroni si do të kishte qenë ndryshe historia nëse ai do të ishte dorëzuar. Por besimi e mbajti atë në lëvizje dhe besimi e mbajti babanë e tij në vëzhgim e pritje me durim, derisa më në fund:

“Kur ishte ende larg, i ati e pa dhe [pati] dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi.

Dhe i biri i tha: ‘O atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt’.

Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni këtu rrobën më të bukur dhe visheni, i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë. …

sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri’.”

Pendimi Është për Cilindo

Vëllezër dhe motra, ne jemi të gjithë plëngprishës. Ne të gjithë duhet të “[vijmë] në vete” – zakonisht më shumë se një herë – dhe të zgjedhim shtegun që na kthen në shtëpi. Ajo është një zgjedhje që e bëjmë përditë, gjatë gjithë jetës sonë.

Ne shpesh e shoqërojmë pendimin me mëkate të rënda që kërkojnë një “ndryshim [të] madh”7. Por pendimi është për cilindo – ata që janë duke u endur nëpër “shtigje të ndaluara dhe [kanë humbur]”8 si dhe ata që “[kanë] hyrë në … shteg[un e] ngushtë dhe të ngushtuar” dhe tani nevojitet të “shko[jnë] përpara”9. Pendimi edhe na vë në shtegun e duhur, edhe na mban në shtegun e duhur. Është për ata që sapo kanë filluar të besojnë, për ata që kanë besuar gjithmonë, dhe për ata që u nevojitet të fillojnë të besojnë përsëri. Plaku Dejvid A. Bednar na mësoi: “Shumë prej nesh e kuptojnë qartësisht se Shlyerja është për mëkatarët. Megjithatë, nuk jam aq i sigurt se ne e dimë dhe kuptojmë se Shlyerja është edhe për shenjtorët – për burrat dhe gratë e mira që janë të bindur, të denjë … dhe që po përpiqen për t’u bërë më të mirë.”10

Kohët e fundit vizitova një qendër të trajnimit misionar kur mbërriti një grup misionarësh të sapo thirrur. Unë u preka thellë ndërsa i vështroja dhe vura re dritën në sytë e tyre. Ata dukeshin aq të gëzuar e të lumtur dhe entuziastë. Atëherë më erdhi një mendim: “Ata kanë përjetuar besim deri në pendim. Kjo është arsyeja pse ata janë të mbushur me gëzim dhe shpresë.”

Nuk mendoj se kjo do të thotë që të gjithë patën shkelje serioze në të kaluarën e tyre, por vërtet mendoj se dinin si të pendoheshin; ata e patën mësuar që pendimi është pozitiv dhe ishin gati e të etur që ta ndanin këtë mesazh të gëzueshëm me botën.

Kjo është ajo që ndodh kur ndiejmë gëzimin e pendimit. Merreni parasysh shembullin e Enosit. Ai pati çastin e tij të “[ardhjes] në vete” dhe, pasi “fajësia [e tij] u fshi”, zemra e tij u kthye menjëherë drejt mirëqenies së të tjerëve. Enosi e kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke i ftuar të gjithë njerëzit të pendoheshin dhe u “[gëzua] më tepër në të sesa në atë të botës”11. Pendimi e bën atë; ai i kthen zemrat tona drejt bashkëqenieve tona, ngaqë ne e dimë se gëzimi që ndiejmë është që ta përjetojë gjithsecili.

Pendimi Është një Kërkim Përgjatë Gjithë Jetës

Kam një mik që u rrit në një familje shenjtorësh të ditëve të mëvonshme pak aktive. Kur ishte i ri në moshë, edhe ai “erdhi në vete” dhe vendosi të përgatitej për një mision.

Ai u bë një misionar i shkëlqyer. Në ditën e tij të fundit përpara se të kthehej në shtëpi, presidenti i misionit e intervistoi dhe i kërkoi të jepte dëshminë e vet. Ai e bëri këtë dhe, pas një përqafimi me përlotje, presidenti i tha: “Eldër [Plak], ti mund t’i harrosh apo mohosh brenda pak muajsh të gjitha ato çka sapo dëshmove, nëse nuk do të vazhdosh të bësh gjërat që së pari forcojnë dëshminë tënde”.

Miku im më vonë më tregoi se ai ishte lutur dhe i kishte lexuar shkrimet e shenjta çdo ditë qysh prej kthimit nga misioni i vet. Qenia vazhdimisht “[i ushqyer] nga fjala e mirë e Perëndisë” e mbajti atë “në udhën e drejtë”12.

Ju që po përgatiteni për misione kohëplota dhe ju që po ktheheni, mbani shënim! Nuk mjafton thjesht të fitoni një dëshmi; ju duhet ta mirëmbani atë dhe ta forconi atë. Sikurse e di çdo misionar, nëse ndaloni së ngari biçikletën, ajo do të bjerë dhe nëse ndaloni së ushqyeri dëshminë tuaj, ajo do të dobësohet. Po ky parim vlen për pendimin – ai është një kërkim përgjatë gjithë jetës, jo një përvojë e vetme në jetë.

Të gjithë ata që kërkojnë falje – rinia, të rinjtë në moshë madhore beqarë, prindërit, gjyshërit dhe po, madje stërgjyshërit – unë ju ftoj të vini në shtëpi. Tani është koha për të filluar. Mos e shtyni ditën e pendimit tuaj.13

Atëherë, sapo ta keni marrë këtë vendim, vijoni të ndiqni shtegun. Ati ynë po pret, i dëshiruar që t’ju presë. Krahët e tij janë shtrirë “gjatë gjithë ditës” për ju.14 Shpërblimi e meriton përpjekjen.

Mbajini mend këto fjalë nga Nefi: “Ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme.”15

Ndonjëherë udhëtimi do të duket i gjatë – në fund të fundit, ai është udhëtimi drejt jetës së përjetshme. Por ai mund të jetë një udhëtim i gëzueshëm nëse e ndjekim me besim në Jezu Krisht dhe me shpresë te Shlyerja e Tij. Unë dëshmoj se, në çastin kur vëmë këmbën në shtegun e pendimit, ne ftojmë fuqinë shëlbuese të Shpëtimtarit në jetën tonë. Ajo fuqi do t’i bëjë të qëndrueshme këmbët tona, do ta zgjerojë këndvështrimin tonë dhe do ta thellojë vendosmërinë tonë për të shkuar përpara, hap pas hapi, deri në atë ditë të lavdishme kur ne më në fund do të kthehemi në shtëpinë tonë qiellore dhe do ta dëgjojmë Atin tonë në Qiell të na thotë: “Të lumtë”16. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.