Trajnimi për Programin Mësimor
Trajnimi për Zotërimin Doktrinor


“Trajnimi për Zotërimin Doktrinor”, Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit (2022)

“Trajnimi për Zotërimin Doktrinor”, Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit

Pamja
nxënës duke studiuar

Trajnimi për Zotërimin Doktrinor

Hyrje në Zotërimin Doktrinor

Në vitin 2016, Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paraqiti qëllimin thelbësor të zotërimit doktrinor në jetën e rinisë sot dhe rolin e rëndësishëm që ju keni si mësues seminari në zbatimin e tij:

Pamja
Presidenti M. Rasëll Ballard

“Ishte vetëm një brez më parë kur qasja e të rinjve tanë tek informacioni rreth historisë, doktrinës dhe praktikave tona ishte [kryesisht] e kufizuar vetëm te materialet e shtypura nga Kisha. Pak [nxënës] viheshin në kontakt me interpretime [alternative]. [Kryesisht], të rinjtë e të rejat tona jetonin një jetë [të mbrojtur].

Programi ynë mësimor në atë kohë, edhe pse me qëllim të mirë, nuk i përgati[ti nxënësit] për të sotmen, një kohë kur [nxënësit] kanë qasje të menjëhershme ndaj çdo gjëje virtuale rreth Kishës nga çdo pikëpamje e mundshme. Sot, ajo që ata shohin në aparatet e tyre [kompjuterike të lëvizshme], ka gjasë të jetë sfiduese për besimin po aq sa edhe [nxitëse] e besimit. …

Në dritën e këtyre sfidave, Bordi i Arsimimit kohët e fundit miratoi një nismë në seminar të quajtur Zotërimi [Doktrinor]. … Kjo nismë e re do të përqendrohet te ndërtimi dhe forcimi i besimit të [nxënësve] tanë te Jezu Krishti dhe fortifikimi i tyre me [aftësi] më të madhe për ta jetuar dhe vënë në zbatim ungjillin në jetën e tyre. Duke i përdorur shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve, ata do të mësojnë si të veprojnë me besim [te] Krisht[i] për të marrë njohuri shpirtërore dhe kuptueshmëri për ungjillin e Tij. Dhe ata do të kenë mundësi për të mësuar se si [t’i] vënë në zbatim doktrinën e Krishtit dhe parimet e ungjillit për pyetjet dhe sfidat që dëgjojnë dhe shohin çdo ditë midis bashkëmoshatarëve [të tyre] dhe në median shoqërore.

Kjo nismë është e frymëzuar dhe [në kohën e duhur]. Ajo do të ketë ndikim të mrekullueshëm tek [rinia jonë]. Sidoqoftë, suksesi i Zotërimit Doktrinor dhe i të gjitha programeve të tjera studimore në SAK, do të vare[t] deri në një shkallë të rëndësishme nga ju.” (M. Rasëll Ballard, “Mundësitë dhe Përgjegjësitë e Mësuesve të SAK-ut në Shekullin e 21‑të” [mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 26 shkurt 2016], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)

  • Çfarë ju bën përshtypje nga ajo që tha Presidenti Ballard?

  • Si mendoni, përse rinia sot ka nevojë të përgatitet në një mënyrë ndryshe nga brezat e së kaluarës për ta forcuar besimin e vet te Jezu Krishti?

Zotërimi Doktrinor në Programin Mësimor

Në manualin e mësuesit përvojat e të mësuarit të zotërimit doktrinor janë përfshirë çdo javë për t’i ndihmuar nxënësit të arrijnë rezultatet e zotërimit doktrinor. Këto rezultate përfshijnë ndihmën që nxënësit

  • të mësojnë e t’i zbatojnë parimet hyjnore të marrjes së njohurisë shpirtërore dhe

  • të zotërojnë fragmentet e përzgjedhura të shkrimeve të shenjta dhe doktrinën e ungjillit të Jezu Krishtit që e mësojnë prej tyre.

