2019
Zhvillimi i Ndjeshmërisë për të Dhënë Shërbesë
Shkurt 2019


Pamja
ministering

Parimet e Dhënies së Shërbesës, Shkurt 2019

Zhvillimi i Ndjeshmërisë për të Dhënë Shërbesë

Të japësh shërbesë është të ngresh shpirtërisht. Ne mund t’i ngremë shpirtërisht të tjerët ndërkohë që përpiqemi ta kuptojmë atë që ata po përjetojnë, dhe të tregojmë se jemi të gatshëm t’u gjendemi pranë lidhur me të.

Për shkak se Ati ynë Qiellor dëshiron që ne të bëhemi si Ai, sfidat me të cilat përballemi në këtë jetë mund të bëhen mundësi për të mësuar a do t’i mirëbesojmë Atij dhe qëndrojmë në shteg. Për fat të keq, qëndrimi në shteg mund të jetë veçanërisht i vështirë kur ndihemi se po përballemi me ato sprova të vetëm.

Por nuk ka qenë kurrë e thënë që ne të ecim të vetëm në shteg. Shpëtimtari arriti ndjeshmërinë e përsosur, duke zbritur nën të gjitha gjërat në mënyrë që ta dinte se si të na vinte në ndihmë në dhembjet dhe dobësitë tona (shih Alma 7:11–12; Doktrina e Besëlidhje 122:8). Ai pret që secili prej nesh ta ndjekë shembullin e Tij dhe gjithashtu të tregojë ndjeshmëri. Çdo anëtar i Kishës ka besëlidhur që të “vajtoj[ë] me ata që vajtojnë; po, dhe ngushëlloj[ë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:9). Pavarësisht nga sfidat tona vetjake, në të gjitha shkrimet e shenjta na mësohet që ta kthejmë vëmendjen tek të tjerët dhe të “ngr[emë] duart që varen poshtë dhe [të] forco[jmë] gjunjët e këputur” dhe të “bë[jmë] shtigje të drejta për këmbët t[ona], që ajo e cila çalon të mos ndrydhet” (Hebrenjve 12:12–13; shih edhe Isaia 35:3–4; Doktrina e Besëlidhje 81:5–6).

Ndërsa i kapim të tjerët prej dore, i lëmë të mbështeten te ne dhe ecim me ta, ne i ndihmojmë ata të qëndrojnë në shteg aq gjatë sa, Shpëtimtari jo vetëm t’i kthejë në besim – një prej qëllimeve kyç të dhënies së shërbesës – por edhe t’i shërojë (shih Doktrina e Besëlidhje 112:13).

Çfarë Është Ndjeshmëria?

Ndjeshmëria është t’i kuptojmë ndjenjat, mendimet dhe gjendjen e një njeriu tjetër nga këndvështrimi i tij dhe jo i yni.1

Të qenit të ndjeshëm është i rëndësishëm në përpjekjet tona për t’u dhënë shërbesë të tjerëve dhe për ta përmbushur qëllimin tonë si vëllezër dhe motra shërbestare. Ai na lejon ta vëmë veten në vend të tjetrit.

Vënia e Vetes në Vend të Tjetrit

Tregohet një histori për një burrë të ndrojtur shenjtor të ditëve të mëvonshme që ulej shpesh i vetëm në rreshtin e fundit të ndërtesës kishtare. Kur një anëtar i kuorumit të pleqve ndërroi jetë papritmas, peshkopi u dha bekime priftërie familjarëve të plakut për t’i ngushëlluar. Motrat e Shoqatës së Ndihmës i çuan ushqim në shtëpi. Miq dhe fqinj dashamirë e vizituan familjen dhe thanë: “Na vini në dijeni nëse ka ndonjë gjë që mund të bëjmë për t’ju ndihmuar”.

Por kur ky burrë i ndrojtur e vizitoi familjen më vonë atë ditë, ai i ra ziles dhe kur e veja doli te dera, ai thjesht tha: “Kam ardhur t’ju pastroj këpucët”. Brenda dy orëve, të gjitha këpucët e familjes u pastruan dhe u lustruan në përgatitje për varrimin. Të dielën vijuese, familja e plakut të ndjerë u ul pranë burrit të ndrojtur në rreshtin e fundit.

Ai ishte një njeri që qe në gjendje të përmbushte një nevojë të paplotësuar. Edhe ata, edhe ai u bekuan nga kjo dhënie shërbese e tij, e udhëhequr nga ndjeshmëria.

Si Mund ta Zhvilloj Ndjeshmërinë?

Disa duket se janë bekuar me dhuratën për të qenë në gjendje të kenë ndjeshmëri. Por për ata që e kanë të zorshme, ka një lajm të mirë. Gjatë 30 vjetëve të shkuar, një numër kërkuesish në rritje e kanë studiuar ndjeshmërinë. Ndërkohë që shumë prej tyre e trajtojnë temën nga qasje të ndryshme, shumica e tyre bien dakord që ndjeshmëria është diçka që mund të mësohet.2

Ne mund të lutemi për dhuratën e ndjeshmërisë. Në mënyrë që të përmirësohemi, është gjithashtu e dobishme të kemi një kuptueshmëri më të mirë për mënyrën se si funksionon ndjeshmëria. Sugjerimet vijuese pranohen përgjithësisht si elementet bazë të ndjeshmërisë.3 Ndërkohë që këto shpesh ngjasin pa qenë ne të ndërgjegjshëm se po ndodhin, të qenit të vetëdijshëm për to na jep rastin për t’i parë mundësitë për t’u përmirësuar.

