2017
Zëri i Zotit
nëntor 2017


Zëri i Zotit

Unë dëshmoj se në këtë konferencë ne e kemi dëgjuar zërin e Zotit. Prova për secilin prej nesh është mënyra se si përgjigjemi.

Së pari, një fjalë të ëmbël për fëmijët e vegjël. Po, ky është sesioni përfundimtar dhe unë jam folësi i fundit.

Kohët e fundit, teksa po vizitoja Tempullin e Provo-Siti-Sentërit, pashë me admirim një pikturë të titulluar Vegimi i Parë nga Larg. Piktura paraqet dritën dhe fuqinë nga qielli, kur Ati dhe Biri vizituan të riun Jozef Smith.

Pamja
Vegimi i Parë nga Larg

Ndërkohë që nuk bëj krahasim me ngjarjen shumë të shenjtë që e filloi Rivendosjen, unë mund të përfytyroj një pamje të ngjashme që do ta pasqyronte dritën dhe fuqinë shpirtërore të Perëndisë duke zbritur mbi këtë konferencë të përgjithshme dhe, më pas, atë fuqi dhe dritë duke u përhapur anembanë botës.

Pamja
Dritë e fuqi shpirtërore duke zbritur mbi konferencën e përgjithshme
Pamja
Fuqi dhe dritë duke u përhapur përmes botës

Ju jap dëshminë time që Jezusi është Krishti, që Ai i drejton punët e kësaj vepre të shenjtë dhe që konferenca e përgjithshme është një nga rastet shumë të rëndësishme kur Ai i jep drejtim Kishës së Tij dhe neve personalisht.

Të Mësuar nga Lart

Në ditën kur u organizua Kisha, Zoti e caktoi Jozef Smithin si profet, shikues dhe apostull të Zotit Jezu Krishtit1 dhe i tha Kishës:

“Sepse fjalën e tij duhet ta merrni si nga goja ime, plot durim e besim.

Pasi duke i bërë këto gjëra, portat e ferrit nuk do të hapen kundër jush; … dhe Zoti Perëndi do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës përpara jush dhe do të bëjë që qiejt të dridhen për të mirën tuaj dhe për lavdinë e emrit të tij.”2

Më vonë, të gjithë anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve gjithashtu u mbështetën dhe u shuguruan si profetë, shikues e zbulues.3

Tani, teksa mblidhemi nën drejtimin e Presidentit Tomas S. Monson, ne presim të dëgjojmë “vullneti[n e] Zotit, … mendj[en] e Zotit, … zëri[n e] Zotit dhe fuqi[në] e Perëndisë për shpëtim”4. Ne mirëbesojmë në premtimin e Tij: “Qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj”5.

Në rrëmujën dhe trazirën e botës sonë bashkëkohore, mirëbesimi dhe besimi ynë te fjalët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve janë jetikë për rritjen dhe qëndresën tonë shpirtërore.6

Ne jemi mbledhur së bashku për këtë konferencë të mrekullueshme. Miliona shenjtorë të ditëve të mëvonshme dhe njerëz të tjerë besimtarë në më shumë se 200 vende, duke folur më shumë se 93 gjuhë, i ndjekin këto sesione apo i lexojnë mesazhet e konferencës.

Ne vijmë pasi jemi lutur dhe përgatitur. Për shumë prej nesh, ka shqetësime të ngutshme dhe pyetje të çiltra. Ne duam ta ripërtërijmë besimin tonë te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dhe ta forcojmë aftësinë tonë për t’i bërë ballë tundimit dhe për t’iu shmangur shpërqendrimeve. Ne vijmë që të mësohemi nga lart.

Mendja dhe Vullneti i Zotit

Për Presidencën e Parë dhe Të Dymbëdhjetët, të cilët normalisht flasin në çdo konferencë, përgjegjësia e pamasë për përgatitjen e mesazheve të tyre është një barrë e përsëritur si edhe një mirëbesim i shenjtë.

