2018
Këshillohuni për Nevojat e Tyre
Shtator 2018


Pamja
ministering

Parimet e Dhënies së Shërbesës, Shtator 2018

Këshillohuni për Nevojat e Tyre

Nuk keni përse ta bëni këtë të vetëm. Këshillimi mund të sigurojë ndihmën që ju nevojitet për të ndihmuar të tjerët.

Perëndia ju ka ftuar t’i jepni shërbesë një individi ose familjeje në lagjen apo degën tuaj sipas nevojave të tyre. Si e zbuloni se cilat janë ato nevoja? Parimi i këshillimit, i cili është theksuar kaq shumë në Kishë, është çelësi.

Pas diskutimit se për çfarë mund të marrim parasysh që të këshillohemi, ne do të shqyrtojmë:

  1. Këshillimin me Atin Qiellor.

  2. Këshillimin me individin dhe familjen që na është caktuar.

  3. Këshillimin me shokun/qen tonë shërbestar/e.

  4. Dhe këshillimin me persona të tjerë që i janë caktuar po atij individi ose asaj familjeje.

Edhe këshillimi me udhëheqësit tanë është thelbësor. Një artikull i ardhshëm mbi Parimet e Dhënies së Shërbesës te Liahona, do të shqyrtojë këshillimin me udhëheqësit si dhe rolin e intervistave për dhënien e shërbesës në atë proces.

Për Çfarë Këshillohemi

Të kuptuarit e nevojave është thelbësor për të dhënë shërbesë ndaj njëri‑tjetrit. Por çfarë formash mund të marrin ato nevoja dhe a ka diçka më shumë sesa nevojat që ne duhet ta zbulojmë?

Nevojat mund të vijnë në shumë forma. Njerëzit të cilëve iu shërbejmë, mund të përballen me sfida që janë emocionale, financiare, fizike, arsimore dhe më shumë. Disa nevoja kanë përparësi më të lartë sesa të tjerat. Për disa nevoja ne do ta kemi aftësinë për të ofruar ndihmë; nevoja të tjera mund të kërkojnë që ne vetë të kërkojmë ndihmë. Gjatë përpjekjeve tona për të ndihmuar në përmbushjen e nevojave materiale, mos harroni që thirrja jonë për të dhënë shërbesë përfshin ndihmën ndaj të tjerëve që të përparojnë nëpër shtegun e besëlidhjes, të përgatiten dhe t’i marrin ordinancat e priftërisë, thelbësore për ekzaltimin.

Përveç këshillimit për nevojat individuale ose familjare, ne duhet të kërkojmë që t’i mësojmë pikat e tyre të forta. Për çfarë nuk iu nevojitet ndihmë atyre? Çfarë aftësish dhe dhuntish kanë ata që mund t’i bekojnë të tjerët? Si përshtaten ato në mënyrë unike për të ndihmuar në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë? Pikat e forta të një individi mund të jenë po aq të rëndësishme për t’u kuptuar sa nevojat e tij apo të saj.

Këshillimi me Atin Qiellor

Një nga parimet qendrore të besimit tonë është se Ati Qiellor u flet fëmijëve të Tij (shih Nenet e Besimit 1:9). Kur marrim një detyrë të re për t’i dhënë shërbesë dikujt, ne duhet të këshillohemi me Atin Qiellor në lutje, duke kërkuar pikëpamje dhe kuptueshmëri për nevojat dhe pikat e tyre të forta. Ai proces i këshillimit nëpërmjet lutjes duhet të vazhdojë gjatë gjithë detyrës sonë për të dhënë shërbesë.

Këshillimi me Individët dhe Familjet

Mënyra se si dhe kur iu qasemi individëve dhe familjeve që jemi thirrur t’u shërbejmë, mund të ndryshojë në varësi të rrethanave, por këshillimi drejtpërdrejt me individin ose familjen është thelbësor për të ndërtuar marrëdhënie dhe për t’i kuptuar nevojat e tyre, përfshirë mënyrën se si ata dëshirojnë që të marrin ndihmë. Ju ndoshta duhet të prisni për t’i bërë disa pyetje derisa të zhvillohet një marrëdhënie kuptimplote. Ndërsa nuk ka vetëm një mënyrë të drejtë për ta bërë këtë, merrni parasysh sa vijon:

  • Zbuloni se si dhe kur ata parapëlqejnë që të vihen në kontakt.

  • Mësoni për interesat dhe formimin e tyre kulturor.

  • Ejani me sugjerime për mënyrën se si mund të ndihmoni dhe kërkojuni sugjerime atyre.

