2017
Nevojat përpara Vetvetes
nëntor 2017


Nevojat përpara Vetvetes

Disa nga nevojat më domethënëse që mund të plotësojmë, janë brenda vetë familjeve tona, mes miqve tanë, në lagjet tona dhe në komunitetet tona.

Kohët e fundit ne kemi dëshmuar një numër të madh katastrofash natyrore në Meksikë, Shtetet e Bashkuara, Azi, Karaibe dhe Afrikë. Kjo ka nxjerrë në pah më të mirën te njerëzit, teksa mijëra veta u kanë ardhur në ndihmë njerëzve që janë në rrezik ose nevojë dhe atyre që kanë përjetuar humbje. Kam qenë shumë e emocionuar të shoh vajzat e reja në Teksas e Florida, të cilat, bashkë me shumë të tjerë, kanë veshur bluzat e verdha të Duarve Ndihmëtare dhe po ndihmojnë që të pastrojnë shtëpitë nga mbetjet që shkaktuan uraganët e fundit. Mijëra të tjera do të shkonin me kënaqësi aty ku nevoja është më e madhe po të mos ishte largësia. Në vend të kësaj, ju keni ofruar dhurime bujare për ta lehtësuar dhembjen. Bujaria e dhembshuria juaj janë frymëzuese dhe të ngjashme me të Krishtit.

Pamja
Të rejat me Presidentin Ajring

Sot unë dua të përmend një aspekt të shërbimit që e ndiej se është i rëndësishëm për të gjithë – pavarësisht se ku ndodhemi. Për ata nga ne që i kanë parë lajmet e ngjarjeve të fundit dhe janë ndier të pafuqishëm ngaqë nuk dinin se çfarë të bënin, në fakt përgjigjen mund ta kenë përpara syve.

Shpëtimtari dha mësim: “Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë: por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë”1. Presidenti Tomas S. Monson në lidhje me këtë shkrim të shenjtë tha: “Unë besoj se Shpëtimtari po na thotë që, nëse nuk e humbasim veten në shërbim të të tjerëve, ka pak qëllim në vetë jetën tonë. Ata që jetojnë vetëm për vete më së fundi vyshken dhe në mënyrë figurative e humbasin jetën e tyre, ndërsa ata që e humbasin veten në shërbim të të tjerëve, rriten e lulëzojnë – dhe si rrjedhojë e shpëtojnë jetën e tyre.”2

Ne jetojmë në një kulturë ku sa vjen e më shumë përqendrohemi në atë ekranin e vogël që e mbajmë nëpër duar, sesa përqendrohemi te njerëzit përreth nesh. Ne e kemi zëvendësuar me mesazhe në celularë dhe në rrjetet shoqërore kontaktin e mirëfilltë sy më sy me dikë dhe buzëqeshjen apo, edhe më të rrallë, bashkëbisedimin ballë për ballë. Ne shpesh shqetësohemi më shumë se sa ndjekës dhe pëlqime kemi, në vend që t’i hedhim krahun një miku dhe t’i tregojmë dashuri, shqetësim dhe interesim të vërtetë. Sado e mrekullueshme që mund të jetë teknologjia bashkëkohore në përhapjen e mesazheve të ungjillit të Jezu Krishtit dhe në ndihmën që na jep për të qenë të lidhur me familjarë e miq, nëse nuk jemi vigjilentë në mënyrën se si i përdorim aparatet tona vetjake, edhe ne mund të fillojmë të përqendrohemi vetëm te vetja dhe të harrojmë se thelbi i të jetuarit të ungjillit është shërbimi.

