Seksioni 64

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit pleqve të Kishës në Kirtland, Ohio, më 11 shtator 1831 (History of the Church, 1:211–214). Profeti po përgatitej të lëvizte për në Hiram, Ohio, për t’iu rikthyer punës për përkthimin e Biblës, e cila ishte lënë mënjanë ndërkohë që ai kishte qenë në Missouri. Një grup vëllezërish, të cilët ishin urdhëruar të udhëtonin për në Sion (Missouri), u përfshinë plot zell në bërjen e përgatitjeve për t’u larguar në tetor. Në këtë kohë plot punë, zbulesa u mor.

1–11, Shenjtorët urdhërohen ta falin njëri-tjetrin, përndryshe ngelet mbi ta mëkati më i madh; 12–22, Ata që nuk pendohen, duhet të sillen përpara Kishës; 23–25, Ai që paguan të dhjetën, nuk do të digjet në ardhjen e Zotit; 26–32, Shenjtorët paralajmërohen për borxhin; 33–36, Rebeluesit do të flaken jashtë Sionit; 37–40, Kisha do të gjykojë kombet; 41–43, Sioni do të lulëzojë.

  VINI re, kështu ju thotë Zoti, Perëndia juaj, juve: O ju pleq të kishës sime, mbani vesh e dëgjoni dhe merrni vullnetin tim lidhur me ju.

  Sepse, në të vërtetë, unë ju them, unë dëshiroj që ju ta mundni botën; prandaj do të kem dhembshuri për ju.

  Ka mes jush nga ata që kanë mëkatuar; por, në të vërtetë, unë ju them, vetëm për këtë herë, për vetë lavdinë time dhe për shpëtimin e shpirtrave, jua kam falur mëkatet tuaja.

  Unë do të jem i mëshirshëm me ju, sepse ju kam dhënë mbretërinë.

  Dhe çelësat e mistereve të mbretërisë nuk do t’i merren shërbëtorit tim Joseph Smith të Riut nëpërmjet mënyrës që kam caktuar, derisa të jetojë, për aq kohë sa ai u bindet ordinancave të mia.

  Ka nga ata që kanë kërkuar rast kundër tij pa shkak;

  Megjithatë, ai ka mëkatuar; por, në të vërtetë, unë ju them, unë, Zoti, ua fal mëkatet atyre që i rrëfejnë mëkatet e tyre përpara meje dhe kërkojnë falje, atyre që nuk kanë mëkatuar me vdekje.

  Dishepujt e mi, në ditët e lashta, kërkuan rast kundër njëri-tjetrit dhe nuk e falën njëri-tjetrin në zemrat e tyre; dhe për këtë ligësi ata u brengosën dhe u ndëshkuan rreptësisht.

  Prandaj, unë ju them se ju duhet ta falni njëri-tjetrin; sepse ai që nuk ia fal shkeljet vëllait të tij, mbetet i dënuar përpara Zotit; sepse atij i ngelet mëkati më i madh.

  10 Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit.

  11 Dhe ju duhet të thoni në zemrat tuaja—Perëndia duhet të gjykojë midis meje dhe teje dhe të të shpërblejë sipas veprave të tua.

  12 Dhe atë që nuk pendohet për mëkatet e tij e nuk i rrëfen ato, duhet ta sillni përpara kishës dhe të bëni me të siç ju thonë shkrimet e shenjta, qoftë nëpërmjet urdhërit apo nëpërmjet zbulesës.

  13 Dhe këtë duhet ta bëni që Perëndia të përlëvdohet—jo ngaqë nuk falni, duke mos patur dhembshuri, por që ju të mund të shfajësoheni në sytë e ligjit, që ju të mos fyeni atë që është ligjdhënësi juaj—

  14 Në të vërtetë unë ju them, për këtë shkak ju duhet t’i bëni këto gjëra.

  15 Vini re, unë, Zoti, u zemërova me atë, i cili ishte shërbëtori im Ezra Booth, dhe gjithashtu shërbëtorin tim Isaac Morley, sepse ata nuk e zbatuan ligjin, as urdhërimin;

  16 Ata kërkuan ligësi në zemër dhe unë, Zoti, e tërhoqa Shpirtin tim. Ata mallkuan si ligësi atë gjë në të cilën nuk kishte ligësi; megjithatë unë e kam falur shërbëtorin tim Isaac Morley.

  17 Dhe gjithashtu shërbëtori im Edward Patridge, vini re, ai ka mëkatuar dhe Satani kërkon ta shkatërrojë shpirtin e tij; por kur këto gjëra t’u bëhen të njohura atyre dhe ata të pendohen për ligësinë, do të falen.

