2017
Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?
nëntor 2017


Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?

Në një mënyrë shumë të mrekullueshme dhe të pashoqe, Libri i Mormonit na mëson rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij.

Në vitin 1986 mora ftesën për të dhënë një leksion të veçantë në një universitet në Akra të Ganës. Atje takova një numër personalitetesh, përfshirë një mbret të një fisi afrikan. Ndërsa po bisedonim përpara leksionit, mbreti më foli vetëm nëpërmjet përkthyesit të tij, i cili më pas përktheu për mua. Unë iu përgjigja përkthyesit dhe ai më pas ia përkthente përgjigjet e mia mbretit.

Pas leksionit tim, mbreti u afrua drejt meje, por kësaj here pa përkthyesin e vet. Për habinë time, ai më foli shkëlqyeshëm në anglisht – anglishten mbretërore britanike, mund të shtoj!

Mbreti dukej i pështjelluar. “Kush jeni ju?” pyeti ai.

Iu përgjigja: “Unë jam një Apostull i shuguruar i Jezu Krishtit”.

Mbreti më pyeti: “Çfarë mund të më mësoni për Jezu Krishtin?”

Iu përgjigja me një pyetje: “A mund t’ju pyes se çfarë dini rreth Tij?”

Përgjigjja e mbretit zbuloi se ai ishte një student i mirëfilltë i Biblës dhe dikush që e donte Zotin.

Më pas unë e pyeta nëse ai kishte njohuri për shërbesën e Jezu Krishtit te njerëzit në Amerikën e lashtë.

Siç e prisja, ai nuk dinte gjë.

I shpjegova se, pas Kryqëzimit dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit, Ai erdhi te populli i Amerikës së lashtë, ku dha mësim ungjillin e Tij. Ai e organizoi Kishën e Tij dhe u kërkoi dishepujve të Vet që të mbanin një anal për shërbesën e Tij mes tyre.

“Ai anal”, vazhdova unë, “është ai që ne e njohim si Libri i Mormonit. Ai është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit. Është një shkrim i shenjtë shoqërues i Biblës së Shenjtë.”

Në këtë pikë, mbreti u bë shumë i interesuar. U ktheva nga presidenti i misionit që më shoqëronte, dhe e pyeta nëse kishte një kopje shtesë të Librit të Mormonit me vete. Ai nxori një kopje nga çanta e dorës.

E hapa te 3 Nefi, kapitulli i 11-të, dhe së bashku me mbretin lexuam predikimin e Shpëtimtarit te nefitët. Më pas ia dhashë atij kopjen e Librit të Mormonit. Përgjigjja e tij m’u ngulit përgjithmonë në mendje e në zemër: “Ju mund të më kishit dhënë diamante ose rubinë, por asgjë nuk është më e çmueshme për mua sesa kjo njohuri shtesë rreth Zotit Jezu Krisht”.

Pasi e përjetoi fuqinë e fjalëve të Shpëtimtarit te 3 Nefi, mbreti tha: “Nëse do të kthehem në besim dhe bashkohem me Kishën, do ta sjell gjithë fisin tim me vete”.

“O, mbret”, iu përgjigja, “nuk funksionon në atë mënyrë. Kthimi në besim është një çështje individuale. Shpëtimtari u shërbeu nefitëve një e nga një. Çdo individ merr një dëshmim dhe një dëshmi për ungjillin e Jezu Krishtit.”1

Pamja
Jezu Krishti duke u shërbyer nefitëve

Vëllezërit dhe motrat e mia, sa i çmuar është Libri i Mormonit për ju? Nëse do t’ju ofronin diamante apo rubinë ose Librin e Mormonit, cilin do të zgjidhnit? Sinqerisht, cila ka më shumë vlerë për ju?

Kujtoni se në sesionin e paradites të së dielës të konferencës së përgjithshme të prillit 2017, Presidenti Tomas S. Monson iu përgjërua “secilit prej nesh që me lutje ta studioj[m]ë dhe ta përsiat[im] Librin e Mormonit çdo ditë”2. Shumë i janë përgjigjur përgjërimit të profetit tonë.

Më lejoni t’ju them se as unë e as Rajlli tetëvjeçar nuk e dinim se do të na merrte dikush në fotografi. Vëreni se Rajlli po e lexon Librin e tij të Mormonit me ndihmën e një libërshenjuesi që titullohet “Fëmijë i Perëndisë Jam”.

