Seksioni 54

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit Newel Knight-it, në Kirtland, Ohio, qershor 1831 (History of the Church, 1:180–181). Anëtarët e Kishës në degën në Thompson, Ohio, u ndanë lidhur me çështje që kishin të bënin me përkushtimin e pasurive. Egoizmi dhe lakmia u manifestuan dhe Leman Copley kishte shkelur besëlidhjen e tij për ta përkushtuar fermën e tij të madhe si një vend trashëgimi për Shenjtorët që po arrinin nga Colesville, New York. Ezra Thayre ishte përfshirë gjithashtu në debat. Si pasojë, Newel Knight-i (president i degës së Thompson-it) dhe pleq të tjerë kishin ardhur te Profeti, duke i kërkuar si të vepronin. Profeti i kërkoi Zotit dhe mori këtë zbulesë. (Shih seksionin 56, që është vazhdim i çështjes.)

1–6, Shenjtorët duhet të zbatojnë besëlidhjen e ungjillit që të fitojnë mëshirë; 7–10, Ata duhet të jenë të duruar në vuajtje.

  VËR re, kështu thotë Zoti, madje Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, madje ai që u kryqëzua për mëkatet e botës.

  Vër re, në të vërtetë, në të vërtetë, unë të them ty, shërbëtorit tim Newel Knight, ti duhet të qëndrosh i vendosur në detyrën në të cilën të kam caktuar.

  Dhe nëse vëllezërit e tu dëshirojnë t’u shpëtojnë armiqve të tyre, ata duhet të pendohen për të gjitha mëkatet e tyre dhe të bëhen me të vërtetë të përulur përpara meje dhe të penduar.

  Dhe ngaqë besëlidhja që bënë përpara meje, është shkelur, madje kështu ajo është bërë e kotë dhe pa asnjë vlerë.

  Dhe mjerë ai nëpërmjet të cilit vjen kjo fyerje, sepse do të kishte qenë më mirë për të që të ishte mbytur në thellësitë e detit.

  Por bekuar janë ata që e kanë ruajtur besëlidhjen dhe e kanë mbajtur urdhërimin, sepse ata do të fitojnë mëshirë.

  Si rrjedhim, shkoni tani dhe largohuni nga vendi, që armiqtë tuaj të mos ju zënë në befasi; dhe nisni udhëtimin tuaj e caktoni atë që doni të jetë udhëheqësi juaj dhe të paguajë paratë për ju.

  Dhe kështu ju duhet ta nisni udhëtimin tuaj për në krahinat perëndimore, për në tokën e Missouri-t, për në kufijtë e Lamanitëve.

  Dhe pasi ta keni mbaruar udhëtimin, vini re, unë ju them të kërkoni një jetesë si të njerëzve, derisa unë të përgatis një vend për ju.

  10 Dhe përsëri, jini të durueshëm në vuajtje derisa unë të vij; dhe, vini re, unë vij shpejt dhe shpërblimi im është me mua, dhe ata që më kanë kërkuar përpara, do të gjejnë pushim për shpirtrat e tyre. Madje kështu. Amen.