2017
Jini, pra, të Përkryer – Përfundimisht
nëntor 2017


Jini, pra, të Përkryer – Përfundimisht

Nëse këmbëngulim, atëherë diku në përjetësi përsosja jonë do të jetë e përfunduar dhe e plotë.

Shkrimet e shenjta u shkruan për të na bekuar e nxitur, dhe sigurisht ato e bëjnë këtë gjë. Ne e falënderojmë qiellin për çdo kapitull e varg që na është dhënë ndonjëherë. Por a e keni vënë re që herë pas here do të shfaqet një fragment që na kujton se nuk jemi atje ku duhet? Për shembull, Predikimi në Mal fillon me lumturitë qetësuese, të dhembshura, por në vargjet që pasojnë, na thuhet – mes të tjerash – jo vetëm që të mos vrasim, por gjithashtu që as të mos zemërohemi. Na thuhet që jo vetëm të mos shkelim kurorën, por gjithashtu që as të mos kemi mendime të padëlira. Atyre që e kërkojnë, ne duhet t’u japim tunikën tonë dhe më pas t’u japim edhe mantelin tonë. Duhet t’i duam armiqtë tanë, t’i bekojmë ata që na mallkojnë dhe t’u bëjmë mirë atyre që na urrejnë.1

Nëse ky është leximi juaj i shkrimeve të shenjta në mëngjes dhe pas leximit pikërisht deri këtu ju jeni mjaft të sigurt që nuk do të merrni nota të mira në dëftesën tuaj të shkollës së ungjillit, atëherë urdhërimi i fundit në radhë me siguri që do t’i japë fund çështjes: “Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj … në qiej”2. Me këtë urdhërim përmbyllës, ne duam të shkojmë sërish në shtrat dhe ta mbulojmë edhe kokën. Synime të tilla çelestiale duken përtej mundësive tona. Por sigurisht Zoti nuk do të na jepte kurrë një urdhërim që Ai e dinte se nuk mund ta zbatonim. Le të shohim se ku na çon kjo mëdyshje.

Në Kishë dëgjoj shumë veta që hasin vështirësi me këtë çështje: “Thjesht nuk jam i mirë aq sa duhet”. “Nuk jam atje ku duhet.” “Nuk do të jem kurrë në lartësinë e duhur.” E dëgjoj këtë nga adoleshentët. E dëgjoj nga misionarët. E dëgjoj nga të kthyerit e rinj në besim. E dëgjoj nga ata që kanë qenë anëtarë gjithë jetën. Një shenjtore mendjemprehtë e ditëve të mëvonshme, Motra Darla Ajzeksën, ka vërejtur se Satani në njëfarë mënyre ia ka dalë mbanë t’i bëjë besëlidhjet dhe urdhërimet të duken si mallkime dhe dënime. Për disa njerëz ai i ka kthyer idealet dhe frymëzimin e ungjillit në shkaktarë të urrejtjes së vetvetes dhe të mjerimit.3

Ajo që them tani në asnjë mënyrë nuk e mohon apo zhvlerëson ndonjë urdhërim që Perëndia na ka dhënë në çdo kohë. Unë besoj në përsosurinë e Tij dhe e di se jemi bijtë dhe bijat e Tij shpirtërore, me potencial hyjnor që të bëhemi si është Ai. Gjithashtu e di se, si fëmijë të Perëndisë, ne nuk duhet ta ulim vlerën tonë ose ta kritikojmë ashpër veten tonë, a thua se ndëshkimi i vetvetes do të na bëjë në ndonjë mënyrë atë njeri që Perëndia dëshiron për ne që të bëhemi. Jo! Me një gatishmëri për t’u penduar dhe një dëshirë për më shumë drejtësi në zemrat tona gjithmonë, unë do të shpresoja që ne mund ta vazhdonim përmirësimin vetjak në një mënyrë që nuk përfshin shfaqjen e ulcerës apo të anoreksisë, ndjenjën e depresionit apo shkatërrimin e respektit për vetveten. Kjo nuk është ajo që Zoti dëshiron për fëmijët e Fillores apo për këdo tjetër që këndon me ndershmëri: “Përpiqem t’jem si Jezusi”4.

