2017
“Unë Kam një Punë për Ty”
nëntor 2017


“Unë Kam një Punë për Ty”

Secili prej nesh ka një rol domethënës për të luajtur në përparimin e punës së Perëndisë.

Moisiut, Perëndia i shpalli: “Unë kam një punë për ty” (Moisiu 1:6). A e keni pyetur ndonjëherë veten a ka Ati Qiellor një punë për ju? A ka gjëra të rëndësishme për të cilat Ai ju ka përgatitur ju – dhe posaçërisht ju – që t’i përmbushni? Dëshmoj se përgjigjja është po!

Pamja
Girish Gimirei

Merreni parasysh Girish Gimirein, i cili u lind e u rrit në shtetin e Nepalit. Kur qe adoleshent, ai studioi në Kinë, ku një shok klase e njohu me ungjillin e Jezu Krishtit. Përfundimisht, Girishi erdhi në Universitetin e Brigam Jangut për punë pasuniversitare dhe u takua me bashkëshorten e tij të ardhshme. Ata u vendosën në luginën e Solt-Lejkut dhe birësuan dy fëmijë nga Nepali.

Vite më vonë, kur më shumë se 1500 refugjatë nga kampet në Nepal u shpërngulën në Juta,1 Girishi u ndje i frymëzuar të jepte ndihmë. Me rrjedhshmërinë e gjuhës mëmë dhe kuptimin kulturor, Girishi shërbeu si përkthyes, mësues dhe këshillues. Pasi u sistemuan në komunitet, disa prej refugjatëve nga Nepali shfaqën interes për ungjillin. U organizua një degë në gjuhën nepaleze dhe Girishi më vonë shërbeu si president i asaj dege. Ai gjithashtu qe mjet aktiv në përkthimin e Librit të Mormonit në gjuhën nepaleze.

Pamja
Girish Gimirei me Librin e Mormonit në gjuhën nepaleze

A mund ta shihni se si Ati Qiellor e përgatiti dhe po e përdor Girishin?

Perëndia Ka një Punë për Secilin prej Nesh

Vëllezër dhe motra, Perëndia ka punë të rëndësishme për secilin prej nesh. Duke u folur motrave, por duke dhënë mësim të vërteta që gjejnë zbatim për të gjithë, Presidenti Spenser W. Kimball na mësoi: “Përpara se të vinim [në tokë, na] u dhanë detyra të caktuara. … Edhe pse tani nuk i kujtojmë hollësitë, kjo nuk e ndryshon realitetin e lavdishëm të asaj për të cilën ne dikur ramë dakord.”2 Çfarë e vërtete fisnikëruese! Ati ynë Qiellor ka gjëra të posaçme dhe domethënëse për t’u përmbushur nga unë dhe ju (shih Efesianëve 2:10).

Këto detyra hyjnore nuk janë paracaktuar për disa [individë] të privilegjuar, por janë për të gjithë ne – pavarësisht nga gjinia, mosha, raca, kombësia, niveli i të ardhurave, pozita shoqërore apo thirrja në Kishë. Secili prej nesh ka një rol domethënës për të luajtur në përparimin e punës së Perëndisë (shih Moisiu 1:39).

Disa prej nesh e vënë në pikëpyetje atë nëse Ati Qiellor mund të na përdorë ne për të dhënë ndihmesa të rëndësishme. Por kujtoni, Ai gjithnjë ka përdorur njerëz të zakonshëm për të arritur gjëra të jashtëzakonshme (shih 1 Korintasve 1:27–28; DeB 35:13; 124:1). “[Ne] j[emi] veprues për veten” dhe “është në [ne] fuqia” që “ të shkaktoj[më] shumë drejtësi” (DeB 58:27–28).3

Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi:

“Zoti ka më shumë plane në mendje për ju sesa keni ju për veten tuaj! Ju jeni ruajtur e mbajtur për këtë kohë dhe vend. …

Zoti ka nevojë që ju ta ndryshoni botën. Kur e pranoni dhe e zbatoni vullnetin e Tij për ju, do ta shihni veten duke arritur të pamundurën!”4

Po si arrijmë ta kuptojmë dhe ta përmbushim punën që Perëndia ka ndërmend për ne? Më lejoni të tregoj katër parime që do të ndihmojnë.

