Seksioni 124

Zbulesë dhënë Joseph Smith Profetit, në Nauvoo, Illinois, më 19 janar 1841 (History of the Church, 4:274–286). Për shkak të përndjekjeve në rritje dhe procedurave ilegale kundër tyre nga udhëheqësit qeveritarë, Shenjtorët ishin detyruar të linin Missouri-n. Urdhëri i shfarosjes i lëshuar nga Lilburn W. Boggs-i, guvernatori i Missouri-t, i datës 27 tetor 1838, i kishte lënë ata pa asnjë zgjedhje tjetër (History of the Church, 3:175). Në 1841, kur kjo zbulesë u dha, qyteti i Nauvoo-së, që zinte vendin e fshatit të mëparshëm të Commerce-t, Illinois, ishte ndërtuar nga Shenjtorët dhe atje ishin ngritur zyrat qendrore të Kishës.

1–14, Joseph Smith-i urdhërohet t’i bëjë një shpallje solemne të ungjillit presidentit të Shteteve të Bashkuara, guvernatorëve dhe sundimtarëve të tjerë të kombeve; 15–21, Hyrum Smith, David W. Patten, Joseph Smith Plaku dhe të tjerë mes të gjallëve dhe të vdekurve bekohen për integritetin dhe virtytet e tyre; 22–28, Shenjtorët urdhërohen të ndërtojnë si një shtëpi për të mbajtur të huajt, ashtu dhe një tempull në Nauvoo; 29–36, Pagëzimet për të vdekurit duhet të kryhen në tempuj; 37–44, Njerëzit e Zotit gjithmonë ndërtojnë tempuj për kryerjen e ordinancave të shenjta; 45–55, Shenjtorët shfajësohen nga ndërtimi i tempullit në kontenë Jackson për shkak të shtypjes nga armiqtë e tyre; 56–83, Udhëzime jepen për ndërtimin e Shtëpisë së Nauvoo-së; 84–96, Hyrum Smith thirret të jetë patriark, për të marrë çelësat dhe për të qëndruar në vend të Oliver Cowdery-t; 97–122, William Law dhe të tjerë këshillohen në punët e tyre; 123–145, Drejtues të përgjithshëm dhe lokalë emërohen, së bashku me detyrat dhe lidhjet e tyre të kuorumeve.

  NË të vërtetë, kështu të thotë Zoti ty, shërbëtori im Joseph Smith, unë jam mjaft i kënaqur me ofertën dhe mirënjohjet e tua, të cilat ti i ke bërë; sepse për këtë qëllim të kam ngritur, që unë të mund të tregoj urtësinë time nëpërmjet gjërave të dobëta të tokës.

  Lutjet e tua janë të pranueshme përpara meje; dhe në përgjigje të tyre unë të them se ti je thirrur tani, menjëherë, për të bërë një shpallje solemne për ungjillin tim dhe për këtë kunj, të cilin e kam mbjellë të jetë një gurthemeli i Sionit, i cili do të shkëlqehet me përpunimin që është sipas ngjashmërisë së një pallati.

  Kjo shpallje do t’u bëhet gjithë mbretërve të botës, në të katër anët e saj, të nderuarit president të zgjedhur dhe guvernatorëve të virtytshëm të kombit në të cilin ju jetoni, dhe gjithë kombeve të tokës të përhapura në të.

  Duhet të shkruhet në shpirtin e zemërbutësisë dhe me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, që do të jetë në ty në kohën e shkrimit të saj;

  Sepse do të të jepet me anë të Frymës së Shenjtë të dish vullnetin tim lidhur me ata mbretër dhe autoritete, madje çfarë do t’u ndodhë atyre në një kohë që do të vijë.

  Sepse, vër re, unë jam gati t’u kërkoj atyre t’ia vënë veshin dritës dhe lavdisë së Sionit, sepse koha e caktuar ka ardhur për t’u sjellë me mirësi me të.

  Si rrjedhim, bëju ti thirrje atyre me një shpallje të fortë dhe me dëshminë tënde, duke mos i patur frikë, sepse janë si bari dhe gjithë lavdia e tyre si lulja e tij që bie shpejt, që ata të lihen gjithashtu pa asnjë justifikim—

  Dhe që unë të mund t’i vizitoj ata në ditën e vizitës sime; kur unë do ta zbuloj fytyrën prej mbulesës sime, për të caktuar pjesën e shtypësit mes hipokritëve, ku ka kërcëllitje dhëmbësh, në qoftë se ata i mohojnë shërbëtorët e mi dhe dëshminë time të cilën ua kam zbuluar atyre.

  Dhe përsëri, unë do t’i vizitoj dhe do t’i zbus zemrat e tyre, shumë prej tyre për të mirën tuaj, që ju të mund të gjeni hir në sytë e tyre, që ata të mund të vijnë tek drita e së vërtetës dhe Johebrenjtë tek ekzaltimi ose lartësimi i Sionit.

  10 Sepse dita e vizitës sime vjen me të shpejtë, në një orë kur s’e mendoni; dhe ku do të jetë siguria e popullit tim dhe strehimi për ata që do të kenë mbetur prej tyre

  11 Zgjohuni, O mbretër të tokës! Ejani, O, ejani, me arin tuaj dhe argjendin tuaj, në ndihmë të popullit tim, në shtëpinë e bijave të Sionit.