Për ta vendosur këtë çështje në kontekst, lejomëni t’ju kujtoj se jetojmë në një botë të rënë dhe tani për tani ne jemi një popull i rënë. Ne jemi në mbretërinë telestiale, që shkruhet me t, jo me ç. Siç na ka dhënë mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, këtu në vdekshmëri përsosja është ende “e mbetur pezull”5.

Prandaj unë besoj se Jezusi nuk kishte për qëllim që predikimi i Tij mbi këtë temë të ishte një çekan fjalësh që të na godiste për të metat tona. Jo, unë besoj se Ai kishte për qëllim që të ishte një nderim ndaj asaj se kush dhe çfarë është Perëndia, Ati i Amshuar, dhe se çfarë mund të arrijmë ne me Të në përjetësi. Megjithëkëtë, jam mirënjohës të di se pavarësisht nga papërsosuritë e mia, të paktën Perëndia është i përkryer – se të paktën Ai është, për shembull, i aftë që t’i dojë armiqtë e Tij, sepse shumë shpesh, për shkak të burrit dhe gruas “së natyrsh[me]”6 brenda nesh, unë dhe ju nganjëherë jemi ai armik. Sa mirënjohës jam që të paktën Perëndia mund t’i bekojë ata, të cilët e keqtrajtojnë Atë sepse, pa dashur ose pa e pasur qëllim që ta bëjmë këtë gjë, ne të gjithë e keqtrajtojmë Atë nganjëherë. Jam mirënjohës që Perëndia është i mëshirshëm dhe një paqebërës, sepse unë kam nevojë për mëshirë dhe bota ka nevojë për paqe. Sigurisht, gjithçka që e themi për virtytet e Atit, ne gjithashtu e themi për Birin e Tij të Vetëmlindur, i cili jetoi dhe vdiq me të njëjtën përsosje.

Nxitoj të them që përqendrimi tek arritjet e Atit dhe të Birit në vend të dështimeve tona, nuk na jep asnjë grimë shfajësimi për jetën e padisiplinuar apo uljen e nivelit të standardeve tona. Jo, që nga fillimi ungjilli ka qenë “për përsosjen e shenjtorëve, … derisa të arrijmë … te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit”7. Thjesht po sugjeroj se të paktën një qëllim i një shkrimi të shenjtë apo i një urdhërimi mund të jetë që të na kujtojë se sa madhështore është në të vërtetë “mas[a] e shtatit të plotësisë së Krishtit”8, duke ngjallur te ne një dashuri dhe admirim më të madh për Të dhe një dëshirë më të madhe për të qenë si Ai.

“Po, ejani te Krishti dhe përsosuni në të … ”, lutet Moroni. “Ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë … me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht.9 Shpresa jonë e vetme për përsosje të vërtetë është në pranimin e saj si një dhuratë nga qielli – ne nuk mund ta “fitojmë” atë. Prandaj, hiri i Krishtit na ofron jo vetëm shpëtim nga hidhërimi, mëkati dhe vdekja, por gjithashtu shpëtim nga kritika e vazhdueshme ndaj vetes.

Lejomëni të përdor një prej shëmbëlltyrave të Shpëtimtarit për ta thënë këtë në një mënyrë disi të ndryshme. Një shërbëtor i kishte borxh mbretit të tij një shumë prej 10000 talentash. Duke e dëgjuar përgjërimin e shërbëtorit për durim e mëshirë, “i shtyrë nga dhembshuria, zotëria i atij shërbëtori … ia fali detyrimin”. Por më pas, po ai shërbëtor nuk do ta falte një shërbëtor si ai vetë, i cili i kishte borxh 100 denarë. Kur e dëgjoi këtë, mbreti me pikëllim i tha atij, të cilin e kishte falur: “A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shokun tënd, ashtu si pata mëshirë unë për ty?”10

Ka njëfarë ndryshimi në mendim mes studiuesve, lidhur me vlerat monetare të përmendura këtu – dhe më falni që po përdor vlerat monetare të SHBA-së – por për ta bërë të lehtë matematikën, në qoftë se borxhi më i vogël, i pafalur prej 100 denarësh do të ishte, të themi, 100 dollarë në kohën e sotme, atëherë borxhi prej 10000 talentash, i cili u fal kaq bujarisht, do t’i afrohej 1 miliard dollarëve – ose më shumë!