Përqendrohuni tek të Tjerët

Së pari, përqendrohuni tek të tjerët. Ne mund ta ndjekim Krishtin, “i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38; shih edhe 2 Nefi 26:24).

Pasi u ktheva nga misioni kohëplotë, më merrte malli për qëllimin e përditshëm që më kishte kënaqur. E qartë, më nevojitej të mbaja besëlidhjet e mia, të arsimohesha të krijoja familje dhe të siguroja jetesën. Por pyesja veten nëse kishte diçka më shumë, apo edhe të posaçme, që Zoti donte që unë të bëja. Pasi përsiata për disa muaj, ndesha këtë varg: “Nëse dëshiron, ti do të jesh mjeti për të bërë shumë mirësi në këtë brez” (DeB 11:8). Shpirti më ndihmoi të kuptoj se qëllimi kryesor i detyrave hyjnore është që t’i bekojnë të tjerët dhe të bëjnë “shumë mirësi”.

Ne mund t’u qasemi pikave të vendimmarrjes në jetën tonë – si [p.sh.] për çfarë të studiojmë, çfarë pune të bëjmë ose ku të jetojmë – në kontekstin e ndihmës ndaj të tjerëve.

Një familje u zhvendos në një qytet të ri. Në vend që të gjenin shtëpi në një lagje të pasur, ata u ndien të nxitur të vendoseshin në një zonë me nevoja mjaft të mëdha shoqërore dhe ekonomike. Gjatë viteve, Zoti ka punuar përmes tyre për të ndihmuar shumë individë dhe për ta ngritur lagjen dhe kunjin e tyre.

Një specialist mjekësor kishte një klinikë të zakonshme por ndjeu udhëzimin që ta linte mënjanë një ditë çdo javë për t’u dhënë kujdes mjekësor falas individëve që nuk kishin sigurime shëndetësore. Për shkak të gatishmërisë së këtij burri dhe bashkëshortes së tij për t’i bekuar të tjerët, Zoti siguroi një udhë që ata të ndihmonin qindra pacientë në nevojë ndërkohë që rritnin edhe familjen e tyre të madhe.

Zbuloni dhe Zhvilloni Dhurata Shpirtërore

Së dyti, zbuloni dhe zhvilloni dhurata shpirtërore. Ati Qiellor na i dha këto dhurata për të na ndihmuar që ta përcaktojmë, kryejmë e gëzojmë punën që Ai ka për ne.

Disa prej nesh e pyetin veten: “A kam unë ndonjë dhuratë?” Përsëri, përgjigjja është po! “Çdo njeriu i jepet një dhuratë me anë të Shpirtit të Perëndisë … me qëllim që të gjithë të mund të përfitojnë në këtë mënyrë” (DeB 46:11–12; theksimi i shtuar).5 Një numër dhuratash shpirtërore janë shënuar në shkrimin e shenjtë (shih 1 Korintasve 12:1–11, 31; Moroni 10:8–18; DeB 46:8–26), por ka shumë të tjera.6 Disa [prej tyre] mund të përfshijnë pasjen e dhembshurisë, shprehjen e shpresës, ndërveprimin e mirë me njerëzit, organizimin me efektshmëri, të folurin ose të shkruarin në mënyrë bindëse, mësimdhënien e qartë dhe punën e zellshme.

Atëherë, si arrijmë t’i njohim dhuratat tona? Ne mund t’i drejtohemi bekimit tonë patriarkal, të pyetim ata që na njohin shumë mirë dhe të përcaktojmë vetë se për çfarë gjërash jemi të zotë në mënyrë të natyrshme dhe çfarë gjërash na gëzojnë. Më e rëndësishmja, ne mund të pyetim Perëndinë (shih Jakobit [Bibël] 1:5; DeB 112:10). Ai i njeh dhuratat tona, meqenëse na i ka dhënë ato (shih DeB 46:26).

Kur i zbulojmë dhuratat tona, ne kemi përgjegjësi t’i zhvillojmë ato (shih Mateu 25:14–30). Edhe Jezu Krishti “nuk e mori plotësinë që në fillim, por [u zhvillua] nga hiri në hir” (DeB 93:13).

