Seksioni 135

Martirizimi i Joseph Smith Profetit dhe vëllait të tij, Hyrum Smith Patriarkut, në Carthage, Illinois, më 27 qershor 1844 (History of the Church, 6:629–631). Ky dokument u shkrua nga Plaku John Taylor i Këshillit të të Dymëdhjetëve, i cili ishte dëshmitar i ngjarjeve.

1–2, Joseph-i dhe Hyrum-i u martirizuan në burgun e Carthage-it; 3, Pozita e shquar e Profetit shpallet; 4–7, Gjaku i tyre i pafajshëm dëshmon për të vërtetën dhe hyjninë e punës së tyre.

  PËR ta vulosur dëshminë e këtij libri dhe të Librit të Mormonit, ne shpallim martirizimin e Joseph Smith Profetit dhe të Hyrum Smith Patriarkut. Ata u qëlluan në burgun e Carthage-it, më 27 qershor 1844, rreth orës pesë pasdite, nga një turmë e armatosur—me fytyra të ngjyrosura në të zezë—prej rreth 150 deri në 200 personash. Hyrum-i u qëllua i pari dhe ra qetësisht, duke bërtitur: Unë jam një njeri i vdekur! Joseph-i kërceu nga dritarja dhe u godit i vdekur në atë përpjekje, duke bërtitur: O Zot, Perëndia im! Ata që të dy u goditën pasi kishin vdekur, në një mënyrë brutale, dhe që të dy morën katër plumba.

  John Taylor dhe Willard Richards, dy nga të Dymbëdhjetët, ishin të vetmit njerëz në dhomë në atë kohë; i pari u plagos në një mënyrë të egër me katër plumba, por është shëruar që atëherë; i dyti, nëpërmjet përkujdesit të Perëndisë, u arratis pa as edhe një vrimë në rrobën e tij.

  Joseph Smith-i, Profeti dhe Shikuesi i Zotit, ka bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër që jetoi ndonjëherë në të. Në një hapësirë të shkurtër prej njëzet vjetësh, ai ka sjellë Librin e Mormonit, të cilin e përktheu me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë, dhe ka qenë mjeti i botimit të tij në dy kontinente; u ka dërguar plotësinë e ungjillit të përjetshëm, që ai përmbante, katër anëve të dheut; ka sjellë zbulesat dhe urdhërimet që përbëjnë këtë libër të “Doktrina e Besëlidhje-ve” dhe shumë dokumente dhe udhëzime të tjera të urta për të mirën e fëmijëve të njerëzve; mblodhi me mijëra Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme, themeloi një qytet të madh dhe la një famë e një emër që nuk mund të vritet. Ai jetoi në mënyrë të madhërishme dhe vdiq në mënyrë të madhërishme në sytë e Perëndisë dhe të popullit të tij; dhe si shumica e të vajosurve të Zotit në kohët e lashta, i ka vulosur misionin e tij dhe veprat e tij me vetë gjakun e tij; dhe kështu ka bërë vëllai i tij Hyrum. Në jetë nuk u ndanë dhe në vdekje nuk u veçuan!

  Kur Joseph-i shkoi për në Carthage për t’iu dorëzuar kërkesave të shtirura të ligjit, dy ose tre ditë përpara vrasjes së tij, ai tha: “Unë po shkoj si një qengj për t’u therur; por jam i qetë si një mëngjes vere; kam një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe kundrejt gjithë njerëzve. Unë do të vdes i pafajshëm dhe do të thuhet përsëri për mua—ai u vra me gjak të ftohtë.”— Po atë mëngjes, pasi Hyrum ishte bërë gati të shkonte—a do të duhet të thuhet në therori? Po, sepse e tillë ishte—ai lexoi paragrafin që vijon, pranë mbylljes së kapitullit të dymbëdhjetë të Ethërit, në Librin e Mormonit, dhe e përtheu cepin e asaj faqeje:

  Dhe ndodhi që unë iu luta Zotit që ai t’u japë Johebrenjve hir, që ata të kenë dashuri hyjnore. Dhe ndodhi që Zoti më tha mua: Në qoftë se ata nuk kanë dashuri hyjnore, nuk ka rëndësi për ty, ti ke qenë besnik; prandaj rrobat e tua do të pastrohen. Dhe pasi ti ke parë dobësinë tënde, do të bëhesh i fortë, madje sa të ulesh në vendin që unë kam përgatitur në pallatet e Atit tim. Dhe tani, unë... u them lamtumirë Johebrenjve, po, dhe gjithashtu vëllezërve të mi, të cilët i dua, derisa ne të takohemi para fronit të gjykimit të Krishtit, ku të gjithë njerëzit do të dinë se rrobat e mia nuk janë të njollosura me gjakun tuaj. Testamentlënësit kanë vdekur tani dhe testamenti i tyre është i vlefshëm.

  Hyrum Smith-i bëri dyzet e katër vjeç në shkurt 1844 dhe Joseph Smith-i bëri tridhjetë e tetë në dhjetor 1843; dhe që nga kjo kohë emrat e tyre do të rreshtohen mes martirëve të besimit fetar; dhe lexuesi në çdo komb do të kujtohet që Libri i Mormonit dhe ky libër i “Doktrina e Besëlidhje-ve” të kishës kushtuan sa gjaku më i mirë i shekullit të nëntëmbëdhjetë, për t’i nxjerrë ato në dritë për shpëtimin e një bote të rënuar; dhe se, në rast se zjarri mund ta dëmtojë një pemë të gjelbër për lavdinë e Perëndisë, sa e lehtë do të jetë të digjen drurët e thatë për ta pastruar vreshtin e korrupsionit. Ata jetuan për lavdi; ata vdiqën për lavdi; dhe lavdia është shpërblimi i tyre i përjetshëm. Nga epoka në epokë emrat e tyre do të zbresin tek pasardhësit si xhevahirë për të shenjtëruarit.

  Ata ishin të pafajshëm për ndonjë krim, sikurse ishin provuar shpeshherë më përpara, dhe u mbyllën në burg vetëm me anë të komplotit të tradhëtarëve dhe të njerëzve të ligj; dhe gjaku i tyre i pafajshëm në dyshemenë e burgut të Carthage-t është një vulë e madhe e ngjitur “Mormonizmit”, e cila nuk mund të mohohet nga asnjë gjykatë në tokë, dhe gjaku i tyre i pafajshëm në shqytën e shtetit të Illinois-it, me besimin e thyer të shtetit, siç u premtua prej guvernatorit, është një dëshmi për të vërtetën e ungjillit të përjetshëm, që e gjithë bota nuk mund ta vërë në dyshim; dhe gjaku i tyre i pafajshëm mbi flamurin e lirisë dhe mbi magna charta-n e Shteteve të Bashkuara është një ambasador i fesë së Jezu Krishtit, që do t’i prekë zemrat e njerëzve të ndershëm mes tërë kombeve; dhe gjaku i tyre i pafajshëm, me gjakun e pafajshëm të të gjithë martirëve nën altarin që Gjoni pa, do t’i thërrasë Zotit të Ushtrive derisa ai të marrë hak për atë gjak në tokë. Amen.