Seksioni 3

Zbulesë dhënë Joseph Smith Profetit në Harmony, Pennsylvania, korrik 1828, lidhur me humbjen e 116 faqeve të dorëshkrimit të përkthyera nga pjesa e parë e Librit të Mormonit, që quhej libri i Lehit. Profeti, pa dëshirë, i kishte lejuar këto faqe të kalonin nga kujdestaria e tij në atë të Martin Harris-it, i cili kishte shërbyer për një periudhë të shkurtër si shkrues në përkthimin e Librit të Mormonit. Zbulesa u dha nëpërmjet Urimit dhe Thumimit. (History of the Church, 1:21–23.) (Shih seksionin 10.)

1–4, Udha e Zotit është një rreth i përjetshëm; 5–15, Joseph Smith-i duhet të pendohet ose do të humbasë dhuntinë për të përkthyer; 16–20, Libri i Mormonit vjen për të shpëtuar farën e Lehit.

  VEPRAT dhe planet dhe qëllimet e Perëndisë nuk mund të pengohen, as nuk mund të kthehen në hiç.

  Sepse Perëndia nuk ecën në shtigje të tërthorta, as nuk kthehet në të djathtë apo në të majtë, as nuk ndryshon nga ajo që ka thënë, si rrjedhim, shtigjet e tij janë të drejta dhe udha e tij është një rreth i përjetshëm.

  Kujto, kujto se nuk është vepra e Perëndisë që pengohet, por vepra e njerëzve;

  Pasi, edhe pse një njeri mund të ketë shumë zbulesa dhe të ketë fuqi për të bërë shumë vepra të fuqishme, përsëri, nëse mburret me forcën e tij e përçmon këshillat e Perëndisë dhe ndjek diktatin e vullnetit dhe të dëshirave të tij trupore, ai duhet të bjerë e të marrë mbi vete hakmarrjen e një Perëndie të drejtë.

  Vër re, ty të kanë qenë besuar këto gjëra, por sa të rrepta ishin urdhërimet për ty; dhe kujto gjithashtu premtimet që të ishin bërë, në qoftë se nuk i shkelje ato.

  Dhe vër re, sa shpesh ti i ke shkelur urdhërimet dhe ligjet e Perëndisë dhe ke vazhduar sipas bindjeve të njerëzve.

  Pasi, vër re, nuk duhet të frikësohesh më shumë nga njeriu sesa nga Perëndia. Edhe pse njerëzit përçmojnë këshillat e Perëndisë dhe përbuzin fjalët e tij—

  Përsëri ti duhej të kishe qenë besnik; dhe ai do të të kishte shtrirë krahun e tij dhe do të të kishte mbështetur ndaj gjithë shigjetave të zjarrta të të ligut; dhe ai do të kishte qenë me ty në çdo kohë shqetësimi.

  Vër re, ti je Joseph-i dhe u zgjodhe të bëje veprën e Zotit, por për shkak të shkeljes, nëse nuk je i kujdesshëm, ti do të biesh.

  10 Por kujto, Perëndia është i mëshirshëm; si rrjedhim, pendohu për atë që ke bërë, e cila është në kundërshtim me urdhërimin që unë të dhashë dhe ende je i zgjedhur e përsëri je i thirrur për veprën;

  11 Në qoftë se nuk e bën këtë, ti do të braktisesh tërësisht e do të bëhesh si njerëzit e tjerë dhe nuk do të kesh më dhunti.

  12 Dhe kur dorëzove atë që Perëndia të kishte dhënë sy dhe fuqi të përktheje, ti dorëzove atë që ishte e shenjtë në duart e një njeriu të lig,

  13 I cili ka përbuzur këshillat e Perëndisë dhe ka shkelur premtimet më të shenjta që u bënë përpara Perëndisë dhe është mbështetur mbi gjykimin e tij e është mburrur me urtësinë e tij.

  14 Dhe kjo është arsyeja që ti i ke humbur privilegjet e tua për një stinë—

  15 Pasi ke lejuar që këshilla e drejtuesit tënd të merret nëpër këmbë që nga fillimi.

  16 Megjithatë, vepra ime do të përhapet, pasi ashtu si dituria për një Shpëtimtar ka ardhur në botë nëpërmjet dëshmisë së Judenjve, po ashtu do të vijë dituria për një Shpëtimtar te populli im—

  17 Dhe te Nefitët, dhe te Jakobitët, dhe te Jozefitët, dhe te Zoramitët, nëpërmjet dëshmisë së etërve të tyre—

  18 Dhe kjo dëshmi do t'u bëhet e ditur Lamanitëve dhe Lemuelitëve, dhe Ishmaelitëve, që e humbën besimin për shkak të paudhësisë së etërve të tyre, të cilët Zoti i ka lejuar të shkatërrojnë vëllezërit e tyre, Nefitët, për shkak të paudhësive të tyre dhe të neverive të tyre.

  19 Dhe pikërisht për këtë qëllim janë ruajtur këto fletë, që përmbajnë këto anale—që të mund të përmbushen premtimet e Zotit, të cilat ai ia bëri popullit të tij;

  20 Dhe që Lamanitët të mund të vijnë te dituria e etërve të tyre, dhe që ata të mund të njohin premtimet e Zotit, dhe që ata të mund të besojnë ungjillin e të mbështeten te meritat e Jezu Krishtit, dhe të përlëvdohen nëpërmjet besimit në emrin e tij, dhe që nëpërmjet pendimit të tyre të mund të shpëtohen. Amen.