Seksioni 66

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Orange, Ohio, më 25 tetor 1831 (History of the Church, 1:219–221). Kjo ishte dita e parë e një konference të rëndësishme. Në parathënie të kësaj zbulese, Profeti shkroi: “Me kërkesën e William E. McLellin-it, unë i kërkova Zotit dhe mora sa vijon” (History of the Church, 1:220).

1–4, Besëlidhja e përjetshme është plotësia e ungjillit; 5–8, Pleqtë duhet të predikojnë, të dëshmojnë dhe të arsyetojnë me njerëzit; 9–13, Shërbimi besnik në shërbesë siguron një trashëgim të jetës së përjetshme.

  VINI re, kështu i thotë Zoti shërbëtorit tim William E. McLellin—Bekuar qofsh për aq sa ti ke hequr dorë nga paudhësitë e tua dhe i ke pranuar të vërtetat e mia, thotë Zoti, Shëlbuesi yt, Shpëtimtari i botës, madje i aq shumë vetëve sa besojnë në emrin tim.

  Në të vërtetë unë ju them, bekuar qofshi ju që morët besëlidhjen time të përjetshme, madje plotësinë e ungjillit tim, të dërguar fëmijëve të njerëzve, që ata të mund të kenë jetë dhe të mund të bëhen pjesëmarrës të lavdive që do të zbulohen në ditët e fundit, siç ishte shkruar nga profetët dhe apostujt në ditët e lashta.

  Në të vërtetë unë të them ty, shërbëtorit tim William, se ti je i pastër, por jo i tëri; pendohu, si rrjedhim, për ato gjëra që nuk janë të kënaqshme në sytë e mi, tha Zoti, sepse Zoti do të t’i tregojë ato.

  Dhe tani, në të vërtetë, unë, Zoti, do të të tregoj çka dëshiroj lidhur me ty ose cili është vullneti im lidhur me ty.

  Vër re, në të vërtetë unë të them se është vullneti im që ti ta shpallësh ungjillin tim nga një tokë në tjetrën dhe nga një qytet në tjetrin, po, në ato krahina përreth, ku ai nuk është shpallur.

  Mos qëndro shumë ditë në këtë vend; mos shko akoma në tokën e Sionit; por sa të mund të dërgosh, dërgo; me fjalë të tjera, mos mendo për pasurinë tënde.

  Shko në tokat e lindjes, jep dëshmi në çdo vend, çdo populli dhe në sinagogat e tyre, duke arsyetuar me njerëzit.

  Shërbëtori im Samuel H. Smith duhet të vijë me ty dhe mos e braktis atë e jepi atij udhëzimet e tua; dhe ai që është besnik, do të bëhet i fortë në çdo vend; dhe unë, Zoti, do të vij me ju.

  Vër duart mbi të sëmurët dhe ata do të shërohen. Mos u kthe derisa unë, Zoti, do të të dërgoj. Ji i durueshëm në mjerim. Kërko dhe do të marrësh; trokit e do të të çelet.

  10 Mos kërko të rëndohesh. Braktis gjithë padrejtësinë. Mos shkel besnikërinë bashkëshortore—një tundim me të cilin ti je shqetësuar.

  11 Bindju këtyre thënieve, sepse ato janë të vërteta dhe besnike; dhe ti duhet ta lartësosh detyrën tënde dhe duhet të mbledhësh shumë njerëz në Sion me këngë gëzimi të përjetshëm mbi kokat e tyre.

  12 Vazhdo në këto gjëra madje deri në fund dhe ti do të kesh një kurorë jete të përjetshme në të djathtën e Atit tim, i cili është plot hir e të vërtetë.

  13 Në të vërtetë, kështu thotë Zoti, Perëndia yt, Shëlbuesi yt, madje Jezu Krishti. Amen.