Seksioni 44

Zbulesë dhënë Joseph Smith Profetit dhe Sidney Rigdon-it, në Kirtland, Ohio, në pjesën e fundit të shkurtit 1831 (History of the Church, 1:157). Në përputhje me kërkesën e paraqitur këtu, Kisha caktoi të mbahej një konferencë në fillim të muajit të qershorit që pasoi.

1–3, Pleqtë duhet të mblidhen në konferencë; 4–6, Ata duhet të organizohen sipas ligjeve të tokës dhe të kujdesen për të varfërit.

  VINI re, kështu ju tha Zoti juve, shërbëtorëve të mi, është e nevojshme që pleqtë e kishës sime duhet të thirren së bashku, nga lindja e nga perëndimi dhe nga veriu e nga jugu, me anë të letrës ose me ndonjë mënyrë tjetër.

  Dhe do të ndodhë që, për aq sa të jenë besnikë dhe të ushtrojnë besim në mua, unë do ta derdh Shpirtin tim mbi ta në ditën që ata të mblidhen së bashku.

  Dhe do të ndodhë që ata do të shkojnë nëpër krahinat përreth dhe do t’u predikojnë pendim njerëzve.

  Dhe shumë do të kthehen në besim, kaq shumë, sa ju do të fitoni fuqi për t’u organizuar sipas ligjeve të njerëzve;

  Që armiqtë tuaj të mos kenë fuqi mbi ju; që ju të ruheni në gjithçka; që ju të jeni në gjendje të zbatoni ligjet e mia; që të thyhet çdo lidhje me të cilën armiku kërkon ta shkatërrojë popullin tim.

  Vini re, unë ju them se ju duhet të vizitoni të varfërit e nevojtarët dhe të administroni në ndihmë të tyre, që ata të mund të mbahen derisa gjithçka të bëhet sipas ligjit tim, që ju e keni marrë. Amen.