  12 Dhe përsëri, në të vërtetë unë të them, shërbëtori im Robert B. Thomson duhet të të ndihmojë ta shkruash këtë shpallje, sepse unë jam tepër i kënaqur me të dhe se ai duhet të jetë me ty;

  13 Ai duhet, si rrjedhim, t’i bindet këshillës tënde dhe unë do ta bekoj me një shumëllojshmëri bekimesh; ai duhet të jetë besnik dhe i vërtetë në të gjitha gjërat që tani e tutje dhe do të bëhet i madh në sytë e mi;

  14 Por ai duhet të kujtojë se kujdestaria e tij do të kërkohet nga duart e tij.

  15 Dhe përsëri, në të vërtetë unë të them ty, bekuar qoftë shërbëtori im Hyrum Smith; sepse unë, Zoti, e dua atë për shkak të integritetit të zemrës së tij dhe ngaqë ai e do atë që është e drejtë përpara meje, thotë Zoti.

  16 Përsëri, shërbëtori im John C. Bennett duhet të të ndihmojë ty në detyrën tënde, në dërgimin e fjalës sime mbretërve e popujve të tokës, dhe të qëndrojë pranë teje, madje pranë teje shërbëtori im Joseph Smith, në orën e mundimit; dhe shpërblimi i tij nuk do të humbasë, në qoftë se ai e pranon këshillën.

  17 Dhe për shkak të dashurisë së tij, ai do të jetë i madh, sepse do të jetë i imi, nëse e bën këtë, thotë Zoti. Unë e kam parë punën që ai ka bërë, të cilën e pranoj nëse vazhdon, dhe atë do ta kurorëzoj me bekime dhe lavdi të madhe.

  18 Dhe përsëri, unë të them se shërbëtori im Lyman Wight duhet të vazhdojë të predikojë për Sionin, në shpirtin e zemërbutësisë, duke i rrëfyer botës për mua; dhe unë do ta ngre atë si mbi krahët e shqiponjave; dhe ai do të marrë lavdi e nder për vete dhe për emrin tim.

  19 Që, kur ai ta mbarojë punën e tij, unë të mund ta marr atë pranë meje, madje sikurse bëra me shërbëtorin tim David Patten, që është me mua tani, dhe gjithashtu me shërbëtorin tim Edward Partridge, dhe gjithashtu me shërbëtorin tim të moshuar Joseph Smith Plakun, i cili rri ulur me Abrahamin në të djathtën e tij dhe i bekuar e i shenjtë është ai, sepse është i imi.

  20 Dhe përsëri, në të vërtetë unë të them ty, shërbëtori im George Miller është pa mashtrim; atij mund t’i besohet për shkak të integritetit të zemrës së tij; dhe për dashurinë që ai ka për dëshminë time, unë, Zoti, e dua atë.

  21 Si rrjedhim, unë të them, unë vulos mbi kokën e tij detyrën e një këshilltari të peshkopit, sikurse mbi shërbëtorin tim Edward Partridge, që ai të mund të marrë përkushtimet e shtëpisë sime, që ai të mund të administrojë bekime mbi kokat e të varfërve të popullit tim, thotë Zoti. Askush nuk duhet ta përbuzë shërbëtorin tim George, sepse ai do të më nderojë mua.

  22 Shërbëtori im George dhe shërbëtori im Lyman, dhe shërbëtori im John Snider, dhe të tjerët duhet t’i ndërtojnë një shtëpi emrit tim, një të tillë siç do t’ua tregojë shërbëtori im Joseph, në vendin që ai do t’ua tregojë gjithashtu.

  23 Dhe do të jetë për një shtëpi për banim, një shtëpi në të cilën të huajt mund të vijnë nga larg për të banuar; prandaj ajo duhet të jetë një shtëpi e mirë, e denjë për t’u pranuar plotësisht, që udhëtari i lodhur të mund të gjejë shëndet dhe siguri, ndërkohë që do të soditë fjalën e Zotit; dhe gurthemelin që unë kam caktuar për Sionin.

  24 Kjo shtëpi do të jetë një vendbanim i shëndetshëm, në qoftë se ndërtohet në emrin tim dhe në qoftë se administratori që caktohet në të, nuk do të lejojë të hyjë në të ndonjë papastërti. Ajo do të jetë e shenjtë ose Zoti, Perëndia juaj, nuk do të banojë në të.

  25 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, të gjithë shenjtorët e mi duhet të vijnë nga larg.

  26 Dhe dërgoni lajmëtarë të shpejtë, po, lajmëtarë të zgjedhur dhe u thoni atyre: Ejani me gjithë floririn tuaj dhe argjendin tuaj, dhe gurët tuaj të çmuar, dhe me gjithë gjërat tuaja antike; dhe me gjithë ata që kanë njohuri për gjërat antike, të cilët dëshirojnë të vijnë, mund të vijnë, dhe të sjellin bush dhe bredh, dhe pishë, së bashku me të gjitha pemët e çmuara të tokës;

  27 Dhe me hekur, me bakër dhe me tunxh, dhe me zink, dhe me gjithë gjërat tuaja të çmuara të tokës; dhe i ndërtoni një shtëpi emrit tim, që Më i Larti të banojë atje.

  28 Sepse nuk ka një vend që gjendet mbi tokë, ku ai të mund të vijë dhe të rivendosë përsëri atë që u humb për ju, ose që ai e ka larguar, madje plotësinë e priftërisë.

