Seksioni 46

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit Kishës, në Kirtland, Ohio, më 8 mars 1831 (History of the Church, 1:163–165). Në këtë periudhë të hershme të Kishës, një model i njësuar për drejtimin e shërbimeve të Kishës nuk ishte zhvilluar ende. Megjithatë, një zakon i pranimit vetëm të anëtarëve dhe kërkuesve më të zellshëm në mbledhjet e sakramentit ose në kuvende të tjera të Kishës ishte bërë disi i zakonshëm. Kjo zbulesë shpreh vullnetin e Zotit lidhur me udhëheqjen dhe drejtimin e mbledhjeve.

1–2, Pleqtë duhet të drejtojnë mbledhjet siç udhëhiqen nga Shpirti i Shenjtë; 3–6, Kërkuesit e së vërtetës nuk duhet të përjashtohen nga shërbimet e sakramentit; 7–12, Lypini Perëndisë dhe kërkoni dhuratat e Shpirtit; 13–26, Një renditje e disa prej dhuratave jepet; 27–33, Udhëheqësve të Kishës u jepet fuqia për të dalluar dhuratat e Shpirtit.

  VINI vesh, O ju njerëz të kishës sime; sepse në të vërtetë unë ju them se këto gjëra ju ishin thënë juve për përfitimin dhe të mësuarin tuaj.

  Por pavarësisht nga ato gjëra që janë shkruar, gjithmonë u është dhënë pleqve të kishës sime nga fillimi, dhe përherë do t’u jepet, që të drejtojnë të gjitha mbledhjet, ashtu si ata drejtohen dhe udhëhiqen nga Shpirti i Shenjtë.

  Megjithatë, ju urdhëroheni që kurrë të mos dëboni askënd nga mbledhjet tuaja publike, të cilat mbahen përpara botës.

  Ju gjithashtu urdhëroheni të mos dëboni askënd që i përket kishës, nga mbledhjet tuaja të sakramentit; megjithatë, nëse dikush ka shkelur një ligj, mos e lejoni të marrë derisa ai të bëjë pajtim.

  Dhe përsëri unë ju them, ju nuk do të dëboni nga mbledhjet tuaja të sakramentit asnjë prej atyre që me zell po kërkojnë mbretërinë—unë e them këtë lidhur me ata që nuk janë të kishës.

  Dhe përsëri unë ju them, lidhur me mbledhjet tuaja të konfirmimit, se, nëse ka disa që nuk janë të kishës, të cilët me zell po kërkojnë mbretërinë, ju nuk duhet t’i dëboni ata.

  Por ju urdhëroheni në të gjitha gjërat t’i kërkoni Perëndisë, i cili jep me zemërgjerësi; dhe atë që Shpirti ju dëshmon, madje kështu dëshiroj që ju të bëni në gjithë shenjtërinë e zemrës, duke ecur drejtësisht përpara meje, duke pasur parasysh qëllimin e shpëtimit tuaj, duke i bërë të gjitha gjërat me lutje e falënderime, që ju të mos josheni nga shpirtrat e ligj ose doktrinat e demonëve, ose urdhërimet e njerëzve; sepse disa janë të njerëzve dhe të tjera janë të djajve.

  Si rrjedhim, ruhuni që të mos mashtroheni; dhe që të mos mashtroheni, kërkoni me zell dhuratat më të mira, gjithmonë duke kujtuar përse jepen ato;

  Sepse në të vërtetë unë ju them, ato jepen për përfitimin e atyre që më duan e që i zbatojnë të gjitha urdhërimet e mia, dhe të atij që kërkon të bëjë kështu; që të mund të përfitojnë të gjithë ata që kërkojnë ose që lypin prej meje, të cilët lypin dhe jo për një shenjë që të mund ta shpenzojnë për kënaqësitë e tyre.

  10 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, unë dëshiroj që ju gjithmonë të kujtoni dhe gjithmonë të mbetet në mendjet tuaja cilat janë ato dhurata që i janë dhënë kishës.

  11 Sepse të gjithë nuk e kanë çdo dhuratë të dhënë atyre; sepse ka shumë dhurata dhe çdo njeriu i jepet një dhuratë me anë të Shpirtit të Perëndisë.

  12 Disave u jepet një dhuratë dhe disave u jepet një tjetër, me qëllim që të gjithë të mund të përfitojnë në këtë mënyrë.

  13 Disave u jepet me anë të Frymës së Shenjtë të dinë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe se ai u kryqëzua për mëkatet e botës.

  14 Të tjerëve u jepet të besojnë në fjalët e tyre, që edhe ata të mund të kenë jetë të përjetshme, nëse qëndrojnë besnikë.

  15 Dhe përsëri, disave u jepet me anë të Frymës së Shenjtë të dinë mënyrat e ndryshme të administrimit, siç do të jetë e kënaqshme për të njëjtin Zot, sipas vullnetit të Zotit, duke iu përshtatur mëshirave të tij, sipas kushteve të fëmijëve të njerëzve.

  16 Dhe përsëri, u jepet me anë të Frymës së Shenjtë disave të dinë larmitë e veprimeve, nëse ato janë të Perëndisë, me qëllim që manifestimet e Shpirtit të mund t’i jepen çdo njeriu për të përfituar prej tyre.

  17 Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them, disave u jepet, me anë të Shpirtit të Perëndisë, fjala e urtësisë.

  18 Një tjetri i jepet fjala e diturisë, që të gjithë të mësohen të jenë të mençur dhe të kenë dituri.

  19 Dhe përsëri, disave u jepet të kenë besim për t’u shëruar;

  20 Dhe të tjerëve u jepet të kenë besim të shërojnë.

  21 Dhe përsëri, disave u jepet kryerja e mrekullive;

  22 Dhe të tjerëve u jepet të profetizojnë;

  23 Dhe të tjerëve dallimi i shpirtrave.

  24 Dhe përsëri, u jepet disave të flasin gjuhë;

  25 Dhe një tjetri i jepet interpretimi i gjuhëve.

  26 Dhe gjithë këto dhurata vijnë nga Perëndia, për përfitimin e fëmijëve të Perëndisë.

  27 Dhe peshkopit të kishës dhe atyre që Perëndia do t’i caktojë e shugurojë për të vëzhguar mbi kishën dhe për të qenë pleq për kishën, duhet t’u jepet t’i dallojnë tërë ato dhurata, kështu që nuk do të ketë asnjë mes jush që shpall se është prej Perëndisë dhe përsëri s’është prej tij.

  28 Dhe do të ndodhë që dikush që kërkon në Shpirt, do të marrë në Shpirt;

  29 Që disave mund t’u jepet t’i kenë gjithë këto dhurata, që të ketë një kre, me qëllim që çdo anëtar të mund të përfitojë në këtë mënyrë.

  30 Ai që kërkon në Shpirt, kërkon sipas vullnetit të Perëndisë; si rrjedhim, do të bëhet ashtu si ai kërkon.

  31 Dhe përsëri, unë ju them, të gjitha gjërat duhet të bëhen në emrin e Krishtit, çfarëdo gjë që bëni në Shpirt;

  32 Dhe ju duhet t’i jepni falënderime Perëndisë në Shpirt për çfarëdolloj bekimi me të cilin jeni bekuar.

  33 Dhe ju duhet të ushtroni virtyt dhe shenjtëri përpara meje vazhdimisht. Madje kështu. Amen.