Seksioni 1

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, gjatë një konference të veçantë të pleqve të Kishës, mbajtur në Hiram, Ohio, më 1 nëntor 1831 (History of the Church [Historia e Kishës], 1:221–224). Shumë zbulesa ishin marrë nga Zoti përpara kësaj kohe dhe përmbledhja e tyre për botim në formë libri ishte një nga çështjet kryesore që u miratuan në konferencë. Ky seksion përbën parathënien e Zotit për doktrinat, besëlidhjet dhe urdhërimet e dhëna në këtë periudhë kohe.

1–7, Zëri i paralajmërimit shkon te gjithë njerëzit; 8–16, Braktisja dhe ligësia paraprijnë Ardhjen e Dytë; 17–23, Joseph Smith-i thirret për të rivendosur në tokë të vërtetat dhe fuqitë e Zotit; 24–33, Libri i Mormonit sillet dhe Kisha e vërtetë ngrihet; 34–36, Paqja do të merret nga toka; 37–39, Hetoni këto urdhërime.

  DËGJONI, O ju populli i kishës sime, thotë zëri i atij që banon lart dhe sytë e të cilit janë mbi gjithë njerëzit; po, në të vërtetë unë them: Mbani vesh ju popuj të largët; dhe ju që jeni në ishujt e detit, dëgjoni së bashku.

  Pasi në të vërtetë zëri i Zotit shkon te gjithë njerëzit dhe askush nuk mund t'i shpëtojë; dhe nuk ka sy që nuk do të shohë, as vesh që nuk do të dëgjojë, as zemër që nuk do të përshkohet.

  Dhe rebelët do të shpohen me shumë hidhërim; sepse paudhësitë e tyre do të shpallen nga çatitë dhe veprat e tyre të fshehta do të zbulohen.

  Dhe zëri i paralajmërimit do të shkojë te gjithë njerëzit prej gojës së dishepujve të mi, të cilët i kam zgjedhur në këto ditë të fundit.

  Dhe ata do të shkojnë dhe askush s'do t'i ndalojë, sepse unë, Zoti, i kam urdhëruar.

  Vini re, ky është autoriteti im dhe autoriteti i shërbëtorëve të mi, dhe parathënia ime për librin e urdhërimeve të mia, që ua kam dhënë atyre për t'i botuar për ju, O banorë të tokës.

  Prandaj, kini frikë e dridhuni, O ju popuj, sepse ajo që unë, Zoti, e kam dekretuar në to do të përmbushet.

  Dhe në të vërtetë unë ju them se ata që shkojnë, duke u dhënë këto lajme të reja banorëve të tokës, atyre u jepet fuqi për të vulosur si në tokë dhe në qiell, mosbesuesit dhe rebelët.

  Po, në të vërtetë, t'i vulosin ata deri në ditën kur zemërimi i Perëndisë do të derdhet mbi të ligjtë pa masë—

  10 Deri në ditën kur Zoti do të vijë të shpërblejë çdo njeri sipas veprës së tij dhe të masë çdo njeri sipas masës që ai ka matur shokun e tij.

  11 Prandaj zëri i Zotit shkon te fundet e dheut që, gjithkush që do të dëgjojë le të dëgjojë.

  12 Përgatituni ju, përgatituni ju për atë që do të vijë, pasi Zoti është pranë;

  13 Dhe inati i Zotit është ndezur dhe shpata e tij është larë në qiell e do të bjerë mbi banorët e tokës.

  14 Dhe krahu i Zotit do të zbulohet; dhe dita vjen kur ata që nuk do ta dëgjojnë zërin e Zotit, as zërin e shërbëtorëve të tij, as nuk do t'u vënë veshin fjalëve të profetëve dhe apostujve, do të shfarosen nga mesi i njerëzve.

  15 Sepse ata janë larguar nga ordinancat e mia dhe kanë marrë nëpër këmbë besëlidhjen time të përjetshme;

  16 Ata nuk kërkojnë Zotin për të vendosur drejtësinë e tij, por çdokush ecën në udhën e vet dhe sipas shëmbëlltyrës së perëndisë së vet, shëmbëlltyrë e cila është sipas ngjasimit të botës dhe thelbi i së cilës është ai i një idhulli, që vjetërohet dhe do të shkatërrohet në Babiloni, madje Babiloninë e madhe, e cila do të bjerë.

