Mësime të Presidentëve
Kapitulli 17: Fuqia Vulosëse dhe Bekimet e Tempullit


Kapitulli 17

Fuqia Vulosëse dhe Bekimet e Tempullit

“Elija erdhi për të rivendosur në tokë … plotësinë e fuqisë së priftërisë. Kjo priftëri mban çelësat lidhës dhe vulosës në tokë dhe në qiell të të gjitha ordinancave dhe parimeve lidhur me shpëtimin e njeriut.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Në 1902-shin Jozef Filding Smith udhëtoi për në shtetin e Masaçusetsit, ku mundi të gjente informacion mbi paraardhësit e tij Smith. Ndërsa ishte atje, ai takoi një gjenealogjist të quajtur Sidni Perli. Z. Perli i tregoi atij: “Është ambicia ime, nëse mund ta bëj, që të kërkoj të dhënat e çdo individi të ardhur në Kontenë e Eseksit përpara vitit 1700”.

Presidenti Smith më vonë kujtonte: “I thashë: ‘Z. Perli, ju i keni caktuar vetes një punë të madhe, apo jo?’ Ai u përgjigj: ‘Po, dhe kam frikë se nuk do ta mbaroj kurrë’. Pastaj unë i thashë: ‘Përse po e bën këtë punë’? Ai mendoi një çast dhe pa pak si i hutuar dhe pastaj u përgjigj: ‘Nuk e di përse, por e kam filluar dhe nuk mund të ndalem’. Unë i thashë: ‘Unë mund t’jua them përse po e bëni këtë dhe përse nuk mund të ndaloni, por nëse do ta bëja, ju nuk do të më besonit dhe do të qeshnit me mua’.

‘Oh’, tha ai, ‘nuk e di. Nëse mund të ma tregosh, jam i sigurt se do të më interesojë.’ Pastaj unë i tregova për profecinë lidhur me Elijan dhe plotësimin e këtij premtimi për Profetin Jozef Smith dhe Oliver Kaudrin më 3 prill 1836, në Tempullin e Kirtlandit, dhe se si ky shpirt kërkimi kishte rrëmbyer shumë njerëz, dhe ata e drejtuan zemrën te kërkimi i të vdekurve në plotësim të këtij premtimi të madh që do të realizohej përpara ardhjes së dytë, kështu që toka nuk do të goditej me një mallkim. Tani fëmijët po i kthenin zemrat tek etërit e tyre, dhe ne po bënim punën e ordinancës për të vdekurit që ata të mund të gjenin shëlbim dhe të kishin privilegjin e ardhjes në mbretërinë e Perëndisë, edhe pse të vdekur.

Kur mbarova, ai qeshi dhe tha: ‘Është një histori shumë e bukur, por unë nuk i besoj’. Por përsëri ai pranonte se kishte diçka detyruese për të që ta vazhdonte këtë kërkim, dhe ai nuk mund të ndalej. Unë kam takuar shumë të tjerë që gjithashtu kishin filluar dhe nuk mund të ndaleshin, burra dhe gra që nuk janë anëtarë të Kishës. Kështu ne gjejmë sot mijëra burra dhe gra që kërkojnë të dhëna për të vdekurit. Ata nuk e dinë përse, por ndodh kështu që të mund t’i marrim këto të dhëna të mbledhura dhe të shkojmë në tempujt tanë dhe të bëjmë punën për të vdekurit tanë.”1

Presidenti Smith dha mësim se historia familjare është më shumë se gjetje emrash, datash e vendesh dhe mbledhje historish. Ajo ka të bëjë me sigurimin e ordinancave të tempullit që bashkojnë familje për përjetësi, vulosje njerëzish besnikë të të gjithë brezave si anëtarë të familjes së Perëndisë. “Prindërit duhet të jenë të vulosur me njëri-tjetrin dhe fëmijët me prindërit me qëllim që të marrin bekimet e mbretërisë çelestiale”, tha ai. “Prandaj shpëtimi dhe përparimi ynë varet nga shpëtimi i të vdekurve tanë të denjë me të cilët ne duhet të bashkohemi në lidhje familjare. Kjo mund të plotësohet vetëm në Tempujt tanë.”2 Përpara dhënies së lutjes përkushtuese në Tempullin e Ogdenit në Juta, ai tha: “Më lejoni t’ju kujtoj juve se kur përkushtojmë një shtëpi të Zotit, ajo që bëjmë në të vërtetë është që përkushtojmë veten në shërbim të Zotit, me një besëlidhje që do ta përdorim shtëpinë në mënyrën që Ai synon që ajo të përdoret”3.

