2017
A i Mirëbesojmë Atij? Vështirësia Është e Mirë
nëntor 2017


A i Mirëbesojmë Atij? Vështirësia Është e Mirë

Pavarësisht nga çështja, vështirësia mund të jetë e mirë për ata që do të ecin përpara me besim dhe i mirëbesojnë Zotit dhe planit të Tij.

Përpara se të filloj, si një përfaqësues i të gjithëve që jemi prekur nga shkatërrimi prej uraganeve dhe tërmeteve të kohëve të fundit, shpreh nga zemra vlerësimin tim për të gjithë Duart Ndihmëtare dhe mbështetësit e tyre, që na dhanë ndihmë dhe shpresë.

Në tetorin e 2006-ës, unë dhashë bisedën time të parë në konferencën e përgjithshme. Unë ndjeva një mesazh të rëndësishëm për Kishën në mbarë botën përfshirë sigurinë që “Zoti na mirëbeson ne!”

Ai realisht na mirëbeson në aq shumë mënyra. Ai na ka dhënë ungjillin e Jezu Krishtit dhe, në këtë periudhë ungjillore, plotësinë e tij. Ai na mirëbeson me autoritetin e priftërisë së Tij të plotësuar me çelësat për përdorimin e duhur të tij. Me atë fuqi, ne mund të bekojmë, shërbejmë, marrim ordinanca dhe bëjmë besëlidhje. Ai na mirëbeson me Kishën e Tij të rivendosur, përfshirë tempullin e shenjtë. Ai u mirëbeson shërbëtorëve të Tij fuqinë vulosëse – për të lidhur në tokë dhe për ta pasur atë të lidhur në qiell! Ai madje na mirëbeson si prindër, mësues dhe kujdestarë tokësorë të fëmijëve të Tij.

Pas këtyre viteve shërbimi si Autoritet i Përgjithshëm në shumë pjesë të botës, unë deklaroj madje me më shumë siguri: Ai na mirëbeson neve.

Tani pyetja për këtë konferencë është: “A i mirëbesojmë Atij?”

A i Mirëbesojmë Atij?

Presidenti Tomas S. Monson shpesh na kujton të “k[emi] besim tek Zoti me gjithë zemër dhe [të] mos mbështet[emi] në gjykimin t[onë];

[ta] pranoj[më] në të gjitha rrugët t[ona], dhe ai do të drejtojë shtigjet t[ona].

Mos [ta] mbaj[më] veten të ditur në sytë t[anë]” (Fjalët e Urta 3:5–7).

A mirëbesojmë që urdhërimet e Tij janë për të mirën tonë? Që udhëheqësit e Tij, edhe pse të papërkryer, janë për të na udhëhequr mirë? Që premtimet e Tij janë të sigurta? A mirëbesojmë që Ati Qiellor e Jezu Krishti na njohin dhe duan të na ndihmojnë? Madje mes sprovash, sfidash e kohësh të vështira, a mirëbesojmë akoma tek Ai?

Duke vështruar pas, disa nga mësimet më të mira i mora gjatë kohëve më të vështira – qoftë si i ri, në mision, kur fillova një karrierë të re, kur përpiqesha të lartësoja thirrjet e mia, kur rrisja një familje të madhe, ose kur përpiqesha të isha i vetëmbështetur. Duket qartë që vështirësia është e mirë!

Vështirësia Është e Mirë

Vështirësia na bën më të fortë, na përul dhe na jep një mundësi për ta provuar veten. Pionierët tanë të dashur të karrocave të dorës arritën ta njohin Perëndinë në rrethana vështirësie të skajshme. Përse u deshën dy kapituj për Nefin dhe vëllezërit e tij që të merrnin fletët prej tunxhi dhe vetëm tri vargje për bindjen e familjes së Ishmaelit që të shkonte me ta në vendin e shkretë? (shih 1 Nefi 34; 7:3–5). Duket që Zoti donte ta forconte Nefin nëpërmjet përpjekjes për të marrë fletët.