Unë kam një dashuri dhe besim tejet të madh tek ju që jeni në moshën e adoleshencës dhe tek të rinjtë në moshë madhore. E kam parë dhe ndier dëshirën tuaj për të shërbyer dhe për të sjellë një ndryshim në botë. Unë besoj se shumica e anëtarëve gjykojnë se shërbimi është në zemër të besëlidhjeve dhe dishepullimit të tyre. Por mendoj gjithashtu se nganjëherë është e lehtë të humbasim disa prej mundësive më të mëdha për t’u shërbyer të tjerëve, ngaqë jemi të shpërqendruar apo ngaqë po kërkojmë mënyra ambicioze për ta ndryshuar botën dhe nuk shohim se disa nga nevojat më domethënëse që mund të plotësojmë, janë brenda vetë familjeve tona, mes miqve tanë, në lagjet tona dhe në komunitetet tona. Ne mallëngjehemi kur shohim vuajtjen dhe nevojat e mëdha të njerëzve në anën tjetër të botës, por mund të mos arrijmë të shohim se është dikush që ka nevojë për shoqërinë tonë, i ulur në klasë mu pranë nesh.

Motra Linda K. Barton tregoi historinë e një presidenteje të Shoqatës së Ndihmës së një kunji, e cila duke bashkëpunuar me të tjera, mblodhi jorganë për njerëz në nevojë gjatë viteve 1990. “Ajo dhe bija e saj e nganë kamionin e mbushur me ata jorganë nga Londra për në Kosovë. Në udhëtimin e saj të kthimit për në shtëpi, ajo mori një mbresë të pagabueshme shpirtërore që u zhyt thellë në zemrën e saj. Mbresa ishte kjo: ‘Ajo që ke bërë është një gjë shumë e mirë. Tani shko në shtëpi, kalo nga ana tjetër e rrugës dhe shërbeji fqinjit tënd!’”3

Çfarë dobie ka të shpëtojmë botën nëse i shpërfillim nevojat e njerëzve tanë më të afërt dhe të njerëzve që i duam më shumë? Sa vlerë ka të ndreqim botën nëse njerëzit përreth nesh ndihen të shkatërruar dhe ne as që e vëmë re? Ati Qiellor mund t’i ketë vënë pranë nesh ata që kanë nevojë për ne, duke e ditur se jemi njerëzit e duhur për t’i plotësuar nevojat e tyre.

Pamja
Sara dhe motra e saj duke ecur

Gjithkush mund të gjejë mënyra për të dhënë shërbim si të Krishtit. Këshilltarja ime, Motra Karol F. Mek-Konki, kohën e fundit më tregoi për mbesën e saj 10-vjeçare, Sarën, e cila, kur e kuptoi se nëna e saj ishte e sëmurë, vendosi vetë që të ndihmonte. Ajo e ngrinte nga gjumi motrën e saj të vogël, e ndihmonte të vishej, të lante dhëmbët, t’i rregullonte flokët dhe të hante mëngjes, në mënyrë që nëna e saj të çlodhej. Ajo e kreu pa u ndier këtë veprim të thjeshtë shërbimi, pa iu kërkuar, ngaqë pa një nevojë dhe pati dëshirë të ndihmonte. Sara jo vetëm që e bekoi nënën e saj, por jam e sigurt se ajo ndjeu edhe gëzim duke e ditur që e kishte lehtësuar barrën e dikujt që e donte, dhe, me kalimin e kohës, e forcoi marrëdhënien e saj me të motrën. Presidenti Xhejms E. Faust tha: “Shërbimi ndaj të tjerëve mund të fillojë pothuajse në çfarëdo moshe. … Nuk ka përse të jetë në shkallë të gjerë dhe shërbimi më fisnik është brenda familjes.”4

Pamja
Sara dhe motra e saj duke lexuar një libër

A e kuptoni ju fëmijë se sa shumë domethënie ka për prindërit tuaj dhe pjesëtarët e familjes suaj kur kërkoni mënyra për të shërbyer në shtëpi? Për ata që janë në moshën e adoleshencës, forcimi i pjesëtarëve të familjes dhe shërbimi ndaj tyre duhet të jetë ndër përparësitë tuaja kryesore kur kërkoni mënyra për ta ndryshuar botën. Kur tregoni dashamirësi dhe interesim për motrat e vëllezërit dhe prindërit tuaj, kjo gjë ndihmon në krijimin e një atmosfere uniteti dhe e fton Shpirtin në shtëpi. Ndryshimi i botës fillon me forcimin e vetë familjes tuaj.