  29 Sepse nuk ka një vaskë pagëzimi mbi tokë, që ata, shenjtorët e mi, të mund të pagëzohen për ata që kanë vdekur—

  30 Sepse kjo ordinancë i përket shtëpisë sime dhe nuk mund të jetë e pranueshme nga unë, përveçse në ditët e varfërisë suaj, gjatë të cilave ju nuk jeni në gjendje të më ndërtoni një shtëpi.

  31 Por unë ju urdhëroj juve, gjithë juve, shenjtorëve të mi, të më ndërtoni një shtëpi; dhe unë ju jap kohë të mjaftueshme për të më ndërtuar një shtëpi; dhe gjatë kësaj kohe pagëzimet tuaja do të jenë të pranueshme për mua.

  32 Por vini re, në fund të kësaj detyre të caktuar pagëzimet tuaja për të vdekurit tuaj nuk do të pranohen prej meje; dhe nëse nuk i bëni këto gjëra në fund të detyrës së caktuar, ju do të mohoheni si kishë, së bashku me të vdekurit tuaj, thotë Zoti, Perëndia juaj.

  33 Sepse, në të vërtetë, unë ju them se pasi të keni patur kohë të mjaftueshme për të më ndërtuar një shtëpi, së cilës i përket ordinanca e pagëzimit për të vdekurit dhe për të cilën ajo u krijua që përpara krijimit të botës, pagëzimet tuaja për të vdekurit nuk mund të jenë të pranueshme për mua;

  34 Sepse në të shugurohen çelësat e priftërisë së shenjtë; që ju të merrni nder dhe lavdi.

  35 Dhe pas kësaj kohe pagëzimet tuaja për të vdekurit, prej atyre që janë të shpërndarë larg, nuk janë të pranueshme nga unë, thotë Zoti.

  36 Sepse shugurohet që në Sion e në kunjat e tij dhe në Jeruzalem, ato vende që i kam caktuar për strehim, do të jenë vendet për pagëzimet tuaja për të vdekurit.

  37 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, si do të jenë larjet tuaja të pranueshme për mua, në qoftë se ju nuk i kryeni ato në një shtëpi që e keni ndërtuar për emrin tim

  38 Sepse, për këtë shkak, unë e urdhërova Moisiun, se duhej të ndërtonte një tabernakull që ta merrnin me vete në shkretëtirë dhe të ndërtonin një shtëpi në tokën e premtimit, që të mund të zbuloheshin ato ordinanca që ishin fshehur që përpara se bota të krijohej.

  39 Si rrjedhim, në të vërtetë unë ju them se vajosjet tuaja dhe larjet tuaja, dhe pagëzimet tuaja për të vdekurit, dhe ceremonitë tuaja përkujtimore për sakrificat tuaja me anë të bijve të Levit, dhe për orakujt tuaj në vendet tuaja më të larta, në të cilat ju merrni bashkëbisedime, dhe statutet e gjykimet tuaja, për fillimin e zbulesave dhe themelimin e Sionit, dhe për lavdinë, nderin dhe dhurimin e të gjithë banorëve të tij, shugurohen me anë të ordinancës së shtëpisë sime të shenjtë, të cilën njerëzit e mi gjithmonë urdhërohen ta ndërtojnë për emrin tim të shenjtë.

  40 Dhe në të vërtetë unë ju them, kjo shtëpi duhet të ndërtohet për emrin tim, që unë të mund t’ia zbuloj ordinancat e mia popullit tim në të;

  41 Sepse unë e mendoj të përshtatshme t’ia zbuloj kishës sime gjërat që janë mbajtur të fshehura përpara themelimit të botës, gjëra të cilat lidhen me periudhën e plotësisë së kohëve.

  42 Dhe unë do t’i tregoj shërbëtorit tim Joseph të gjitha gjërat lidhur me këtë shtëpi dhe priftërinë e saj, dhe vendin ku do të ndërtohet.

  43 Dhe ju do ta ndërtoni atë në vendin ku e keni menduar ta ndërtoni, sepse ai është vendi që kam zgjedhur për ju ta ndërtoni.

  44 Në qoftë se punoni me gjithë fuqinë tuaj, unë do ta përkushtoj atë vend që të bëhet i shenjtë.

  45 Dhe nëse njerëzit e mi do t’i binden zërit tim dhe zërit të shërbëtorëve të mi të cilët i kam caktuar ta udhëheqin popullin tim, vini re, në të vërtetë unë ju them, ata nuk do të nxirren jashtë vendit të tyre.

  46 Por nëse nuk do t’i binden zërit tim, as zërit të këtyre burrave që unë i kam caktuar, ata nuk do të bekohen, sepse e ndotin tokën time të shenjtë dhe ordinancat e mia të shenjta, dhe kartat, dhe fjalët e mia të shenjta të cilat unë ua jap.

  47 Dhe do të ndodhë që, nëse ju ndërtoni një shtëpi për emrin tim dhe nuk i bëni gjërat që them, unë nuk do ta kryej betimin që ju bëj, as nuk do t’i përmbush premtimet që i prisni nga dora ime, thotë Zoti.

  48 Sepse në vend të bekimeve, po, me anë të vetë punëve tuaja, sillni mallkime, zemërim, indinjatë dhe gjykime mbi vetë kokat tuaja, me anë të marrëzive tuaja dhe me anë të fëlliqësive tuaja, të cilat i ushtroni përpara meje, thotë Zoti.