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Elija rivendosi fuqinë për të vulosur apo lidhur, në tokë dhe në qiell.

Malakia, i fundit i profetëve të Dhiatës së Vjetër, i mbylli profecitë e tij me këto fjalë:

“Ja, unë do të dërgoj Elijan, profetin, përpara ardhjes së ditës së madhe dhe të llahtarshme të Zotit.

Ai do të bëjë që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve, me qëllim që vendi të mos goditet nga një shfarosje e plotë.” (Malakia 4:5–6.)

Duket të jetë shumë e goditur që i fundmi i profetëve të lashtë duhet t’i mbyllë fjalët e tij me një premtim për brezat e ardhshëm, dhe në atë premtim të parashikojë një kohë të ardhshme kur do të ketë një lidhje të periudhave ungjillore të kaluara me ato të kohëve të mëvonshme. …

Ne kemi një interpretim shumë më të qartë të fjalëve të Malakias dhënë nga profeti nefit Moroni, që iu shfaq Jozef Smithit më 21 shtator 1823. Kjo është mënyra se si i citoi engjëlli ato:

“Vini re, unë do t’ju zbuloj Priftërinë, nëpërmjet dorës së Elija profetit, përpara ardhjes së ditës së madhe dhe të tmerrshme të Zotit.

Dhe ai do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve dhe zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre.

Nëse nuk do të ishte kështu, gjithë toka do të shkatërrohej tërësisht në ardhjen e tij.” (DeB 2:1–3.)

Moroni e vuri në dijeni Jozef Smithin se parashikimi i tij do të përmbushej. Përmbushja erdhi rreth dymbëdhjetë vite më vonë, më 3 prill 1836. Në këtë ditë Elija iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit në Tempullin e Kirtlandit dhe atje atyre iu dha … fuqia për të lidhur apo vulosur në tokë dhe në qiell. Çelësat e kësaj priftërie mbaheshin nga Elija, të cilit Zoti i dha fuqi mbi natyrën si dhe mbi njerëzit, me autoritetin për të vulosur për kohën dhe përjetësinë në drejtësi të gjitha ordinancat lidhur me plotësinë e shpëtimit.4

Disa anëtarë të Kishës kanë qenë ngatërruar duke menduar se Elija erdhi me çelësat e pagëzimit për të vdekurit apo për shpëtimin për të vdekurit. Çelësat e Elijas qenë më të mëdhenj se aq. Ato qenë çelësat e vulosjes dhe ato çelësa të vulosjes lidhen me të gjallët dhe përfshijnë të vdekurit e gatshëm për t’u penduar.5

Elija erdhi për të rivendosur në tokë, duke u dhënë profetëve të vdekshëm të autorizuar siç duhet nga Zoti, plotësinë e fuqisë së Priftërisë. Kjo priftëri mban çelësat lidhës dhe vulosës në tokë dhe në qiell të të gjitha ordinancave dhe parimeve lidhur me shpëtimin e njeriut, që ata të mund të bëhen të vlefshëm kështu në mbretërinë çelestiale të Perëndisë. …

Është në saje të këtij autoriteti që ordinancat kryhen në tempuj edhe për të gjallët edhe për të vdekurit. Ai është fuqia që bashkon në përjetësi bashkëshortët dhe bashkëshortet kur ata hyjnë në martesë sipas planit të përjetshëm. Ai është autoriteti me anë të të cilit prindërit arrijnë kërkesën e prindërimit lidhur me fëmijët e tyre për të gjithë përjetësinë dhe jo vetëm për kohën, që e bën të përjetshme familjen në Mbretërinë e Perëndisë.6

2

Rivendosja e autoritetit vulosës e shpëton tokën nga të qenit tërësisht e shkatërruar me ardhjen e Jezu Krishtit.