Si borxh vetjak, kjo është një shifër astronomike – tërësisht përtej kuptueshmërisë sonë. (Askush nuk mund të blejë aq shumë!) Epo, për qëllimet e kësaj shëmbëlltyre, ai hamendësohet të jetë i pakuptueshëm; hamendësohet të jetë përtej aftësisë sonë për ta marrë vesh, për të mos thënë që është përtej aftësisë sonë për ta ripaguar. Kjo është ngaqë ky nuk është një tregim në Dhiatën e Re rreth dy shërbëtorëve që po grinden. Ai është një tregim rreth nesh, familjes së rënë njerëzore – të gjithë borxhlinjve, shkelësve dhe të burgosurve në vdekshmëri. Çdokush prej nesh është borxhli dhe ndëshkimi ishte burgim për secilin prej nesh. Dhe atje do të kishim mbetur të gjithë ne nëse nuk do të ishte për hirin e një Mbreti, i cili na çliron ngaqë Ai na do dhe “nxitet me pasion kundrejt nesh”11.

Jezusi përdor një njësi matëse të papërfytyrueshme këtu, sepse Shlyerja e Tij është një dhuratë e papërfytyrueshme, e dhënë me një çmim të paimagjinueshëm. Kjo, më duket mua, është së paku pjesë e domethënies që lidhet me urdhrin e Jezusit për të qenë të përkryer. Ne mund të mos jemi ende në gjendje të shfaqim një përsosje prej 10000 talentash që Ati dhe Biri e kanë arritur, por nuk është shumë për Ta për të na kërkuar që të jemi pak më të perëndishëm në gjëra të vogla, që të flasim e veprojmë, duam e falim, pendohemi e përmirësohemi të paktën në nivelin e përsosjes prej 100 denarësh, gjë e cila është qartësisht brenda aftësisë sonë për ta bërë.

Vëllezërit dhe motrat e mia, përveç Jezusit, nuk ka pasur asnjë shfaqje pa të meta në këtë udhëtim tokësor që po kryejmë, prandaj ndërsa jemi në vdekshmëri, le të përpiqemi fort për një përmirësim të vazhdueshëm, por pa na u kthyer në mani ajo që hulumtuesit e sjelljes e quajnë “përsosuri e helmatisur”12. Ne duhet ta shmangim atë pritshmëri të tepërt, të sapopërmendur për veten dhe për të tjerët e, mund të shtoj, për ata që thirren për të shërbyer në Kishë – që për shenjtorët e ditëve të mëvonshme do të thotë çdonjëri, pasi ne të gjithë thirremi për të shërbyer diku.

Lidhur me këtë, Leon Tolstoi shkroi dikur për një prift, i cili u kritikua nga një njeri në bashkësinë e vet ngaqë nuk po jetonte me aq vendosmëri sa duhej, dhe kritikuesi po arrinte në përfundimin se edhe parimet që jepeshin mësim nga predikuesi që gabonte, duhej të ishin si rrjedhim të gabuara.

Në përgjigje të asaj kritike, prifti thotë: “Vështroje jetën time tani dhe krahasoje atë me jetën time të mëparshme. Do ta shihni se po përpiqem të jetoj të vërtetën që po shpall.” I paaftë që të jetonte sipas idealeve më të larta që jepte mësim, prifti e pranon se ka dështuar. Por ai thërret:

“Më sulmoni [nëse doni], këtë e bëj dhe vetë, por [mos] sulmoni … shtegun që unë ndjek. … Nëse e di udhën për në shtëpi, [por] eci përgjatë saj i dehur, a s’është ajo udha e duhur thjesht ngaqë më shkojnë këmbët sa andej-këndej?

