2017
Dëshmitari i Fuqishëm i Perëndisë: Libri i Mormonit
nëntor 2017


Dëshmitari i Fuqishëm i Perëndisë: Libri i Mormonit

Libri i Mormonit është dëshmia e fuqishme e Perëndisë për hyjninë e Jezu Krishtit, thirrjen profetike të Jozef Smithit dhe të vërtetën tërësore të kësaj Kishe.

Libri i Mormonit nuk është vetëm gurthemeli i fesë sonë, por mund të bëhet edhe gurthemeli i dëshmisë sonë që, kur vihemi përballë sprovave ose pyetjeve pa përgjigje, ai të mund t’i mbajë të patundura dëshmitë tona. Ky libër është e vetmja peshë në peshoren e së vërtetës që e tejkalon peshën e ndërthurur të të gjithë argumentimeve të kritikëve. Përse? Sepse nëse është i vërtetë, atëherë Jozef Smithi ishte një profet dhe kjo është Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit, pavarësisht nga ndonjë argumentim historik apo argumentime të tjera për të kundërt. Për këtë arsye, kritikët kanë për qëllim që ta përgënjeshtrojnë Librin e Mormonit, por pengesat me të cilat përballen janë të pakapërcyeshme, për arsye se ky libër është i vërtetë.

Së pari, kritikët duhet të shpjegojnë se si Jozef Smithi, një djalë fermer 23-vjeçar me arsimim të kufizuar, krijoi një libër me qindra emra e vende të përveçëm, si edhe me histori e ngjarje të hollësishme. Sipas kësaj, shumë kritikë hedhin mendimin se ai ishte një gjeni krijues, i cili u mbështet në libra të shumtë dhe burime të tjera vendore për ta krijuar përmbajtjen historike të Librit të Mormonit. Por, në kundërshtim me pohimin e tyre, nuk ka qoftë edhe një dëshmitar që pretendon se e ka parë Jozefin me ndonjë nga këto burime të hamendësuara përpara se të fillonte përkthimi.

Edhe po të ishte i vërtetë ky argumentim, është krejtësisht i pamjaftueshëm për ta shpjeguar ekzistencën e Librit të Mormonit. Dikush duhet t’i përgjigjet patjetër pyetjes: Si i lexoi Jozefi të gjitha këto burime të hamendësuara, si i hoqi gjërat e parëndësishme, si e ruajti lidhjen logjike lidhur me faktin se kush ishte në cilin vend dhe kur, si dhe më pas ta diktonte atë me një kujtesë të përsosur? Sepse kur përktheu Jozef Smithi, ai sidoqoftë nuk kishte kurrfarë shënimesh. Në fakt, bashkëshortja e tij Ema tregon: “Ai nuk kishte as dorëshkrim as libër nga i cili të lexonte. … Nëse do të kishte pasur diçka të tillë, nuk do të ma kishte mbajtur të fshehtë.”1

Kështu që si e kreu Jozefi këtë vepër mbresëlënëse duke diktuar një libër me 500 faqe a më shumë pa asnjë shënim? Për ta bërë këtë, ai jo vetëm që duhet të ketë qenë një gjeni krijues, por duhet të ketë pasur edhe një kujtesë pamore me përmasa gjeniale. Por, nëse kjo është e vërtetë, përse kritikët e tij nuk i kushtuan vëmendje këtij talenti mbresëlënës?

Por ka edhe diçka tjetër. Këto argumentime vlejnë vetëm për përmbajtjen historike të librit. Problemi i vërtetë qëndron ende: Si e shkroi Jozefi një libër që përçohet nga Shpirti dhe ku e gjeti ai një doktrinë kaq të thellë, pjesa më e madhe e së cilës i sqaron ose kundërshton bindjet e të krishterëve të kohës së tij?

Për shembull, Libri i Mormonit jep mësim, ndryshe nga besimet e shumë të krishterëve, se Rënia e Adamit ishte një hap pozitiv që çon përpara. Ai i sjell në dritë besëlidhjet e bëra në pagëzim, të cilat nuk trajtohen në Bibël.

Përveç këtyre, dikush mund të pyesë: Ku e mori Jozefi mbresën e fuqishme se, për shkak të Shlyerjes së Krishtit, Ai jo vetëm që na pastron por edhe na përsos? Ku e gjeti predikimin e mrekullueshëm mbi besimin tek Alma 32? Ose predikimin e mbretit Beniamin për Shlyerjen e Shpëtimtarit, ndofta predikimi më mbresëlënës mbi këtë temë në të gjitha shkrimet e shenjta? Apo alegorinë e pemës së ullirit me të gjitha ndërlikimet dhe pasurinë e saj doktrinore? Kur e lexoj këtë alegori, më duhet të vizatoj një diagramë për t’i ndjekur ndërlikimet e saj. Po tani a duhet të besojmë se Jozef Smithi thjesht i diktoi këto predikime nga mendja e vet pa kurrfarë shënimi?