Ndërkohë që ndërtojmë mirëbesim, merrni parasysh të diskutoni për nevojat individuale ose familjare. Bëni pyetje siç nxiteni nga Fryma e Shenjtë.1 Për shembull:

  • Cilat janë sfidat me të cilat përballen?

  • Cilat janë synimet e tyre familjare ose individuale? Për shembull, a dëshirojnë të jenë më të mirë lidhur me mbajtjen e mbrëmjeve të rregullta familjare apo dëshirojnë të jenë më shumë të mbështetur te vetja?

  • Si mund t’i ndihmojmë ata për synimet dhe sfidat e tyre?

  • Cilat janë ordinancat e radhës të ungjillit në jetën e tyre? Si mund t’i ndihmojmë ata të përgatiten?

Mbani mend që të ofroni ndihmë të posaçme, si: “Në cilën mbrëmje mund të të sjellim një vakt këtë javë?” Një ofertë e pacaktuar si: “Na bëni me dije nëse ka ndonjë gjë që mund të bëjmë”, nuk është shumë e dobishme.

Këshillimi me Shokun/qen Tonë Shërbestar/e

Për shkak se ju dhe shoku/qja juaj shërbestar/e mund të mos jeni përherë bashkë kur bashkëveproni me individin ose familjen, është e rëndësishme të bashkërendoheni dhe këshilloheni së bashku ndërkohë që kërkoni frymëzim si dyshe shërbestare. Ja tek janë disa pyetje për t’u marrë parasysh:

  • Si dhe sa shpesh do të komunikoni me njëri‑tjetrin apo njëra‑tjetrën si një dyshe shërbestare?

  • Si mund t’i përdorë secili nga ju pikat vetjake të forta për t’i dhënë shërbesë nevojave familjare ose individuale?

  • Çfarë gjërash keni mësuar, çfarë përvojash keni pasur dhe çfarë nxitjesh keni marrë që nga hera e fundit kur folët për individin ose familjen?

Këshillimi me Persona të Tjerë që Janë Caktuar

Do të ishte mirë që hera‑herës të flisni me persona të tjerë që janë caktuar për t’i dhënë shërbesë po atij individi ose familjeje që iu është caktuar juve.

Komunikoni për t’i Zgjidhur Sfidat

Plaku Çi Hong (Sam) Uong, i Të Shtatëdhjetëve, përdor rrëfimin te libri i Markut 2 për kohën tonë, për të ilustruar se si këshillimi së bashku bëri të mundur që katër njerëz të gjenin mënyrën si ta lejonin një burrë të paralizuar të ishte në prani të Jezusit.

“[M]und të ndodhë kështu”, tha Plaku Uong. “Katër njerëz po përmbushnin një detyrë nga peshkopi i tyre për të vizituar, në shtëpinë e tij, një burrë që ishte i paralizuar. … Në këshillin më të fundit të lagjes, pas këshillimit së bashku rreth nevojave në lagje, peshkopi kishte dhënë detyra ‘shpëtuese’. Këta të katërt u caktuan që ta ndihmonin këtë njeri. …

[Kur mbërritën në ndërtesën ku ishte Jezusi,] dhoma ishte e mbushur me njerëz. Ata nuk mund të hynin përmes derës. Jam i sigurt se provuan çdo gjë që mund të mendonin, por thjesht nuk mund të kalonin. … Ata u këshilluan së bashku se çfarë do të bënin më pas – si mund ta sillnin burrin te Jezu Krishti për shërim. … Ata hartuan një plan – jo të thjeshtë, por e vunë në zbatim.

… ‘[Ata] zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari’ (Marku 2:4). …

… ‘Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: “O bir, mëkatet e tua të janë falur!”’ (Marku 2:5).”2

Ftesë për të Vepruar

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na nxiti: “[K]ëshilloh[u]ni bashkë, … përdorni gjithë burimet që keni në dispozicion, … kërkoni frymëzimin e Frymës së Shenjtë, … kërkoni miratimin e Zotit dhe pastaj … përvishni mëngët e … filloni nga puna.

Unë ju jap një premtim: ‘[N]ëse ju do të ndiqni këtë model, ju do të merrni udhëzim të detajuar se kë, çfarë, kur dhe ku duhet të ndihmoni sipas mënyrës së Zotit’.”3

Shënime

  1. Shih Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005), f. 189.

  2. Çi Hong (Sam) Uong, “Shpëtoni në Unitet”, Liahona, nëntor 2014, f. 14–15.

  3. Diter F. Uhtdorf, “Ndihma sipas Mënyrës së Zotit”, Liahona, nëntor 2011, f. 55.