Pamja
Presidenti Nelson dhe Rajlli duke studiuar shkrimet e shenjta

Diçka e mrekullueshme ndodh kur një fëmijë i Perëndisë kërkon të dijë më shumë rreth Tij dhe Birit të Tij të Dashur. Askund tjetër nuk jepen mësim më qartë dhe më fuqishëm këto të vërteta sesa në Librin e Mormonit.

Që nga sfida e Presidentit Monson gjashtë muaj më parë, unë jam përpjekur ta ndjek këshillën e tij. Mes gjërash të tjera, kam bërë lista se çfarë është Libri i Mormonit, çfarë pohon, çfarë përgënjeshtron, çfarë përmbush, çfarë sqaron dhe çfarë zbulon. Qasja ndaj Librit të Mormonit në atë këndvështrim ka qenë një ushtrim mbresëlënës dhe frymëzues! Jua rekomandoj secilit prej jush.

Gjatë këtyre gjashtë muajve, kam ftuar grupe të ndryshme – përfshirë Vëllezërit e mi në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, misionarë në Kili dhe presidentët e misioneve dhe bashkëshortet e tyre të mbledhur në Argjentinë – për të shqyrtuar tri pyetje që lidhen njëra me tjetrën, ndaj të cilave ju ftoj që të mendoni sot:

Së pari, si do të ishte jeta juaj pa Librin e Mormonit? Së dyti, çfarë nuk do të dinit? Dhe së treti, çfarë nuk do të kishit?

Përgjigjet entuziazmuese nga këto grupe erdhën direkt nga zemra e tyre. Ja vetëm disa prej komenteve të tyre:

“Pa Librin e Mormonit, do të isha i pështjelluar nga mësime dhe opinione që bien ndesh për kaq shumë gjëra. Do të isha njësoj siç isha përpara se ta gjeja Kishën, kur po kërkoja njohuri, besim dhe shpresë.”

Një tjetër tha: “Unë nuk do të dija rreth rolit që Fryma e Shenjtë mund të luajë në jetën time”.

Një tjetër: “Nuk do ta kuptoja plotësisht qëllimin tim këtu në tokë!”

Një komentues tjetër tha: “Nuk do ta dija se ka një përparim të vazhdueshëm pas kësaj jete. Për shkak të Librit të Mormonit, unë e di se ka vërtet jetë pas vdekjes. Ky është synimi përfundimtar për të cilin po punojmë.”

Ky koment i fundit më bëri të reflektoj për jetën time dekada më parë, kur isha një kirurg praktikant i ri në moshë. Një nga përgjegjësitë kryesore që ka një kirurg, sipas rastit, është që ta vërë në dijeni familjen kur një njeri i dashur ndërron jetë. Në një spital ku punoja, u ndërtua një dhomë e veçantë me mure të veshura [me shtresë të butë], ku pjesëtarët e familjes mund t’i merrnin lajme të tilla. Atje, disa njerëz e shprehnin pikëllimin e tyre duke e përplasur kokën tek ato mure të veshura. Jam përpjekur aq shumë që t’u mësoja atyre individëve se vdekja, sado e vështirë që është për njerëzit e dashur që jetojnë, është një pjesë e nevojshme e ekzistencës sonë të pavdekshme. Vdekja na lejon të përparojmë në botën tjetër.3

Një komentues tjetër ndaj pyetjes sime tha: “Nuk kisha një jetë deri në çastin kur lexova Librin e Mormonit. Edhe pse isha lutur dhe kisha shkuar në kishë gjithë jetën time, Libri i Mormonit më ndihmoi që, për herë të parë, të komunikoja me të vërtetë me Atin Qiellor.”

Një tjetër tha: “Pa Librin e Mormonit nuk do ta kuptoja se Shpëtimtari jo vetëm që vuajti për mëkatet e mia, por që Ai mund t’i shërojë dhembjet dhe hidhërimet e mia”4.

Dhe sërish një tjetër tha: “Nuk do ta dija se kemi profetë që na udhëheqin”.

Ta zhytësh veten rregullisht në të vërtetat e Librit të Mormonit mund të jetë një përvojë që të ndryshon jetën. Një nga mbesat e mia misionare, Motra Olivia Nelson, i premtoi një kërkuesi se, po ta lexonte Librin e Mormonit çdo ditë, pikët në provimet e tij në universitet do të përmirësoheshin. Ai e bëri këtë dhe pikët u përmirësuan.