Pamja
Pikturë e Shpëtimtarit nga Ben Simonsen

Një i ri krijonte ilustrime për të nxitur vlerat fetare. I parapëlqyeri im është një portret i Shpëtimtarit, një kopje e të cilit qëndron varur në shtëpinë tonë. Ky vëlla i zhvilloi dhe i përdori dhuratat e tij artistike. Duke punuar përmes tij, Ati Qiellor ka frymëzuar të tjerë që ta përmirësojnë dishepullimin e tyre.

Ndonjëherë ne ndiejmë se nuk kemi ndonjë dhuratë posaçërisht të rëndësishme. Një ditë, një motër e shkurajuar u përgjërua: “Zot, cila është shërbesa ime vetjake?” Ai u përgjigj: “Trego vëmendje ndaj të tjerëve”. Ajo ishte një dhuratë shpirtërore! Që atëherë, ajo ka gjetur gëzim ndërsa ka treguar vëmendje ndaj atyre që harrohen rëndom dhe Perëndia ka punuar përmes saj për të bekuar shumë njerëz. Ndërkohë që, disa dhurata shpirtërore mund të mos jenë të shquara sipas standardeve të botës, ato janë thelbësore për Perëndinë dhe punën e Tij.7

Shfrytëzojeni Vështirësinë

Së treti, shfrytëzojeni vështirësinë. Sprovat tona na ndihmojnë ta zbulojmë punën që Ati Qiellor ka për ne, dhe të përgatitemi për të. Alma shpjegoi: “Pas shumë mundimesh, Zoti … më ka bërë një mjet në duart e tij” (Mosia 23:10).8 Ashtu si Shpëtimtari, sakrifica shlyese e të cilit i mundëson Atij të na ndihmojë (shih Alma 7:11–12), ne mund ta përdorim njohurinë e fituar nga përvoja të vështira për t’i ngritur moralisht, për t’i forcuar dhe bekuar të tjerët.

Pasi vendi i punës i një drejtori të suksesshëm të burimeve njerëzore u shkurtua, ai lexoi bekimin e tij patriarkal dhe ndjeu frymëzimin që të krijonte një kompani për të ndihmuar profesionistë të tjerë të gjenin punë. (Ai madje më ndihmoi mua të gjeja punë kur familja jonë u kthye nga shërbimi në një mision.) Zoti e përdori sprovën e tij si një udhë për t’i bekuar të tjerët, ndërkohë që i siguroi atij një karrierë më kuptimplote.

Një çift i ri përjetoi lindjen e një fëmije të vdekur. Me zemër të thyer, ata vendosën ta nderonin bijën e tyre duke u dhënë këshillë dhe ndihmë materiale prindërve që përballeshin me situata të ngjashme. Zoti ka vepruar nëpërmjet këtij çifti për shkak të ndjeshmërisë së tyre mjaft të lartë, të zhvilluar përmes vështirësisë.

Mbështetuni te Perëndia

Dhe së katërti, mbështetuni te Perëndia. Kur i kërkojmë Atij me besim e me qëllim të vërtetë, Ai do të na i zbulojë detyrat tona hyjnore.9 Pasi t’i zbulojmë, Ai do të na ndihmojë t’i përmbushim ato detyra. “Gjithë gjërat janë të pranishme përpara syve të [Tij]” (DeB 38:2; shih edhe Abraham 2:8) dhe, në kohën e duhur, Ai do të hapë dyert e nevojshme për ne (shih Zbulesa 3:8). Ai madje e dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, në mënyrë që ne të mund të mbështetemi tek Ai për forcë përtej aftësive tona natyrore (shih Filipianëve 4:13; Alma 26:12).

Një vëlla, i shqetësuar nga vendimet e pushtetit vendor, ndjeu nxitjen që të hidhte kandidaturën për një post publik. Me gjithë procesin frikësues të fushatës, ai ushtroi besim dhe i mblodhi burimet për ta hedhur kandidaturën. Përfundimisht, ai nuk fitoi, por ndjeu se Zoti i dha udhërrëfim e forcë për të ngritur çështje me rëndësi për komunitetin.

Një nënë beqare, që po rriste fëmijë me zhvillim të kufizuar, e vinte në dyshim faktin se mund t’i përmbushte siç duhej nevojat e familjes së saj. Ndonëse ka qenë e vështirë, ajo ndien se ka marrë fuqi nga Zoti për ta përmbushur me sukses misionin e saj më të rëndësishëm.

