Seksioni 110

Vegime të dhëna Joseph Smith Profetit dhe Oliver Cowdery-t në tempullin e Kirtland-it, Ohio, më 3 prill 1836 (History of the Church, 2:435–436). Rasti ishte ai i një mbledhjeje në ditën e Shabatit. Profeti e fillon analin e tij për këto manifestime me këto fjalë: “Pasdite, unë ndihmova presidentët e tjerë në shpërndarjen e Darkës së Zotit Kishës, duke e marrë atë nga të Dymbëdhjetët, privilegji i të cilëve ishte të vepronin te tavolina e shenjtë këtë ditë. Pasi ua kisha kryer këtë shërbim vëllezërve të mi, unë u tërhoqa te katedra, velat duke qenë të lëshuara, dhe unë u përkula, me Oliver Cowdery-n, në lutje solemne dhe të heshtur. Pasi u ngritëm nga lutja, vegimi që pason u hap përpara nesh” (History of the Church, 2:435).

1–10, Zoti Jehova shfaqet në lavdi dhe e pranon tempullin e Kirtland-it si shtëpinë e tij; 11–12, Moisiu dhe Eliasi secili shfaqen dhe dorëzojnë çelësat dhe periudhat e tyre të kujdestarisë; 13–16, Elija kthehet dhe dorëzon çelësat e periudhës së tij të kujdestarisë, sikurse u premtua nga Malakia.

  VELI u hoq nga mendjet tona dhe sytë e të kuptuarit tonë u hapën.

  Ne pamë Zotin duke qëndruar mbi pjesën e sipërme të katedrës, përpara nesh; dhe nën këmbët e tij ishte një dysheme e punuar prej ari të pastër, me ngjyrë qelibari.

  Sytë e tij ishin si flakë zjarri; dhe flokët e kokës së tij ishin të bardhë si dëborë e pastër; fytyra e tij shkëlqente më shumë se ndriçimi i diellit; dhe zëri i tij ishte si tingulli i rrjedhjes së shumë ujërave, madje zëri i Jehovës, duke thënë:

  Unë jam i pari dhe i fundit; unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra; unë jam avokati juaj me Atin.

  Vini re, mëkatet tuaja ju janë falur; ju jeni të pastër përpara meje; si rrjedhim, ngrini kokat tuaja dhe gëzohuni.

  Zemrat e vëllezërve tuaj duhet të gëzohen dhe zemrat e gjithë njerëzve të mi duhet të gëzohen, të cilët, me fuqinë e tyre, kanë ndërtuar këtë shtëpi për emrin tim.

  Sepse, vini re, unë e kam pranuar këtë shtëpi dhe emri im do të jetë këtu; dhe unë do t’i manifestohem popullit tim në mëshirë në këtë shtëpi.

  Po, unë do t’u shfaqem shërbëtorëve të mi dhe do t’u flas me zërin tim, në qoftë se populli im do t’i zbatojë urdhërimet e mia dhe nuk do ta ndotë këtë shtëpi të shenjtë.

  Po, zemrat e mijërave dhe qindra mijërave do të gëzohen së tepërmi si pasojë e bekimeve që do të derdhen dhe e dhurimit me të cilin shërbëtorët e mi janë dhuruar në këtë shtëpi.

  10 Dhe fama e kësaj shtëpie do të përhapet në toka të huaja; dhe ky është fillimi i bekimit që do të derdhet mbi kokat e popullit tim. Madje kështu. Amen.

  11 Pasi ky vegim u mbyll, qiejt u hapën përsëri mbi ne; dhe Moisiu u shfaq përpara nesh dhe na dorëzoi çelësat e mbledhjes së Izraelit nga të katër cepat e tokës dhe të udhëheqjes së dhjetë fiseve nga toka e veriut.

  12 Pas kësaj, Eliasi u shfaq dhe dorëzoi periudhën e kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit, duke thënë se në ne dhe në farën tonë gjithë brezat pas nesh do të bekoheshin.

  13 Pasi ishte mbyllur ky vegim, një tjetër vegim i madh e i lavdishëm u derdh mbi ne; sepse Elija profeti, i cili ishte marrë në qiell pa shijuar vdekjen, qëndroi përpara nesh dhe tha:

  14 Vini re, ka ardhur plotësisht koha, që ishte folur nga goja e Malakias, duke dëshmuar që ai [Elija] do të dërgohej, përpara se dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit të vinte—

  15 Për t’i kthyer zemrat e etërve tek fëmijët dhe të fëmijëve tek etërit, përndryshe tërë toka do të goditej me një mallkim—

  16 Si rrjedhim, çelësat e kësaj periudhe të kujdestarisë jepen në duart tuaja; dhe me anë të kësaj ju mund të dini se dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit është pranë, madje te dyert.