Seksioni 133

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Hiram, Ohio, më 3 nëntor 1831 (History of the Church, 1:229–234). Në parathënie të kësaj zbulese Profeti shkroi: “Në këtë kohë kishte shumë gjëra që Pleqtë dëshironin t’i dinin lidhur me predikimin e Ungjillit banorëve të tokës dhe lidhur me mbledhjen; dhe me qëllim që të ecnin në dritën e vërtetë dhe të udhëzoheshin nga lart, më 3 nëntor 1831 unë i kërkova Zotit dhe mora zbulesën e rëndësishme që pason” (History of the Church, 1:229). Ky seksion iu shtua fillimisht librit “Doktrina e Besëlidhje” si një shtesë dhe më pas iu caktua një numër seksioni.

1–6, Shenjtorët urdhërohen të përgatiten për Ardhjen e Dytë; 7–16, Gjithë njerëzit urdhërohen të largohen nga Babilonia, të vijnë në Sion dhe të përgatiten për ditën e madhe të Zotit; 17–35, Ai do të qëndrojë në malin e Sionit, kontinentet do të bëhen një tokë dhe fiset e humbura të Izraelit do të kthehen; 36–40, Ungjilli u rivendos nëpërmjet Joseph Smith-it për t’u predikuar në të gjithë botën; 41–51, Zoti do të zbresë me hakmarrje mbi të ligjtë; 52–56, Ai do të jetë viti i të shëlbuarve të tij; 57–74, Ungjilli duhet të dërgohet për t’i shpëtuar Shenjtorët dhe për shkatërrimin e të ligjve.

  MBANI vesh, O ju njerëz të kishës sime, thotë Zoti, Perëndia juaj, dhe dëgjoni fjalën e Zotit në lidhje me ju—

  Zotit që papritur do të vijë në tempullin e tij; Zotit që do të zbresë në botë me një mallkim, për të gjykuar; po, mbi të gjitha kombet që e harrojnë Perëndinë dhe mbi të gjithë të paperëndishmit mes jush.

  Sepse ai do ta zhveshë krahun e tij të shenjtë në sytë e të gjitha kombeve dhe të gjitha skajet e botës do ta shohin shpëtimin e Perëndisë së tyre.

  Prandaj, përgatituni ju, përgatituni ju, O populli im; shenjtërojeni veten tuaj; mblidhuni së bashku, O ju popull i kishës sime, në tokën e Sionit, të gjithë ju që nuk jeni urdhëruar të qëndroni.

  Ikni nga Babilonia. Jini të pastër që të mbani enët e Zotit.

  Thërrisni kuvendet tuaja solemne dhe flisni shpesh me njëri-tjetrin. Dhe çdo njeri duhet të thërrasë në emër të Zotit.

  Po, në të vërtetë unë ju them përsëri, koha ka ardhur kur zëri i Zotit vjen tek ju: Ikni nga Babilonia; mblidhuni nga mesi i kombeve, nga të katër erërat, nga njëri skaj i qiellit në tjetrin.

  Dërgojini pleqtë e kishës sime te kombet që janë shumë larg, në ishujt e detit; dërgojini në toka të huaja; u bëni thirrje gjithë kombeve, së pari Johebrenjve dhe më pas Judenjve.

  Dhe vini re e shihni, kjo do të jetë thirrja e tyre dhe zëri i Zotit për të gjithë njerëzit: Shkoni ju në tokën e Sionit, që kufijtë e popullit tim të mund të zgjerohen dhe që kunjat e tij të mund të forcohen dhe që Sioni të mund të përhapet nëpër krahinat përreth.

  10 Po, thirrja duhet të përhapet mes gjithë njerëzve: Zgjohuni dhe ngrihuni e shkoni për ta takuar Dhëndrin; vini re dhe shihni, Dhëndri po vjen; dilni ta takoni. Përgatituni për ditën e madhe të Zotit.

  11 Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën dhe as orën.