Nga zotërimi i fragmenteve të përzgjedhura dhe i doktrinës së ungjillit të Jezu Krishtit që e mësojnë prej tyre, nxënësit do të jenë në gjendje

  • ta dinë dhe kuptojnë doktrinën që jepet mësim në fragmentet e shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor;

  • ta shpjegojnë doktrinën në mënyrë të qartë duke përdorur fragmentet shoqëruese të shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor;

  • ta vënë në zbatim doktrinën e ungjillit të Jezu Krishtit dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në zgjedhjet e tyre të përditshme dhe në përgjigjet e tyre ndaj çështjeve dhe pyetjeve doktrinore, vetjake, shoqërore dhe historike; dhe

  • t’i mbajnë mend dhe gjejnë fragmentet e zotërimit doktrinor dhe t’i mësojnë përmendsh frazat kyç të shkrimeve të shenjta.

Mësimet për Pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore”

Ju mund t’u paraqitni nxënësve parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore duke u dhënë mësim pjesët 1, 2 dhe 3 të mësimit “Marrja e Njohurisë Shpirtërore”. Sigurohuni që ta jepni secilin prej këtyre mësimeve kur seminari të zhvillohet afër fillimit të vitit shkollor. Këto mësime sigurojnë parime themelore mbi të cilat do të ngrihen mësimet e tjera të zotërimit doktrinor. Mësimet për marrjen e njohurisë shpirtërore duhet të jepen çdo vit në seminar. Secila pjesë u paraqet nxënësve një prej parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore.

  • Pjesa 1: Veproni me besim

  • Pjesa 2: Shqyrtojini pyetjet dhe shqetësimet me një këndvështrim të përjetshëm

  • Pjesa 3: Kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

Mësimet për Fragmentin e Zotërimit Doktrinor

Ka dy mësime që lidhen me secilin fragment të zotërimit doktrinor, një mësim kontekstual dhe mësimi i zotërimit doktrinor. Rezultatet e zotërimit doktrinor trajtohen së bashku në këto dy mësime.

Në mësimin kontekstual, fragmenti i zotërimit doktrinor paraqitet në kontekstin e bllokut të shkrimeve të shenjta. Nxënësit duhet të shpenzojnë kohë të mjaftueshme duke studiuar doktrinën që u mësohet nga fragmenti, me qëllim që ta dinë dhe kuptojnë atë. Kjo ndihmon për t’i përgatitur nxënësit që ta shpjegojnë dhe përdorin doktrinën në mësimin vijues të fragmentit të zotërimit doktrinor.

Pamja
chart of contextual lesson and doctrinal mastery passage lesson

Në mësimin e fragmentit të zotërimit doktrinor, nxënësit do të kenë mundësi që ta shpjegojnë doktrinën duke përdorur fragmentin e zotërimit doktrinor dhe të fillojnë ta mësojnë përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë. Ju gjithashtu mund t’i nxitni nxënësit që ta mësojnë përmendsh të gjithë fragmentin. Ndihma ndaj nxënësve për ta shpjeguar doktrinën si dhe për ta mësuar përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë, janë rezultate të rëndësishme të zotërimit doktrinor. Këto veprimtari të të mësuarit nuk nevojitet të marrin shumë kohë, por është e rëndësishme që atyre t’u jepet përparësi.

Pjesa “Ushtroje vënien në zbatim” duhet të zërë pjesën më të madhe të kohës në mësimin e fragmentit të zotërimit doktrinor. Secila pjesë e ushtrimit të vënies në zbatim fillon me një mundësi që nxënësit t’i përsëritin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Nxënësit duhet t’i përsëritin rregullisht këto parime që të fitojnë siguri në përdorimin e tyre. Bëni kujdes që të mos hamendësoni se, ngaqë një ose dy nxënës i dinë parimet mirë, të gjithë nxënësit tuaj i dinë ato.

Pas përsëritjes së parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore, më pas nxënësve do t’u paraqitet një skenar që ilustron një pyetje ose situatë ku mund të ndihmojë të kuptuarit në mënyrë të saktë të doktrinës së vërtetë. Nxënësit mund të ushtrojnë përdorimin e doktrinës së dhënë mësim në fragmentin e zotërimit doktrinor dhe të parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore për t’i dhënë përgjigje pyetjes ose situatës.

Mund t’i përshtatni skenarët dhe pyetjet e sugjeruara ose veprimtaritë e tjera të të mësuarit siç nevojitet për tʼi përmbushur më mirë nevojat e nxënësve. Sigurohuni që çfarëdo përshtatje ende u jep nxënësve mundësi për të ushtruar vënien në zbatim të doktrinës dhe parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore kundrejt një situate reale.