Po të mos kishte ardhur Elija do mund të besonim se gjithë puna e epokave të kaluara do të kish vlejtur pak, sepse Zoti tha që e gjithë toka, në kushte të tilla, do të shkatërrohej tërësisht me ardhjen e Tij. Prandaj misioni i tij ishte me rëndësi të jashtëzakonshme për botën. Nuk është vetëm çështja e pagëzimit për të vdekurit, por gjithashtu vulosja e prindërve dhe fëmijëve me prindërit, në mënyrë që të jetë një “bashkim i plotë dhe i tërë, dhe i përsosur, dhe lidhja së bashku e periudhave të kujdestarisë dhe e çelësave, dhe e fuqive, dhe e lavdive”, nga fillimi deri në fund të kohës [shih DeB 128:18]. Nëse kjo fuqi vulosëse nuk do të ishte në tokë, atëherë do të mbretëronte çoroditja dhe rrëmuja do të zinte vendin e rregullit në atë ditë kur Zoti do të vijë, dhe, sigurisht, kjo nuk mund të ndodhë, sepse të gjitha gjërat sundohen dhe kontrollohen nga ligji i përsosur i mbretërisë së Perëndisë.7

Përse do të shkatërrohej toka? Thjesht sepse nëse nuk ka një lidhje të pandashme midis etërve dhe fëmijëve – që është puna për të vdekurit – atëherë ne të gjithë do jemi të flakur; e gjithë puna e Perëndisë do të dështojë dhe do të shkatërrohet tërësisht. Një gjendje e tillë, sigurisht, nuk do të ndodhë.8

Rivendosja e këtij autoriteti [vulosës] është majaja që e shpëton tokën nga një shkatërrim tërësor me ardhjen e Jezu Krishtit. Kur e rrënjosim këtë të vërtetë fort dhe qartë në mendjen tonë, është e lehtë të shohim se do të kishte vetëm pështjellim e shkatërrim nëse Krishti do të vinte dhe fuqia e vulosjes nuk do të jetë këtu.9

3

Për t’u përgatitur për shpëtim në plotësinë e tij, ne duhet t’i marrim ordinancat e tempullit me anë të fuqisë vulosëse.

Zoti na ka dhënë privilegje dhe bekime, dhe mundësinë të futemi në besëlidhje, duke marrë ordinancat që lidhen me shpëtimin tonë përtej asaj që predikohet në botë, përtej parimeve të besimit në Zotin Jezu Krisht, pendesën për mëkatin dhe pagëzimi për heqjen e mëkateve dhe vënien e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë; dhe këto parime e besëlidhje nuk merren askund tjetër përveçse në tempullin e Perëndisë.10

Puna e tempullit është ndërthurur në atë mënyrë me planin e shpëtimit që nuk mund të ekzistojnë njëra pa tjetrën. Me fjalë të tjera, nuk mund të ketë shpëtim atje ku nuk [ka] ordinanca tempulli që i përkasin posaçërisht tempullit.11

Ka mijëra shenjtorë të ditëve të mëvonshme që … duan të shkojnë në mbledhje, duan të paguajnë të dhjetën e tyre dhe të marrin pjesë në detyra të rregullta të Kishës, por ata nuk duket se e ndiejnë apo e kuptojnë rëndësinë e marrjes së bekimeve në tempullin e Zotit që do t’i çojë ata në ekzaltim. Kjo është diçka e çuditshme. Njerëzit duket se janë të kënaqur thjesht duke rrëshqitur pa përfituar nga mundësitë që u paraqiten dhe pa i marrë këto besëlidhje të nevojshme që do t’i kthejnë ata përsëri në praninë e Perëndisë si bij dhe bija.12

Nëse e doni shpëtimin në plotësi, që është ekzaltimi në mbretërinë e Perëndisë, … ju duhet të shkoni në tempullin e Zotit dhe t’i merrni këto ordinanca të shenjta që i përkasin asaj shtëpie, që nuk mund të merren gjetkë. Asnjë njeri nuk mund ta marrë i vetëm plotësinë e përjetësisë, të ekzaltimit; asnjë grua nuk do ta marrë atë bekim e vetme; por burri dhe gruaja, kur ata marrin fuqinë vulosëse në tempullin e Zotit, do të kalojnë në ekzaltim, dhe do të vazhdojnë të bëhen si Zoti. Dhe ky është fati i burrave, kjo është ajo që Zoti dëshiron për fëmijët e Tij.13

Shënim: Për të lexuar disa nga fjalët e Presidentit Smith për shpresën dhe premtimin ndaj njerëzve që nuk mund t’i marrin të gjitha ordinancat e tempullit gjatë jetës së tyre, shih kapitullin 15 në këtë libër.