  12 Prandaj ata që janë ames Johebrenjve, duhet të ikin për në Sion.

  13 Dhe ata që janë të Judës, duhet të ikin për në Jeruzalem, në malet e shtëpisë së Zotit.

  14 Largohuni nga mesi i kombeve, madje nga Babilonia, nga mesi i ligësisë, që është Babilonia shpirtërore.

  15 Por në të vërtetë, kështu thotë Zoti, largimi juaj nuk duhet të jetë me nxitim, por gjithçka të përgatitet prej jush përpara; dhe ai që shkon, duhet të mos shohë më prapa, përndryshe shkatërrim i papritur do të vijë mbi të.

  16 Vini veshin e dëgjoni, O ju banorë të tokës. Mbani vesh, ju pleq të kishës sime së bashku dhe dëgjoni zërin e Zotit; sepse ai u bën thirrje gjithë njerëzve dhe i urdhëron të gjithë njerëzit, kudo që janë, të pendohen.

  17 Sepse, vini re, Zoti Perëndi ka dërguar engjëllin që të thërrasë mespërmes qiellit, duke thënë: Përgatisni ju udhën e Zotit dhe bëjini të drejta shtigjet e tij, sepse ora e ardhjes së tij është pranë—

  18 Kur Qengji do të rrijë më këmbë në mal të Sionit dhe me të, njëqind e dyzet e katër mijë vetë që e kishin të shkruar emrin e Atit të tij mbi ballin e tyre.

  19 Prandaj përgatituni ju për ardhjen e Dhëndrit; shkoni, dilni ta takoni atë.

  20 Sepse, vini re, ai do të rrijë më këmbë në malin e Ullinjve dhe mbi oqeanin e fuqishëm, madje thellësinë e madhe, dhe mbi ishujt e detit, dhe mbi tokën e Sionit.

  21 Dhe ai do ta lëshojë zërin e tij nga Sioni e do të flasë nga Jeruzalemi dhe zëri i tij do të dëgjohet mes gjithë popujve;

  22 Dhe ai do të jetë një zë sikurse zëri i shumë ujërave dhe sikurse zëri i një bubullime të madhe, që do të thyejë malet dhe luginat nuk do të gjenden.

  23 Ai do ta urdhërojë thellësinë e madhe dhe ajo do të tërhiqet në shtetet e veriut e ishujt do të bëhen një tokë;

  24 Dhe toka e Jeruzalemit dhe toka e Sionit do të kthehen në vendin e tyre dhe toka do të jetë siç ishte në ditët përpara se të ndahej.

  25 Dhe Zoti, madje Shpëtimtari, do të rrijë më këmbë mes popullit të tij dhe do të mbretërojë mbi gjithë mishin.

  26 Dhe ata që janë në shtetet e veriut, do të kujtohen nga Zoti; dhe profetët e tyre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe nuk do të përmbahen më; dhe ata do të copëtojnë shkëmbijtë dhe akulli do të rrjedhë në praninë e tyre.

  27 Dhe një rrugë e gjerë do të derdhet në mes të thellësisë së madhe.

  28 Armiqtë e tyre do të bëhen si pre për ta,

  29 Dhe në shkretëtirat e zhveshura do të hapen pellgje uji të gjallë; dhe toka e zhuritur nuk do të jetë më një tokë e etur.

  30 Dhe ata do t’ua sjellin thesaret e tyre të pasura fëmijëve të Efraimit, shërbëtorëve të mi.

  31 Dhe kufijtë e kodrave të përjetshme do të dridhen nga prania e tyre.

  32 Dhe atje ata do të bien përtokë dhe do të kurorëzohen me lavdi, madje në Sion, nga duart e shërbëtorëve të Zotit, madje fëmijëve të Efraimit.

  33 Dhe ata do të mbushen me këngë gëzimi të përjetshëm.

  34 Vini re, ky është bekimi i Perëndisë së përjetshëm mbi fiset e Izraelit dhe bekimi më i pasur mbi kokën e Efraimit dhe pasuesve të tij.

  35 Dhe gjithashtu ata të fisit të Judës, pas dhembjes së tyre, do të shenjtërohen në shenjtëri përpara Zotit, për të banuar në praninë e tij ditë e natë, përherë e përgjithmonë.