Shumë vite më parë, përpara se të shërbeja si Autoritet i Përgjithshëm, e pyeta Plaku Dallin H. Ouks nëse ai përgatiste një bisedë të veçantë për çdo konferencë kunji. Ai u përgjigj se nuk e bënte, por shtoi: “Por bisedat e mia të konferencës së përgjithshme janë ndryshe. Mund të kaloj në duar 12 deri në 15 formulime paraprake që të jem i sigurt se po them atë që Zoti do të më donte ta thosha.”7

Kur dhe si vjen frymëzimi për bisedat e konferencës së përgjithshme?

Pa u caktuar temat, ne shohim qiellin që i bashkërendon kaq bukur çështjet dhe temat e së vërtetës së përjetshme për çdo konferencë.

Një prej Vëllezërve të mi më tha se tema e tij për këtë konferencë iu dha menjëherë pas bisedës së tij prillin e shkuar. Një tjetër përmendi para tri javësh se ai akoma po lutej dhe po priste nga Zoti. Një tjetër, kur e pyetën se sa kohë i ishte dashur ta hartonte një bisedë veçanërisht të ndjeshme, u përgjigj: “Njëzet e pesë vjet”.

Me raste ideja qendrore mund të vijë shpejt, por përmbajtja dhe hollësitë ende kërkojnë përpjekje të jashtëzakonshme shpirtërore. Agjërimi dhe lutja, studimi dhe besimi janë gjithmonë pjesë të procesit. Zoti nuk dëshiron asnjë shtirje që e pakëson zërin e Tij tek shenjtorët e Tij.

Drejtimi për një bisedë të konferencës së përgjithshme shpesh vjen natën ose në orët e para të mëngjesit, kur biseda është shumë larg prej mendimeve që vijnë në mendje. Befas, ideja e papritur dhe, me raste, fjalë dhe fraza të veçanta rrjedhin si një zbulesë e pastër.8

Teksa dëgjoni, mesazhet që i merrni, mund të jenë shumë të mirëfillta ose mund të jenë të përshtatura pikërisht për ju.

Duke folur shumë vjet më parë në konferencën e përgjithshme, unë tregova për një frazë që erdhi në mendjen time ndërkohë që pyesja veten nëse isha i përgatitur për të shërbyer në një mision. Fraza ishte: “Ti nuk di gjithçka, por di mjaftueshëm!”9 Një e re e ulur në konferencën e përgjithshme atë ditë më tha se po lutej mbi një propozim për martesë, duke pyetur veten se sa mirë e njihte të riun. Kur i thashë fjalët: “Ti nuk di gjithçka, por di mjaftueshëm”, Shpirti ia pohoi asaj se vërtet e njihte të riun mjaftueshëm. Ata kanë qenë të martuar lumturisht për shumë vjet.

Ju premtoj se, kur e përgatitni shpirtin tuaj dhe vini me pritshmërinë se do ta dëgjoni zërin e Zotit, mendime dhe ndjenja do të vijnë në mendjen tuaj që janë përshtatur veçanërisht për ju. Ju tashmë i keni ndier ato në këtë konferencë ose do t’i ndieni ndërkohë që i studioni mesazhet në javët në vazhdim.

Për Tani dhe për Muajt e Ardhshëm

Presidenti Monson ka thënë:

“Ta gjejmë kohën që t’i lexojmë mesazhet e konferencës”10.

“Meditoni për [to]. … Kam zbuluar … se përfitoj edhe më shumë nga këto predikime të frymëzuara kur i studioj me thellësi më të madhe.”11

Mësimet e konferencës së përgjithshme janë gjërat që Zoti dëshiron që t’i kemi përpara nesh tani dhe në muajt e ardhshëm.

Bariu “shkon para [deleve të tij]; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij”12.

Shpesh, zëri i Tij na drejton që të ndryshojmë diçka në jetën tonë. Ai na fton të pendohemi. Ai na fton ta ndjekim Atë.

Mendoni për këto thënie nga kjo konferencë:

Presidenti Henri B. Ajring nga sot në mëngjes: “Ju jap dëshminë time se Perëndia, Ati, jeton dhe dëshiron që ju të ktheheni në shtëpi tek Ai. Kjo është Kisha e vërtetë e Zotit Jezu Krisht. Ai ju njeh; Ai ju do; Ai kujdeset për ju.”13

Presidenti Diter F. Uhtdorf nga dje: “Unë dëshmoj se, kur nisemi ose e vazhdojmë rrugëtimin e jashtëzakonshëm që na çon te Perëndia, jeta jonë do të jetë më e mirë … dhe Zoti do të na përdorë në mënyra mbresëlënëse për t’i bekuar ata që janë përreth nesh dhe për të bërë të ndodhin qëllimet e Tij të përjetshme”14.

