2017
Premtimet e Çmueshme dhe Shumë të Mëdha
nëntor 2017


Premtimet e Çmueshme dhe Shumë të Mëdha

Plani madhështor i Atit Qiellor për lumturinë përfshin doktrinën, ordinancat, besëlidhjet dhe premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, me anë të të cilave ne mund të bëhemi pjesëtarë të natyrës hyjnore.

Një nga sfidat e mëdha që ndesh secili prej nesh çdo ditë, është që të mos i lejojmë shqetësimet e kësaj bote të marrin kaq shumë nga koha dhe energjia jonë sa të lëmë pas dore gjërat e përjetshme që kanë më shumë rëndësi.1 Ne mund të devijohemi shumë lehtë nga mbajtja mend e përparësive thelbësore shpirtërore dhe përqendrimi tek ato, për shkak të përgjegjësive të shumta dhe programeve të ngarkuara që kemi. Nganjëherë përpiqemi të vrapojmë aq shpejt sa mund të harrojmë se ku po shkojmë dhe përse po vrapojmë.

Apostulli Pjetër na kujton se, për dishepujt e Jezu Krishtit, “fuqia e Tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet,

me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjes[ë]tarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë”2.

Mesazhi im thekson rëndësinë e premtimeve të çmueshme dhe shumë të mëdha të përshkruara nga Pjetri, si kujtues të vërtetë të asaj se ku po shkojmë në udhëtimin tonë në vdekshmëri dhe të arsyes së saj. Do të shtjelloj gjithashtu rolet përkatëse të ditës së Shabatit, të tempullit të shenjtë dhe të shtëpive tona, për të na ndihmuar që t’i kujtojmë këto premtime të rëndësishme shpirtërore.

Lutem me zell që Fryma e Shenjtë do ta udhëzojë secilin prej nesh ndërsa i marrim në shqyrtim së bashku këto të vërteta të rëndësishme.

Identiteti Ynë Hyjnor

Plani madhështor i Atit tonë Qiellor për lumturinë përfshin doktrinën, ordinancat, besëlidhjet dhe premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, me anë të të cilave ne mund të bëhemi pjesëtarë të natyrës hyjnore. Plani i Tij përcakton identitetin tonë të përjetshëm dhe shtegun që duhet të ndjekim për të mësuar, për të ndryshuar, për t’u rritur dhe, përfundimisht, për të jetuar përgjithmonë me Të.

Siç shpjegohet te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”:

“Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj e femra – janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor. …

Në mbretërinë paratokësore, bijtë dhe bijat shpirtërore e njihnin dhe e adhuronin Perëndinë si Atin e tyre të Amshuar dhe e pranuan planin e Tij, me anë të të cilit fëmijët e Tij mund të merrnin një trup fizik, mund të fitonin përvojë tokësore për të përparuar drejt përsosjes dhe së fundi, mund të arrinin destinacionin e tyre hyjnor si trashëgimtarë të jetës së përjetshme.”3

Perëndia u premton fëmijëve të Tij që, në qoftë se ata i ndjekin parimet e planit të Tij dhe shembullin e Birit të Tij të Dashur, i zbatojnë urdhërimet dhe durojnë me besim deri në fund, atëherë me anë të fuqisë së Shëlbimit të Shpëtimtarit, ata “do të ke[në] jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”4. Jeta e përjetshme është premtimi përfundimtar i çmueshëm dhe shumë i madh.

Rilindja Shpirtërore

Ne i kuptojmë më plotësisht premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha dhe fillojmë të marrim nga natyra hyjnore duke iu përgjigjur pozitivisht thirrjes nga Zoti për lavdi e virtyt. Ashtu siç përshkruhet nga Pjetri, kjo thirrje përmbushet duke u përpjekur fort që t’i largohemi prishjes që është në botë.