Gjërat e vështira në jetën tonë nuk duhet të na vijnë si befasi. Një nga besëlidhjet më të para që bëjmë me Zotin, është që ta jetojmë ligjin e sakrificës. Sakrifica, si përkufizim, përfshin heqjen dorë nga diçka e dëshirueshme. Me anë të përvojës ne kuptojmë se ai është një çmim i vogël për t’u paguar për sa u përket bekimeve që pasojnë. Nën drejtimin e Jozef Smithit, u tha se “një fe që nuk kërkon sakrificën e të gjitha gjërave nuk ka kurrë fuqi të mjaftueshme për të prodhuar besimin e mjaftueshëm për jetën e për shpëtimin”1.

Anëtarëve të Kreut-Perëndi sigurisht që nuk u mungon njohja për gjërat e vështira. Perëndia Ati flijoi birin e Tij të Vetëmlindur në vuajtjen e tmerrshme të Shlyerjes, përfshirë vdekjen nëpërmjet kryqëzimit. Shkrimi i shenjtë thotë se Jezu Krishti mësoi “të jetë i bindur nga ato që pësoi” (Hebrenjve 5:8). Ai e vuajti vullnetarisht agoninë e Shlyerjes. Fryma e Shenjtë duhet të jetë shumë i duruar për të na nxitur, paralajmëruar dhe drejtuar, ndonjëherë vetëm për t’u shpërfillur, keqinterpretuar apo harruar.

Pjesë e Planit

Vështirësia është pjesë e planit të ungjillit. Një nga qëllimet e kësaj jete për ne është që të jemi të provuar (shih Abraham 3:25). Janë të paktë ata që, pa e merituar, kanë vuajtur më shumë se populli i Almës. Ata u arratisën nga mbreti i lig Noa, vetëm që më pas të bëheshin skllevër të lamanitëve! Nëpërmjet atyre sprovave, Zoti u mësoi atyre se Ai e ndëshkon popullin e Tij dhe “provon durimin e [tij] dhe besimin e [tij]” (Mosia 23:21).

Gjatë ditëve të tmerrshme në Burgun e Libertisë, Zoti i mësoi Jozef Smithit t’i “duron[te] mirë ato” (DeB 121:8) dhe i premtoi se, në qoftë se do ta bënte këtë, “gjithë këto gjëra do [t’i jepnin] përvojë dhe do të [ishin] për të mirën [e tij]” (DeB 122:7).

Presidenti Tomas S. Monson është lutur: “E zgjedhshim përherë të drejtën më të vështirë në vend të së gabuarës më të lehtë”2. Në lidhje me tempujt tanë, ai deklaroi se “nuk ka sakrificë tepër të madhe, nuk ka çmim tepër të lartë, nuk ka betejë tepër të vështirë, me qëllim që të marrim ato bekime [të tempullit]”3.

Në botën e natyrës, vështirësia është pjesë e ciklit të jetës. Është e vështirë për një zogth që ta çajë atë lëvozhgë të fortë të vezës. Por, kur dikush përpiqet t’ia bëjë më të lehtë, zogu nuk e zhvillon forcën e nevojshme për të jetuar. Në të njëjtën mënyrë, përpjekja e fluturës për t’i shpëtuar fshikëzës e forcon për jetën që do të jetojë.

Nëpërmjet këtyre shembujve, shohim se vështirësia është konstantja! Ne të gjithë kemi sfida. Ndryshori është reagimi ynë ndaj vështirësisë.

Njëherë, disa njerëz te Libri i Mormonit vuajtën “përndjekje të mëdha” dhe “shumë fatkeqësi” (Helamani 3:34). Si reaguan ata? “Ata agjëruan dhe u lutën shpesh dhe u bënë gjithnjë e më të fortë në përulësinë e tyre dhe gjithnjë e më të vendosur në besimin e Krishtit, në mbushjen e shpirtrave të tyre me gëzim dhe ngushëllim” (Helamani 3:35). Një shembull tjetër ndodhi pas vitesh lufte: “Për shkak të luftës jashtëzakonisht të gjatë mes Nefitëve dhe Lamanitëve, shumë u ashpërsuan … dhe shumë të tjerë u zbutën për shkak të vuajtjeve të tyre, aq sa u përulën para Perëndisë” (Alma 62:41).