  49 Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them se, kur i jap një urdhërim ndonjërit prej bijve të njerëzve për të bërë një punë në emrin tim dhe ata bij të njerëzve punojnë me gjithë fuqinë e tyre dhe me gjithçka kanë për ta kryer atë punë dhe nuk e pushojnë zellin e tyre, dhe armiqtë e tyre vijnë mbi ta dhe i pengojnë nga kryerja e asaj pune, vini re, mua nuk më duhet më ta kërkoj atë punë nga duart e atyre bijve të njerëzve, por t’i pranoj ofertat e tyre.

  50 Dhe paudhësia dhe shkelja e ligjeve dhe urdhërimeve të mia të shenjta do t’i vizitojë kokat e atyre që e penguan punën time, deri në brezin e tretë dhe të katërt, për aq kohë sa ata nuk pendohen dhe më urrejnë mua, thotë Zoti Perëndi.

  51 Si rrjedhim, për këtë arsye i kam pranuar ofertat e atyre që i kam urdhëruar të ndërtojnë një qytet dhe një shtëpi për emrin tim në kontenë Jackson, Missouri, dhe u penguan prej armiqve të tyre, thotë Zoti, Perëndia juaj.

  52 Dhe unë do të jap si përgjigje gjykim, zemërim dhe indinjatë, kujë e dhembje dhe kërcëllitje dhëmbësh mbi kokat e tyre, deri në brezin e tretë dhe të katërt, për aq sa ata nuk pendohen dhe më urrejnë, thotë Zoti, Perëndia juaj.

  53 Dhe këtë e bëj një shembull për ju, për ngushëllimin tuaj lidhur me të gjithë ata që janë urdhëruar të bëjnë një punë dhe janë penguar nga duart e armiqve të tyre dhe me anë të shtypjes, thotë Zoti, Perëndia juaj.

  54 Sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj, dhe do t’i shpëtoj të gjithë ata vëllezër tuaj që kanë qenë të pastër në zemër dhe janë vrarë në tokën e Missouri-t, thotë Zoti.

  55 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, unë ju urdhëroj përsëri të ndërtoni një shtëpi për emrin tim, madje në këtë vend, që ju të mund të më provoni se jeni besnikë në të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar, që unë të mund t’ju bekoj dhe kurorëzoj me nder, pavdekësi dhe jetë të përjetshme.

  56 Dhe tani unë ju them, lidhur me shtëpinë time të banimit, që ju kam urdhëruar ta ndërtoni për strehimin e të huajve, ajo duhet të ndërtohet për emrin tim dhe emri im duhet të emërtohet mbi të, dhe shërbëtori im Joseph dhe shtëpia e tij duhet të kenë vend në të, nga brezi në brez.

  57 Pasi këtë vajosje unë e kam vënë mbi kokën e tij, që bekimi i tij të vihet mbi kokat e pasardhësve të tij pas tij.

  58 Dhe sikurse i thashë Abrahamit lidhur me fiset e tokës, madje kështu i them shërbëtorit tim Joseph: Në ty dhe në farën tënde do të bekohet fisi i tokës.

  59 Si rrjedhim, shërbëtori im Joseph dhe fara e tij pas tij duhet të kenë një vend në atë shtëpi, nga brezi në brez, përherë e përgjithmonë, thotë Zoti.

  60 Dhe emri i asaj shtëpie duhet të thirret Shtëpia e Nauvoo-së; dhe ajo duhet të jetë një banesë e këndshme për njeriun dhe një vend pushimi për udhëtarin e lodhur, që ai të mund të sodisë lavdinë e Sionit dhe lavdinë e këtij, gurthemelit të tij;

  61 Që ai të mund të marrë gjithashtu këshillë nga ata që i kam vendosur të jenë si bimë të famës dhe si roje mbi muret e tij.

  62 Vini re, në të vërtetë unë ju them, shërbëtori im George Miller dhe shërbëtori im Lyman Wight, dhe shërbëtori im John Snider, dhe shërbëtori im Peter Haws duhet të organizohen dhe të caktojnë një prej tyre të jetë president për kuorumin e tyre, për qëllimin e ndërtimit të asaj shtëpie.

  63 Dhe ata duhet të formojnë një kushtetutë, në të cilën të mund të marrin aksione për ndërtimin e asaj shtëpie.

  64 Dhe ata nuk duhet të marrin më pak se pesëdhjetë dollarë për një njësi aksionesh në atë shtëpi dhe ata duhet të lejohen të marrin pesëmbëdhjetë mijë dollarë nga cilido njeri për aksione në atë shtëpi.

  65 Por ata s’duhet të lejohen të marrin më shumë se pesëmbëdhjetë mijë dollarë aksione nga cilido njeri.

  66 Dhe ata nuk duhet të lejohen të marrin më pak se pesëdhjetë dollarë për një njësi aksionesh nga cilido njeri në atë shtëpi.

  67 Dhe ata nuk do të lejohen të pranojnë këdo si aksionar në këtë shtëpi, në qoftë se po ai nuk do t’i paguajë aksionet e tij në duart e tyre në kohën që i merr aksionet;

  68 Dhe në përputhje me shumën e aksioneve që paguan në duart e tyre, ai do të marrë aksione në atë shtëpi; por në qoftë se nuk paguan asgjë në duart e tyre, ai nuk do të marrë ndonjë aksion në atë shtëpi.