Pamja
Motra Olivia Nelson

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë dëshmoj se Libri i Mormonit është vërtet fjala e Perëndisë. Ai përmban përgjigjet për pyetjet më të vështira të jetës. Ai na mëson doktrinën e Krishtit.5 Ai e zgjeron dhe e qartëson shumicën e të vërtetave të “qarta dhe të çmueshme”6 që humbën ndër shekujt e kohës dhe prej përkthimeve të shumta të Biblës.

Libri i Mormonit jep kuptueshmërinë më të plotë dhe më të besueshme për Shlyerjen e Jezu Krishtit që gjendet në ndonjë vend. Ai na mëson se çfarë do të thotë vërtet të lindesh sërish. Nga Libri i Mormonit ne mësojmë rreth mbledhjes së Izraelit të shpërndarë. Ne e dimë arsyen përse jemi këtu në tokë. Këto dhe të vërteta të tjera janë dhënë mësim në mënyrën më të fuqishme dhe bindëse në Librin e Mormonit sesa në ndonjë libër tjetër. Fuqia e plotë e ungjillit të Jezu Krishtit përmbahet në Librin e Mormonit. Pa dyshim.

Libri i Mormonit u jep dritë mësimeve të Mësuesit sikurse dhe nxjerr në pah taktikat e kundërshtarit.7 Libri i Mormonit jep mësim doktrinën e vërtetë për të zhdukur traditat e rreme fetare – të tilla si praktika e gabuar e kryerjes së pagëzimit të foshnjave.8 Libri i Mormonit i jep qëllim jetës duke na nxitur që të meditojmë mundësinë e jetës së përjetshme dhe të “lumturi[së së] pafund”9. Libri i Mormonit i shuan bindjet e rreme se lumturia mund të gjendet në ligësi10 dhe se mirësia e individit është gjithçka që kërkohet për t’u kthyer në praninë e Perëndisë.11 Ai i shpërbën përgjithmonë konceptet e rreme se zbulesa mbaroi me Biblën dhe se qiejt janë të vulosur sot.

Kur unë mendoj për Librin e Mormonit, mendoj për fjalën fuqi. Të vërtetat e Librit të Mormonit kanë fuqinë ta shërojnë, ngushëllojnë, rivendosin, ndihmojnë, forcojnë, përkrahin dhe gëzojnë shpirtin tonë.

Vëllezërit dhe motra e mia të dashura, unë ju premtoj se, kur e studioni me lutje Librin e Mormonit çdo ditë, ju do të merrni vendime më të mira – çdo ditë. Ju premtoj se, teksa e përsiatni atë që studioni, dritaret e qiellit do të hapen dhe ju do të merrni përgjigje për vetë pyetjet tuaja dhe drejtim për vetë jetën tuaj. Ju premtoj se, ndërsa e zhytni veten përditë në Librin e Mormonit, ju mund të fitoni imunitet kundër të ligave të ditës, përfshirë edhe murtajën dërrmuese të pornografisë dhe varësive të tjera që na mpijnë mendjen.

Sa herë që dëgjoj dikë, përfshirë dhe veten, të thotë: “E di se Libri i Mormonit është i vërtetë”, dua ta them me zë të lartë: “Gjë e mirë, por nuk mjafton!” Neve na nevojitet të ndiejmë, në “pjes[ën] më [të] thellë” të zemrës sonë12, se Libri i Mormonit është pa dyshim fjala e Perëndisë. Ne duhet ta ndiejmë atë kaq thellësisht sa kurrë nuk do të duam të jetojmë qoftë edhe një ditë pa të. Unë mund ta parafrazoj Presidentin Brigam Jang kur tha: “Do të doja të kisha zërin e shtatë bubullimave që t’i zgjoja njerëzit”13 ndaj së vërtetës dhe fuqisë së Librit të Mormonit.

Na nevojitet të jemi si ky misionar i ri që shërben në Europë, i cili i ndjeu kaq thellësisht të vërtetat e Librit të Mormonit saqë me plot kuptimin e fjalës vrapoi me një kopje të këtij anali të shenjtë, drejt një burri në park që sapo e kishin gjetur ai dhe shoku i tij i misionit.

Pamja
Misionarët duke vrapuar

Unë dëshmoj se Jozef Smithi ishte dhe është profeti i kësaj periudhe të fundit ungjillore. Ishte ai i cili, me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë, e përktheu këtë libër të shenjtë. Ky është libri që do të ndihmojë për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit.

Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Biri i drejtpërdrejtë dhe i gjallë i Perëndisë sonë të gjallë. Ai është Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi ynë, Shembulli ynë i madhërishëm dhe Avokati ynë me Atin. Ai ishte Mesia i premtuar, Mesia i vdekshëm dhe do të jetë Mesia i mijëvjeçarit. Unë dëshmoj me gjithë shpirtin tim se, në një mënyrë shumë të mrekullueshme dhe të pashoqe, Libri i Mormonit na mëson rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij.

Unë e di se Presidenti Tomas S. Monson është profeti i Perëndisë në tokë sot. Unë e dua dhe e mbështet atë me gjithë zemrën time. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Listat e Librit të Mormonit të Presidentit Nelson.

Libri i Mormonit është:

  • Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit. Shkruesit e tij kryesorë – Nefi, Jakobi, Mormoni, Moroni – dhe përkthyesi i Tij, Jozef Smithi, ishin të gjithë dëshmitarë okularë të Zotit.

  • Një anal i shërbesës së Tij te njerëzit që jetuan në Amerikën e lashtë.

  • I vërtetë, siç pohohet nga vetë Zoti.

Libri i Mormonit pohon:

  • Identitetin individual të Atit Qiellor dhe Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit.

  • Domosdoshmërinë e Rënies së Adamit dhe të urtësisë së Evës, që njerëzit të mund të kenë gëzim.

Libri i Mormonit përgënjeshtron pikëpamjet se:

  • Zbulesa mbaroi me Biblën.

  • Foshnjat kanë nevojë të pagëzohen.

  • Lumturia mund të gjendet në ligësi.

  • Mirësia individuale është çka duhet për ekzaltimin. (Ordinancat dhe besëlidhjet janë të nevojshme).

  • Rënia e Adamit e njollosi njerëzimin me “mëkatin fillestar”.

Libri i Mormonit përmbush profecitë biblike se:

  • “Dele të tjera” do ta dëgjojnë zërin e Tij.

  • Perëndia do të bëjë “një vepër të mrekullueshme dhe një çudi” duke folur nga “pluhuri”.

  • “Druri [i] Judës” dhe “druri [i] Jozefit” do të bëhen një.

  • Izraeli i shpërndarë do të mblidhet “në mbarim të ditëve” dhe se si do të ndodhë kjo.

  • Vendi i trashëgimisë për pasardhësit e Jozefit është hemisfera perendimore.

Libri i Mormonit sqaron kuptueshmërinë rreth:

  • Ekzistencës sonë para lindjes.

  • Vdekjes. Ajo është një përbërës i domosdoshëm i planit të madh të Perëndisë për lumturinë.

  • Ekzistencës para lindjes, e cila fillon në parajsë.

  • Mënyrës se si ringjallja e trupit, e ribashkuar me shpirtin, bëhet një shpirt i pavdekshëm.

  • Mënyrës se si gjykimi i Zotit për ne do të jetë sipas veprave dhe dëshirave tona të zemrës.

  • Mënyrën se si kryhen siç duhet ordinancat: për shembull, pagëzimi, sakramenti, dhënia e Frymës së Shenjtë.

  • Shlyerjes së Jezu Krishtit.

  • Ringjalljes.

  • Rolit të rëndësishëm të engjëjve.

  • Natyrës së përjetshme të priftërisë.

  • Mënyrës se si ndikohet sjellja njerëzore më shumë nëpërmjet fuqisë së fjalës sesa fuqisë së shpatës.

Libri i Mormonit zbulon informacion të panjohur më parë:

  • Pagëzime u kryen përpara se Jezu Krishti të lindte.

  • Tempuj u ndërtuan dhe u përdorën nga njerëzit në Amerikën e lashtë.

  • Jozefi, biri i 11-të i Izraelit, parashikoi rolin profetik të Jozef Smithit.

  • Nefi (në vitet 600–592 pr.K.) parashikoi zbulimin dhe kolonizimin e Amerikës.

  • Pjesë të qarta e të çmueshme të Biblës janë humbur.

  • Drita e Krishtit i është dhënë çdo njeriu.

  • Rëndësia e lirisë individuale të zgjedhjes dhe nevoja për kundërshtim në të gjitha gjërat.

  • Paralajmërime rreth “lidhje[ve] të fshehta”.