4

Për shkak të fuqisë vulosëse, ne mund t’i kryejmë ordinancat shpëtuese për ata që kanë vdekur pa i marrë ato.

Cilët janë baballarët për të cilët flitet nga Malakia, dhe cilët janë fëmijët? Etërit janë paraardhësit tanë të vdekur që vdiqën pa privilegjin e marrjes së ungjillit, por që morën premtimin se koha do të vinte kur ai privilegj do t’u jepej. Fëmijët janë ata që jetojnë tani të cilët po i përgatisin të dhënat gjenealogjike dhe që po kryejnë ordinancat mëkëmbëse në tempuj.14

Pamja
A family at a computer.

Të gjithë anëtarët e familjes mund të marrin pjesë në punën për historinë familjare.

Elija erdhi, duke pasur çelësat e vulosjes dhe na është dhënë fuqia me anë të së cilës ne mund t’i ndihmojmë të vdekurit. Kjo fuqi vulosëse përfshin ata që kanë vdekur që janë të gatshëm të pendohen dhe të pranojnë ungjillin, të cilët vdiqën pa atë njohuri, po ashtu siç ndihmon ata që pendohen dhe që janë në jetë.15

Zoti ka shpallur që të gjithë fëmijët e tij shpirtërorë, çdo shpirt që ka jetuar apo që do të jetojë mbi tokë do të ketë një mundësi të qartë dhe të drejtë për të besuar dhe për t’iu bindur ligjeve të ungjillit të Tij të përjetshëm. Ata që e pranojnë ungjillin dhe jetojnë në harmoni me ligjet e tij, përfshirë pagëzimin dhe martesën çelestiale, do të kenë jetë të përjetshme.

Është e qartë se vetëm një pjesë e vogël e njerëzimit e ka dëgjuar deri tani fjalën e së vërtetës së zbuluar nga zëri i njërit prej shërbëtorëve të vërtetë të Zotit. Në urtësinë dhe drejtësinë e Zotit, të gjithë duhet të veprojnë kështu. Siç tha Pjetri:

“Për këtë në fakt, ungjilli u është predikuar edhe të vdekurve, që ata të gjykohen në mish sipas njerëzve, por të jetojnë në frymë sipas Perëndisë.” (1 Pjetrit 4:6.)

Ata që nuk e kanë rastin ta dëgjojnë mesazhin e shpëtimit në këtë jetë, por që do ta kishin pranuar me gjithë zemër po t’u ishte paraqitur një mundësi e tillë – ata do të jenë që do ta pranojnë atë në botën e shpirtrave; do të jenë ata për të cilët ne do të kryejmë ordinancat në tempujt; dhe do të jenë ata që me këtë mënyrë do të bëhen me ne trashëgues të shpëtimit dhe të jetës së përjetshme.16

Kthimi i zemrave të etërve drejt fëmijëve dhe të fëmijëve drejt etërve, është fuqia e shpëtimit për të vdekurit, me anë të punës mëkëmbëse që fëmijët mund të kryejnë për etërit e tyre dhe është në çdo kuptim e arsyeshme dhe e qëndrueshme. Unë kam dëgjuar të thuhet shumë herë nga ata që e kundërshtojnë këtë punë që është e pamundur për një person të jetë mëkëmbës për një tjetër. Ata që shprehen në këtë mënyrë e kapërcejnë faktin se e gjithë puna e shpëtimit është një punë përfaqësimi, Jezu Krishti që qëndron si pajtues, duke na shëlbuar nga vdekja, për çka ne nuk ishim përgjegjës, dhe gjithashtu duke na shëlbuar nga përgjegjësia për vetë mëkatet tona, me kusht që të pendohemi dhe të pranojmë ungjillin. Ai e ka bërë këtë në një shkallë pafundësisht të madhe dhe sipas të njëjtit parim ai e ka kaluar autoritetin tek anëtarët e Kishës së Tij për të vepruar për të vdekurit që nuk kanë mundësi t’i kryejnë ordinancat shpëtuese për veten.17

