Seksioni 19

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith-it, në Manchester, New York, mars 1830 (History of the Church, 1:72-74). Në historinë e tij, Profeti e paraqiti atë si "një urdhërim të Perëndisë, dhe jo të njeriut, për Martin Harris-in, të dhënë nga ai që është i përjetshëm" (History of the Church, 1: 72).

1–3, Krishti ka gjithë fuqinë; 4–5, Gjithë njerëzit duhet të pendohen ose të vuajnë; 6–12, Ndëshkimi i përjetshëm është ndëshkimi i Perëndisë; 13–20, Krishti vuajti për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse pendohen; 21–28, Prediko ungjillin e pendimit; 29–41, Deklaro lajme të mira.

  UNË jam Alfa dhe Omega, Krishti Zoti; po madje unë jam ai, fillimi dhe fundi, Shëlbuesi i botës.

  Unë, pasi kam kryer dhe mbaruar vullnetin e atij të cilit i përkas, madje Atit, lidhur me mua—e kam bërë këtë që të mund t'ia nënshtroj gjithçka vetes sime—

  Duke ruajtur gjithë fuqinë, madje në shkatërrimin e Satanit dhe punëve të tij në fund të botës dhe ditën e fundit, të madhërishme të gjykimit, që unë do ta sjell mbi banorët e saj, duke gjykuar çdo njeri sipas punëve të tij dhe veprave që ai ka bërë.

  Dhe sigurisht çdo njeri duhet të pendohet ose të vuajë, sepse unë, Perëndia, jam i pafundëm.

  Si rrjedhim, unë nuk e shfuqizoj gjykimin që do të sjell, por mallkime do të përhapen, vajtim, kuje dhe kërcëllitje dhëmbësh, po, për ata që gjenden në të majtën time.

  Megjithatë, nuk është shkruar që s'do të ketë fund të këtij mundimi, por është shkruar mundim i pafundëm.

  Përsëri, është shkruar dënim i përjetshëm; si rrjedhim, ai është më i qartë se sa shkrimet e tjera të shenjta, që të mund të veprojë në zemrat e fëmijëve të njerëzve, tërësisht për lavdinë e emrit tim.

  Si rrjedhim, unë do t'ua shpjegoj këtë mister, pasi është e përshtatshme për ju të dini, po ashtu si dhe apostujt e mi.

  Unë ju flas juve që jeni zgjedhur lidhur me këtë gjë, sikur të ishit një, që të mund të hyni në prehjen time.

  10 Sepse, vini re, misteri i perëndishmërisë, sa i madh është ai! Sepse, vini re, unë jam i pafundëm dhe ndëshkimi që është dhënë nga dora ime, është ndëshkim i pafundëm, sepse i Pafundëm është emri im. Prandaj—

  11 Ndëshkim i përjetshëm është ndëshkimi i Perëndisë.

  12 Ndëshkim i pafundëm është ndëshkimi i Perëndisë.

  13 Si rrjedhim, unë të urdhëroj të pendohesh dhe të zbatosh urdhërimet që ke marrë nga dora e shërbëtorit tim Joseph Smith i Riu, në emrin tim;

  14 Dhe është nëpërmjet fuqisë sime të plotfuqishme që ti i ke marrë ato;

  15 Prandaj unë të urdhëroj të pendohesh—pendohu, përndryshe unë të godas me shufrën e gojës sime dhe me zemërimin tim, dhe me indinjatën time, dhe vuajtjet e tua do të jenë të ashpra—sa të ashpra ti s'e di, sa therëse ti s'e di, po, sa të vështira për t'u duruar ti s'e di.

  16 Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen;

  17 Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë;

  18 Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt—dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem—

  19 Megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve.

  20 Si rrjedhim, unë të urdhëroj përsëri të pendohesh, përndryshe do të të përul me fuqinë time të plotfuqishme; dhe që ti të rrëfesh mëkatet e tua, përndryshe do t'i vuash këto ndëshkime për të cilat unë kam folur, të cilat në shkallën më të vogël, po, madje në shkallën më të paktë, i ke provuar në kohën që unë e largova Shpirtin tim.