Në kundërshtim me një përfundim të tillë, gjurmët e Perëndisë janë në të gjithë Librin e Mormonit, siç vërtetohet nga të vërtetat e tij të madhërishme doktrinore, veçanërisht predikimet e tij mjeshtërore mbi Shlyerjen e Jezu Krishtit.

Nëse Jozefi nuk ishte profet, atëherë me qëllim që t’i shpjegojnë këto pikëpamje mbresëlënëse doktrinore dhe shumë të tjera, kritikët duhet të ngrenë argumentimin se ai ishte edhe një gjeni në teologji. Por, nëse do të ishte kështu, dikush mund të pyesë: Përse ishte Jozefi i vetmi, 1800 vjet pas shërbesës së Krishtit, që shkroi një vëllim me doktrina të pashoqe dhe qartësuese? Sepse burimi i këtij libri ishte zbulesa e jo mjeshtëria gjeniale.

Por edhe nëse hamendësojmë se Jozefi ishte një gjeni krijues dhe një gjeni në teologji, me një kujtesë pamore – vetëm këto talente nuk e bëjnë atë një shkrimtar të zotë. Për të shpjeguar ekzistencën e Librit të Mormonit, kritikët duhet të pretendojnë gjithashtu që Jozefi ishte një shkrimtar me një talent të lindur që në moshën 23-vjeçare. Në të kundërt, si i ndërthuri ai një mori emrash, vendesh dhe ngjarjesh në një tërësi harmonike pa pasur mospërputhje? Si i shkroi ai strategjitë e hollësishme të luftërave, si i krijoi predikimet plot shprehi dhe si shpiku fraza që theksohen, mësohen përmendsh, citohen dhe vendosen te dyert e frigoriferëve nga miliona njerëz, të tilla si: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17) ose “Njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” (2 Nefi 2:25). Këto janë mesazhe që kanë fuqi – mesazhe që janë të gjalla, që janë jetike dhe që frymëzojnë. Të hamendësosh që Jozef Smithi në moshën 23-vjeçare i zotëronte aftësitë e nevojshme për ta shkruar këtë vepër të madhërishme vetëm me një variant fillestar për përafërsisht 65 ditë pune, thjesht bie ndesh me realitetet e jetës.

Presidenti Rasëll M. Nelson, një shkrimtar me përvojë dhe i zoti, tregoi se ai kishte bërë mbi 40 rishkrime të një bisede të konferencës së përgjithshme të kohës së fundit. Po tani a duhet të besojmë se Jozef Smithi, vetë, e diktoi tërë Librin e Mormonit në një variant të vetëm me ndryshime tepër të vogla gramatikore, të bëra më pas?

Bashkëshortja e Jozefit, Ema, e pohoi pamundësinë e një sipërmarrjeje të tillë: “Jozef Smithi [kur ishte i ri] nuk mund të shkruante dhe as të diktonte një letër me lidhje logjike dhe të formuluar mirë, dhe jo më të diktonte një libër si Libri i Mormonit”2.

Dhe së fundi, edhe nëse dikush i pranon të gjitha argumentimet e lartpërmendura, megjithëse të dyshimta, kritikët sërish hasin një tjetër pengesë të madhe. Jozefi shpalli se Libri i Mormonit ishte shkruar në fletë të arta. Ky pretendim u kritikua pa pushim në kohën e tij – pasi “gjithkush” e dinte se historitë e lashta ishin shkruar në papiruse ose pergamena, deri pas shumë vitesh, kur [doli se] u zbuluan fletë prej metali me shkrime të lashta. Përveç këtyre, kritikët pretendonin se përdorimi i çimentos, siç përshkruhet në Librin e Mormonit, e tejkalonte njohurinë teknike të këtyre amerikanëve të hershëm – derisa [doli se] u gjetën struktura çimentoje në Amerikën e lashtë. Çfarë shpjegimesh japin tani kritikët për këto zbulime dhe të tjera të ngjashme me to? Jozefi, siç e kuptoni, duhet të ketë qenë edhe një hamendësues me shumë, shumë fat. Sidoqoftë, pavarësisht të gjitha pretendimeve të çuditshme kundrejt tij, në kundërshtim me gjithë njohurinë ekzistuese shkencore dhe akademike, ai hamendësoi drejt kur gjithë të tjerët e kishin gabim.