Unë mendoj se herë-herë ne shohim te kjo punë për shpëtimin e të vdekurve paksa ngushtë. Është një konceptim i gabuar të mendosh se njerëzit, për të cilët po bëjmë punë në tempullin e Zotit, janë të vdekur. Ne duhet të mendojmë për ta si të gjallë; dhe mëkëmbësi i gjallë vetëm i përfaqëson ata në marrjen e bekimeve që ata duhej t’i kishin marrë dhe do t’i kishin marrë në këtë jetë nëse do të kishin jetuar në një periudhë ungjillore. Prandaj çdo person i vdekur për të cilin bëhet punë në tempull konsiderohet si të jetë i gjallë në kohën kur jepet ordinanca.18

Kjo doktrinë e shpëtimit për të vdekurit është një nga parimet më të lavdishme që i është zbuluar ndonjëherë njeriut. Ajo është mënyra me të cilën ungjilli do t’u ofrohet të gjithë njerëzve. Ajo përbën faktin që Perëndia nuk tregohet i anshëm [shih Veprat e Apostujve 10:34]; që çdo shpirt është i çmuar përpara Tij; dhe se të gjithë njerëzit, në fakt dhe në të vërtetë, do të gjykohen sipas veprave të tyre.

Tani, unë falënderoj Zotin që Ai e rivendosi ungjillin e Tij të përjetshëm te ne në këtë ditë. Unë e falënderoj Atë për fuqinë vulosëse të kthyer në tokë nga Profeti Elija. Unë e falënderoj Atë për njësinë e familjes së përjetshme, për privilegjin që kemi të jemi të vulosur vetë në tempujt e tij të shenjtë, dhe për bërjen të mundshme pastaj që këto bekime vulosëse t’u jepen paraardhësve tanë që vdiqën pa një njohuri për ungjillin.19

5

Puna e historisë familjare dhe puna në tempull për të vdekurit janë punë dashurie.

Ka shumë shpirtra të mirë, të përulur që e kanë privuar veten nga rehatia dhe ndonjëherë nga nevojat e jetës, me qëllim që të mund të përgatisin të dhënat dhe të kryejnë punën për të vdekurit e tyre që atyre të mund t’u çohet dhurata e shpëtimit. Këto punë dashurie nuk do të shkojnë kot, sepse të gjithë ata që kanë punuar në këtë kauzë të mrekullueshme do ta gjejnë thesarin dhe pasuritë e tyre në mbretërinë çelestiale të Perëndisë. I madh do të jetë shpërblimi i tyre, po, madje përtej fuqisë së të vdekshmëve për të kuptuar.20

Nuk ka punë që lidhet me ungjillin që të jetë e një natyre më bujare sesa puna në Shtëpinë e Zotit, për të vdekurit. Ata që punojnë për të vdekurit nuk presin të marrin ndonjë pagesë apo shpërblim tokësor. Ajo është, mbi të gjitha, një punë dashurie, që lind në zemrën e njeriut nëpërmjet punës besnike dhe të përhershme në këto ordinanca shpëtimi. Nuk ka shpërblime financiare, por do të ketë gëzim të madh në qiell me ato shpirtra të cilët ne i kemi ndihmuar për shpëtimin e tyre. Është një punë që e rrit shpirtin e njeriut, zgjeron pamjen e tij lidhur me mirëqenien e bashkënjerëzve të tij dhe fut në zemrën e tij dashuri për të gjithë fëmijët e Atit tonë Qiellor. Nuk ka punë që të barazohet me atë në tempull për të vdekurit për ta mësuar një njeri që ta dojë të afërmin e tij si veten. Jezusi e deshi aq botën saqë ishte i gatshëm të ofronte veten e tij si flijim për mëkatet që bota të mund të shpëtohej. Ne gjithashtu kemi privilegjin, në një shkallë të vogël, të tregojmë dashurinë tonë të madhe për Të dhe bashkëqeniet tona duke i ndihmuar të kenë bekimet e ungjillit që tani ata nuk mund t’i marrin pa ndihmën tonë.21

6

Nëpërmjet punës për historinë familjare dhe punës në tempull, ne plotësojmë organizimin e familjes nga brezi në brez.

