Seksioni 17

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit Oliver Cowdery-t, David Whitmer-it dhe Martin Harris-it, në Fayette, New York, qershor 1829, përpara se të shihnin fletët e gdhendura që përmbanin analin e Librit të Mormonit (History of the Church, 1:52–57). Joseph-i dhe shkruesi i tij, Oliver Cowdery, kishin mësuar nga përkthimi i fletëve të Librit të Mormonit se tre dëshmitarë të veçantë do të caktoheshin (shih Ethëri 5:2–4; 2 Nefi 11:3; 27:12). Oliver Cowdery, David Whitmer-i dhe Martin Harris-i u nxitën nga një dëshirë e frymëzuar që të ishin tre dëshmitarët e veçantë. Profeti i kërkoi Zotit dhe në përgjigje u dha kjo zbulesë nëpërmjet Urimit dhe Thumimit.

1–4, Me anë të besimit, Tre Dëshmitarët do të shohin fletët dhe gjërat e tjera të shenjta; 5–9, Krishti jep dëshmi për hyjninë e Librit të Mormonit.

  VINI re, unë ju them se ju duhet të mbështeteni mbi fjalën time, gjë që nëse e bëni me qëllim të plotë në zemër, ju do të shihni fletët dhe gjithashtu parzmoren, shpatën e Labanit, Urimin dhe Thumimin, të cilat iu dhanë vëllait të Jaredit në mal, kur ai foli me Zotin ballë për ballë, dhe drejtuesit e mrekullueshëm që iu dhanë Lehit, ndërsa në shkretëtirë, në kufijtë e Detit të Kuq.

  Dhe është me anë të besimit tuaj që ju do t'i shihni ato, madje me anë të besimit që ishte patur prej profetëve të lashtësisë.

  Dhe pasi ta keni fituar besimin dhe t'i keni parë ato me sytë tuaj, ju duhet të dëshmoni për to, me anë të fuqisë së Perëndisë;

  Dhe këtë duhet ta bëni që shërbëtori im, Joseph Smith i Riu, të mos shkatërrohet, që unë të mund të plotësoj qëllimet e mia të drejta për fëmijët e njerëzve në këtë vepër.

  Dhe ju do të dëshmoni se i keni parë ato, po ashtu si shërbëtori im, Joseph Smith i Riu, i ka parë ato; sepse është fuqia ime që ai i ka parë ato dhe është ngaqë ai kishte besim.

  Dhe ai ka përkthyer librin, madje atë pjesë të cilën unë e kam urdhëruar dhe ashtu si Zoti juaj dhe Perëndia juaj jeton, ky është i vërtetë.

  Si rrjedhim, ju keni marrë të njëjtën fuqi dhe të njëjtin besim, dhe të njëjtën dhunti si dhe ai;

  Dhe nëse i bëni këto urdhërime të fundit prej meje, të cilat unë jua kam dhënë, portat e ferrit nuk do të triumfojnë mbi ju; sepse hiri im është i mjaftueshëm për ju dhe ju do të ngriheni në ditën e fundit.

  Dhe unë, Jezu Krishti, Zoti juaj dhe Perëndia juaj, jua kam thënë atë, që të mund të plotësoj qëllimet e mia të drejta për fëmijët e njerëzve. Amen.