Ndërsa shkojmë përpara përulësisht me besim te Shpëtimtari, atëherë për shkak të Shlyerjes së Tij dhe me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë “një ndryshim [i] madh [ndodh] te ne, ose në zemrat tona, që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht”5. Ne “lind[emi] rishtaz; po, të lind[ur] nga Perëndia, të ndryshuar nga gjendja [jonë] e mishit dhe e rënë në një gjendje drejtësie, duke qenë të shëlbuar nga Perëndia”6. “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja.”7

Një ndryshim i tillë gjithëpërfshirës i natyrës sonë zakonisht nuk ndodh shpejt apo menjëherë. Ashtu si Shpëtimtari, ne gjithashtu “nuk e m[arrim] plotësinë që në fillim, por [e] m[arrim] hir pas hiri”8. “Pasi vini re, kështu thotë Zoti Perëndi: Unë do t’u jap fëmijëve të njerëzve rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje; dhe të bekuar janë ata që dëgjojnë parimet e mia dhe që i vënë veshin këshillës sime, pasi ata do të mësojnë urtësi.”9

Ordinancat e priftërisë dhe besëlidhjet e shenjta janë thelbësore në këtë proces të vazhdueshëm të rilindjes shpirtërore; ato janë gjithashtu mjetet që ka caktuar Perëndia, me anë të të cilave ne marrim premtimet e Tij të çmueshme dhe shumë të mëdha. Ordinancat që merren denjësisht dhe kujtohen vazhdimisht, hapin kanalet e qiellit, nëpërmjet të cilave fuqia e perëndishmërisë vërshon në jetët tona. Besëlidhjet që nderohen me vendosmëri dhe kujtohen gjithmonë, japin qëllim e siguri për bekimet si në vdekshmëri dhe në përjetësi.

Për shembull, Perëndia na premton, sipas besnikërisë sonë, shoqërimin e vazhdueshëm të anëtarit të tretë të Kreut-Perëndi, madje të Frymës së Shenjtë10, që nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit ne të mund të marrim dhe gjithmonë të ruajmë një heqje të mëkateve tona11, që ne të mund të marrim paqe në këtë botë12, që Shpëtimtari i ka këputur litarët e vdekjes dhe doli fitimtar mbi varrin13 dhe se familjet mund të jenë së bashku për gjithë përjetësinë.

Kuptohet, të gjitha premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha që Ati Qiellor u ofron fëmijëve të Tij, nuk mund të llogariten apo të përshkruhen tërësisht. Megjithatë, edhe lista e pjesshme e bekimeve të premtuara që sapo paraqita, duhet ta bëjë secilin prej nesh të “qëndroj[ë] plot habi”14 dhe “të b[jerë] përtokë dhe … ta adhuro[jë] Atin”15 në emrin e Jezu Krishtit.

Të Kujtuarit e Premtimeve

Presidenti Lorenco Snou paralajmëroi: “Ne jemi shumë të prirur të harrojmë objektivin e madh të jetës, motivin për të cilin Ati ynë Qiellor na ka dërguar këtu në vdekshmëri, si dhe thirrjen e shenjtë në të cilën jemi thirrur; dhe kështu, në vend që të ngrihemi mbi gjërat e vogla kalimtare …, ne tepër shpesh e lejojmë veten të biem në nivelin e botës pa përfituar nga ndihma hyjnore që Perëndia ka krijuar, e cila është e vetmja që mund të na aftësojë t’i kapërcejmë ato [gjëra kalimtare].”16

Dita e Shabatit dhe tempulli i shenjtë janë dy burime të veçanta të ndihmës hyjnore të vendosura nga Perëndia që të na ndihmojë të ngrihemi mbi nivelin dhe prishjen e botës. Fillimisht ne mund të mendojmë se qëllimi kryesor i mbajtjes së ditës së Shabatit të shenjtë dhe i frekuentimit të tempullit janë të lidhura, porse të dallueshme. Sidoqoftë, unë besoj, se ato dy qëllime janë saktësisht të njëjta dhe funksionojnë së bashku për të na forcuar shpirtërisht si individë dhe në shtëpitë tona.

Shabati

Pasi Perëndia i krijoi të gjitha gjërat, Ai pushoi në ditën e shtatë dhe urdhëroi që një ditë, çdo javë, të jetë një kohë pushimi për t’i ndihmuar njerëzit ta kujtojnë Atë.17 Shabati është koha e Perëndisë, një kohë e shenjtë, e veçuar posaçërisht për ta adhuruar Atë dhe për të marrë e kujtuar premtimet e Tij të çmueshme e të mëdha.