Një fushë tjetër përqendrimi në shërbimin tonë mund të jetë në familjet e lagjes sonë. Me raste fëmijët tanë do të na bëjnë pyetjen: “Përse duhet të shkoj në aktivitetin e përbashkët?” Nuk është se nxjerr ndonjë dobi të madhe prej tij.”

Po të isha një nënë shembullore në atë çast, do t’i përgjigjesha: “Ç’të shtyn të mendosh se do të shkosh në aktivitetin e përbashkët që ti të nxjerrësh ndonjë dobi prej tij?”

Miqtë e mi të rinj, unë mund t’ju siguroj se do të jetë gjithmonë dikush në çdo mbledhje të Kishës që merrni pjesë, i cili është i vetmuar, i cili po has vështirësi dhe ka nevojë për një mik, apo i cili ndien se ai ose ajo nuk ka vend atje. Ju keni diçka të rëndësishme për të dhënë në çdo mbledhje apo veprimtari dhe Zoti dëshiron që ju të shihni përreth te bashkëmoshatarët tuaj dhe më pas të shërbeni sikurse do të shërbente Ai.

Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Një arsye madhore pse Zoti ka një kishë, është që të krijojë një komunitet shenjtorësh që do ta mbështetin njëri-tjetrin në ‘shteg[un] e ngushtë dhe të ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme’”. Ai vazhdon duke thënë: “Kjo fe nuk ka të bëjë vetëm me veten; përkundrazi, ne të gjithë thirremi të shërbejmë. Ne jemi sytë, duart, koka, këmbët dhe gjymtyrët e tjerë të trupit të Krishtit.”5

Është e vërtetë që ne i frekuentojmë mbledhjet tona të përjavshme të Kishës për të marrë pjesë në ordinanca, për të mësuar doktrinën dhe për t’u frymëzuar, por një arsye tjetër shumë e rëndësishme përse i frekuentojmë është që, si familje e një lagjeje dhe si dishepuj të Shpëtimtarit Jezu Krisht, ne të kujdesemi për njëri-tjetrin, t’i japim zemër njëri-tjetrit dhe të gjejmë mënyra për t’i shërbyer njëri-tjetrit dhe për ta forcuar njëri-tjetrin. Ne nuk jemi thjesht marrës dhe përfitues të asaj që na ofrohet në kishë; na nevojitet të jemi dhënës dhe furnizues. Të reja dhe të rinj, herën tjetër kur të jeni në aktivitetin e përbashkët, në vend që të merrni celularin e të shihni se çfarë po bëjnë miqtë tuaj, ndaluni, shihni përreth, dhe pyeteni veten: “Kush ka nevojë për mua sot?” Ju mund të jeni mjeti për t’iu afruar dikujt dhe për ta prekur jetën e një bashkëmoshatari apo t’i jepni zemër një miku që në heshtje po kalon vështirësi.

Kërkojini Atit tuaj Qiellor që t’ju tregojë njerëzit përreth jush që kanë nevojë për ndihmën tuaj dhe t’ju frymëzojë se si t’u shërbeni atyre më së miri. Sillni ndërmend se Shpëtimtari më shpesh u dha shërbesë njerëzve një e nga një.

Pamja
Ithani dhe familja e tij

Nipi ynë Ithani është 17 vjeç. Këtë verë u mallëngjeva kur ai më tha se, i frymëzuar nga shembulli i nënës së tij, ai lutet çdo ditë që të ketë mundësi për t’i shërbyer dikujt. Teksa kaluam kohë me familjen e tij, unë vëzhgova se si Ithani i trajton vëllanë dhe motrat e tij me durim, dashuri dhe mirësi dhe se si është ndihmues ndaj prindërve të tij dhe kërkon mënyra për t’iu afruar të tjerëve. Më ka bërë përshtypje mënyra se sa i vetëdijshëm është ai për njerëzit rreth tij dhe për dëshirën që t’u shërbejë atyre. Ai është një shembull për mua. Të bërit siç bën Ithani – duke e ftuar Zotin të na ndihmojë të gjejmë mënyra për të shërbyer – do ta lejojë Shpirtin të na i hapë sytë për të parë nevojat përreth nesh, për të parë “individin” që ka nevojë për ne atë ditë, dhe për të ditur se si t’i shërbejmë atij ose asaj.