  36 Dhe tani, në të vërtetë thotë Zoti, që këto gjëra të mund të njihen mes jush, O banorë të tokës, unë kam dërguar engjëllin tim duke fluturuar përmes qiellit, duke patur ungjillin e përjetshëm, i cili u është shfaqur disave dhe ia ka dhënë atë njeriut, i cili do t’u shfaqet shumë vetëve që banojnë në tokë.

  37 Dhe ky ungjill do t’i predikohet çdo kombi dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli.

  38 Dhe shërbëtorët e Perëndisë do të shkojnë, duke thënë me një zë të lartë: Druani Perëndinë dhe i jepni atij lavdi, sepse ora e gjykimit të tij ka ardhur;

  39 Dhe adhuroni atë që bëri qiellin dhe tokën, dhe detin, dhe burimet e ujërave—

  40 Duke thirrur emrin e Zotit ditë e natë, duke thënë: Oh, sikur t’i shqyeje qiejt, sikur të zbrisje, sikur malet të rridhnin në praninë tënde.

  41 Dhe ajo do të marrë përgjigje mbi kokat e tyre; sepse prania e Zotit do të jetë si zjarri shkrirës që djeg dhe si zjarri që i bën ujërat të valojnë.

  42 O Zot, ti do të zbresësh për t’ua bërë të njohur emrin tënd kundërshtarëve të tu dhe gjithë kombet do të dridhen në praninë tënde—

  43 Kur ti bën gjëra të tmerrshme, gjëra që ata s’i presin;

  44 Po, kur ti të zbresësh dhe malet të rrjedhin në praninë tënde, do të takosh atë që gëzohet dhe punon në drejtësi, që të kujton ty në rrugët e tua.

  45 Sepse që nga fillimi i botës njerëzit nuk kanë dëgjuar apo kuptuar me anë të veshit, as ndonjë sy s’ka parë, O Perëndi, përveç teje, gjërat e madhërishme që ke përgatitur për atë që të pret ty.

  46 Dhe do të thuhet: Kush është ai që vjen nga Perëndia në qiell me rroba të ngjyrosura, po, nga krahinat që nuk njihen, i veshur në rrobën e tij të lavdishme, duke udhëtuar në madhështinë e forcës së tij

  47 Dhe ai do të thotë: Unë jam ai që foli në drejtësi, i fuqishëm për të shpëtuar.

  48 Dhe Zoti do të ketë rrobën e tij të kuqe dhe veshjet e tij si të atij që shkel rrushin në gaviç.

  49 Dhe kaq e madhe do të jetë lavdia e pranisë së tij, sa dielli do ta fshehë fytyrën e tij me turp dhe hëna s’do ta lëshojë dritën e saj dhe yjet do të flaken nga vendet e tyre.

  50 Dhe zëri i tij do të dëgjohet: E kam shtypur presën e verës i vetëm dhe kam sjellë gjykim mbi gjithë popullin; dhe askush nuk ishte me mua;

  51 Dhe i kam shkelur me tërbimin tim dhe i shtypa me zemërimin tim, dhe gjaku i tyre spërkati rrobat e mia dhe i njollosi tërë veshjet e mia; sepse kjo ishte dita e zemërimit që ishte në zemrën time.

  52 Dhe tani viti i të shëlbuarve të mi ka ardhur; dhe ata do ta përmendin dashamirësinë e Zotit të tyre dhe gjithçka që ai u ka dhënë sipas mirësisë së tij dhe sipas dashamirësisë së tij, përherë e përgjithmonë.

  53 Në të gjitha hidhërimet e tyre ai u hidhërua. Dhe engjëlli i pranisë së tij i shpëtoi ata; dhe në dashurinë e tij dhe në mëshirën e tij, ai i shëlbeu ata dhe i mbajti ata, dhe i mbështeti ata në të gjitha ditët e lashtësisë;

  54 Po, dhe Enoku gjithashtu, dhe ata që ishin me të; profetët që ishin përpara tij; dhe Noeu gjithashtu, dhe ata që ishin përpara tij; dhe Moisiu gjithashtu, dhe ata që ishin përpara tij;

  55 Dhe nga Moisiu tek Elija dhe nga Elija te Gjoni, që ishin me Krishtin në ringjalljen e tij, dhe apostujt e shenjtë, me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin, do të jenë në praninë e Qengjit.