Pasi i kemi marrë parasysh të gjitha këto, një njeri mund ta pyesë veten se si mund të besojë dikush se të gjithë këta faktorë të pretenduar dhe dogma, siç supozohen nga kritikët, u ndërthurën rastësisht në një mënyrë të tillë saqë e bënë të mundur që Jozefi të shkruante Librin e Mormonit dhe, si rrjedhojë, të nxirrte një vepër mashtruese dhe djallëzore. Po si mund të ketë kuptim kjo? Duke e kundërshtuar drejtpërdrejt një pohim të tillë, ky libër ka frymëzuar miliona veta që ta refuzojnë Satanin dhe të jetojnë më shumë një jetë si e Krishtit.

Ndërkohë që dikush mund të zgjedhë të besojë vijën e arsyetimit të kritikëve, për mua, kjo është një rrugë intelektuale dhe shpirtërore pa krye. Për të besuar një gjë të tillë, do të më duhet të pranoj njëri pas tjetrit shumë hamendësime të pavërtetuara. Përveç të tjerave, do të më duhet të shpërfill dëshminë e çdonjërit prej 11 dëshmitarëve3, ndonëse çdonjëri mbeti i vërtetë ndaj dëshmisë së vet deri në fund; do të më duhet të hedh poshtë doktrinën hyjnore që i mbush faqet njëra pas tjetrës të këtij libri të shenjtë me të vërtetat e veta të hyjnishme; do të më duhet ta shpërfill faktin që njerëz të shumtë, përfshirë dhe veten, i janë afruar më shumë Perëndisë duke e lexuar këtë libër në vend të ndonjë libri tjetër dhe, mbi të gjitha do të më duhet të mohoj pëshpëritjet pohuese të Shpirtit të Shenjtë. Kjo do të binte ndesh me gjithçka që unë e di se është e vërtetë.

Një nga miqtë e mi të mirë e të mençur u largua nga Kisha për një kohë. Ai kohët e fundit më shkroi për rikthimin e tij: “Në fillim, doja që Libri i Mormonit të më vërtetohej nga ana historike, gjeografike, gjuhësore dhe kulturore. Por, kur e ktheva vëmendjen tek ajo që na mësohet rreth ungjillit të Jezu Krishtit dhe misionit të Tij shpëtues, fillova të marr dëshmi për vërtetësinë e tij. Një ditë, ndërsa po e lexoja Librin e Mormonit në dhomën time, ndalova, u gjunjëzova dhe bëra një lutje me gjithë zemër, dhe ndjeva me siguri të madhe që Ati Qiellor i pëshpëriti shpirtit tim se Kisha dhe Libri i Mormonit ishin pa dyshim të vërtetë. Periudha ime prej tre vitesh e gjysmë duke kërkuar sërish për Kishën më ktheu me gjithë zemrën dhe bindshëm drejt vërtetësisë së tij.”

Nëse dikush do të shpenzojë kohë për ta lexuar me përulësi dhe përsiatur Librin e Mormonit, sikurse bëri miku im, dhe ua vë veshin fryteve të ëmbla të Shpirtit, atëherë ai ose ajo do të marrë më në fund dëshminë e dëshiruar.

Libri i Mormonit është një nga dhuratat më të çmueshme të Perëndisë për ne. Ai është edhe shpatë edhe mburojë – ai dërgon fjalën e Perëndisë në fushëbetejë për të luftuar për zemrën e të drejtit dhe shërben si një mbrojtës kryesor i së vërtetës. Si shenjtorë, ne jo vetëm që kemi privilegjin ta mbrojmë Librin e Mormonit, por kemi edhe mundësinë për ta përdorur atë – për të predikuar me fuqi për doktrinën e tij hyjnore dhe për të dhënë dëshmi për dëshmimin kurorëzues të Jezu Krishtit.

Unë jap dëshminë time solemne se Libri i Mormonit u përkthye nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Ai është dëshmia e fuqishme e Perëndisë për hyjninë e Jezu Krishtit, thirrjen profetike të Jozef Smithit dhe të vërtetën tërësore të kësaj Kishe. U bëftë ai gurthemeli i dëshmive tona, që të mund të thuhet për ne, ajo që u tha për lamanitët e kthyer në besim, se ata “nuk hoqën dorë kurrë” (Alma 23:6). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Emma Smith, në “Last Testimony of Sister Emma”, Saints’ Herald, 1 tetor 1879, f. 289, 290.

  2. Emma Smith, në “Last Testimony of Sister Emma”, f. 290.

  3. Shih “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve” dhe “Dëshmia e Tetë Dëshmitarëve”, Libri i Mormonit.