Doktrina e shpëtimit për të vdekurit dhe puna në tempull na ofron pamjen e lavdishme të vazhdimësisë së zbulesës familjare. Nëpërmjet saj mësojmë se lidhjet familjare nuk duhen prishur, se bashkëshortët dhe bashkëshortet do ta kërkojnë përjetësisht njëri-tjetrin dhe fëmijët e tyre deri në brezin më të fundit. Gjithsesi, me qëllim që të merren këto privilegje duhet që të sigurohen ordinancat vulosëse në tempullin e Perëndisë sonë. Të gjitha kontratat, lidhjet, detyrimet dhe marrëveshjet që bëhen nga njerëzit do të kenë një mbarim, por detyrimet dhe marrëveshjet që bëhen në shtëpinë e Zotit, nëse mbahen besnikërisht, do të vazhdojnë për gjithmonë [shih DeB 132:7]. Kjo doktrinë na jep një koncept të qartë për qëllimet e Zotit ndaj fëmijëve të Tij. Ajo tregon mëshirën dhe dashurinë e bollshme dhe të pakufizuar për të gjithë ata që i binden Atij, madje ata që janë rebelues, sepse në mirësinë e tij Ai do t’u japë bekime të mëdha edhe atyre.22

Ne jemi mësuar në ungjillin e Jezu Krishtit se organizimi familjar do të jetë, për sa i përket ekzaltimit çelestial, një gjë e plotë, një organizim i lidhur nga babai dhe nëna dhe fëmijët e një brezi me babanë dhe nënën dhe fëmijët e brezit tjetër, dhe kështu duke u zgjeruar e shtrirë deri fundin e kohës.23

Pamja
A father and son looking through a photo album at the Joseph Smith Memorial Building.

Fuqia vulosëse e priftërisë “bashkon në përjetësi bashkëshortët me bashkëshortet kur ata hyjnë në martesë sipas planit të përjetshëm”.

Duhet të ketë një shkrirje, një lidhje së bashku të brezave nga ditët e Adamit deri në fundin e kohës. Familjet do të jenë të bashkuara dhe lidhura së bashku, prindërit me fëmijët, fëmijët me prindërit, një brez me një tjetër, gjersa të jenë lidhur së bashku në një familje të madhe madhështore me atin tonë Adam në krye, ku Zoti e vendosi atë. Ndaj nuk mund të shpëtohemi e të ekzaltohemi në mbretërinë e Perëndisë veçse nëse kemi në zemër dëshirën për ta bërë këtë punë dhe ta kryejmë për aq sa është në fuqinë tonë në emër të të vdekurve tanë. Kjo është një doktrinë e lavdishme, një nga parimet e së vërtetës zbuluar nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Ne duhet të përfitojmë nga mundësitë tona dhe të vërtetojmë se jemi të denjë dhe të pranueshëm përpara Zotit, që të mund ta marrim këtë ekzaltim për vete, dhe të gëzohemi në mbretërinë e Perëndisë me të afërmit dhe miqtë tanë në këtë ribashkim dhe mbledhje të madhe të shenjtorëve të Kishës së të Të Parëlindurit, që e kanë mbajtur veten të lirë dhe të panjollosur nga mëkatet e botës.

Zoti na bekoftë dhe bëftë që të mund të kemi dëshirë në zemër për ta lartësuar thirrjen tonë dhe që t’i shërbejmë Atij me besnikëri në të gjitha këto gjëra; kjo është lutja ime.24

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Në pjesën “Nga Jeta e Jozef Filding Smith”, lexoni kështillën e Presidentit Smith rreth “asaj që bëjmë vërtet” në një përkushtim tempulli. Çfarë mund të bëjmë për ta ndjekur këtë këshillë?

  • Si lidhen mësimet e pjesës 1 me përpjekjet tona për t’i ndihmuar paraardhësit tanë që kanë vdekur? Si mund të lidhen këto mësime me marrëdhëniet tona me anëtarët e gjallë të familjes?