Një Fjalë Paralajmërimi

Në të njëjtën kohë që Perëndia na ndihmon të përmbushim detyra hyjnore, kundërshtari vepron për të na shpërqendruar e për të na e kthyer mendjen prej jetës [sonë] me kuptim.

Mëkati është mbase pengesa jonë më e madhe, duke e zbehur ndjeshmërinë tonë ndaj Frymës së Shenjtë dhe duke e kufizuar të drejtën tonë për fuqi shpirtërore. Për të kryer punën që Ati Qiellor ka për ne, ne duhet të luftojmë për të qenë të pastër (shih 3 Nefi 8:1). A po jetojmë në një mënyrë të tillë që Perëndia të mund të veprojë nëpërmjet nesh?

Satani gjithashtu përpiqet të na shpërqendrojë me çështje më pak të rëndësishme. Zoti e paralajmëroi një udhëheqës të hershëm të Kishës: “Mendja jote ka qenë në gjërat e tokës më shumë se në gjërat e mia … dhe se në shërbesën në të cilën je thirrur” (DeB 30:2). A jemi ne aq të zënë me gjërat e kësaj bote saqë u jemi shmangur detyrave tona hyjnore?

Përveç kësaj, Satani na shkurajon me ndjenja papërshtatshmërie. Ai e bën punën tonë të duket tepër e vështirë apo shkurajuese. Sidoqoftë, ne mund t’i mirëbesojmë Perëndisë! Ai na do. Ai do që ne t’ia dalim mbanë. Ai “ecën para [nesh]; ai do të jetë me [ne]; nuk do të [na] lërë” (Ligji i Përtërirë 31:8; shih edhe Psalmi 32:8; Fjalët e Urta 3:5–6; Mateu 19:26; DeB 78:18).

Satani gjithashtu mund të na mbushë mendjen që ta shohim punën tonë si më pak të vlefshme sesa puna që u është caktuar të tjerëve. Por çdo detyrë nga Perëndia është e rëndësishme dhe ne do të gjejmë përmbushje kur “lavdërohem[i] për atë që Zoti [na] ka urdhëruar” (Alma 29:9).

Kur Perëndia vepron nëpërmjet nesh, kundërshtari mund të na tundojë që t’i marrim për vete meritat për ndonjë arritje. Mirëpo, ne mund të ndjekim përulësinë e Shpëtimtarit duke e shmangur vetëlavdërimin dhe duke lëvduar Atin (shih Mateu 5:16; Moisiu 4:2). Kur një gazetar u përpoq ta përgëzonte Nënë Terezën për misionin e jetës së saj për të ndihmuar të varfrit, ajo ia ktheu: “Është puna e [Perëndisë]. Unë jam si një … laps në dorën e Tij. … Mendimet janë të Tijat. Shkrimi është i Tiji. Lapsi nuk ka të bëjë fare me të. Lapsi vetëm lejon që ta përdorin.”10

Përfundimi

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë e ftoj secilin prej nesh që ta “trego[jë] veten [e vet] te Perëndia … si mje[t] drejtësie për Perëndinë” (Romakëve 6:13). Tregimi i vetvetes [nënshtrimi] përfshin faktin që ne ia bëjmë të ditur Atij se duam të jemi të dobishëm, duke kërkuar drejtimin e Tij dhe duke marrë nga fuqia e Tij.

Si përherë, ne mund të shikojmë nga Jezu Krishti, shembulli i përkryer për ne. Në jetën paratokësore, Ati Qiellor pyeti: “Kë të dërgoj?”

Dhe Jezusi u përgjigj: “Ja ku jam, dërgomë mua” (Abraham 3:27; shih edhe Isaia 6:8).

Jezu Krishti e pranoi rolin e Tij të parashuguruar si Shpëtimtari e Shëlbuesi ynë, u përgatit për atë rol dhe e përmbushi atë. Ai bëri vullnetin e Atit (shih Gjoni 5:30; 6:38; 3 Nefi 27:13) dhe i përmbushi detyrat e Tij hyjnore.