  69 Dhe në qoftë se dikush paguan aksione në duart e tyre, do të jetë për aksione në atë shtëpi, për veten e tij dhe për brezin pas tij, nga brezi në brez, për aq kohë sa ai dhe trashëgimtarët e tij do t’i mbajnë ato aksione dhe nuk i shesin ose nuk ia kalojnë aksionet nga duart e tyre dikujt tjetër, me anë të vullnetit dhe veprimit të tyre të lirë, nëse do të bëni vullnetin tim, thotë Zoti, Perëndia juaj.

  70 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, në qoftë se shërbëtori im George Miller dhe shërbëtori im Lyman Wight, dhe shërbëtori im John Snider, dhe shërbëtori im Peter Haws marrin ndonjë aksion në duart e tyre, në para ose në prona, nëpërmjet të cilave marrin vlerën e vërtetë të parave, ata nuk duhet të përvetësojnë ndonjë pjesë të atyre aksioneve me ndonjë qëllim tjetër, përveçse në atë shtëpi.

  71 Dhe nëse ata do të përvetësojnë ndonjë pjesë të atyre aksioneve diku tjetër, përveçse në atë shtëpi, pa miratimin e aksionarit, dhe nuk e kthejnë katërfish borxhin për aksionet që përvetësojnë diku tjetër, përveçse në atë shtëpi, ata do të mallkohen dhe do të nxirren jashtë vendit të tyre, thotë Zoti Perëndi; sepse unë, Zoti, jam Perëndi dhe nuk mund të vihem në lojë në ndonjë prej këtyre gjërave.

  72 Në të vërtetë unë ju them, shërbëtori im Joseph duhet të paguajë aksione në duart e tyre për ndërtimin e asaj shtëpie, siç i duket mirë atij; por shërbëtori im Joseph nuk mund të paguajë më shumë se pesëmbëdhjetë mijë dollarë aksione në atë shtëpi, as më pak se pesëdhjetë dollarë; as ndonjë njeri tjetër nuk mund të paguajë, thotë Zoti.

  73 Dhe ka të tjerë gjithashtu që dëshirojnë të dinë vullnetin tim lidhur me ta, sepse ata e kanë kërkuar atë nga duart e mia.

  74 Si rrjedhim, unë ju them lidhur me shërbëtorin tim Vinson Knight, në qoftë se ai do të kryejë vullnetin tim, le të vendosë aksione në atë shtëpi për veten e tij dhe për brezin e tij pas tij, nga brezi në brez.

  75 Dhe ai duhet ta ngrejë zërin e tij gjatë e fort, në mes të njerëzve, për të paraqitur çështjen e të varfërve dhe nevojtarëve; dhe ai nuk duhet të dështojë as të mos e lërë zemra; dhe unë do t’i pranoj ofertat e tij, sepse ato nuk do të jenë për mua si ofertat e Kainit, pasi ai do të jetë i imi, thotë Zoti.

  76 Familja e tij duhet të gëzohet dhe t’i largojnë zemrat e tyre nga mjerimi; sepse unë e kam zgjedhur dhe e kam vajosur atë dhe ai do të nderohet në mes të shtëpisë së tij, sepse unë do t’i fal të gjitha mëkatet e tij, thotë Zoti. Amen.

  77 Në të vërtetë unë ju them juve, shërbëtori im Hyrum duhet të vërë aksione në atë shtëpi, sikurse i duket atij mirë, për veten e tij dhe për brezin e tij pas tij, nga brezi në brez.

  78 Shërbëtori im Isaac Galland duhet të vërë aksione në atë shtëpi, sepse unë, Zoti, e dua atë për punën që ka bërë dhe do t’ia fal të gjitha mëkatet e tij; si rrjedhim, ai duhet të kujtohet për një interes në atë shtëpi nga brezi në brez.

  79 Shërbëtori im Isaac Galland duhet të caktohet mes jush dhe të shugurohet nga shërbëtori im William Marks e të bekohet prej tij, që të shkojë me shërbëtorin tim Hyrum për të përmbushur punën që shërbëtori im Joseph do t’u caktojë atyre, dhe ata do të bekohen shumë.

  80 Shërbëtori im William Marks duhet të paguajë aksione në atë shtëpi, siç i duket mirë atij, për veten e tij dhe për brezin e tij, nga brezi në brez.

  81 Dhe shërbëtori im Henry G. Sherwood duhet të paguajë aksione në atë shtëpi, siç i duket mirë atij, për veten e tij dhe për farën e tij pas tij, nga brezi në brez.

  82 Dhe shërbëtori im William Law duhet të paguajë aksione në atë shtëpi, për veten e tij dhe për farën e tij pas tij, nga brezi në brez.

  83 Në qoftë se do të kryejë vullnetin tim, ai nuk duhet ta marrë familjen e tij për në tokat e lindjes, madje për në Kirtland; megjithatë, unë, Zoti, do ta ngre Kirtland-in, por unë, Zoti, kam një ndëshkim të përgatitur për banorët e tij.

  84 Dhe lidhur me shërbëtorin tim Almon Babbitt, ka shumë gjëra me të cilat nuk jam i kënaqur; vini re, ai dëshiron të japë këshillën e tij në vend të këshillës që unë kam shuguruar, madje atë të Presidencisë së Kishës sime; dhe ai ngre një viç të artë për t’u adhuruar nga populli im.