Gjithashtu do të vini re se në fund të çdo mësimi të zotërimit doktrinor gjendet një përsëritje e sugjeruar për ta bërë në orën mësimore pak ditë më vonë. Këto veprimtari përsëritjeje hartohen për t’i ndihmuar nxënësit që të mësojnë përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për secilin prej fragmenteve të zotërimit doktrinor.

Përsëritjet e Zotërimit Doktrinor

Disa blloqe javore të shkrimeve të shenjta në ritmin e programit Eja, Më Ndiq nuk përfshijnë një fragment të zotërimit doktrinor. Me qëllim që t’u sigurojnë nxënësve një përvojë të përjavshme me zotërimin doktrinor, manuali i mësuesit, manuali i nxënësit dhe programi mësimor i seminarit në internet e përfshijnë një përsëritje të zotërimit doktrinor si njërin nga pesë mësimet e këtyre javëve. Këto mësime hartohen për t’i ndihmuar nxënësit që t’i mësojnë përmendsh referencat e shkrimeve të shenjta dhe frazat kyç të shkrimeve të shenjta, ta kuptojnë doktrinën dhe ta vënë në zbatim atë.

Nëse ka një mësim të fragmentit të zotërimit doktrinor që nxënësit e kanë humbur ose do ta humbasin për shkak të një pushimi në planin e tyre shkollor, ju duhet të zhvilloni këto mësime të fragmentit të zotërimit doktrinor në vend të një përsëritjeje të zotërimit doktrinor. Mësimi kontekstual, i shoqëruar me mësimin e zotërimit doktrinor, gjithashtu do të nevojitet të zhvendoset që të zëvendësojë një mësim tjetër gjatë javës. Referojuni udhëzuesit vendor të ritmit mësimor të dhënë nga bashkërenduesi/ja ose administratori/ja juaj i/e programit për të parë se kur duhet t’i zhvilloni mësimet e zotërimit doktrinor, që nxënësit i humbasin për shkak të planit të tyre shkollor.

Zotësitë për ta Dhënë Mësim me Efektshmëri Zotërimin Doktrinor

Trajnimet në vijim japin mësim zotësitë që mund t’i ndihmojnë nxënësit ta arrijnë zotërimin doktrinor. Çdo trajnim 1) identifikon dhe përcakton zotësinë, 2) jep një model dhe ushtrim për mënyrën se si të përdoret zotësia, 3) përfshin një mundësi për të reflektuar duke e analizuar zotësinë dhe 4) bën një ftesë për ta përfshirë zotësinë në mësimdhënien tuaj.

Shpjegoni arsyen pse bëhet një veprimtari e zotërimit doktrinor.

Përkufizoni:

Dhënia e një arsyeje për të bërë një veprimtari të zotërimit doktrinor, mund t’u japë shtysë nxënësve që të angazhohen në veprimtari. Ajo gjithashtu mund ta lejojë Frymën e Shenjtë që t’u mësojë atyre për rëndësinë e veprimtarisë. Pasi të thoni se çfarë do të bëjë klasa, jepni një ose dy arsye pse po e bëni veprimtarinë, në mënyrë që nxënësit ta kuptojnë vlerën e bërjes së saj.

Modeli:

“Klasa, në minutat në vazhdim do të shpjegojmë doktrinën që mësojmë nga Lluka 2:10–12 që Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës. Një arsye përse po e bëjmë këtë, është për të na ndihmuar të jemi në gjendje të përgjigjemi me siguri te vetja nëse dikush që e njohim na pyet se përse Jezu Krishti është i rëndësishëm për ne.”

Ushtrohuni:

Plotësojini nxitjet në vijim.

  1. “Në rregull, klasa. Le të bëjmë një veprimtari që do të na ndihmojë ta mësojmë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor bashkë me frazën kyç. Një arsye përse po punojmë për ta mësuar përmendsh këtë është …”

  2. “Minutat në vazhdim do të përsëritim parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Njohuria për këto parime mund të na ndihmojë …”

  3. “Do të ushtrohemi duke përdorur tri parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Përdorimi i këtyre parimeve mund të …”

Analizoni:

Çfarë po mësoni ndërsa ushtroni shpjegimin e arsyeve për bërjen e veprimtarisë së zotërimit doktrinor?

Përfshini:

Ndërsa e përgatitni çdo veprimtari të zotërimit doktrinor, shkruani të paktën një arsye pse do të ketë vlerë për nxënësit.