Presidenti Rasëll M. Nelson nga dje pasdite: “Ju premtoj se, ndërsa e zhytni veten përditë në Librin e Mormonit, ju mund të fitoni imunitet kundër të ligave të ditës, përfshirë edhe murtajën dërrmuese të pornografisë dhe varësive të tjera që na mpijnë mendjen”15.

Plaku Dallin H. Ouks dje: “Dëshmoj se proklamata për familjen është një shpallje e të vërtetës së përjetshme, vullneti i Zotit për fëmijët e Tij të cilët kërkojnë jetën e përjetshme”16.

Dhe Plaku M. Rasëll Ballard nga vetëm pak minuta më parë: “Ne kemi nevojë që t’i përqafojmë me dhembshuri fëmijët e Perëndisë dhe ta largojmë çdo paragjykim, përfshirë racizmin, seksizmin dhe nacionalizmin”17.

Ngaqë kemi pak kohë më shumë, do të doja të shtoja një mendim të shkurtër rreth Plakut Robert D. Hejls. Presidenca e Parë i kishte thënë Plakut Hejls se mund të jepte një mesazh të shkurtër në sesionin e mëngjesit të së dielës nëse e lejonte shëndeti i tij. Ndërkohë që shëndeti i tij nuk e lejoi, ai përgatiti një mesazh, të cilin e mbaroi javën që shkoi dhe ma tregoi mua. Meqë ai ndërroi jetë gati tri orë më parë, unë do të lexoj vetëm tri fjali nga biseda e tij.

Duke cituar Plakun Hejls: “Kur zgjedhim të kemi besim, ne përgatitemi që të qëndrojmë në praninë e Perëndisë. … Pas Kryqëzimit të Shpëtimtarit, Ai iu shfaq vetëm atyre që ‘kishin qenë besnikë në dëshminë e [Tij], ndërkohë që jetuan në vdekshmëri’. [DeB 138:12.] Ata ‘që i mohuan dëshmitë … e profetëve …, nuk [mund ta shihnin] praninë e [Shpëtimtarit], as nuk e panë fytyrën e Tij. [DeB 138:21.] … Besimi ynë na përgatit që të jemi në praninë e Zotit.”

Ç’mirësi nga ana e Zotit që t’i jepte mbresë Presidentit Rasëll M. Nelson pikërisht në mbarim të sesionit të mëngjesit që me të shpejtë të largohej nga godina, të mos hante drekë dhe të nxitonte pranë shtratit të Plakut Hejls, ku ai, presidenti i tij i kuorumit, mund të arrinte dhe të ishte me engjëlloren Meri Hejlsin ndërkohë që Plaku Hejls e përfundoi shkollimin në vdekshmëri.

Përgjigjja ndaj Zërit të Zotit

Unë dëshmoj se në këtë konferencë ne e kemi dëgjuar zërin e Zotit.

Nuk duhet të shqetësohemi shumë kur fjalët e shërbëtorëve të Zotit janë të kundërta me të menduarit e botës dhe, me raste, vetë të menduarin tonë. Ka qenë gjithmonë kështu. Unë jam në gjunjë në tempull së bashku me Vëllezërit e mi. Jap dëshmi për mirësinë e shpirtrave të tyre. Dëshira e tyre më e madhe është që ta kënaqin Zotin dhe t’i ndihmojnë fëmijët e Perëndisë që të kthehen në praninë e Tij.

Të Shtatëdhjetët; Peshkopata; Presidencat e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, Të Rejave dhe Fillores; dhe udhëheqësit e organizatave të tjera ndihmëse kanë shtuar frymëzim të jashtëzakonshëm në këtë konferencë, sikurse ka shtuar muzika e bukur dhe lutjet plot mendim.