Zoti ka udhëzuar në këtë periudhë ungjillore:

“Që të mund të ruash veten më tepër të panjollë nga bota, duhet të shkosh në shtëpinë e lutjes dhe t’i ofrosh sakramentet e tua në ditën time të shenjtë;

Sepse në të vërtetë kjo është një ditë e caktuar për ty që të prehesh nga punët e tua dhe t’i drejtosh lutje Më të Lartit.”18

Pra, në Shabat ne e adhurojmë Atin në emër të Birit, duke marrë pjesë në ordinanca dhe duke mësuar rreth besëlidhjeve, duke i marrë, duke i kujtuar dhe duke i përtërirë ato. Në ditën e Tij të shenjtë, mendimet, veprimet dhe sjellja jonë, janë shenja që i japim Perëndisë dhe një tregues i dashurisë sonë për Të.19

Një qëllim tjetër i Shabatit është që ta ngremë largpamësinë tonë nga gjërat e botës drejt bekimeve të përjetësisë. Të veçuar gjatë kësaj kohe të shenjtë nga shumë prej rutinës së zakonshme të jetës sonë të ngarkuar, ne mund të “shiko[jmë] te Perëndia dhe jeto[jmë]”20, duke i marrë dhe duke i kujtuar bekimet e çmueshme dhe të mëdha me anë të të cilave ne bëhemi pjesëtarë të natyrës hyjnore.

Tempulli i Shenjtë

Zoti e ka urdhëruar gjithmonë popullin e Tij që të ndërtojë tempuj, vende të shenjta në të cilat shenjtorë të denjë kryejnë ceremoni dhe ordinanca të shenjta të ungjillit për veten e tyre dhe për të vdekurit. Tempujt janë vendi më i shenjtë nga të gjitha vendet e adhurimit. Një tempull është vërtet shtëpia e Zotit, një hapësirë e shenjtë, e veçuar posaçërisht për adhurimin e Perëndisë dhe për marrjen e kujtimin e premtimeve të Tij të çmueshme e të mëdha.

Zoti ka udhëzuar në këtë periudhë ungjillore: “Organizoni veten tuaj; përgatisni çdo gjë të nevojshme; dhe ngrini një shtëpi, madje një shtëpi lutjeje, një shtëpi agjërimi, një shtëpi besimi, një shtëpi mësimi, një shtëpi lavdie, një shtëpi rregulli, një shtëpi të Perëndisë”21. Përqendrimi themelor i adhurimit në tempull është pjesëmarrja në ordinanca dhe të mësuarit rreth besëlidhjeve, marrja dhe kujtimi i atyre besëlidhjeve. Në tempull mendojmë, veprojmë dhe vishemi ndryshe nga hapësirat e tjera që mund të frekuentojmë.

Një qëllim themelor i Shabatit është që ta ngremë largpamësinë tonë nga gjërat e botës drejt bekimeve të përjetësisë. Të veçuar për pak kohë nga mjediset e botës me të cilat jemi mësuar, ne mund të “shiko[jmë] te Perëndia dhe [të] jeto[jmë]”22, duke i marrë dhe duke i kujtuar bekimet e çmueshme dhe të mëdha me anë të të cilave ne bëhemi pjesëtarë të natyrës hyjnore.

Ju lutem, vini re se dita e Shabatit dhe tempulli, përkatësisht, janë një kohë e shenjtë dhe një hapësirë e shenjtë, të veçuara posaçërisht për adhurimin e Perëndisë dhe për marrjen e kujtimin e premtimeve të Tij të çmueshme dhe shumë të mëdha ndaj fëmijëve të Tij. Siç u vendos nga Perëndia, qëllimet themelore të këtyre dy burimeve hyjnore të ndihmës janë saktësisht të njëjta: ta përqendrojmë fuqishëm dhe vazhdimisht vëmendjen tonë tek Ati Qiellor, Biri i Tij i Vetëmlindur, Fryma e Shenjtë dhe premtimet që shoqërohen me ordinancat dhe besëlidhjet e ungjillit të rivendosur të Shpëtimtarit.