1.Mirëkuptoni

Ndjeshmëria kërkon njëfarë mirëkuptimi për situatën e të tjerëve. Sa më mirë t’i mirëkuptojmë rrethanat e tyre, aq më e lehtë bëhet që ta mirëkuptojmë se çfarë ndiejnë prej kësaj dhe çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar.

T’i dëgjojmë, t’u bëjmë pyetjeve dhe të këshillohemi me ta dhe të tjerë në mënyrë aktive janë veprime të rëndësishme për ta mirëkuptuar situatën e tyre. Mësoni më shumë rreth këtyre koncepteve në artikujt e mëparshëm të titulluar “Parimet e Dhënies së Shërbesës”:

  • “Pesë Gjëra që i Bëjnë Dëgjuesit e Mirë”, Liahona, qershor 2018, f. 6.

  • “Këshillohuni për Nevojat e Tyre”, Liahona, shtator 2018, f. 6.

  • “Të Marrim Ndihmë për t’i Ndihmuar Të Tjerët”, Liahona, tetor 2018, f. 6.

Ndërsa kërkojmë të mirëkuptojmë, ne duhet të gjejmë kohë për ta kuptuar situatën e tyre të caktuar në vend që të bëjmë hamendësime duke e bazuar te dikush tjetër që pati një përvojë të ngjashme. Përndryshe, mund të mos godasim në shenjë dhe t’i bëjmë ata të ndihen të keqkuptuar.

2.Përfytyroni

Në përpjekjet tona për ta mbajtur besëlidhjen tonë që të vajtojmë me ata që vajtojnë dhe të ngushëllojmë ata që kanë nevojë të ngushëllohen, mund të lutemi që Fryma e Shenjtë të na ndihmojë ta kuptojmë atë që mund të jetë duke ndier dikush dhe mënyrën se si mund ta ndihmojmë.4

Pasi t’i ketë kuptuar rrethanat e dikujt, secili prej nesh – qoftë nëse kjo ndodh natyrshëm ose jo – mund të bëjë ushtrimin e përfytyrimit se çfarë do të mendonte ose ndiente vetë në atë situatë. Të kuptuarit e atyre mendimeve dhe emocioneve, së bashku me udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë, mund të ndihmojë për ta udhëhequr reagimin tonë ndaj situatës së tyre.

Kur arrijmë t’i mirëkuptojmë rrethanat e tjetrit dhe ta përfytyrojmë se si mund të ndihet ai/ajo, është e rëndësishme që të mos e gjykojmë në mënyrë të pavend (shih Mateu 7:1). Të qenit kritikues për mënyrën se si dikush u fut në atë situatë, mund të na bëjë ta nënvlerësojmë dhembjen që po shkakton situata.

3.Reagoni

Mënyra se si reagoni është e rëndësishme sepse kjo është mënyra se si tregohet ndjeshmëria jonë. Ka mënyra të panumërta për ta komunikuar mirëkuptimin tonë edhe gojarisht, edhe pa fjalë. Është e rëndësishme të mbajmë mend se synimi ynë nuk është domosdoshmërisht ta ndreqim problemin. Shpesh, synimi ynë është që thjesht t’i ngremë shpirtërisht të tjerët e t’i forcojmë ata duke u bërë të ditur se nuk janë vetëm. Kjo mund të nënkuptojë se do të themi: “Gëzohem që më the” ose “Më vjen shumë keq. Kjo duhet të të shkaktojë dhembje.”

Në çdo rast, reagimi ynë duhet të jetë i çiltër. Dhe kur të jetë me vend, të treguarit se jemi të cenueshëm aq sa t’i lëmë të tjerët t’i shohin dobësitë dhe pasiguritë tona, mund të krijojë një ndjesi të çmueshme afërsie.

Ftesë për të Vepruar

Teksa i merrni parasysh rrethanat e atyre që u jepni shërbesë, përfytyroni sikur jeni në situatën e tyre dhe atë që do t’ju dukej më e dobishme po të ishit në vend të tyre. Lutuni për ta kuptuar se si ndihen ata dhe veproni sipas nxitjeve. Reagimi juaj mund të jetë i thjeshtë, por do të jetë kuptimplotë.

Shënime

  1. Shih W. Ickes, Empathic Accuracy (1997); dhe M. L. Hoffman, Empathy and Moral Development: Implications for Caring and Justice (2000).

  2. Shih, për shembull, Emily Teding van Berkhout dhe John M. Malouff, “The Efficacy of Empathy Training: A Meta-Analysis of Randomized Controlled Trials”, Journal of Counseling Psychology (2016), 63(1), f. 32–41.

  3. Shih, për shembull, Brené Brown, I Thought It Was Just Me (But It Isn’t) (2008); Theresa Wiseman, “A Concept Analysis of Empathy”, Journal of Advanced Nursing (1996), 23, f. 1162–1167; dhe Ed Neukrug dhe të tjerë, “Creative and Novel Approaches to Empathy: a Neo-Rogerian Perspective”, Journal of Mental Health Counseling, 35(1) (janar 2013), f. 29–42.

  4. Shih, Henri B. Ajring, “Ngushëlluesi”, Liahona, maj 2015, f. 17–21.