  • Ndërsa lexoni pjesën 2, kërkoni shpjegimin e Presidentit Smith për mënyrën se si fuqia vulosëse e “shpëton tokën nga të qenit tërësisht e shkatërruar me ardhjen e Jezu Krishtit”. Çfarë mësimi jep kjo mbi vendin që zë familja në planin e shpëtimit?

  • Në çfarë mënyrash puna e tempullit është “e ndërthurur me planin e shpëtimit”? (Shih pjesën 3.) Si mundet të ndikojë ky parim te ndjenjat tona rreth punës në tempull?

  • Presidenti Smith këshilloi që kur bëjmë punë në tempull për të vdekurit, ne duhet t’i mendojmë njerëzit si të ishin në jetë (shih pjesën 4). Çfarë do të thotë kjo për ju? Si mund të ndikojë kjo ide te mënyra se si shërbeni ju në tempull?

  • Ndërsa e rishikoni pjesën 5, kërkoni bekimet që Presidenti Smith tha se do t’u vijnë atyre që bëjnë punë për historinë familjare. Si e keni zbuluar që këto gjëra janë të vërteta?

  • Studiojeni pjesën 6 dhe përfytyroni përvojën e gëzimit me paraardhësit tuaj në një “ribashkim të madh”. Mendoni rreth asaj që mund të bëni për ta përgatitur veten dhe familjen tuaj për atë privilegj.

Shkrime të Shenjta Përkatëse

1 Korintasve 15:29; DeB 95:8; 97:15–16; 128:16–19

Ndihmë për Mësimdhënien

“Kur një individ bën një pyetje, merrni parasysh t’i ftoni të tjerët të përgjigjen në vend që të përgjigjeni ju vetë. Për shembull, ju mund të thoshit: ‘Kjo është një pyetje interesante. Çfarë mendojnë të tjerët?’ ose ‘A mundet dikush të ndihmojë me këtë pyetje?’” Teaching, No Greater Call [1999], f. 64).

Shënime

  1. Në Conference Report, prill 1948, f. 134.

  2. “Salvation for the Dead,” Improvement Era, shkurt 1917, f. 361; shih edhe Doctrines of Salvation, botim i Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 2:147.

  3. “Ogden Temple Dedicatory Prayer,” Ensign, mars 1972, f. 6.

  4. “The Coming of Elijah,” Ensign, janar 1972, f. 2, 5.

  5. “The Keys of the Priesthood Restored,” Utah Genealogical and Historical Magazine, korrik 1936, f. 100.

  6. “A Peculiar People: The Authority Elijah Restored,” Deseret News, 16 janar 1932, Church section, f. 8; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:117.

  7. “Salvation for the Living and the Dead,” Relief Society Magazine, dhjetor 1918, f. 677–678; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:121.

  8. Doctrines of Salvation, 2:122.

  9. “The Coming of Elijah,” f. 5.

  10. Në “Relief Society Conference Minutes,” Relief Society Magazine, gusht 1919, f. 466; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:40

  11. “One Hundred Years of Progress,” Liahona: The Elders’ Journal, 15 prill 1930, f. 520.

  12. “The Duties of the Priesthood in Temple Work,” Utah Genealogical and Historical Magazine, janar 1939, f. 4.

  13. “Elijah the Prophet and His Mission—IV,” Instructor, mars 1952, f. 67.

  14. “Salvation for the Dead,” Millennial Star, 8 dhjetor 1927, f. 775; shih edheDoctrines of Salvation, 2:127.

  15. “The Keys of the Priesthood Restored,” f. 101.

  16. Sealing Power and Salvation, Brigham Young University Speeches of the Year (12 janar 1971), f. 2–3; kursivet hequr.

  17. The Restoration of All Things (1945), f. 174–175.

  18. “The Keys of the Priesthood Restored,” f. 100–101.

  19. Sealing Power and Salvation, f. 3.

  20. “A Greeting,” Utah Genealogical and Historical Magazine, janar 1935, f. 5; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:180.

  21. “Salvation for the Dead,” Improvement Era, shkurt 1917, f. 362; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:144.

  22. “Salvation for the Dead,” Improvement Era, shkurt 1917, f. 362–363; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:173.

  23. Në Conference Report, prill 1942, f. 26; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:175.

  24. Në Conference Report, tetor 1911, f. 122.