Nefi i Tretë Libri i NefitI BIRI I NEFIT QË ISHTE I BIRI I HELAMANIT

Kapitulli 14

Jezusi urdhëron: Mos gjyko; pyet Perëndinë; ki mendjen nga profetët e rremë—Ai u premton shpëtim atyre që bëjnë vullnetin e Atit—Krahaso Mateu 7. Rreth 34 pas K.

  Dhe tani ndodhi që, pasi Jezusi tha këto fjalë, ai iu kthye përsëri turmës dhe hapi përsëri gojën duke thënë: Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve, Mos gjykoni, që të mos gjykoheni.

  Pasi, me çfarë gjykimi ju gjykoni, po me atë ju do të gjykoheni; dhe me çfarë mase ju matni, po me atë ju do të mateni përsëri.

  Dhe pse shikon qimen që është në sy të vëllait tënd, por nuk merr parasysh trarin që është në syrin tënd

  Ose, si mund t'i thuash vëllait tënd: Lermë të nxjerr qimen nga syri yt—dhe vër re, një tra është në syrin tënd.

  Ti hipokrit, nxirr së pari trarin nga syri yt; dhe atëherë do të shohësh qartas, që të nxjerrësh qimen nga syri i vëllait tënd.

  Mos u jep qenve atë që është e shenjtë, as mos i hidh margaritarët para derrave, që të mos i shkelin me këmbët e tyre dhe të kthehen kundër jush dhe t'ju çjerrin.

  Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju hapet.

  Pasi kushdo që të lypë, merr; dhe ai që kërkon, gjen; dhe atij që do të trokasë, do t'i hapet.

  Ose, cili burrë mes jush, në qoftë se i biri i kërkon bukë, do t'i japë një gur

  10 Ose, në qoftë se do t'i kërkojë një peshk, do t'i japë një gjarpër

  11 Atëherë në qoftë se ju që jeni të ligj, dini t'u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, sa më tepër do t'u japë Ati juaj që është në qiell, gjëra të mira atyre që ia kërkojnë atij

  12 Prandaj, të gjitha gjërat që do të dëshironi që t'jua bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, pasi ky është ligji dhe profetët.

  13 Hyni nëpërmjet portës së ngushtë; meqë e gjerë është porta dhe e gjerë është udha që të shpie në shkatërrim dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të;

  14 Sepse e ngushtë është porta dhe e ngushtë është udha që të shpie në jetë dhe të paktë janë ata që e gjejnë.

  15 Ruhuni nga profetët e rremë që vijnë te ju të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq të uritur.

  16 Ju do t'i njihni ata nga frytet e tyre. A vjelin njerëzit rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat

  17 Madje kështu, çdo pemë e mirë jep frut të mirë; por një pemë e prishur, jep frut të lig.

  18 Një pemë e mirë nuk mund të japë frut të lig, as një pemë e prishur të japë frut të mirë.

  19 Çdo pemë që nuk jep frut të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr.

  20 Prandaj, nga frytet e tyre ju do t'i njihni ata.

  21 Jo çdo njeri që do të thotë: Zot, Zot, do të hyjë në mbretërinë e qiellit; por ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiell.

  22 Shumë do të më thonë atë ditë: Zot, Zot, a nuk kemi profetizuar në emrin tënd dhe në emrin tënd a nuk kemi dëbuar djaj, dhe në emrin tënd, a s'kemi bërë shumë punë të mrekullueshme

  23 Dhe atëherë unë do t'u them atyre: Unë nuk ju kam njohur kurrë; ikni prej meje, ju që bëni paudhësi.

  24 Prandaj, kushdo që i dëgjon këto fjalët e mia dhe i bën ato, unë do ta krahasoj me një njeri të urtë që ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi një shkëmb—

  25 Dhe shiu ra dhe përmbytjet erdhën, dhe erërat frynë e u përplasën mbi atë shtëpi; dhe ajo nuk ra, pasi qe ndërtuar mbi një shkëmb.

  26 Dhe çdo njeri që i dëgjon këto fjalët e mia dhe nuk i vë në zbatim, do t'i ngjajë një të marri që ka ndërtuar shtëpinë e tij në rërë—

  27 Dhe shiu ra dhe përmbytjet erdhën, dhe erërat frynë e u përplasën mbi atë shtëpi; dhe ajo ra dhe e madhe qe rënia e saj.