Secili nga ne zgjedh reagimin e vet ndaj vështirësisë.

Jini të Kujdesshëm me të Lehtën

Përpara kësaj thirrjeje, unë isha këshilltar financiar në Hjuston të Teksasit. Pjesa më e madhe e punës sime ishte me multimilionerë që kishin sipërmarrjet e tyre. Thuajse të gjithë i kishin krijuar sipërmarrjet e tyre të suksesshme nga hiçi me anë të një pune të madhe dhe të vështirë. Gjëja më dëshpëruese për mua ishte të dëgjoja disa prej tyre të thoshin se donin ta bënin më të lehtë për fëmijët e tyre. Ata nuk dëshironin që fëmijët e tyre të vuanin si ata. Me fjalë të tjera, ata do t’i privonin fëmijët e tyre pikërisht nga ajo që i pati bërë ata të suksesshëm.

Në të kundërt, ne njohim një familje që zgjodhi një mënyrë tjetër. Prindërit u frymëzuan nga përvoja e J. C. Penit, ku babai i tij i tha se, kur të arrinte moshën tetë vjeç, financat do t’i siguronte vetë. Ata krijuan variantin e tyre: kur diplomoheshin në shkollën e mesme, fëmijët e tyre bëheshin të pavarur financiarisht – për arsimim të mëtejshëm (kolegj, shkollë pas kolegjit) dhe për nevojat e tyre financiare (vërtet të mbështetur te vetja) (shih DeB 83:4). Lumturisht, fëmijët reaguan urtësisht. Të gjithë janë të diplomuar nga kolegji dhe disa mbaruan gjithashtu shkollë pas kolegji – të gjithë vetë. Nuk ishte e lehtë, por ata e kryen. Ata e arritën me punë të vështirë dhe me besim.

Besim për t’i Mirëbesuar Atij

Pyetja: “A i mirëbesojmë Atij?” mund të thuhet më mirë: “A e kemi besimin t’i mirëbesojmë Atij?”

A e kemi besimin që t’u mirëbesojmë premtimeve të Tij lidhur me të dhjetën, që me 90 për qind të rritjes sonë plus ndihmën e Zotit, ne jemi më mirë sesa me 100 për qind më vete?

A kemi mjaft besim që të mirëbesojmë se Ai do të na vizitojë në hidhërimet tona (shih Mosia 24:14), se Ai do të luftojë ata që na luftojnë (shih Isaia 49:25; 2 Nefi 6:17) dhe se Ai do t’i shenjtërojë hidhërimet tona për të mirën tonë? (shih 2 Nefi 2:2).

A do ta ushtrojmë ne besimin e nevojshëm për t’i zbatuar urdhërimet e Tij në mënyrë që Ai të mund të na bekojë si materialisht ashtu edhe shpirtërisht? Dhe a do të vazhdojmë besnikë deri në fund që Ai të mund të na marrë në praninë e Tij? (Shih Mosia 2:41.)

Vëllezër dhe motra, ne mund ta kemi besimin për t’i mirëbesuar Atij! Ai do më të mirën për ne (shih Moisiu 1:39). Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona (shih DeB 112:10). Ai do t’i mbajë premtimet e Tij (shih DeB 1:38). Ai ka fuqinë t’i mbajë ato premtime (shih Alma 37:16). Ai di gjithçka! Dhe më e rëndësishmja, Ai e di se cila është më e mira (shih Isaia 55:8–9).