  17 Prandaj unë, Zoti, duke e ditur fatkeqësinë që do të vinte mbi banorët e tokës, thirra shërbëtorin tim, Joseph Smith të Riun dhe i fola atij nga qielli e i dhashë urdhërime;

  18 Dhe gjithashtu u dhashë urdhërime të tjerëve, se ata duhej t'ia shpallnin këto gjëra botës; dhe gjithë kjo, që të mund të përmbushej ajo që ishte shkruar nga profetët—

  19 Gjërat e dobëta të botës do të vijnë dhe do të dërrmojnë gjërat e fuqishme dhe të forta, që njeriu të mos këshillohet me shokun e tij, as të mos besojë në krahun e mishit—

  20 Por që çdo njeri të mund të flasë në emër të Perëndisë, Zotit, madje Shpëtimtarit të botës;

  21 Që besimi gjithashtu të mund të rritet në tokë;

  22 Që besëlidhja ime e përjetshme të mund të themelohet;

  23 Që plotësia e ungjillit tim të mund t'u shpallet nga të dobëtit dhe të thjeshtët fundeve të botës dhe përpara mbretërve dhe sundimtarëve.

  24 Vini re, unë jam Perëndi dhe e kam thënë atë; këto urdhërime janë nga unë dhe iu dhanë shërbëtorëve të mi në dobësinë e tyre, sipas gjuhës së tyre, që ata të mund të arrijnë të kuptojnë.

  25 Dhe meqenëse gabuan, të mund t'u bëhet e ditur;

  26 Dhe meqenëse kërkuan urtësi, të mund të udhëzohen;

  27 Dhe meqenëse mëkatuan, të mund të ndëshkohen që ata të mund të pendohen;

  28 Dhe meqenëse ishin të përulur, të mund të bëhen të fortë e të bekohen nga lart dhe të marrin dituri herë pas here.

  29 Dhe pasi kishte marrë analin e Nefitëve, po, madje shërbëtori im, Joseph Smith i Riu, të mund të kishte fuqi për të përkthyer nëpërmjet mëshirës së Perëndisë, me anë të fuqisë së Perëndisë, Librin e Mormonit.

  30 Dhe gjithashtu ata, të cilëve iu dhanë këto urdhërime, të mund të kishin fuqi për të ngritur themelin e kësaj kishe dhe për ta nxjerrë atë nga terri dhe errësira, të vetmen kishë të vërtetë dhe të gjallë mbi faqen e tërë dheut, me të cilën unë, Zoti, jam shumë i kënaqur, duke i folur kishës në mënyrë kolektive dhe jo individuale—

  31 Sepse unë, Zoti, nuk mund ta shoh mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit;

  32 Megjithatë, ai që pendohet dhe i bën urdhërimet e Zotit, do të falet;

  33 Dhe ai që nuk pendohet, prej tij do të merret edhe drita që ka marrë; sepse Shpirti im nuk do të ndeshet gjithmonë me njeriun, thotë Zoti i Ushtrive.

  34 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them juve, O banorë të tokës: Unë, Zoti, jam i gatshëm t'ia bëj këto gjëra të njohura gjithkujt;

  35 Sepse unë jam i paanshëm dhe dëshiroj që gjithë njerëzit do të dinë se dita shpejt vjen; ora nuk është ende, por është afër, kur paqja do të merret nga toka dhe djalli do të ketë pushtet mbi sundimin e tij.

  36 Dhe gjithashtu Zoti do të ketë pushtet mbi shenjtorët e tij dhe do të mbretërojë mes tyre e do të zbresë të gjykojë Edomin ose botën.

  37 I hetoni këto urdhërime, sepse ato janë të vërteta e besnike dhe profecitë e premtimet që janë në to, të gjitha do të përmbushen.

  38 Atë që unë, Zoti, kam thënë, e kam thënë dhe nuk justifikohem; dhe ndonëse qiejt dhe toka do të kalojnë, fjala ime nuk do të kalojë, por do të përmbushet e gjitha, qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj.

  39 Pasi vini re dhe shihni, Zoti është Perëndia dhe Shpirti jep dëshmi, dhe dëshmia është e vërtetë, dhe e vërteta qëndron gjithmonë e përgjithmonë. Amen.