Seksioni 35

Zbulesë dhënë Joseph Smith Profetit dhe Sidney Rigdon-it, në ose pranë Fayette, New York, dhjetor 1830 (History of the Church, 1:128–131). Në këtë kohë Profeti ishte përfshirë pothuajse çdo ditë në bërjen e një përkthimi të Biblës. Përkthimi u fillua që në qershor të 1830-ës dhe si Oliver Cowdery dhe John Whitmer-i kishin shërbyer si shkrues. Përderisa ata tani ishin thirrur në detyra të tjera, Sidney Rigdon u thirr me anë të emërimit hyjnor për të shërbyer si shkruesi i Profetit në këtë punë (shih vargun 20). Si parathënie të analit të tij për këtë zbulesë, Profeti shkroi: "Në dhjetor Sidney Rigdon erdhi [nga Ohio] për t'i kërkuar Zotit dhe me të erdhi Edward Partridge.... Pak pas mbërritjes së këtyre dy vëllezërve, kështu foli Zoti" (History of the Church, 1:128).

1–2, Si mund të bëhen njerëzit bijtë e Perëndisë; 3–7, Sidney Rigdon thirret për të pagëzuar dhe për të dhënë Frymën e Shenjtë; 8–12, Shenja dhe mrekulli sillen me anë të besimit; 13–16, Shërbëtorët e Zotit do t'i shkelin kombet me anë të fuqisë së Shpirtit; 17–19, Joseph Smith-i mban çelësat e mistereve; 20–21, Të zgjedhurit do t'i bëjnë ballë ditës së ardhjes së Zotit; 22–27, Izraeli do të shpëtohet.

  DËGJONI zërin e Zotit, Perëndisë suaj, madje Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, udha e të cilit është një rreth i përjetshëm, i njëjtë sot si dje dhe përgjithmonë.

  Unë jam Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, që u kryqëzua për mëkatet e botës, madje gjithë ata që do të besojnë në emrin tim, që ata të mund të bëhen bijtë e Perëndisë, madje një në mua, sikurse unë jam një në Atin, sikurse Ati është një në mua, që ne të mund të jemi një.

  Vini re, në të vërtetë, në të vërtetë, unë i them shërbëtorit tim Sidney, unë të kam vëzhguar ty dhe veprat e tua. I kam dëgjuar lutjet e tua dhe të kam përgatitur për një vepër më të madhe.

  Ti je i bekuar, sepse do të bësh gjëra të mëdha. Vër re, ti je dërguar, ashtu si Gjoni, të përgatitësh udhën përpara meje dhe përpara Elijas që do të vijë, dhe ti nuk e di atë.

  Ti vërtet pagëzove me anë të ujit, që të pendoheshin, por ata nuk e morën Frymën e Shenjtë;

  Por tani unë të jap një urdhërim që ti duhet të pagëzosh me anë të ujit dhe ata do ta marrin Frymën e Shenjtë me anë të vënies së duarve, madje ashtu si apostujt e lashtë.

  Dhe do të ndodhë që do të jetë një vepër madhështore në tokë, madje midis Johebrenjve, pasi marrëzia e tyre dhe neveritë e tyre do të manifestohen në sytë e gjithë njerëzve.

  Sepse unë jam Perëndi dhe dora ime nuk është e shkurtër; dhe unë do t'u tregoj mrekulli, shenja dhe çudira gjithë atyre që besojnë në emrin tim.

  Dhe kushdo që do ta kërkojë atë në emrin tim, me besim, ata do të dëbojnë demonë, do të shërojnë të sëmurët, do t'i bëjnë të verbërit t'u kthehet shikimi dhe të shurdhërit të dëgjojnë, dhe memecët të flasin, dhe të çalët të ecin.

  10 Dhe koha vjen shpejt që gjëra të mëdha do t'u tregohen fëmijëve të njerëzve;

  11 Por pa besim asgjë nuk do t'u tregohet, përveçse shkatërrime mbi Babiloni, po atë që i ka bërë të gjitha kombet të pijnë nga vera e zemërimit të lavirësisë së saj.

  12 Dhe s'ka njerëz që bëjnë mirë, përveç atyre që janë gati të marrin plotësinë e ungjillit tim, të cilin ia kam dërguar këtij brezi.

  13 Si rrjedhim, unë u bëj thirrje gjërave të dobëta të botës, atyre që janë të pamësuar dhe të përbuzur, t'i shkelin kombet me anë të fuqisë së Shpirtit tim;

  14 Dhe krahu i tyre do të jetë krahu im, dhe unë do të jem mburoja dhe shqyta e tyre; e do t'i ngjesh ijët e tyre dhe ata do të luftojnë burrërisht për mua; dhe armiqtë e tyre do të jenë nën këmbët e tyre; dhe unë do ta lë të bjerë shpatën në emër të tyre, dhe nëpërmjet zjarrit të zemëratës sime do t'i ruaj ata.

  15 Dhe të varfërve dhe të dobtëve do t'u predikohet ungjilli dhe ata do të presin me dëshirë kohën e ardhjes sime, sepse është shumë pranë—

  16 Dhe ata do të mësojnë shëmbëlltyrën e pemës së fikut, sepse edhe tani vera pothuajse është pranë.

  17 Dhe unë kam dërguar plotësinë e ungjillit tim nëpërmjet dorës së shërbëtorit tim Joseph; dhe në dobësi e kam bekuar atë;

  18 Dhe unë i kam dhënë atij çelësat e misterit të atyre gjërave që janë vulosur, madje të gjërave që ishin nga krijimi i botës dhe të gjërave që do të vijnë nga kjo kohë deri në kohën e ardhjes sime, nëse ai qëndron në mua dhe nëse jo, një tjetër do të vendos në vend të tij.

  19 Si rrjedhim, vëzhgoje atë, që besimi i tij të mos mpaket dhe do t'i jepet me anë të Ngushëlluesit, Frymës së Shenjtë, që i di të gjitha gjërat.

  20 Dhe një urdhërim unë të jap—që ti do të shkruash për të; dhe shkrimet e shenjta do të jepen, madje siç janë në kraharorin tim, për shpëtimin e të zgjedhurve të mi;

  21 Pasi ata do ta dëgjojnë zërin tim e do të më shohin dhe nuk do të flenë e do t'i qëndrojnë ditës së ardhjes sime; sepse ata do të pastrohen, sikurse unë jam i pastër.

  22 Dhe tani unë të them, qëndro me të dhe ai do të udhëtojë me ty; mos e braktis atë dhe sigurisht këto gjëra do të përmbushen.

  23 Dhe ndërkohë që nuk shkruani, vini re, do t'i jepet atij të profetizojë; dhe ti do të predikosh ungjillin tim dhe do t'u drejtohesh profetëve të shenjtë për t'i provuar fjalët e tij, ashtu siç do t'i jepen atij.

  24 Mbani gjithë urdhërimet e besëlidhjet me anë të të cilave jeni lidhur; dhe unë do t'i bëj qiejt të dridhen për të mirën tuaj dhe Satani do të dridhet e Sioni mbi kodra do të gëzohet e do të lulëzojë;

  25 Dhe Izraeli do të shpëtohet në kohën time të përshtatshme; dhe me anë të çelësave që unë kam dhënë, do të udhëhiqen ata dhe më nuk do të ngatërrohen aspak.

  26 Gëzohuni në zemrat tuaja dhe ngazëllehuni, shëlbimi juaj po afrohet.

  27 Mos ki frikë, tufë e vogël, mbretëria është e jotja, derisa unë të vij. Vini re, unë vij shpejt. Madje kështu. Amen.