  85 Askush të mos largohet nga ky vend, i cili ka ardhur këtu duke kërkuar të mbajë urdhërimet e mia.

  86 Në qoftë se jetojnë këtu, ata duhet të jetojnë për mua; dhe në qoftë se vdesin, ata duhet të vdesin për mua; sepse ata do të prehen nga gjithë punët e tyre këtu dhe do t’i vazhdojnë veprat e tyre.

  87 Si rrjedhim, shërbëtori im William duhet të ketë besim tek unë dhe të mos ketë më frikë lidhur me familjen e tij, për shkak të sëmundjes së tokës. Në qoftë se më doni, zbatoni urdhërimet e mia; dhe sëmundja e tokës do t’i kontribuojë lavdisë suaj.

  88 Shërbëtori im William duhet të shkojë dhe t’u shpallë ungjillin tim të përjetshëm me zë të lartë dhe gëzim të madh, siç do të nxitet nga Shpirti im, banorëve të Warsaw-ës dhe gjithashtu banorëve të Carthage-t, dhe gjithashtu banorëve të Madison-it dhe të presë me durim dhe zell udhëzime të mëtejshme në konferencën time të përgjithshme, thotë Zoti.

  89 Në qoftë se do të kryejë vullnetin tim, ai duhet që tani e tutje t’i bindet këshillës së shërbëtorit tim Joseph dhe me interesin e tij të mbështesë kauzën e të varfërve dhe të botojë përkthimin e ri të fjalës sime të shenjtë për banorët e tokës.

  90 Dhe nëse do ta bëjë këtë, unë do ta bekoj me një shumëllojshmëri bekimesh, saqë ai nuk do të braktiset, as fara e tij nuk do të gjendet duke lypur bukë.

  91 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, shërbëtori im William duhet të caktohet, shugurohet dhe vajoset si këshilltar i shërbëtorit tim Joseph, në vend të shërbëtorit tim Hyrum, që shërbëtori im Hyrum të mund të zërë detyrën e Priftërisë dhe të Patriarkut, e cila i ishte caktuar atij nga ati i tij, me anë të bekimit dhe gjithashtu me anë të së drejtës;

  92 Që, që nga kjo kohë, ai do të mbajë çelësat e bekimeve patriarkale mbi kokat e gjithë njerëzve të mi,

  93 Që cilindo që ai bekon, do të bekohet dhe cilindo që ai mallkon, do të mallkohet; që çfarëdo që ai do të lidhë në tokë, do të lidhet në qiell; dhe çfarëdo që ai do të zgjidhë në tokë, do të zgjidhet në qiell.

  94 Dhe që nga kjo kohë e tutje unë i caktoj atij që të mund të jetë një profet dhe shikues e zbulues i kishës sime, sikurse shërbëtori im Joseph;

  95 Që ai të mund të veprojë gjithashtu në harmoni me shërbëtorin tim Joseph; dhe që ai do të marrë këshillë nga shërbëtori im Joseph, i cili do t’i tregojë atij çelësat me anë të të cilave ai mund të kërkojë e të marrë dhe të kurorëzohet me të njëjtin bekim dhe lavdi, dhe nder, dhe priftëri, dhe dhurata të priftërisë që dikur ishin vënë mbi atë që ishte shërbëtori im Oliver Cowdery;

  96 Që shërbëtori im Hyrum të mund të japë dëshmi për gjërat që unë do t’i tregoj atij, që emri i tij të mund të kujtohet me nderim nga brezi në brez, përherë e përgjithmonë.

  97 Shërbëtori im William Law gjithashtu duhet të marrë çelësat me anë të të cilave mund të kërkojë e të marrë bekime; ai duhet të jetë i përulur përpara meje e të jetë pa mashtrim dhe do të marrë nga Shpirti im, madje Ngushëlluesi, i cili do t’i manifestojë atij të vërtetën e të gjitha gjërave dhe do t’i japë atij, në çastin e duhur, se çfarë do të thotë.

  98 Dhe këto shenja do ta ndjekin atë—ai do të shërojë të sëmurë, do të largojë demonë dhe do të çlirohet prej atyre që do t’i japin helm vdekjeprurës;

  99 Dhe ai do të udhëhiqet në shtigje ku gjarpëri vdekjeprurës nuk mund ta kafshojë në thembër dhe ai do të ngrihet në imagjinatën e mendimeve të tij si mbi krahët e shqiponjave.

  100 Dhe po sikur unë të dëshiroj që ai të ngrejë të vdekurit, ai s’duhet ta frenojë zërin e tij.

  101 Si rrjedhim, shërbëtori im William duhet t’i thërrasë me zë të lartë e të mos kursehet, me gëzim e me hare dhe me hosana atij që ulet në fron përherë e përgjithmonë, thotë Zoti, Perëndia juaj.

  102 Vini re, unë ju them, unë kam një mision në ruajtje për shërbëtorin tim William e shërbëtorin tim Hyrum dhe vetëm për ta; dhe shërbëtori im Joseph duhet të qëndrojë në shtëpi, sepse nevojitet. Pjesën e mbetur do t’jua tregoj juve më pas. Madje kështu. Amen.

  103 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, në qoftë se shërbëtori im Sidney do të shërbejë e do të jetë këshilltar për shërbëtorin tim Joseph, ai duhet të ngrihet dhe të vijë e të qëndrojë në detyrën e thirrjes së tij dhe të përulet përpara meje.