Një Botë e Rrezikshme

Bota jonë është e vështirë. Ne kemi një ligësi të shfrenuar, korrupsion në çdo komb, terrorizëm që arrin edhe vende të sigurta, dështim ekonomik, papunësi, sëmundje, katastrofa natyrore, luftëra civile, udhëheqës despotikë e kështu me radhë. Çfarë duhet të bëjmë? Të arratisemi apo të luftojmë? Cila është e drejtë? Secila nga zgjedhjet mund të jetë e rrezikshme. Ishte e rrezikshme për Xhorxh Uashingtonin dhe ushtritë e tij të luftonin, por gjithashtu për paraardhësit tanë pionierë që të arratiseshin. Ishte e rrezikshme për Nelson Mandelën të luftonte për liri. Është thënë se, që të triumfojë e liga, mjafton që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë.4

Mos u frikësoni!

Në çfarëdo që bëjmë, ne nuk duhet as të vendosim as të veprojmë me një shpirt frike. Vërtet, “Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike” (2 Timoteut 1:7). (A e kuptoni idenë përse [fraza] “mos u frikëso” është theksuar kudo në shkrimet e shenjta?) Zoti më ka mësuar se shkurajimi dhe frika janë mjete të kundërshtarit. Përgjigjja e Zotit për kohët e vështira është që të ecim përpara me besim.

Çfarë Është Vështirësia?

Secili nga ne mund të ketë mendim të ndryshëm rreth asaj që është e vështirë. Disa mund ta konsiderojnë të vështirë të paguajnë të dhjetën kur financat janë të shtrënguara. Udhëheqësve ndonjëherë iu duket e vështirë të presin që i varfri të paguajë të dhjetën. Mund të jetë e vështirë për disa nga ne që të ecim përpara me besim për t’u martuar apo për të pasur familje. Ka nga ata që iu duket e vështirë “të [jenë të] kënaqur me [atë] që [u ka] dhënë Zoti” (Alma 29:3). Mund të jetë e vështirë të jemi të kënaqur me thirrjen tonë të tanishme (shih Alma 29:6). Disiplina e Kishës mund të duket shumë e vështirë, por për disa ajo shënon fillimin e procesit të pendimit të vërtetë.

Pavarësisht nga çështja, e vështira mund të jetë e mirë për ata që do të ecin përpara me besim dhe i mirëbesojnë Zotit dhe planit të Tij.

Dëshmia Ime

Vëllezër e motra të mia, unë dëshmoj se këta udhëheqës ulur prapa kësaj foltoreje janë thirrur nga Perëndia. Dëshira e tyre është t’i shërbejnë mirë Zotit dhe të na ndihmojnë që ta vendosim ungjillin në zemrat tona. Unë i dua dhe i mbështet ata.

Unë e dua Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Unë mrekullohem që Ai e donte Atin dhe ne aq sa të bëhej Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, që, duke bërë këtë, Atij iu desh të vuante aq shumë sa e bëri Atë “të dridhe[j] për shkak të dhembjes e [t’i dilte] gjak nga çdo por dhe të vua[nte] si në trup e në shpirt” (DeB 19:18). Prapëseprapë, përballë kësaj gjendjeje të tmerrshme dhe domosdoshmërisë së saj, Ai i pohoi Atit: “Mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42). Unë u gëzohem fjalëve të engjëllit: “Ai nuk është këtu, sepse u ringjall” (Mateu 28:6).

Shembulli i Tij vërtet është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6). Vetëm duke e ndjekur atë shembull ne mund të gjejmë “paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen” (DeB 59:23). Duke ndjekur shembullin e Tij dhe duke zbatuar mësimet e Tij, unë kam mësuar vetë se secili nga “premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha” të Tij (2 Pjetër 1:4) është i vërtetë.

Dëshirat e mia më të mëdha janë të qëndroj me Mormonin si një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit (shih 3 Nefi 5:13) dhe që një ditë të dëgjoj nga buzët e Tij: “Të lumtë shërbëtor i mirë dhe besnik” (Mateu 25:21). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Lectures on Faith (1985), f. 69.

  2. Tomas S. Monson, “Zgjedhje”, Liahona, maj 2016, f. 86.

  3. Tomas S. Monson, “Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, Liahona, maj 2011, f. 92.

  4. Shih John Stuart Mill, Inaugural Address: Delivered to the University of St. Andrews, Feb. 1, 1867 (1867), f. 36.