Kur e ndjekim shembullin e Krishtit dhe ia nënshtrojmë veten Perëndisë, unë dëshmoj se Ai do të na përdorë ne gjithashtu për ta çuar përpara punën e Tij dhe për t’i bekuar të tjerët. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Refugee Processing Center, “Admissions and Arrivals”, ireports.wrapsnet.org/Interactive-Reporting.

  2. Spencer W. Kimball, “The Role of Righteous Women”, Ensign, nëntor 1979, f. 102.

  3. Presidenti Gordon B. Hinkli na nxiti: “Besoni te vetja. Besoni në aftësinë tuaj për të bërë gjëra të mëdha. … Ju jeni një fëmijë i Perëndisë, me aftësi të pafundme” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Gordon B. Hinkli [2016], f. 80).

  4. Russell M. Nelson, Accomplishing the Impossible: What God Does, What We Can Do (2015), f. 147.

  5. Presidenti Diter F. Uhtdorf vuri në dukje:

    “Ati ynë Qiellor e sheh potencialin tonë të vërtetë. Ai di rreth nesh gjëra që as vetë nuk i dimë. Ai na nxit gjatë jetës sonë që të plotësojmë qëllimin e krijimit tonë. …

    Le të vendosim të ndjekim Shpëtimtarin dhe të punojmë me zell për t’u bërë personi që jemi paracaktuar për t’u bërë. Le t’i dëgjojmë dhe t’u bindemi nxitjeve të Shpirtit të Shenjtë. Ndërsa e bëjmë këtë, Ati Qiellor do të na zbulojë gjëra që kurrë nuk i dinim për veten tonë. Ai do ta ndriçojë shtegun para nesh dhe do të na hapë sytë për të parë talentet tona të panjohura dhe ndoshta të papërfytyruara” (“Lidhur me Keqardhjet dhe Vendimet”, ose Liahona, nëntor 2012, f. 22, 23).

  6. Plaku Brus R. Mek-Konki shpjegoi: “Dhuratat shpirtërore janë të pambarueshme në numër dhe të pafundme në larmi. Ato, të renditura në fjalën e zbuluar, janë thjesht ilustrime të derdhjes së pakufishme të hirit hyjnor, që një Perëndi i hirshëm ua jep atyre që e duan atë dhe i shërbejnë atij” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 371).

  7. Plaku Marvin J. Ashton dha mësim:

    “Të marra rastësisht, më lejoni të përmend disa dhunti që nuk janë gjithmonë të dukshme ose me vlerë për t’u shënuar, por që janë shumë të rëndësishme. Midis këtyre mund të jenë dhuratat tuaja – dhurata jo aq të dukshme, por sidoqoftë të vërteta dhe të vlefshme.

    Le t’i shqyrtojmë disa nga këto dhunti më pak të dukshme: dhuntia e bërjes së pyetjeve; dhuntia e të dëgjuarit [të tjerëve]; dhuntia e dëgjimit dhe e përdorimit të një zëri të qetë, të ulët; dhuntia e të qenit në gjendje të vajtojmë; dhuntia e shmangies së grindjes; dhuntia e të qenit dakord; dhuntia e shmangies së përsëritjes së kotë; dhuntia e kërkimit të asaj që është e drejtë; dhuntia e mosgjykimit; dhuntia e të shikuarit te Perëndia për udhërrëfim; dhuntia e të qenit dishepull; dhuntia e përkujdesjes ndaj të tjerëve; dhuntia e aftësisë për të përsiatur; dhuntia e bërjes së lutjes; dhuntia e dhënies së një dëshmie të fortë dhe dhuntia e marrjes së Frymës së Shenjtë” (“There Are Many Gifts”, Ensign, nëntor 1987, f. 20).

  8. Pali gjithashtu udhëzoi: “[Perëndia] i cili na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi” (2 Korintasve 1:4).

  9. Plaku Riçard G. Skot shpjegoi: “Perëndia ka një plan të veçantë për jetën tuaj. Ai do të zbulojë pjesë të atij plani për ju ndërsa e kërkoni atë plan me besim dhe bindje të vazhdueshme” (“How to Live Well amid Increasing Evil”, Liahona, maj 2004, f. 102).

  10. Mother Teresa, në Edward W. Desmond, “Interview with Mother Teresa: A Pencil in the Hand of God”, Time, 4 dhjetor 1989, time.com.