2017
Kthehu te Zoti
nëntor 2017


Kthehu te Zoti

Ne nuk mund të kontrollojmë gjithçka që na ndodh, por ne kemi kontroll absolut mbi mënyrën se si reagojmë ndaj ndryshimeve në jetën tonë.

Në pranverën e 1998-ës, Karola dhe unë patëm mundësi të ndërthurnim një udhëtim biznesi me një pushim familjar dhe të shkonim për disa ditë në Havai me katër fëmijët tanë bashkë me vjehrrën time, e cila sapo kishte mbetur e ve.

Natën përpara fluturimit tonë për në Havai, djali ynë katërmuajsh, Xhonathani, u diagnostikua me një infeksion në të dy veshët dhe na thanë që ai nuk mund të udhëtonte për të paktën tre deri në katër ditë. Vendimi u mor që Karola të qëndronte në shtëpi me Xhonathanin, ndërsa unë do të udhëtoja me pjesën tjetër të familjes.

Shenja e parë që tregoi se ky nuk qe udhëtimi që pata përfytyruar, ndodhi shpejt pas mbërritjes sonë. Duke ecur nëpër një shteg me palma nën dritën e hënës, me pamje të oqeanit përpara nesh, fillova të komentoj për bukurinë e ishullit dhe në atë çast romantik, në vend që të shihja Karolën, e gjeta veten duke parë në sy vjehrrën time, të cilën, mund të shtoj, e dua shumë. Thjesht nuk ishte ajo që kisha parashikuar. As Karola nuk kishte pritur që ta kalonte pushimin e vet në shtëpi vetëm me birin tonë foshnjë të sëmurë.

Do të ketë kohë në jetën tonë kur do ta gjejmë veten në një shteg të paparashikuar, përballë rrethanash shumë më të ashpra sesa një pushim veçmas. Si reagojmë ne kur ngjarje, shpesh jashtë kontrollit tonë, e ndryshojnë jetën që patëm planifikuar apo shpresuar?

Pamja
Hajrëm Smith Shamuej

Më 6 qershor 1944, Hajrëm Shamuej, një nëntoger i ri në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, zbarkoi në plazhin Omaha, si pjesë e pushtimit të Normandisë. Ai ia doli të zbarkonte shëndoshë e mirë por, më 27 qershor, duke qenë pjesë e përparimit aleat, u plagos rëndë nga një minë kundërtanke. Në një çast, jeta dhe karriera e tij e ardhshme në mjekësi u prekën në mënyrë dramatike. Pas shumë operacionesh që e ndihmuan të shëronte shumicën e plagëve të tij të rënda, Vëllai Shamuej nuk e rifitoi kurrë shikimin e vet. Si do të reagonte ai?

Pas tre vjetësh në një spital rehabilitimi, ai u kthye në shtëpi në Lovell të Uajomingut. Ai e dinte se ëndrra e tij për t’u bërë mjek nuk ishte më e mundur, por ai ishte i vendosur të shkonte përpara, të martohej dhe të mbështeste një familje.

Ai më në fund gjeti punë në Baltimorë, Merilend, si këshilltar rehabilitimi dhe specialist punësimi për të verbrit. Në procesin e rehabilitimit të vet, ai pati mësuar se të verbrit janë në gjendje të bëjnë shumë më tepër nga sa pati kuptuar ai dhe, gjatë tetë vjetëve në këtë pozicion, ai futi në punë më shumë të verbër sesa çdo këshilltar tjetër në gjithë vendin.

Pamja
Familja Shamuej

Tani, me vetëbesim në aftësinë e tij për të siguruar për familjen, Hajrëmi i propozoi të dashurës së tij të zemrës duke i thënë: “Nëse ti do të lexosh postën, ndash çorapet dhe ngasësh makinën, unë mund të bëj pjesën tjetër”. Ata shpejt u vulosën në Tempullin e Solt-Lejkut dhe përfundimisht u bekuan me tetë fëmijë.

Në 1954-ën familja Shamuej u rikthye në Uajoming, ku Vëllai Shamuej punoi për 32 vjet si Drejtor Shteti i Arsimit për të Shurdhët dhe të Verbrit. Gjatë asaj kohe, ai shërbeu për shtatë vjet si peshkop i Lagjes së Parë në Shajen, më vonë, 17 vjet si patriark kunji. Pas daljes në pension, Vëllai dhe Motra Shamuej shërbyen gjithashtu si çift në moshë në Misionin e Londrës, Anglia Jugore.

Hajrëm Shamuej ndërroi jetë në mars 2011, duke lënë pas një trashëgimi besimi dhe mirëbesimi te Zoti, madje në kushte sprovuese, grupin e madh me fëmijë, nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa pasardhës të tij.1

Jeta e Hajrëm Shamuejt mund të ishte ndryshuar nga lufta, por ai nuk dyshoi kurrë te natyra hyjnore dhe potenciali i përjetshëm i tij. Sikurse ai, ne jemi bij e bija shpirtërore të Perëndisë dhe ne e “pranua[m] planin e Tij, me anë të të cilit [ne] mund të merrni[m] një trup fizik, mund të fitoni[m] përvojë tokësore për të përparuar drejt përsosjes dhe së fundi, mund të arrini[m] destinacionin [tonë] hyjnor si trashëgimtarë të jetës së përjetshme”2. Asnjë masë ndryshimi, sprove, apo vështirësie nuk mund ta ndryshojë kursin e përjetshëm – përveçse zgjedhjet tona, ndërsa ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes.