Ka një thesar të drejtimit qiellor që pret të zbulohet nga ju në mesazhet e konferencës së përgjithshme. Prova për secilin prej nesh është mënyra se si përgjigjemi ndaj asaj që dëgjojmë, ndaj asaj që lexojmë dhe ndaj asaj që ndiejmë.

Lejomëni të tregoj për një përvojë rreth përgjigjes ndaj fjalëve profetike nga jeta e Presidentit Rasëll M. Nelson:

Në vitin 1979, pesë vjet përpara thirrjes së tij si Autoritet i Përgjithshëm, Vëllai Nelson mori pjesë në një mbledhje pikërisht përpara konferencës së përgjithshme. Presidenti Spenser W. Kimball u drejtoi një sfidë të gjithë atyre që ishin të pranishëm, për të bërë hapa më të mëdhenj që ta çonin ungjillin në mbarë botën. Mes vendeve që Presidenti Kimball i përmendi veçanërisht ishte Kina, duke shpallur: ‘Ne duhet t’u japim shërbim kinezëve. Duhet ta mësojmë gjuhën e tyre. Duhet të lutemi për ta dhe t’i ndihmojmë ata.’”18

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson si kirurg

Në moshën 54-vjeçare, Vëllai Nelson pati një ndjenjë gjatë mbledhjes se ai duhej të studionte gjuhën mandarine. Edhe pse një kirurg zemre shumë i zënë me punë, ai menjëherë siguroi shërbimet e një mësuesi.

Jo shumë kohë pas fillimit të studimeve, dr. Nelsoni duke marrë pjesë në një konventë, papritmas u gjend i ulur pranë “një kirurgu të shquar kinez, dr. Vu Jingkai. … Ngaqë [Vëllai Nelson] e kishte studiuar gjuhën mandarine, ai filloi [një] bashkëbisedim [me dr. Vunë].”19

Pamja
Plaku Rasëll M. Nelson me Dr. Vu Jingkain

Dëshira e dr. Nelsonit për ta ndjekur profetin çoi tek ardhja e dr. Vusë për të vizituar Solt-Lejk-Sitin dhe në udhëtimin e dr. Nelsonit për në Kinë që të jepte leksione dhe të kryente operacione kirurgjikale.

U shtuan dashuria e tij për popullin kinez dhe dashuria dhe respekti i tyre për të.

Në shkurt të vitit 1985, dhjetë muaj pas thirrjes së tij në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, Plaku Nelson mori një telefonatë të papritur nga Kina që i lutej dr. Nelsonit të shkonte në Pekin për të operuar zemrën e dëmtuar të këngëtarit më të famshëm të operës në Kinë. Me nxitjen e Presidentit Gordon B. Hinkli, Plaku Nelson u rikthye në Kinë. Operacioni i fundit kirurgjik që ai kreu ndonjëherë, ishte në Republikën Popullore të Kinës.

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson duke u nderuar

Vetëm dy vjet më parë, në tetor 2015, Presidenti Rasëll M. Nelson u nderua edhe një herë me një shpallje zyrtare, ku ai u quajt një “mik i vjetër i Kinës”.

Më pas dje ne e dëgjuam Presidentin Rasëll M. Nelson, tashmë 93-vjeçar, të na fliste për përgjërimin e Presidentit Tomas S. Monson drejtuar “secilit prej nesh [në konferencën e prillit të shkuar që] me lutje ta studiojmë dhe ta përsiatim Librin e Mormonit çdo ditë”.

Ashtu siç bëri kur ishte një kirurg zemre plot punë, kur mori një mësues të gjuhës mandarine, Presidenti Nelson e pranoi menjëherë këshillën e Presidentit Monson dhe e vuri në jetë. Më shumë sesa thjesht leximi, ai tha: “Kam bërë lista se çfarë është Libri i Mormonit, çfarë pohon, çfarë përgënjeshtron, çfarë përmbush, çfarë qartëson dhe çfarë zbulon20.

