Seksioni 60

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Sion, konteja e Jackson-it, Missouri, më 8 gusht 1831 (History of the Church, 1:201–202). Me këtë rast pleqtë që ishin caktuar të ktheheshin për në Lindje, dëshiruan të dinë se si duhej të vepronin dhe me anë të cilës rrugë dhe mënyrë duhej të udhëtonin.

1–9, Pleqtë duhet të predikojnë ungjillin në grumbullimet e të ligjve; 10–14, Ata nuk duhet ta harxhojnë kohën e tyre me përtaci as t’i varrosin talentet e tyre; 15–17, Ata mund t’i lajnë këmbët e tyre si një dëshmi kundër atyre që mohojnë ungjillin.

  VINI re, kështu u thotë Zoti pleqve të kishës së tij, të cilët duhet të kthehen me të shpejtë në tokën nga e cila erdhën: Vini re, është e kënaqshme për mua, që keni ardhur këtu;

  Por me disa unë nuk jam mjaft i kënaqur, sepse ata nuk do t’i hapin gojët e tyre, por e fshehin talentin që u kam dhënë atyre, për shkak të frikës nga njerëzit. Mjerë mbi këta, sepse inati im ndizet kundër tyre.

  Dhe do të ndodhë, në qoftë se ata nuk janë më shumë besnikë ndaj meje, që do t’u merret, madje ajo që kanë.

  Sepse unë, Zoti, sundoj në qiejt lart dhe mes ushtrive të tokës; dhe në ditën kur unë do të zgjedh xhevahirët e mi, gjithë njerëzit do të dinë ç’është ajo që paraqet fuqinë e Perëndisë.

  Por, në të vërtetë, unë do t’ju flas lidhur me udhëtimin tuaj për në tokën nga erdhët. Duhet të bëhet një mjet lundrimi, ose të blihet, si t’ju duket juve mirë, s’ka rëndësi për mua, dhe niseni me të shpejtë udhëtimin për në vendin që quhet St. Louis.

  Dhe nga ai vend shërbëtorët e mi Sidney Rigdon, Joseph Smith i Riu dhe Oliver Cowdery duhet ta nisin udhëtimin e tyre për në Cincinnati;

  Dhe në këtë vend ata duhet ta ngrenë zërin e tyre e ta shpallin fjalën time me zëra të lartë, pa zemërim apo dyshim, duke ngritur duar të shenjta mbi ta. Sepse unë jam në gjendje t’ju bëj të shenjtë dhe mëkatet tuaja ju janë falur.

  Dhe pjesa e mbetur duhet ta nisin udhëtimin e tyre nga St. Louis-i, dy e nga dy, dhe të predikojnë fjalën, pa u ngutur, mes grumbullimeve të të ligjve, derisa ata të kthehen në kishat prej nga erdhën.

  Dhe e gjitha kjo për të mirën e kishave; sepse për këtë qëllim i kam dërguar ata.

  10 Dhe shërbëtori im Edward Partridge duhet të japë nga paratë që unë i kam dhënë, një pjesë për pleqtë e mi të cilët urdhërohen të kthehen;

  11 Dhe ai që është në gjendje, duhet t’i kthejë ato nëpërmjet përfaqësuesit; dhe ai që nuk është në gjendje, atij ato nuk i kërkohen.

  12 Dhe tani unë i flas pjesës së mbetur të cilët duhet të vijnë në këtë tokë.

  13 Vini re, ata janë dërguar të predikojnë ungjillin tim mes grumbullimeve të të ligjve; si rrjedhim, unë iu jap atyre një urdhërim, kështu: Mos e harxho kohën tënde me përtaci as mos e varros talentin tënd që ai të mos njihet.

  14 Dhe pasi të vish në tokën e Sionit dhe të kesh shpallur fjalën time, kthehu me të shpejtë, duke shpallur fjalën time mes grumbullimeve të të ligjve, pa u ngutur, as në zemërim apo me grindje.

  15 Dhe shkunde pluhurin nga këmbët e tua ndaj atyre që nuk të pranojnë, jo në praninë e tyre, që të mos i provokosh, por në fshehtësi; dhe laji këmbët e tua, si dëshmi ndaj tyre në ditën e gjykimit.

  16 Vini re, kjo është e mjaftueshme për ju dhe është vullneti i atij që ju ka dërguar.

  17 Dhe prej gojës së shërbëtorit tim, Joseph Smith të Riut, do të bëhet e ditur lidhur me Sidney Rigdon-in dhe Oliver Cowdery-n. Pjesa e mbetur më pas. Madje kështu. Amen.