Seksioni 108

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, më 26 dhjetor 1835 (History of the Church, 2:345). Ky seksion u mor me kërkesën e Lyman Sherman-it, i cili më parë ishte shuguruar një prift i lartë dhe një i shtatëdhjetë dhe i cili kishte ardhur te Profeti me një kërkesë për një zbulesë që t’i bënte të ditur detyrën e tij.

1–3, Lyman Sherman-i falet për mëkatet e tij; 4–5, Ai duhet të numërohet me pleqtë udhëheqës të Kishës; 6–8, Ai thirret për të predikuar ungjillin dhe për t’i forcuar vëllezërit e tij.

  NË të vërtetë kështu të thotë Zoti ty, shërbëtorit tim Lyman: Mëkatet e tua të janë falur, ngaqë i je bindur zërit tim duke ardhur këtu, këtë mëngjes, për të marrë këshillë prej atij që unë kam caktuar.

  Si rrjedhim, shpirti yt duhet të jetë në paqe lidhur me gjendjen tënde shpirtërore dhe të mos i kundërvihet më zërit tim.

  Dhe ngrihu dhe ji më i kujdesshëm që tani e tutje në mbajtjen e betimeve të tua, që i ke bërë e i bën, dhe ti do të bekohesh me bekime tepër të mëdha.

  Prit me durim derisa kuvendi solemn do të thirret prej shërbëtorëve të mi, atëherë ti do të kujtohesh me të parët e pleqve të mi dhe do të marrësh të drejtë nëpërmjet shugurimit me pjesën e mbetur të pleqve të mi, të cilët unë i kam zgjedhur.

  Vër re, ky është premtimi i Atit për ty, në qoftë se vazhdon të jesh besnik.

  Dhe do të përmbushet për ty në atë ditë, që ti do të kesh të drejtë të predikosh ungjillin tim kudo që do të të dërgoj që tani e tutje.

  Si rrjedhim, forcoji vëllezërit e tu në gjithë bisedën tënde, në gjithë lutjet e tua, në gjithë këshillat e tua dhe në gjithë veprimet e tua.

  Dhe vër re dhe shih, unë jam me ty për të të bekuar dhe për të të çliruar përgjithmonë. Amen.