  18 Dhe tani, në të vërtetë unë them se është e domosdoshme për mua që shërbëtori im Sidney Gilbert, pas pak javësh, të kthehet në punën e tij dhe në detyrën e tij në tokën e Sionit;

  19 Dhe atë që ai e ka parë e dëgjuar, t’u bëhet e njohur dishepujve të mi, që ata të mos gjejnë vdekje. Dhe për këtë shkak i kam folur këto gjëra.

  20 Dhe përsëri, unë ju them, me qëllim që shërbëtori im Isaac Morley të mos tundohet më shumë se ç’është në gjendje të durojë dhe të mos këshillojë gabim që t’ju dëmtojë, unë dhashë urdhërim që ferma e tij të shitet.

  21 Unë nuk dëshiroj që shërbëtori im Frederick G. Williams ta shesë fermën e tij, sepse unë, Zoti, dëshiroj të ruaj një vend të sigurt në tokën e Kirtland-it, për hapësirën e pesë viteve, në të cilën nuk do t’u jap fund të ligjve, që në këtë mënyrë të mund të shpëtoj disa.

  22 Dhe pas asaj dite, unë Zoti, nuk do të mbaj fajtor asnjë që do të shkojë zemërhapur në tokën e Sionit; sepse unë, Zoti, kam nevojë për zemrat e fëmijëve të njerëzve.

  23 Vini re, e tanishmja quhet e sotme deri në ardhjen e Birit të Njeriut dhe në të vërtetë është një ditë sakrifice dhe një ditë për të dhjetën e popullit tim; sepse ai që do të paguajë të dhjetën, nuk do të digjet në ardhjen e tij.

  24 Sepse pas së sotmes vjen djegia—kjo është duke folur sipas mënyrës së Zotit—sepse në të vërtetë unë them, nesër gjithë krenarët dhe ata që veprojnë ligësisht, do të jenë si kashta; dhe do t’i djeg ata, sepse unë jam Zoti i Ushtrive; dhe unë nuk do të kursej asnjë që mbetet në Babiloni.

  25 Prandaj, nëse më besoni, ju do të punoni derisa të quhet e sotme.

  26 26 Dhe nuk është e përshtatshme që shërbëtorët e mi, Newel K. Whitney dhe Sideny Gilbert, t’i shesin dyqanet e tyre dhe pronat e tyre këtu; sepse kjo nuk është urtësi derisa pjesa e mbetur e kishës që qëndron në këtë vend, do të shkojë në tokën e Sionit.

  27 Vini re, thuhet në ligjet e mia, ose ndalohet, të hyni në borxh tek armiqtë tuaj;

  28 Por vini re, nuk thuhet në asnjë kohë që Zoti nuk do të marrë kur t’i pëlqejë dhe nuk do të paguajë kur t’i duket atij mirë.

  29 Prandaj, ngaqë jeni vetëveprues, ju jeni në punën e Zotit; dhe çdo gjë që e bëni sipas vullnetit të Zotit, është puna e Zotit.

  30 Dhe ai ju ka caktuar të siguroni për shenjtorët e tij në këto ditë të fundit, që ata të mund të fitojnë trashëgim në tokën e Sionit.

  31 Dhe vini re, unë, Zoti, ju shpall, dhe fjalët e mia janë të sigurta e nuk do të dështojnë, që ata do ta fitojnë atë.

  32 Por gjithë gjërat duhet të ndodhin në kohën e tyre.

  33 Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe.

  34 34 Vini re, Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme; dhe të gatshmit dhe të bindurit do të hanë të mirat e tokës së Sionit në këto ditë të fundit.

  35 Dhe rebelët do të flaken jashtë nga toka e Sionit dhe do të dërgohen larg e nuk do ta trashëgojnë tokën.

  36 Sepse, në të vërtetë unë ju them se rebelët nuk janë nga gjaku i Efraimit, prandaj ata do të shkulen.

  37 Vini re, unë, Zoti, e kam bërë kishën time në këto ditë të fundit si një gjykatës të ulur mbi një kodër, apo në një vend të lartë, për të gjykuar kombet.

  38 Sepse do të ndodhë që banorët e Sionit do t’i gjykojnë të gjitha gjërat që lidhen me Sionin.

  39 Dhe gënjeshtarët e hipokritët do të provohen prej tyre dhe ata që nuk janë apostuj e profetë, do të njihen.

  40 Dhe madje peshkopi që është gjykatës dhe këshilltarët e tij, në qoftë se nuk janë besnikë në kujdestaritë e tyre, do të dënohen dhe të tjerë do të vihen në vend të tyre.

  41 Sepse, vini re, unë ju them se Sioni do të lulëzojë dhe lavdia e Zotit do të jetë mbi të;

  42 Dhe ai do të jetë një emblemë për njerëzit dhe do të vijnë në të prej çdo kombi nën qiell.

  43 Dhe dita do të vijë, kur kombet e tokës do të dridhen për shkak të tij dhe do të frikësohen për shkak të të tmerrshmëve të tij. Zoti e ka thënë atë. Amen.