  104 Dhe në qoftë se ai do të më ofrojë një ofertë të pranueshme e mirënjohje dhe do të qëndrojë me popullin tim, vini re, unë, Zoti, Perëndia juaj, do ta shëroj atë, saqë ai të shërohet; dhe ai do ta ngrerë zërin e tij përsëri mbi malet dhe do të jetë një zëdhënës përpara fytyrës sime.

  105 Ai duhet të vijë e ta vendosë familjen e tij në lagjen në të cilën banon shërbëtori im Joseph.

  106 Dhe në gjithë udhëtimet e tij ai duhet ta ngrerë zërin e tij, si me tingullin e një trumpete, dhe t’i paralajmërojë banorët e tokës që t’i largohen zemërimit që do të vijë.

  107 Ai duhet ta ndihmojë shërbëtorin tim Joseph, dhe gjithashtu shërbëtori im William Law duhet ta ndihmojë shërbëtorin tim Joseph, në përgatitjen e një shpalljeje solemne për mbretërit e tokës, madje siç ju kam thënë më përpara.

  108 Dhe nëse shërbëtori im Sidney do të kryejë vullnetin tim, ai nuk duhet ta largojë familjen e tij për në tokat e lindjes, por duhet t’ua ndryshojë banesën e tyre, madje siç kam thënë unë.

  109 Vini re, nuk është vullneti im që ai të kërkojë të gjejë siguri dhe strehim larg qytetit që jua kam caktuar juve, madje qytetit të Nauvoo-së.

  110 Në të vërtetë unë ju them, madje tani, në qoftë se ai do t’i bindet zërit tim, do të jetë mirë për të. Madje kështu. Amen.

  111 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, shërbëtori im Amos Davies duhet të paguajë aksione në duart e atyre që unë i kam caktuar për të ndërtuar një shtëpi për banim, madje Shtëpinë e Nauvoo-së.

  112 Këtë duhet ta bëjë, nëse do të ketë interes; dhe ai duhet t’i bindet këshillës së shërbëtorit tim Joseph dhe të punojë me duart e tij që të mund të fitojë besimin e njerëzve.

  113 Dhe kur do të provohet besnik në të gjitha gjërat që do t’i besohen nën kujdesin e tij, po, madje në pak gjëra, ai do të bëhet sundimtar mbi shumë gjëra;

  114 Prandaj ai duhet të përulet që të mund të ekzaltohet. Madje kështu. Amen.

  115 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, në qoftë se shërbëtori im Robert D. Foster dëshiron t’i bindet zërit tim, ai duhet të ndërtojë një shtëpi për shërbëtorin tim Joseph, sipas kontratës që ka bërë me të, ndërsa dera do të jetë e hapur për të herë pas here.

  116 Dhe ai duhet të pendohet për gjithë marrëzinë e tij dhe të vishet me dashuri hyjnore; dhe të pushojë së bëri keq e t’i lërë mënjanë fjalët e tij të ashpra;

  117 Dhe të paguajë aksione gjithashtu në duart e kuorumit të Shtëpisë së Nauvoo-së, për veten e tij dhe për brezin e tij pas tij, nga brezi në brez;

  118 Dhe t’i bindet këshillës së shërbëtorëve të mi Joseph dhe Hyrum, dhe William Law, dhe autoriteteve që i kam thirrur për të ngritur themelin e Sionit; dhe do të jetë mirë me të përherë e përgjithmonë. Madje kështu. Amen.

  119 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, askush nuk duhet t’i paguajë aksione kuorumit të Shtëpisë së Nauvoo-së, në qoftë se ai nuk do ta besojë Librin e Mormonit dhe zbulesat që ju kam dhënë, thotë Zoti, Perëndia juaj;

  120 Sepse ajo që është më tepër ose më pak se kjo vjen nga ligësia dhe do të pasohet me mallkime e jo me bekime, thotë Zoti, Perëndia juaj. Madje kështu. Amen.

  121 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, kuorumi i Shtëpisë së Nauvoo-së duhet të ketë një shpërmblim të drejtë pagash për gjithë punët e tyre, të cilat i bëjnë në ndërtimin e Shtëpisë së Nauvoo-së; dhe pagat e tyre duhet të jenë sikurse do të bien dakort mes tyre, lidhur me çmimin e tyre.

  122 Dhe çdo njeri që paguan aksione, duhet të paguajë pjesën e tij të pagave të tyre, në qoftë se kështu është e nevojshme, për mbështetjen e tyre, thotë Zoti; përndryshe, punët e tyre do të llogariten për ta si aksone në atë shtëpi. Madje kështu. Amen.

  123 Në të vërtetë unë ju them, unë ju jap juve, drejtuesve që i përkisni Priftërisë sime, që ju të mund të mbani çelësat e saj, madje të Priftërisë që është sipas urdhërit të Melkizedekut, që është sipas urdhërit të Birit tim të Vetëmlindur.

  124 Së pari, unë ju jap Hyrum Smith-in që të jetë një patriark për ju, për të mbajtur bekimet vulosëse të kishës sime, madje Shpirtin e Shenjtë të premtimit, me anë të të cilit vuloseni për në ditën e shëlbimit, që ju të mos bini, pavarësisht nga ora e tundimit që mund t’ju vijë.

  125 Unë ju jap shërbëtorin tim Joseph që të jetë një plak kryesues mbi gjithë kishën time, të jetë përkthyes, zbulues, shikues dhe profet.

