Seksioni 118

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Far West, Missouri, më 8 korrik 1838, në përgjigje të përgjërimit: “Tregona vullnetin tënd, O Zot, lidhur me të Dymbëdhjetët” (History of the Church, 3:46).

1–3, Zoti do të sigurojë për familjet e të Dymbëdhjetëve; 4–6, Vendet bosh në të Dymbëdhjetët mbushen.

  NË të vërtetë, kështu thotë Zoti: Një konferencë duhet të organizohet menjëherë; të Dymbëdhjetët duhet të organizohen; dhe burra duhet të caktohen për të zënë vendin e atyre që kanë braktisur.

  Shërbëtori im Thomas duhet të mbetet për një stinë në tokën e Sionit, për të botuar fjalën time.

  Pjesa e mbetur duhet të vazhdojë të predikojë që nga ajo kohë dhe, në qoftë se ata do ta bëjnë këtë me gjithë përuljen e zemrës, në butësi dhe përulësi e durim, unë, Zoti, u jap një premtim, se unë do të siguroj për familjet e tyre; dhe një derë frytdhënëse do të hapet për ta, që nga ky çast e më pas.

  Dhe pranverën që vjen ata duhet të nisen për të shkuar përtej ujërave të mëdha dhe atje të shpallin ungjillin tim, plotësinë e tij, dhe të japin dëshmi për emrin tim.

  Ata duhet të largohen nga shenjtorët e mi në qytetin e Far West-it, në ditën e njëzetegjashtë të prillit të ardhshëm, në vendin e ndërtimit të shtëpisë sime, thotë Zoti.

  Shërbëtori im John Taylor dhe gjithashtu shërbëtori im John E. Page, dhe gjithashtu shërbëtori im Wilford Woodruff, dhe gjithashtu shërbëtori im Willard Richards duhet të caktohen për të zënë vendet e atyre që kanë braktisur dhe të lajmërohen zyrtarisht për caktimin e tyre.