  21 Dhe unë të urdhëroj që ti të mos predikosh asgjë përveç pendimit dhe që ti të mos ia tregosh këto gjëra botës, deri sa të jetë urtësi për mua.

  22 Sepse ata nuk mund ta durojnë mishin tani, por qumësht duhet të marrin; si rrjedhim, ata s'duhet t'i dinë këto gjëra, përndryshe do të shkatërrohen.

  23 Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua.

  24 Unë jam Jezu Krishti; unë erdha prej vullnetit të Atit dhe bëj vullnetin e tij.

  25 Dhe përsëri, unë të urdhëroj që të mos lakmosh gruan e të afërmit tënd; as të mos kërkosh jetën e të afërmit tënd.

  26 Dhe përsëri, unë të urdhëroj që ti s'duhet të lakmosh pronën tënde, por ta japësh atë lirisht për shtypjen e Librit të Mormonit, i cili përmban të vërtetën dhe fjalën e Perëndisë—

  27 Që është fjala ime për Johebrenjtë, që shpejt mund të shkojë tek Judenjtë, prej të cilëve Lamanitët janë një mbetje, që ata të mund ta besojnë ungjillin dhe të mos kërkojnë të vijë një Mesia i cili tashmë ka ardhur.

  28 Dhe përsëri, unë të urdhëroj që ti duhet të lutesh me zë, ashtu si dhe në zemrën tënde; po, përpara botës, ashtu si dhe në fshehtësi, në publik, ashtu si dhe në vetmi.

  29 Dhe duhet të shpallësh lajme të gëzueshme, po, shpalli ato mbi malet e mbi çdo vend të lartë dhe mes çdo populli që do të të lejohet ta shohësh.

  30 Dhe ti duhet ta bësh atë gjithë përulësi, duke patur besim tek unë, duke mos sharë ata që shajnë.

  31 Dhe për doktrina të vështira ti s'duhet të flasësh, por duhet të shpallësh pendim e besim në Shpëtimtarin dhe heqje të mëkateve me anë të pagëzimit e me anë të zjarrit, po, madje të Frymës së Shenjtë.

  32 Vër re, ky është një urdhërim i madh dhe i fundit që unë do të të jap lidhur me këtë çështje; sepse ky do të mjaftojë për ecjen tënde të përditshme, madje deri në fund të jetës tënde.

  33 Dhe mjerim do të marrësh nëse nuk do t'i përfillësh këto këshilla, po, madje shkatërrimin e vetes tënde dhe të pronës tënde.

  34 Jep një pjesë të pronës tënde, po, madje pjesë të tokës tënde, dhe gjithçka përveç mbështetjes për familjen tënde.

  35 Paguaj borxhin që ke lidhur kontratë me tipografin dhe çliroje veten nga robëria.

  36 Lër shtëpinë dhe strehën tënde, me përjashtim kur do të duash të shohësh familjen tënde;

  37 Dhe folu lirisht të gjithëve; po, prediko, këshillo, shpall të vërtetën, madje me zë të lartë, me tinguj gëzimi, duke bërtitur—Hosana, hosana, bekuar qoftë emri i Zotit Perëndi!

  38 Lutu gjithmonë e unë do të derdh Shpirtin tim mbi ty dhe i madh do të jetë bekimi yt—po, madje më shumë se nëse ti do të fitoje thesare të tokës dhe korruptueshmëri në shtrirjen e tyre.

  39 Vër re, a mund ta lexosh ti këtë pa u gëzuar dhe pa t'u gufuar zemra nga kënaqësia

  40 Apo a nuk mundesh të vazhdosh të vraposh si një udhërrëfyes i verbër

  41 Apo s'mund të jesh i përulur e i butë dhe të sillesh me urtësi përpara meje? Po, eja tek unë, Shpëtimtari yt. Amen.