… Mos bërtitni gjithë gaz: ‘Shiheni atë! … Ja ku është duke u zvarritur në moçal!’ Jo, mos vështroni me dashakeqësi, por jepini … ndihmën tuaj [kujtdo që përpiqet të ecë në udhën e kthimit te Perëndia].”13

Vëllezër e motra, secili prej nesh dëshiron një jetë më të mirë si e Krishtit, sesa ajo që shpesh ia dalim të jetojmë. Nëse e pranojmë këtë gjë me ndershmëri dhe përpiqemi të përmirësohemi, nuk jemi hipokritë; jemi njerëzorë. Mos pranofshim t’i lejojmë marrëzitë tona si njerëz të vdekshëm dhe të metat e pashmangshme edhe të burrave e grave më të mira përreth nesh, që të na bëjnë cinikë rreth të vërtetave të ungjillit, vërtetësisë së Kishës, shpresës sonë për të ardhmen tonë ose rreth mundësisë së perëndishmërisë! Nëse këmbëngulim, atëherë diku në përjetësi përsosja jonë do të jetë e përfunduar dhe e plotë – që është kuptimi i Dhiatës së Re për përkryerjen.14

Unë dëshmoj për atë fat të madhërishëm, të vënë në dispozicion për ne nëpërmjet Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht, i cili Vetë vazhdoi “nga hiri në hir”15 derisa në pavdekësinë e Tij16 mori një plotësi të përkryer të lavdisë çelestiale.17 Unë dëshmoj se në këtë orë dhe në çdo orë Ai, me duart e tij të shenjuara nga gozhdët, është duke na dhënë të njëjtin hir, duke mos na braktisur dhe duke na dhënë zemër, duke mos pranuar të na lejojë të shkëputemi derisa të kthehemi të sigurt në shtëpi, në përqafimin e Prindërve Qiellorë. Për një çast të tillë, vazhdoj të përpiqem fort, edhe pse me ngathtësi. Për një dhuratë të tillë të përkryer, unë vazhdoj të jap falënderime, edhe pse papërshtatshmërisht. E bëj këtë gjë pikërisht në emrin e Përsosurisë vetë, të Atij që nuk ka qenë kurrë i ngathët apo i papërshtatshëm, por që na do ne të gjithëve që jemi të tillë, madje Zotit Jezu Krisht, amen.

Shënime

  1. Shih Mateu 5:1–47.

  2. Mateu 5:48.

  3. Shih Darla Isackson, “Satan’s Counterfeit Gospel of Perfectionism”, Meridian Magazine, 1 qershor 2016, ldsmag.com.

  4. “I’m Trying to Be like Jesus” [“Përpiqem t’jem si Jezusi”], Children’s Songbook, f. 78–79.

  5. Shih Russell M. Nelson, “Perfection Pending”, Ensign, nëntor 1995, f. 86–88.

  6. Mosia 3:19.

  7. Efesianëve 4:12–13.

  8. Efesianëve 4:13.

  9. Moroni 10:32; theksimi i shtuar.

  10. Shih Mateu 18:24–33.

  11. Doktrina e Besëlidhje 121:4.

  12. Shih Joanna Benson dhe Lara Jackson, “Nobody’s Perfect: A Look at Toxic Perfectionism and Depression”, Millennial Star, 21 mars 2013, millennialstar.org.

  13. “The New Way”, Leo Tolstoy: Spiritual Writings, përzgj. Charles E. Moore (2006), f. 81–82.

  14. Për një shpjegim të kuptimit të fjalës greke të përdorur në Dhiatën e Re për i përsosur (“teleios”), shih fjalimin e Presidentit Rasëll M. Nelson në konferencën e përgjithshme të tetorit 1995 “Perfection Pending” (Ensign, nëntor 1995, f. 86–87).

  15. Doktrina e Besëlidhje 93:13.

  16. Shih Lluka 13:32.

  17. Shih Doktrina e Besëlidhje 93:13.