Shtëpitë Tona

Më e rëndësishmja, një shtëpi duhet të jetë bashkimi më i mirë i kohës dhe hapësirës, ku individët dhe familjet i kujtojnë në mënyrën më të efektshme premtimet e çmueshme dhe të mëdha të Perëndisë. Largimi nga shtëpitë tona për të kaluar kohë në mbledhjet e së dielës dhe për të hyrë në hapësirat e shenjta të tempullit është jetik, por i pamjaftueshëm. Vetëm kur i sjellim shpirtin dhe forcën që burojnë nga këto veprimtari të shenjta, në shtëpitë tona, ne mund ta ruajmë përqendrimin tonë te qëllimet e mëdha të jetës në vdekshmëri dhe ta mposhtim prishjen që është në botë. Shabati ynë dhe përvojat e tempullit duhet të jenë katalizatorë shpirtërorë që i mbushin individët dhe familjet e shtëpitë tona me kujtues të vazhdueshëm të mësimeve kyçe të mësuara, me praninë dhe fuqinë e Frymës së Shenjtë, me një kthim në besim të vazhdueshëm e të thelluar te Zoti Jezu Krisht, dhe me “një ndriçim të përkryer të shpresës”23 në premtimet e përjetshme të Perëndisë.

Shabati dhe tempulli mund të na ndihmojnë të krijojmë në shtëpitë tona “një udhë më të shkëlqyer”24 ndërsa “i s[jellim] në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe”25. Ajo çka bëjmë në shtëpitë tona me kohën e [Tij] të shenjtë dhe me atë çka mësojmë në hapësirën e [Tij] të shenjtë janë të nevojshme për t’u bërë pjesëtarë të natyrës hyjnore.

Premtim dhe Dëshmi

Ne mund të mposhtemi lehtë nga rutina dhe çështjet e rëndomta të vdekshmërisë. Të fjeturit, të ngrënit, të veshurit, të punuarit, të luajturit, të ushtruarit dhe shumë veprimtari të tjera të zakonshme janë të nevojshme dhe të rëndësishme. Por, përfundimisht, ajo çka ne bëhemi, është rrjedhojë e njohurisë sonë dhe e gatishmërisë për të mësuar nga Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë; ajo nuk është thjesht shuma e përgjithshme e kërkimit tonë të përditshëm gjatë gjithë jetës.

Ungjilli është shumë më tepër sesa një listë kontrolli rutinë e detyrave të veçanta që duhet të kryhen; më saktë, ai është një ndërthurje e mahnitshme e së vërtetës, “e lidhur mirë”26 dhe e endur së bashku, me synimin për të na ndihmuar të bëhemi si Ati ynë Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht, madje pjesëtarë të natyrës hyjnore. Me të vërtetë, ne verbohemi nga të shikuarit përtej shenjës27, kur ky realitet më i lartë shpirtëror lihet nën hije nga hallet, shqetësimet dhe shkujdesja e botës.

Ndërsa tregohemi të mençur dhe e ftojmë Shpirtin e Shenjtë të jetë udhërrëfyesi ynë28, unë premtoj se Ai do të na e mësojë atë që është e vërtetë. [Ai] “për Krishtin do të dëshmoj’, [dhe] mendjet tona do ndriçoj’”29 ndërsa përpiqemi fort për ta përmbushur fatin tonë të përjetshëm dhe për t’u bërë pjesëtarë të natyrës hyjnore.

Jap dëshminë time se premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha të shoqëruara me ordinancat dhe besëlidhjet tona janë të vërteta. Zoti ka shpallur kështu:

“Unë ju jap udhëzime se si të veproni para meje, që të mund t’ju kthehet për shpëtimin tuaj.

Unë, Zoti, lidhem kur ju bëni çfarë ju them; por kur nuk e bëni çfarë ju them, ju nuk keni premtim.”30

Dëshmoj se Ati ynë Qiellor jeton dhe është autori i planit të shpëtimit. Jezu Krishti është Biri i Tij i Vetëmlindur, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ai jeton. Dhe unë dëshmoj se plani dhe premtimet e Atit, Shlyerja e Shpëtimtarit dhe shoqërimi i Frymës së Shenjtë bëjnë të mundur “paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen”31. Për këto gjëra unë dëshmoj, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.