Dhe më pas, mjaft interesante, pikërisht këtë mëngjes, si një dëshmitar i dytë, Presidenti Henri B. Ajring gjithashtu foli për mënyrën e vet se si iu përgjigj këshillimit të Presidentit Monson. A ju kujtohen këto fjalë? “Si shumë prej jush, unë i dëgjova fjalët e profetit sikurse zërin e Zotit për mua. Dhe, gjithashtu si shumë prej jush, vendosa t’u bindem atyre fjalëve.”21

I shikofshim këta si shembuj për vetë jetën tonë.

Një Premtim dhe një Bekim

Unë premtoj se, kur e dëgjoni zërin e Zotit për ju në mësimet e kësaj konference të përgjithshme dhe më pas veproni sipas atyre nxitjeve, ju do ta ndieni dorën e qiellit mbi ju dhe jeta juaj dhe jeta e njerëzve përreth jush do të bekohen.22

Gjatë kësaj konference, ne kemi menduar për profetin tonë të dashur. Ne ju duam, Presidenti Monson. Po e mbyll me fjalët e tij të dhëna prej kësaj foltoreje. Besoj se ky është një bekim që ai do të donte t’ia jepte çdonjërit prej nesh sot, nëse do të ishte në gjendje të ishte me ne. Ai tha: “Ndërsa largohemi nga kjo konferencë, i kërkoj bekimet e qiellit mbi secilin prej jush. … Lutem që Ati ynë Qiellor do t’ju bekojë ju dhe familjet tuaja. Mesazhet dhe shpirti i kësaj konference gjetshin zbatim në gjithçka që bëni – në shtëpitë tuaja, në punën tuaj, në mbledhjet tuaja dhe në të gjitha aktivitetet tuaja.”

Ai e mbylli: “Unë ju dua. Lutem për ju. Perëndia ju bekoftë. Paqja e Tij e premtuar qoftë me ju tani dhe gjithmonë.”23

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Doktrina e Besëlidhje 21:1.

  2. Doktrina e Besëlidhje 21:5–6.

  3. Jozef Smithi raportoi se ndodhi sa vijon gjatë përkushtimit të Tempullit të Kirtlandit më 27 mars 1836:

    “Pastaj unë mbajta një fjalim të shkurtër dhe u bëra thirrje kuorumeve të ndryshme dhe gjithë kongregacionit të shenjtorëve, që të pranonin Presidencinë [e Parë] si Profetë e Shikues dhe t’i mbështetnin ata me anë të lutjeve të tyre. Ata të gjithë u besëlidhën ta bënin këtë, duke u ngritur.

    Pastaj unë u bëra thirrje kuorumeve dhe kongregacionit të shenjtorëve që të pranonin të Dymbëdhjetë Apostujt, që qenë të pranishëm, si Profetë, Shikues, Zbulues dhe dëshmitarë të veçantë për të gjitha kombet e tokës, që mbajnë çelësat e mbretërisë, për ta shkyçur atë, ose për të bërë që kjo të kryhet, ndër ta, dhe që t’i mbështetnin ata me anë të lutjeve të tyre, gjë të cilën e miratuan duke u ngritur” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 208–209).

  4. Doktrina e Besëlidhje 68:4.

  5. Doktrina e Besëlidhje 1:38.

  6. Presidenti Henri B. Ajring njëherë tha:

    “Por zgjedhja për të mos e zbatuar këshillën profetike e ndryshon vetë terrenin mbi të cilin qëndrojmë. Ai bëhet më i rrezikshëm. Mospranimi i këshillës profetike zvogëlon fuqinë tonë për të marrë këshillë të frymëzuar në të ardhmen. Rasti më i mirë për të vendosur që Noeu të ndihmohej për të ndërtuar arkën, ishte kur ai kërkoi ndihmë për herë të parë. Çdo herë që ai kërkoi ndihmë pas kësaj, çdo dështim për t’u përgjigjur, do ta zvogëlonte ndjeshmërinë ndaj Shpirtit. Kështu që çdo herë që ai kërkonte ndihmë, do të ishte dukur më e pamend, derisa erdhi shiu. Por atëherë ishte tepër vonë.

    Çdo herë në jetën time, kur kam zgjedhur ta vonoj ndjekjen e këshillës së frymëzuar apo kur kam vendosur se bëja përjashtim, unë arrita të kuptoj se e kisha vënë veten në rrezik. Çdo herë që ia kam vënë veshin këshillës së profetëve, që e kam ndier të më pohohej në lutje dhe më pas e ndoqa atë, unë kam zbuluar se po ecja drejt sigurisë” (“Finding Safety in Counsel”, Ensign, maj 1997, f. 25).

