Seksioni 106

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, më 25 nëntor 1834 (History of the Church, 2:170–171). Kjo zbulesë i drejtohet Warren A. Cowdery-t, një vëllai më të madh të Oliver Cowdery-t.

1–3, Warren A. Cowdery thirret si udhëheqës kryesues lokal; 4–5, Ardhja e Dytë nuk do t’i befasojë fëmijët e dritës si një hajdut; 6–8, Bekime të mëdha ndjekin shërbimin besnik në Kishë.

  ËSHTË vullneti im që shërbëtori im Warren A. Cowdery duhet të caktohet dhe shugurohet një prift i lartë kryesues mbi kishën time, në tokën e Lirisë dhe krahinat përreth;

  Dhe duhet të predikojë ungjillin tim të përjetshëm dhe ta ngrejë zërin e tij e t’i paralajmërojë njerëzit, jo vetëm në vendin e tij, por në kontetë rrethuese;

  Dhe ta përkushtojë tërë kohën e tij në këtë thirrje të lartë e të shenjtë, të cilën unë tani ia jap atij, duke kërkuar me zell mbretërinë e qiellit dhe drejtësinë e saj, dhe të gjitha gjërat e nevojshme do t’u shtohen atyre; sepse punëtori është i denjë për shpërblimin e tij.

  Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, ardhja e Zotit po afrohet dhe ajo e befason botën si një hajdut nëpër natë—

  Si rrjedhim, ngjishini ijët tuaja, që ju të mund të jeni fëmijët e dritës dhe që dita të mos ju befasojë si një hajdut.

  Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, pati gëzim në qiell kur shërbëtori im Warren iu përkul skeptrit tim dhe e veçoi veten nga dredhitë e njerëzve;

  Si rrjedhim, bekuar qoftë shërbëtori im Warren, sepse unë do të kem mëshirë për të; dhe, pavarësisht nga kotësia e zemrës së tij, unë do ta ngre atë, për aq sa ai do të përulet përpara meje.

  Dhe unë do t’i jap hir dhe siguri kudo që të ndodhet; dhe nëse ai vazhdon të jetë një dëshmitar besnik dhe një dritë për kishën, unë kam përgatitur një kurorë për të në ndërtesat e Atit tim. Madje kështu. Amen.