Ftojini nxënësit që t’i përsëritin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

Përkufizoni:

Ndërsa i përsëritni rregullisht parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore me klasën tuaj, Fryma e Shenjtë mund t’i ndihmojë nxënësit t’i kujtojnë dhe përdorin ato në kohë nevoje. Ju mund t’i ftoni nxënësit t’i përsëritin këto parime para se të tregoni skenarin ose ndërkohë që janë duke punuar me skenarët. Këto ftesa përfshijnë mundësinë që nxënësit të përsëritin të paktën një parim, udhëzime për sa kohë duhet ta përsëritin parimin dhe mundësinë që ata ta tregojnë atë që mësuan. Duke e bërë këtë, nxënësit do të jenë më në gjendje t’i përdorin parimet si pjesë e ushtrimit të vënies në zbatim.

Modeli:

Sot, ndërsa përsëritim parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore nga Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018), do të ndahemi në grupe me nga tre veta. Çdo grup do të përsëritë një parim të ndryshëm.

Shpenzoni tri deri në katër minuta për të lexuar dhe për t’u përgatitur për t’i treguar grupit tuaj një mënyrë se si parimi juaj mund ta ndihmojë dikë që po has një pyetje ose rrethanë të vështirë.

Ushtrohuni:

  1. Shkruani një ftesë për çdo nxënës që ta përsëritë një parim për marrjen e njohurisë shpirtërore.

  2. Ushtrohuni duke ia bërë ftesën një kolegu, pjesëtari të familjes ose miku.

Analizoni:

Ndërsa ushtroheni, çfarë po mësoni për rëndësinë e bërjes së një ftese të qartë e të qëllimtë për t’i përsëritur parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore?

Përfshini:

Shkruani një plan për t’i ftuar vazhdimisht nxënësit që t’i përsëritin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

Bëni pyetje që i ndihmojnë nxënësit të shprehin me fjalë se si tri parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore mund ta ndihmojnë dikë që po has një pyetje ose rrethanë të vështirë.

Përkufizoni:

Pasi nxënësit t’i përsëritin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe ta lexojnë skenarin e vënies në zbatim, bëjuni pyetje që i ftojnë të shprehin me fjalë se cilat parime mund të ndihmojnë në atë skenar. Pyetjet tuaja duhet:

  1. Të jenë të hapura.

  2. T’i ndihmojnë nxënësit t’i trajtojnë që të tri parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

  3. T’i lejojnë nxënësit të shprehen për atë që mendojnë dhe ndiejnë.

Ndërsa nxënësit kërkojnë t’u përgjigjen këtyre pyetjeve, ata do të jenë më të përgatitur për t’i përballuar me besim pyetjet dhe rrethanat në jetën e tyre.

Modeli:

Mos harroni që nxënësit i kanë përsëritur tashmë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe e kanë studiuar skenarin.

  • Cili parim i marrjes së njohurisë shpirtërore do t’ju ndihmonte në këtë skenar dhe përse?

  • Si mund t’ju ndihmojë ai parim kur hasni një pyetje si ajo në këtë skenar?

  • Si mendoni, në ç’mënyrë tjetër mund të jetë i dobishëm ky parim?

  • Si mund të jetë i dobishëm në këtë skenar një parim tjetër i marrjes së njohurisë shpirtërore?

Ushtrohuni:

Mos harroni që nxënësit i kanë përsëritur tashmë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe e kanë studiuar skenarin.

  1. Plotësojeni veprimtarinë vijuese me një person tjetër. Ju jeni mësuesi dhe personi tjetër është nxënësi juaj. Nxënësi juaj sapo ka përfunduar leximin dhe përsiatjen e skenarit në vijim. Bëjini nxënësit pyetjet te modeli dhe lejojeni të përgjigjet.

    Një nga miqtë e tu që nuk është besimtar, kohët e fundit pa dy misionarë që flisnin me disa njerëz në park. Miku yt të pyeti: “Pse misionarët e Kishës suaj dalin dhe predikojnë për Jezusin? Duket sikur po përpiqeni t’ua impononi bindjet tuaja njerëzve të tjerë. Pse nuk mund t’i lini ata të jenë të lumtur ashtu siç janë?”

