Seksioni 36

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit Edward Patridge-it, pranë Fayette, New York, dhjetor 1830 (History of the Church, 1:131). (Shih kreun e seksionit 35.) Profeti tha se Edward Patridge-i "ishte një model mëshire dhe një nga njerëzit e mëdhenj të Zotit" (History of the Church, 1:128).

1–3, Zoti vë dorën e tij mbi Edward Patridge-in nëpërmjet dorës së Sidney Rigdon-it; 4–8, Kushdo që pranon ungjillin dhe priftërinë, duhet të thirret për të shkuar dhe për të predikuar.

  KËSHTU thotë Zoti Perëndi, i Fuqishmi i Izraelit: Vër re, unë të them ty, shërbëtorit tim Edward, se ti je bekuar dhe mëkatet e tua të janë falur e ti je thirrur për të predikuar ungjillin tim si me zërin e një borie;

  Dhe unë do ta vë dorën time mbi ty nëpërmjet dorës së shërbëtorit tim Sidney Rigdon dhe ti do të marrësh Shpirtin tim, Frymën e Shenjtë, madje Ngushëlluesin, që do të të mësojë gjërat paqësore të mbretërisë;

  Dhe ti do ta shpallësh atë me zë të lartë, duke thënë: Hosana, bekuar qoftë emri i Perëndisë më të lartë.

  Dhe tani këtë thirrje dhe urdhërim të jap unë ty lidhur me gjithë njerëzit—

  Që të gjithë ata që do të vijnë përpara shërbëtorëve të mi Sidney Rigdon dhe Joseph Smith i Riu, duke përqafuar këtë thirrje dhe urdhërim, duhet të shugurohen dhe të dërgohen për të predikuar ungjillin e pafundëm mes kombeve—

  Duke u thirrur pendim, duke thënë: Shpëtoni veten nga ky brez i çoroditur dhe dilni nga zjarri, duke urryer edhe rrobat e ndotura nga mishi.

  Dhe ky urdhërim duhet t'u jepet pleqve të kishës, që çdo njeri që do ta përqafojë atë me thjeshtësi zemre, të mund të shugurohet e dërgohet, madje siç kam thënë unë.

  Unë jam Jezu Krishti, Biri i Perëndisë; prandaj, ngjishni ijët tuaja dhe unë papritur do të vij në tempullin tim. Madje kështu. Amen.