Ndryshimet dhe sfidat që vijnë prej tyre, që i ndeshim në jetën në vdekshmëri, vijnë me larmi formash e përmasash dhe ndikojnë secilin prej nesh në mënyra të veçanta. Si ju, edhe unë kam dëshmuar miq dhe pjesëtarë të familjes që përballen me sfida të shkaktuara nga:

  • Vdekja e një të dashuri.

  • Një shkurorëzim i hidhur martese.

  • Ndoshta nga mospasja kurrë e mundësisë për martesë.

  • Një sëmundje apo plagosje e rëndë.

  • Dhe madje katastrofa natyrore, sikurse kemi dëshmuar së fundi përreth botës.

Dhe lista vazhdon. Edhe pse çdo “ndryshim” mund të jetë i pashoq në rrethanat tona vetjake, ka një element të përbashkët në sprovën apo sfidën që vjen si pasojë – shpresa dhe paqja janë gjithnjë të disponueshme nëpërmjet sakrificës shlyese të Jezu Krishtit. Shlyerja e Jezu Krishtit siguron masat vendimtare korrigjuese dhe shëruese për çdo trup të plagosur, shpirt të dëmtuar dhe zemër të thyer.

Ai e di, në një mënyrë si askush tjetër nuk mund ta kuptojë, se çfarë na nevojitet, individualisht, me qëllim që të shkojmë përpara në mes të ndryshimit. Ndryshe nga miqtë dhe të dashurit, Shpëtimtari jo vetëm që ka dhembshuri për ne, por Ai mund të na kuptojë përsosurisht, pasi Ai ka qenë atje ku ne jemi. Përveç pagimit të çmimit dhe vuajtjes për mëkatet tona, Jezu Krishti gjithashtu eci në çdo shteg, luftoi me çdo sfidë, u përball me çdo plagë – fizike, emocionale apo shpirtërore – që ne do të ndeshim ndonjëherë në vdekshmëri.

Presidenti Bojd K. Paker dha mësim: “Mëshira dhe hiri i Jezu Krishtit nuk kufizohen tek ata që kryejnë mëkate … , por përfshijnë premtimin e paqes së pafundme për të gjithë ata që do ta pranojnë dhe ndjekin Atë. … Mëshira e Tij është shëruesi i fuqishëm, madje edhe për të pafajshmin që është lënduar.”3

Në këtë përvojë në vdekshmëri, ne nuk mund të kontrollojmë gjithçka që na ndodh, por ne kemi kontroll absolut mbi mënyrën se si reagojmë ndaj ndryshimeve në jetën tonë. Kjo nuk nënkupton se sfidat dhe sprovat që hasim, janë pa pasoja dhe me të cilat mund të merresh apo të luftosh me lehtësi. Nuk nënkupton se ne do të jemi të lirë nga dhembja apo pikëllimi. Por kjo do të thotë se ka një shkak për shpresë dhe se, në saje të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të shkojmë përpara dhe të gjejmë ditë më të mira – madje ditë plot gëzim, dritë dhe lumturi.

Te Mosia lexojmë tregimin për Almën, ish-prift i Mbretit Noe, dhe popullin e tij që, “duke qenë [të] paralajmëruar nga Zoti … [,] u nisën për në vendin e shkretë, të ndjekur nga ushtritë e mbretit Noe”. Pas tetë ditësh, “ata arritën në një vend shumë të bukur e të këndshëm” ku “ata ngritën çadrat e tyre dhe filluan të punonin tokën, dhe filluan të ndërtonin ndërtesa”4.

Gjendja e tyre dukej premtuese. Ata e patën pranuar ungjillin e Jezu Krishtit. Ata qenë pagëzuar si një besëlidhje që do t’i shërbenin Zotit dhe do të mbanin urdhërimet e Tij. Dhe “ata u shtuan dhe u përparuan jashtëzakonisht në vend”5.

Sidoqoftë, rrethanat e tyre shpejt do të ndryshonin. “Një ushtri Lamanitësh ishte në kufijtë e vendit.”6 Alma dhe populli i tij shpejt ranë në robëri dhe “aq të mëdha qenë pikëllimet e tyre, saqë ata filluan t’i luteshin me shpirt Perëndisë”. Përveç kësaj, robëruesit e tyre i urdhëruan madje të ndalonin së luturi, përndryshe, “çdo njeri që do të gjendej duke iu lutur Perëndisë, do të vritej”7. Alma dhe populli i tij nuk patën bërë asgjë për ta merituar gjendjen e tyre të re. Si do të reagonin ata?

