Seksioni 56

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, qershor 1831 (History of the Church, 1:186–188). Ezra Thayre, i cili ishte caktuar të udhëtonte për në Missouri me Thomas B. Marsh-in (shih seksionin 52:22), nuk ishte në gjendje ta fillonte misionin e tij kur tjetri ishte gati. Plaku Thayre nuk ishte gati të nisej në udhëtimin e tij për shkak të përfshirjes së tij në probleme në Thompson, Ohio (shih kreun e seksionit 54). Zoti iu përgjigj kërkesës së Profetit për çështjen duke dhënë këtë zbulesë.

1–2, Shenjtorët duhet ta marrin kryqin e tyre dhe të ndjekin Zotin për të fituar shpëtim; 3–13, Zoti urdhëron e anulon dhe të pabindurit dëbohen; 14–17, Mjerë të pasurit që nuk do të ndihmojnë të varfërit dhe mjerë të varfërit, zemrat e të cilëve s’janë të thyera; 18–20, Bekuar janë të varfërit që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.

  VINI vesh, O ju njerëz që shpallni emrin tim, tha Zoti, Perëndia juaj; sepse, vini re, inati im ndizet kundër rebelëve dhe ata do ta njohin krahun tim dhe indinjatën time, në ditën e ndëshkimit dhe të zemërimit mbi kombet.

  Dhe ai që nuk do ta marrë kryqin e tij e nuk do të më ndjekë dhe nuk do të zbatojë urdhërimet e mia, po ai nuk do të shpëtohet.

  Vini re, unë, Zoti, urdhëroj; dhe ai që nuk do të bindet, do të flaket në kohën time, pasi unë kam urdhëruar dhe urdhërimi është shkelur.

  Si rrjedhim, unë, Zoti, urdhëroj dhe anuloj, siç më duket mua mirë; dhe kjo e gjitha për të marrë përgjigje mbi kokat e rebelëve, tha Zoti.

  Si rrjedhim, unë e anuloj urdhërimin që iu dha shërbëtorëve të mi Thomas B. Marsh dhe Ezra Thayre dhe i jap një urdhërim të ri shërbëtorit tim Thomas, që ai duhet ta nisë udhëtimin e tij me të shpejtë për në tokën e Missouri-t dhe shërbëtori im Selah J. Griffin do të shkojë me të gjithashtu.

  Sepse vini re, unë e anuloj urdhërimin që u ishte dhënë shërbëtorëve të mi Selah J. Griffin dhe Newel Knight si pasojë e kokëfortësisë së njerëzve të mi që janë në Thompson dhe të rebelimeve të tyre.

  Si rrjedhim, shërbëtori im Newel Knight duhet të mbetet me ta; dhe të gjithë ata që duan të shkojnë, mund të shkojnë, ata që janë të penduar para meje dhe të udhëhequr prej tij për në vendin që unë kam caktuar.

  Dhe përsëri, në të vërtetë unë ju them se shërbëtori im Ezra Thayre duhet të pendohet për krenarinë e tij dhe për egoizmin e tij e t’i bindet urdhërimit të mëparshëm që unë ia kam dhënë, lidhur me vendin në të cilin ai jeton.

  Dhe nëse do ta bëjë këtë, ngaqë nuk do të ketë ndarje të bëra mbi tokën, ai do të caktohet përsëri për të shkuar në tokën e Missouri-t.

  10 Përndryshe ai duhet të marrë paratë që ka paguar e duhet të largohet nga vendi dhe duhet të flaket jashtë kishës sime, thotë Zoti, Perëndia i ushtrive;

  11 Dhe sikur qielli dhe toka të kalojnë, këto fjalë nuk do të kalojnë, por do të përmbushen.

  12 Dhe nëse shërbëtori im Joseph Smith i Riu duhet patjetër të paguajë paratë, vini re, unë, Zoti, do t’ia paguaj ato përsëri në tokën e Missouri-t, që ata nga të cilët ai do të marrë, të mund të shpërblehen përsëri sipas asaj që bëjnë;

  13 Sepse sipas asaj që bëjnë, ata do të marrin, madje në toka për trashëgimin e tyre.

  14 Vini re, kështu u thotë Zoti njerëzve të mi—ju keni shumë gjëra për të bërë dhe për t’u penduar; sepse, vini re, mëkatet tuaja kanë ardhur tek unë dhe nuk janë falur, pasi ju kërkoni të këshilloni sipas mënyrave tuaja.

  15 Dhe zemrat tuaja nuk kënaqen. Dhe ju nuk i bindeni së vërtetës, por kënaqeni në padrejtësi.

  16 Mjerë ju njerëz të pasur, që nuk do t’ua jepni pasurinë tuaj të varfërve, sepse pasuritë tuaja do t’i gërryejnë shpirtrat tuaj; dhe ky do të jetë vajtimi juaj në ditën e ndëshkimit dhe të gjykimit, dhe të indinjatës: Korrja kaloi, vera mbaroi dhe shpirti im nuk shpëtohet!

  17 Mjerë ju njerëz të varfër, zemrat e të cilëve nuk janë të thyera, shpirtrat e të cilëve nuk janë të penduar e barqet e të cilëve nuk janë të kënaqur dhe duart e të cilëve nuk përmbahen nga marrja e të mirave të njerëzve të tjerë, sytë e të cilëve janë plot lakmi dhe që nuk do të punoni me duart tuaja!

  18 Por bekuar janë të varfërit që janë të pastër në zemër, zemrat e të cilëve janë të thyera dhe shpirtrat e të cilëve të penduar, sepse ata do ta shohin mbretërinë e Perëndisë duke ardhur me fuqi e lavdi të madhe, deri në çlirimin e tyre; sepse bollëku i tokës do të jetë i tyre.

  19 Sepse, vini re, Zoti do të vijë dhe shpërblimi i tij do të jetë me të e ai do ta shpërblejë çdo njeri dhe të varfërit do të gëzohen;

  20 Dhe brezat e tyre do ta trashëgojnë tokën nga brezi në brez, përherë e përgjithmonë. Dhe tani unë i jap fund të folurit për ju. Madje kështu. Amen.