  126 Unë i jap atij për këshilltarë shërbëtorin tim Sidney Rigdon dhe shërbëtorin tim William Law, që këta të mund të përbëjnë një kuorum dhe Presidenci të Parë, për të marrë orakuj për tërë kishën.

  127 Unë ju jap juve shërbëtorin tim Brigham Young që të jetë president mbi këshillin udhëtues të të Dymbëdhjetëve;

  128 Të Dymbëdhjetë të cilët mbajnë çelësat për të përhapur autoritetin e mbretërisë sime në të katër cepat e tokës dhe pas saj për t’i dërguar fjalën time çdo krijese.

  129 Ata janë: Heber C. Kimball, Parley P. Pratt, Orson Pratt, Orson Hyde, William Smith, John Taylor, John E. Page, Wilford Woodruff, Willard Richards, George A. Smith;

  130 David Patten-in e kam marrë pranë meje; vini re, priftërinë e tij askush s’e merr dot prej tij; por, në të vërtetë unë ju them, një tjetër mund të caktohet në të njëjtën thirrje.

  131 Dhe përsëri, unë ju them, unë ju jap një këshill të lartë, për gurthemelin e Sionit—

  132 Të përmendurit: Samuel Bent, Henry G. Sherwood, George W. Harris, Charles C. Rich, Thomas Grover, Newel Knight, David Dort, Dunbar Wilson—Seymor Brunson-in e kam marrë pranë meje; askush s’e merr dot priftërinë e tij, por një tjetër mund të caktohet në të njëjtën priftëri në vend të tij; dhe në të vërtetë unë ju them, shërbëtori im Aaron Johnson duhet të shugurohet në këtë thirrje në vend të tij—David Fullmer, Alpheus Cutler, William Huntington.

  133 Dhe përsëri, unë ju jap juve Don C. Smith-in që të jetë president për kuorumin e priftërinjve të lartë;

  134 Ordinancë e cila ngrihet për qëllimin e cilësimit të atyre që do të caktohen të qëndrojnë si presidentë ose shërbëtorë mbi kunja të ndryshëm, të shpërndarë larg;

  135 Dhe ata mund të udhëtojnë gjithashtu, në qoftë se zgjedhin, por më mirë të shugurohen të jenë presidentë që qëndrojnë; kjo është detyra e thirrjes së tyre, thotë Zoti, Perëndia juaj.

  136 Unë i jap atij Amasa Lyman-in dhe Noah Packard-in për këshilltarë, që ata të mund të kryesojnë mbi kuorumin e priftërinjve të lartë të kishës sime, thotë Zoti.

  137 Dhe përsëri unë ju them, unë ju jap John A. Hicks-in, Samuel Williams-in dhe Jesse Baker-in, priftëria e të cilëve duhet të kryesojë mbi kuorumin e pleqve, kuorum i cili është ngritur për shërbestarët që qëndrojnë; megjithëse mund të udhëtojnë, përsëri ata shugurohen që të jenë shërbestarë që qëndrojnë me kishën time, thotë Zoti.

  138 Dhe përsëri, unë ju jap juve që Joseph Young, Josiah Butterfield, Daniel Miles, Henry Herriman, Zera Pulsipher, Levi Hancock, James Foster, të kryesojnë kuorumin e të shtatëdhjetëve;

  139 Kuorum i cili ngrihet për pleqtë udhëtues, që të japin dëshmi të emrit tim në të gjithë botën, kudo që këshilli i lartë udhëtues, apostujt e mi, do t’i dërgojnë për të përgatitur një udhë përpara fytyrës sime.

  140 Ndryshimi midis këtij kuorumi dhe kuorumit të pleqve është që njëri duhet të udhëtojë vazhdimisht dhe tjetri duhet të kryesojë mbi kishat herë pas here; njëri ka përgjegjësi për të kryesuar herë pas here dhe tjetri nuk ka përgjegjësi për të kryesuar, thotë Zoti, Perëndia juaj.

  141 Dhe përsëri, unë ju them, unë ju jap Vinson Knight-in, Samuel H. Smith-in dhe Shadrach Roundy-n, në qoftë se ai do ta pranojë atë, që të kryesojnë mbi këshillin e peshkopit; një dituri për këshillin e përmendur të peshkopit ju jepet në librin “Doktrina e Besëlidhje”.

  142 Dhe përsëri, unë ju them, Samuel Rolfe-n dhe këshilltarët e tij për priftërinjtë, dhe presidentin e mësuesve dhe këshilltarët e tij, dhe gjithashtu presidentin e dhjakëve dhe këshilltarët e tij, dhe gjithashtu presidentin e kunjit dhe këshilltarët e tij.

  143 Detyrat e mësipërme jua kam dhënë, edhe çelësat e tyre, për ndihmat dhe për qeverisjet, për punën e shërbesës dhe të përsosjes së shenjtorëve të mi.

  144 Dhe një urdhërim ju jap që ju duhet t’i plotësoni të gjitha këto detyra dhe t’i miratoni ato emra që i kam përmendur ose, përndryshe, të mos i miratoni ato në konferencën time të përgjithshme;

  145 Dhe që ju duhet të përgatisni dhoma për të gjitha këto zyra në shtëpinë time, kur ta ndërtoni atë për emrin tim, thotë Zoti, Perëndia juaj. Madje kështu. Amen.