Në vend që të fajësonin Perëndinë, ata u kthyen drejt Tij dhe “ia derdhën zemrat e tyre atij”. Në përgjigje ndaj besimit dhe lutjeve të tyre të heshtura, Zoti u përgjigj: “Ngushëllohuni. … Unë do t’ju lehtësoj gjithashtu barrat që ju janë vënë mbi shpatulla, që ju të mos i ndjeni në shpinat tuaja.” Shpejt pas kësaj, “Zoti i forcoi ata që të mund të duronin barrat e tyre me lehtësi dhe ata iu nënshtruan me gëzim dhe me durim gjithë vullnetit të Zotit”8. Edhe pse ende të paçliruar nga robëria, duke iu drejtuar Zotit dhe jo duke u larguar nga Zoti, ata u bekuan sipas nevojave të tyre dhe sipas urtësisë së Zotit.

Plaku Dallin H. Ouks na ka mësuar: “Bekimet e shërimit vijnë në shumë mënyra, secila e përshtatur me nevojat tona vetjake, siç janë të njohura për Atë që na do më shumë. Ndonjëherë një ‘shërim’ kuron sëmundjen tonë ose lehtëson barrën tonë. Por ndonjëherë ne ‘shërohemi’ duke na u dhënë forcë ose kuptueshmëri apo durim për të mbajtur barrët e vendosura mbi ne.”9

Përfundimisht, “kaq i madh qe besimi i tyre dhe durimi i tyre”, saqë Alma dhe populli i tij u liruan prej Zotit, siç do të lirohemi ne, dhe “ata i derdhën falënderimet … , pasi ata kishin qenë në robëri dhe askush nuk mund t’i çlironte veçse në ishte Zoti, Perëndia i tyre”10.

Ironia e trishtë është se, tepër shpesh, ata që janë më në nevojë, largohen nga burimi i tyre i vetëm e i përsosur i ndihmës – Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Një tregim i njohur te shkrimet e shenjta me gjarprin prej bronzi, na mëson se ne kemi një zgjedhje kur përballemi me sfida. Pasi shumë nga fëmijët e Izraelit u kafshuan nga “gjarpërinj të helmuar që fluturonin”11, “një simbol u ngrit … që kushdo që do të shikonte … të mund të jetonte. [Por ishte një zgjedhje.] Dhe shumë shikuan dhe jetuan.

… Por, pati shumë që ishin kaq të ngurtësuar, sa nuk donin të shikonin, prandaj ata mbaruan.”12

Si izraelitët e lashtë, edhe ne jemi ftuar dhe nxitur të shohim nga Shpëtimtari dhe të jetojmë – sepse zgjedha e Tij është e ëmbël dhe barra e Tij është e lehtë, edhe kur tonat mund të jenë të rënda.

Alma i Riu e dha mësim këtë të vërtetë të shenjtë kur tha: “Unë e di se kushdo që vë besimin e tij në Perëndi, do të përkrahet në sprovat e tij dhe në vështirësitë e tij dhe në mjerimet e tij dhe do të ngrihet në ditën e fundit”13.

Në këto ditë të mëvonshme, Zoti na ka siguruar burime të shumta, “gjarpëri[njtë tanë të] bronztë”, të cilët të gjithë janë për të na ndihmuar të shohim te Krishti dhe ta vendosim mirëbesimin tonë tek Ai. Përballja me sfidat e jetës nuk ka të bëjë me shpërfilljen e realitetit, por përkundrazi me atë se ku zgjedhim të përqendrohemi dhe me themelin mbi të cilin zgjedhim të ndërtojmë.

Këto burime përfshijnë [sa vijon], por nuk kufizohen vetëm në to:

  • Studim i rregullt i shkrimeve të shenjta dhe i mësimeve të profetëve të gjallë.

  • Lutje dhe agjërim të shpeshtë dhe të sinqertë.

  • Marrje me denjësi të sakramentit.

  • Frekuentim të rregullt në tempull.

  • Bekimet e priftërisë.

  • Këshillim të urtë nëpërmjet profesionistëve të trajnuar.

  • Madje edhe mjekim, kur jepet siç duhet dhe përdoret siç autorizohet.

Pavarësisht nga ndryshimi që mund të na ndodhë në rrethanat e jetës, dhe pavarësisht se çfarë shtegu të papritur mund të na duhet të përshkojmë, mënyra se si ne reagojmë është zgjedhja [jonë]. Kthimi te Shpëtimtari dhe kapja e krahut të Tij të shtrirë është gjithmonë mundësia jonë më e mirë.

Plaku Riçard G. Skot na mësoi këtë të vërtetë të përjetshme: “Lumturia e vërtetë e që zgjat, me forcën, guximin, kurajën dhe aftësinë për të kapërcyer vështirësitë më sfiduese të cilat e shoqërojnë, vjen nga një jetë e përqendruar te Jezu Krishti. … Nuk ka garanci për rezultate brenda natës, por ka siguri absolute se, në kohën e Zotit, zgjidhjet do të vijnë, paqja do të triumfojë dhe zbrazëtia do të mbushet.”14

Për këto të vërteta unë jap dëshminë time. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.