  7. Shih Neil L. Andersen, “Teaching Our Children to Love the Prophets”, Ensign, prill 1996, f. 47.

  8. Bojd K. Paker dikur tha:

    “E dëgjova Presidentin Harold B. Li t’i fillonte shumë shpallje rreth çështjeve që përfshinin zbulesë, me një shprehje të tillë si kjo: ‘Në orët e para të mëngjesit, teksa po përsiatja mbi atë çështje. …’ Ai e bëri zakon që të punonte në orët e freskëta, të vëmendshme herët në mëngjes me problemet që kërkonin zbulesë.

    Zoti dinte diçka kur Ai dha këshillën në Doktrina e Besëlidhje: ‘Pushoni së fjeturi më gjatë se ç’është e nevojshme; shkoni në shtrat herët, që të mos jini të lodhur; ngrihuni herët, që trupat tuaja dhe mendjet tuaja të mund të fuqizohen.’ (DeB 88:124.) …

    E kam mësuar fuqinë e thënies: ‘Herët në shtrat, herët të ngrihesh’. Kur jam nën trysni, nuk do të më gjeni duke harxhuar dritën në mesnatë. Do të dëshiroja më shumë të isha në shtrat dhe të çohesha në orët e para të mëngjesit, kur mund të jem pranë Atij që e udhërrëfen këtë punë” (Teach Ye Diligently [2005], f. 244–245).

  9. Nil L. Andersen, “Ju Dini Mjaftueshëm”, Liahona, nëntor 2008, f. 13.

  10. Tomas S. Monson, “Kur Prapë të Takohemi”, Liahona, maj 2014, f. 115.

  11. Tomas S. Monson, “Perëndia me Ju Qoftë kur Prapë të Takohemi”, Liahona, nëntor 2012, f. 110.

  12. Gjoni 10:4.

  13. Henri B. Ajring, “Mos Kini Frikë të Bëni Mirë”, Liahona, nëntor 2017, f. 103.

  14. Diter F. Uhtdorf, “Dëshirim për Shtëpinë”, Liahona, nëntor 2017, f. 22, 24.

  15. Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?Liahona, nëntor 2017, f. 62.

  16. Dallin H. Ouks, “Plani dhe Proklamata”, Liahona, nëntor 2017, f. 31.

  17. M. Rasëll Ballard, “Udhëtimi i Vështirë Vazhdon!Liahona, nëntor 2017, f. 106.

  18. Spencer J. Condie, Russell M. Nelson: Father, Surgeon, Apostle (2003), f. 215.

  19. Spencer J. Condie, Russell M. Nelson, f. 215.

  20. Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?” f. 61.

  21. Henri B. Ajring, “Mos Kini Frikë të Bëni Mirë”, f. 100.

  22. Gordon B. Hinkli dikur tha:

    “Prova do të vijë me zbatimin e mësimeve të dhëna. Këtej e tutje, nëse jemi pak më dashamirës, nëse jemi pak më të mirësjellshëm, nëse jemi afruar më pranë Shpëtimtarit, me një vendosmëri më të qëndrueshme për t’i ndjekur mësimet e Tij dhe shembullin e Tij, atëherë kjo konferencë do të ketë qenë një sukses i mrekullueshëm. Nëse, nga ana tjetër, nuk ka përmirësim në jetën tonë, atëherë ata që kanë folur, do të kenë dështuar në një përmasë të madhe.

    Ato ndryshime mund të mos jenë të matshme brenda një dite apo një jave apo një muaji. Vendimet merren shpejt dhe harrohen shpejt. Por, pas një viti prej sot, nëse po veprojmë më mirë sesa kemi bërë në të shkuarën, atëherë përpjekjet e këtyre ditëve nuk do të jenë të kota” (“An Humble and a Contrite Heart”, Ensign, nëntor 2000, f. 88)

  23. Tomas S. Monson, “Një Fjalë në Mbyllje”, Liahona, maj 2010, f. 113.