Seksioni 28

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit Oliver Cowdery-t, në Fayette, New York, shtator 1830 (History of the Church, 1:109–111). Hiram Page, një anëtar i Kishës, pati një farë guri dhe shpalli se po merrte zbulesa me ndihmën e tij lidhur me ngritjen e Sionit dhe me organizimin e Kishës. Shumë anëtarë ishin mashtruar nga këto shpallje dhe madje Oliver Cowdery ishte ndikuar në mënyrë të gabuar prej tyre. Pikërisht përpara një konference të caktuar më parë, Profeti me zell i kërkoi Zotit lidhur me çështjen dhe kjo zbulesë pasoi.

1–7, Joseph Smith-i mban çelësat e mistereve dhe vetëm ai merr zbulesa për Kishën; 8–10, Oliver Cowdery duhet t'u predikojë Lamanitëve; 11–16, Satani e mashtroi Hiram Page-in dhe i dha atij zbulesa të rreme.

  VËR re, unë të them ty, Oliver, se do të të jepet që ti duhet të dëgjohesh nga kisha lidhur me gjithçka që do t'u mësosh atyre me anë të Ngushëlluesit, lidhur me zbulesat dhe urdhërimet që unë kam dhënë.

  Por, vër re, në të vërtetë, në të vërtetë, unë të them, askush nuk do të caktohet të marrë urdhërime dhe zbulesa në këtë kishë përveç shërbëtorit tim Joseph Smith i Riu, sepse ai i merr ato, sikurse edhe Moisiu.

  Dhe ti duhet t'u bindesh këtyre gjërave që unë i jap atij, sikurse edhe Aaroni, besnikërisht për t'ia shpallur urdhërimet dhe zbulesat me fuqi e autoritet kishës.

  Dhe nëse ti udhëhiqesh në çdo kohë nga Ngushëlluesi për të folur ose dhënë mësim, apo në të gjitha kohët, sipas mënyrës së urdhërimit për kishën, ti mund ta bësh atë.

  Por ti nuk duhet të shkruash sipas mënyrës së urdhërimit, por me urtësi;

  Dhe ti nuk do ta urdhërosh atë që është kreu yt dhe në krye të kishës;

  Sepse unë i kam dhënë atij çelësat e mistereve dhe zbulesat që janë vulosur, derisa unë do t'u caktoj atyre një tjetër në vend të tij.

  Dhe tani, vër re, unë të them se ti duhet të shkosh te Lamanitët dhe t'u predikosh atyre ungjillin tim; dhe nëse ata i pranojnë mësimet e tua, ti do të bësh të ngrihet kisha ime mes tyre; dhe ti do të kesh zbulesa, por mos i shkruaj ato sipas mënyrës së urdhërimit.

  Dhe tani, vër re, unë të them ty se nuk është zbuluar dhe askush s'e di ku do të ndërtohet qyteti i Sionit, por do të jepet më pas. Vër re, unë të them ty se do të jetë në kufijtë e Lamanitëve.

  10 Ti nuk do të largohesh nga ky vend deri pas konferencës; dhe shërbëtori im Joseph duhet të caktohet që të kryesojë konferencën nëpërmjet zërit të saj dhe atë që ai të thotë, ti duhet ta thuash.

  11 Dhe përsëri, ti duhet ta marrësh vëllanë tënd, Hiram Page-n, vetëm për vetëm, dhe thuaji atij se ato gjëra që i ka shkruar nga ai gur, nuk janë prej meje dhe se Satani e mashtroi atë;

  12 Sepse, vër re, këto gjëra nuk i janë caktuar atij, as nuk do t'i caktohet ndonjë gjë ndonjërit prej kësaj kishe në kundërshtim me besëlidhjet e kishës.

  13 Pasi të gjitha gjërat duhet të bëhen me rregull dhe me miratimin e përbashkët në kishë, me anë të lutjes së besimit.

  14 Dhe ti duhet të ndihmosh për të zgjidhur gjithë këto gjëra, sipas besëlidhjeve të kishës, përpara se të ndërmarrësh udhëtimin tënd mes Lamanitëve.

  15 Dhe do të të jepet që nga koha kur do të ikësh, deri në kohën kur do të kthehesh, se çfarë do të bësh.

  16 Dhe ti duhet ta hapësh gojën në çdo kohë, duke shpallur ungjillin tim me tinguj gëzimi. Amen.