Pamja
Portreti i Ithanit

Përveç shërbimit ndaj familjes suaj dhe anëtarëve të lagjes tuaj, kërkoni mundësi që të shërbeni në lagjen tuaj të banimit dhe në komunitetin tuaj. Ndonëse herë-herë thirremi për të ndihmuar pas një katastrofe të madhe, në jetën e përditshme ne nxitemi të kërkojmë mundësi në vetë zonat tona për të ngritur shpirtërisht dhe ndihmuar njerëzit në nevojë. Kohët e fundit mora udhëzim nga një President Zone, se të shërbesh në një vend që ka shumë sfida materiale, mënyra më e mirë për të ndihmuar njerëzit në nevojë në pjesë të tjera të botës është të paguani një ofertë bujare agjërimi, të kontribuoni në Fondin e Ndihmës Humanitare të Kishës dhe të kërkoni mënyra që t’u shërbeni njerëzve në komunitetin tuaj kudo ku jetoni. Thjesht përfytyroni se si do të bekohej bota nëse çdokush do ta ndiqte këtë këshillë!

Vëllezër e motra dhe veçanërisht të rinjtë, ndërsa përpiqeni fort të bëheni më shumë si Shpëtimtari Jezu Krisht dhe të jetoni sipas besëlidhjeve tuaja, ju do të vazhdoni të bekoheni me dëshira për t’i lehtësuar dhembjet dhe për t’i ndihmuar njerëzit që janë më pak fatlumë. Kujtoni se disa nga nevojat më të mëdha mund të jenë ato që i keni përpara syve. Fillojeni shërbimin tuaj në vetë shtëpitë tuaja dhe brenda vetë familjeve tuaja. Këto janë marrëdhëniet që mund të jenë të përjetshme. Edhe nëse – e ndoshta sidomos nëse – situata juaj familjare është më pak e përsosur, ju mund të gjeni mënyra për të shërbyer, lartësuar dhe forcuar. Fillojeni nga aty ku jeni, duajini ata siç janë dhe përgatituni për familjen që doni të keni në të ardhmen.

Lutuni për ndihmë që t’i dalloni njerëzit në familjet e lagjes suaj, të cilët kanë nevojë për dashuri dhe inkurajim. Në vend që ta frekuentoni kishën me pyetjen “Çfarë do të nxjerr unë prej kësaj mbledhjeje?”, pyetni: “Kush ka nevojë për mua sot? Çfarë kam unë për të dhënë?”

Teksa i bekoni vetë familjet tuaja dhe anëtarët e lagjes, kërkoni mënyra për të bekuar njerëzit në komunitetet tuaja vendore. Edhe nëse keni shumë kohë për shërbim apo nëse mund të shërbeni vetëm pak orë në muaj, përpjekjet tuaja do të bekojnë jetë dhe do t’ju bekojnë edhe ju në mënyra që nuk mund t’i përfytyroni.

Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim: “Perëndia na shikon dhe kujdeset për ne. Por zakonisht është nëpërmjet një personi tjetër që ai i plotëson nevojat tona.”6 E kuptofshim secili prej nesh privilegjin dhe bekimin që është për të marrë pjesë në përmbushjen e veprës së Atit tonë Qiellor, teksa i plotësojmë nevojat e fëmijëve të Tij, është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Lluka 9:24.

  2. Tomas S. Monson, “Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?Liahona, nëntor 2009, f. 85.

  3. Linda K. Barton, “Isha i Huaj,” Liahona, maj 2016, f. 15.

  4. James E. Faust, “Womanhood: The Highest Place of Honor”, Liahona, korrik 2000, f. 117.

  5. D. Tod Kristoferson, “Përse Kisha”, Liahona, nëntor 2015, f. 108, 109.

  6. Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), f. 82.