  56 Dhe varret e shenjtorëve do të hapen; dhe ata do të dalin e do të qëndrojnë në të djathtën e Qengjit, kur ai të qëndrojë në malin e Sionit dhe mbi qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e Ri; dhe ata do të këndojnë këngën e Qengjit, ditë e natë, përherë e përgjithmonë.

  57 Dhe për këtë shkak, që njerëzit të bëheshin pjesëmarrës të lavdive që do të zbuloheshin, Zoti dërgoi plotësinë e ungjillit të tij, besëlidhjen e tij të përjetshme, duke arsyetuar me qartësi dhe thjeshtësi—

  58 Për t’i përgatitur të dobëtit për ato gjëra që po vijnë në tokë dhe për punën e Zotit në ditën kur të dobëtit do t’i ngatërrojnë të mençurit dhe të vegjlit do të bëhen një komb i fortë, dhe dy vetë do t’i bëjnë dhjetëra mijërat e tyre të ikin.

  59 Dhe nëpërmjet gjërave të dobëta të tokës, Zoti do t’i shkelë kombet me anë të fuqisë së Shpirtit të tij.

  60 Dhe për këtë shkak këto urdhërime u dhanë; ato u urdhëruan të mbahen larg botës në ditën që u dhanë, por tani duhet të përhapen tek i tërë mishi—

  61 Dhe kjo në përputhje me mendjen dhe vullnetin e Zotit, i cili sundon mbi të gjithë mishin.

  62 Dhe atij që pendohet dhe e shenjtëron vetveten përpara Zotit, do t’i jepet jetë e përjetshme.

  63 Dhe mbi ata që nuk i binden zërit të Zotit, do të përmbushet ajo që u shkrua nga profeti Moisi, që ata do të flaken nga mesi i njerëzve.

  64 Dhe gjithashtu ajo që u shkrua nga profeti Malakia: Sepse ja, dita vjen, që do të djegë si një furrë dhe të gjithë krenarët, po, dhe të gjithë ata që veprojnë me ligësi, do të jenë si kallamishte; dhe dita që vjen, do t’i djegë, thotë Zoti i ushtrive, që të mos u mbetet as rrënjë, as degë.

  65 Si rrjedhim, kjo do të jetë përgjigjja e Zotit për ta:

  66 Në atë ditë kur unë erdha tek të mitë, askush mes jush nuk më pranoi dhe ju u dëbuat.

  67 Kur ju thirra përsëri, nuk kishte asnjë prej jush që të përgjigjej; por krahu im nuk u shkurtua aspak që të mos mund t’ju shëlbeja, as fuqia ime për të çliruar.

  68 Vini re, me qortimin tim e thaj detin. Lumenjtë i kthej në shkretëtirë; peshku i tyre qelbet dhe ngordh nga etja.

  69 Unë i vesh qiejt me të zeza dhe u jap atyre një grathore për mbulesë.

  70 Dhe këtë do ta keni nga dora ime—ju do të lëngoni në hidhërim.

  71 Vini re dhe shihni, nuk ka s’e kush t’ju çlirojë; sepse nuk iu bindët zërit tim kur ju thirra nga qiejt; nuk i besuat shërbëtorët e mi dhe, kur ata u dërguan tek ju, nuk i pranuat.

  72 Si rrjedhim, ata e vulosën dëshminë dhe e lidhën ligjin dhe ju iu dorëzuat errësirës.

  73 Këta do të shkojnë në errësirën e mëtejshme, ku ka të qarë e vajtim dhe kërcëllimë dhëmbësh.

  74 Vini re, Zoti, Perëndia juaj, e ka thënë atë. Amen.