  2. Shpenzoni pesë minuta dhe shkruani sa më shumë pyetje të mundeni për t’i ndihmuar nxënësit të shprehin me fjalë se si tri parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore mund t’i ndihmojnë ata dhe të tjerët për pyetjet ose rrethanat e vështira:

Analizoni:

Çfarë mund të ndodhë në jetën e nxënësve ndërsa shprehin me fjalë se si parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore mund t’i ndihmojnë ata dhe të tjerët kur hasin një pyetje ose rrethanë të vështirë?

Përfshini:

Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar nxënësit të shprehin me fjalë se si parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore mund t’i ndihmojnë ata dhe të tjerët kur hasin një pyetje ose rrethanë të vështirë?

Përfundimi

Përfytyroni se si nxënësit tuaj do të jenë në gjendje t’i trajtojnë pyetjet ose shqetësimet pas katër vjetëve të ushtrimit të zotërimit doktrinor. Në fillim, nxënësit do të kenë më shumë nevojë për ndihmë e përkrahje nga ju si mësues/e për t’i zbatuar parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrinën kundrejt situatave nga jeta reale. Gjithsesi, teksa vazhdoni ta vini në zbatim zotërimin doktrinor në klasën tuaj dhe t’u jepni nxënësve mundësi të rregullta për t’u ushtruar, vënia në zbatim e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore dhe të doktrinës do të bëhet diçka që nxënësit do ta bëjnë në mënyrë të natyrshme. Kjo është një mënyrë se si mund t’i ndihmoni nxënësit tuaj që ta ndërtojnë themelin e tyre në mënyrë të palëkundur mbi shkëmbin e Jezu Krishtit dhe të doktrinës së Tij. Ju lutemi, bëni gjithçka mundeni për t’i ndihmuar nxënësit tuaj t’i përmbushin rezultatet e zotërimit doktrinor.

Rasti për Studim

Përvoja e Anës me Zotërimin Doktrinor dhe Mënyrën se si Ai e Bekoi Jetën e Saj

Ana është nxënëse në vitin e parë të seminarit. Gjatë njërit prej mësimeve të para të vitit, asaj iu paraqitën zotërimi doktrinor dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Atë mbrëmje, nëna e Anës e pyeti: “Çfarë mësove në seminar sot?” Ana u përgjigj: “Folëm për zotërimin doktrinor”. Nëna më pas e pyeti: “Çfarë është zotërimi doktrinor?”

“Nuk jam shumë e sigurt. Do të mësojmë për shkrime të shenjta të caktuara. Folëm rreth mënyrave se si të mësojmë të vërtetën shpirtërore, por nuk mund të ta shpjegoj se si.”

Gjatë mësimit të parë të fragmentit të zotërimit doktrinor, klasa e Anës shpenzoi ca kohë për të përsëritur parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Kur mësuesi i kërkoi klasës që t’i përmblidhte këto parime, Ana nuk ishte e sigurt nëse ajo mund ta bënte këtë gjë. Ajo ishte mirënjohëse kur një nga shoqet e klasës u tregua e gatshme dhe dha një përmbledhje të mirë për parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Ana ndjeu se përmbledhja e shoqes së saj të klasës e rriti të kuptuarit e saj.

Në fund të semestrit, Ana bëri vlerësimin e zotërimit doktrinor. Asaj iu kërkua të përmblidhte parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe të tregonte për një rast kur ajo i kishte zbatuar ato parime në jetën e vet. Ajo nuk e pati të vështirë të bënte një përmbledhje; megjithatë, nuk mund të mendonte për një rast kur i kishte përdorur ato. Në fakt, e dinte se çfarë ishin, por ndiente se kishte nevojë për më shumë ushtrim që të ishte në gjendje t’i përdorte në jetën e vet.

Ana vazhdoi ta studionte zotërimin doktrinor çdo javë në seminar. Ajo kënaqej me mësimet dhe i pëlqente të punonte me skenarët e ndryshëm që e ndihmonin të ushtrohej duke përdorur parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Siguria e saj në aftësinë e vet për të ditur dhe shpjeguar shkrimet e shenjta u rrit, teksa mësonte përmendsh referencat e shkrimeve të shenjta dhe frazat kyç të shkrimeve të shenjta të zotërimit doktrinor. Përveç kësaj, ajo ndjeu një siguri të ëmbël se Ati i saj në Qiell ishte i kënaqur me përpjekjet e saj për ta mësuar zotërimin doktrinor. Ajo ndjeu dëshirën që ta vazhdonte këtë gjë dhe madje shpenzoi ca kohë vetë me programin kompjuterik Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor] përveç fragmenteve që ishin për t’u mësuar përmendsh në seminar.

Gjatë vitit të dytë të seminarit, Ana filloi t’i kuptonte më mirë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Ajo e pati më të lehtë të punonte me ushtrimin e skenarëve për vënien në zbatim, por ende nuk ishte tërësisht e sigurt se mund të punonte vetë me to. Ishte mirënjohëse që kishte ndihmën e mësuesit dhe shokëve e shoqeve të klasës. Ajo vazhdoi t’i mësonte përmendsh referencat e shkrimeve të shenjta dhe frazat kyç të shkrimeve të shenjta. Filloi të ndiente më shumë besim te vetja për të shpjeguar doktrinën e dhënë mësim te fragmentet. Kur ato fragmente diskutoheshin gjatë studimit të ungjillit në familje ose në kishë, Ana ndihej plot besim te vetja për të kontribuar në diskutim dhe ndiente dashurinë e Zotit kur e bënte këtë gjë.

Teksa Ana studioi zotërimin doktrinor gjatë vitit të tretë të seminarit, ajo pa një rritje domethënëse në aftësinë e saj për të ushtruar parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Kur një person që e njihte shtroi një pyetje rreth Kishës, Ana veproi me besim duke u mbështetur tek ajo që dinte, dhe kërkoi më shumë informacion duke përdorur burimet e caktuara në mënyrë hyjnore. Ende nuk ishte tërësisht gati për riformulimin e pyetjeve dhe shqetësimeve të ndryshme për t’i parë ato nga një këndvështrim i përjetshëm. Ishte e qartë për të se kishte nevojë për më shumë ushtrim në këtë fushë.

Anës vërtet i pëlqyen mësimet e zotërimit doktrinor gjatë vitit të saj të fundit në seminar. Ndjeu se ishte në gjendje t’i ndihmonte shokët dhe shoqet e klasës që të ushtronin përdorimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore. Iu kujtua se sa e vështirë ishte për të në fillim dhe ajo ishte e zellshme t’i ndihmonte shokët dhe shoqet e klasës që të ushtroheshin dhe të rriteshin në njohuri. Gjithashtu u ndje gjithnjë e më shumë me besim te vetja që ta shpjegonte doktrinën dhe ishte e lumtur që mund t’i përdorte shumë fragmente të ndryshme të shkrimeve të shenjta ngaqë i dinte përmendsh ato. U përmirësua aftësia e saj për t’i riformuluar çështjet dhe për t’i parë nga një këndvështrim i përjetshëm.

Pas diplomimit Ana u përball me një sprovë të sinqertë të besimit. Dikush që ajo e donte dhe i mirëbesonte, ia sfidoi besimin e saj te Jezu Krishti dhe Kisha e Tij e rivendosur. Fillimisht, Ana u befasua nga informacioni që iu paraqit. Sidoqoftë, teksa e mori parasysh çështjen plot lutje, ajo ndjeu se Shpirti i solli ngushëllim teksa iu kujtua çfarë mësoi nga zotërimi doktrinor në seminar. Ajo ishte në gjendje të vepronte me besim, t’i shihte problemet nga një këndvështrim i përjetshëm dhe të kërkonte kuptueshmëri të mëtejshme duke përdorur burimet e caktuara në mënyrë hyjnore. I erdhën në mendje shumë prej fragmenteve të shkrimeve të shenjta që i kishte mësuar përmendsh. Pas shumë studimi e lutjeje, ajo ndjeu paqe dhe rehati me njohurinë, përgjigjet dhe dëshminë më të madhe që kishte marrë.

Ana ishte mirënjohëse për përvojën e vet me zotërimin doktrinor në seminar. Ajo përvojë e ndihmoi të fitonte vetëbesim se mund të përballej me çfarëdo sulmi të ardhshëm ndaj besimit të saj dhe ta mposhtte atë.

  • Në çfarë mënyrash mendoni se nxënësit tuaj po përjetojnë përvoja të ngjashme me përvojën e Anës?

  • Çfarë mund të mësoni nga ky shembull që mund t’ju ndihmojë teksa ua jepni mësim zotërimin doktrinor nxënësve tuaj?